Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: SHUMËMJERIMI I POLITIKËS SHQIPTARE

E përjetova me kënaqësi SAMITIN PËR BALLKANIN PERËNDIMOR.

E kam mirëpritur si një orientim të ri e konkret të politikës europiane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor e veçanërisht ndaj Shqipërisë.

I pashë edhe nga afër fytyrat e të gjithë liderëve që kishin ardhur në Tiranë dhe pavarësisht nga nuancat u ndjeva mirë.

Ata politikanë europianë e ballkanikë ishin bashkë dhe mund të bënin diçka për të ardhmen, ndonëse ROMINGU dhe 1 miliard dollarët e premtuar nuk çojnë kandar për një rajon të prapambetur e me shumë probleme nacionale, të nxehta e të pazgjidhura.

Pas atij zhvillimi pozitiv, me vlerësime për Shqipërinë, as që e çoja nëpërmend se pak metra më tutje, aty ku opozita protestonte do të ndodhte një skandal që askush nuk e priste dhe për mendimin tim, shumë dëmtor për Shqipërinë e shumë absurd për momentin kur ai zhvillohet.

Një njeri i panjohur futet në turmë me shpejtësi dhe godet me forcë në fytyrë, një njeri të moshuar, një deputet, një ish kryeministër, një ish President dhe kryetarin aktual të opozitës shqiptare, Sali Berisha.

Padyshim një akt brutal, antinjerëzor e kriminal.

Dëgjova e lexova reagime nga më të ndryshmet nga të dyja palët, nga disa që thonë e ka merituar e deri tek të tjerë që e marrin në mbrojtje me të gjitha mjetet.

Sigurisht që kam mendimet e mia për të gjithë liderët që e kanë drejtuar Shqipërinë në këto 30 vjet dhe e përgjithshmja e kësaj periudhe shumëvjeçare është se kryepolitikanët tanë, të të gjitha krahëve e kanë konsumuar moralisht e politikisht mandatin që u ka dhënë populli apo që ia kanë marrë popullit.

ATA DUHET TË IKIN E T’I HAPIN RRUGËN NJË KLASE TË RE POLITIKANËSH QË TË MARRIN NË DORË FATIN E POPULLIT TË VET.

Në asnjë vend të botës demokratike nuk gjen politikanë që i kanë gëzuar të gjitha postet politike, të gjitha privilegjet e babëzitë të cilët kanë qëndruar në pushtet 30 vjet.

Dy herë nga katër vjet apo tre herë nga katër vjet i gjen në postet drejtuese, politikanët e Amerikës, Anglisë, Holandës, Zvicrës, Vendeve Nordike e kështu me radhë.

Ata largohen për t’i lënë vendin të tjerëve të drejtojnë ekonomine, kulturën e politikën në vendet e tyre.

Tek ne ka ndodhur ndryshe. Tre a katër vetë e kanë patur fatin e Shqipërisë në dorë për 30 vjet me radhë dhe këto njerëz u mësuan me të mirat që sjell politika dhe punuan vite me radhë për kultin e tyre, të familjes e të klanit që i ka rrethuar.

Është utopi të presim që këto njerëz të ikin vetë.

Si brenda partive të tyre ashtu edhe nga jashtë, ata nuk janë të rrezikuar.

Liderët e politikës shqiptare janë kujdesur që pranë tyrë, të mos rritet asnjë lis i lartë, asnjë lider tjetër që mund të rrezikonte praninë e tyre në udhëheqjen e forcës politike që ata drejtojnë.

Për këto arsye edhe të tjera sigurisht, politika shqiptare përjeton veçanërisht, këto 30 vjet, krizën e lidershipit.

Po ata që ishin, si majtas e si djathtas i vërtiten posteve më të larta të politikës e të shtetit shqiptar sepse nuk ka të tjerë dhe shqiptarët po këto do të hanë…!

Më kujtohet ajo historia e qershive të cilën po e lë vetëm me kaq, pa e zbërthyer se çfarë ngjau me qershitë e pshu… dikur në Shkodër.

Në shërbim të kultit të këtyre që kanë mbetur, një rol të rendit të parë ka luajtur edhe media e cila i ka shërbyer me devocion, tortës së pushtetit nga e cila është mirëpaguar rregullisht.

Shikoni sa e zhbalancuar ishte paraqitja e situatës së këtyre ditëve të passamitit europian.

Shumë pak jehonë iu bë SAMITIT e ndërsa grushtit i u dha një hapsirë mediatike e paparë ndonjëherë sepse media shqiptare është e politizuar, është e dhënë e pasionante pas kronikës së zezë dhe nuk vlerëson progresin.

Gjithashtu për gjendjen ku jemi nuk janë fajtorë vetëm politikanët.

Për mendimin tim, ne qytetarët shqiptarë dhe inteligjenca shqiptare e mbajnë përgjigjesinë kryesore.

Ne jemi dorëzuar përballë politikës, jemi strukur thellë duke ia lënë në dorë pak njerëzve, fatin e familjeve, të fëmijëve e të vendit tonë të shtrenjtë.

Këto ditë, lideri i opozitës bëri thirrje për revolucion duke ftuar popullin dhe rininë të ngrihen për ta rrëzuar me dhunë, qeverinë e kryeministrit Rama.

Secili prej atyre që e kanë dëgjuar menjëherë ka nxjerrë përfundimin se gjendja ku jemi nuk mund të shërohet nga ata që e kanë krijuar.

Edhe në industritë e të gjitha llojeve, riciklimi i mbetjeve është një zgjidhje halli.

Ajo bëhet për të ruajtur ambientin dhe për të kursyer lëndën e parë.

Në politikë, njerëzit preferojnë dhe presin që të vijnë njerëz të rinj për të drejtuar ekonominë e kulturën e këtij vendi shumë të pasur e me një popull fukara.

ÇFARË DUHET TË BËJMË?

Unë thjesht po jap disa mendime të miat pa pretenduar të bëj profesorin.

  1. Në situatën që kalojmë, ne qytetarët e këtij vendi duhet të rrisin vetëdijen kombëtare e të nxjerrin përfundimin se vetëm shqiptarët janë ata që mund ta çojnë Shqipërinë përpara. Amerika e Bashkimi Europian janë miqtë tanë dhe na kanë ndihmuar aq sa kanë mundur dhe secili prej nesh i nxjerr përfundimet vetë. Asgjë nuk bie nga qielli dhe asgjë nuk të fal askush. Vetëm i zoti e nxjerrë ATË nga balta.
  2. Shoqëria shqiptare nuk duhet të rrijë e ndarë në parti e shoqata, por duhet bashkuar e unifikuar. Ajo duhet të luftojë jo më për PARTINË, POR PËR SHQIPËRINË, për familjen e fëmijët e vet.
  3. Partitë e këtyre 30 viteve nuk mund të asgjësohen apo të shkrihen sepse kanë ndjekësit e tyre përfitues si dhe të tjerë që i ndjekin verbërisht në luftën e tyre për pushtet. Qytetarët e këtij vendi e kanë në dorë të luftojnë për dobësimin e rolit të tyre në jetën e shoqërisë shqiptare duke i hapur rrugën forcave të reja politike me liderë të pastër, atdhetarë e të pakorruptuar.
  4. Indiferenca jonë duke braktisur votimet nuk është rruga që sjell ndryshimin në Shqipëri. Sot në Shqipëri marrin pjesë në votime reth 30 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Rreth 70 për qind e tyre nuk voton. Qysh këtu fillon e mbaron loja. Qeveritë që drejtojnë vendin janë të delegjitimuara sepse thjesht nuk përfaqësojnë vullnetin e pjesës dërmuese të popullit shqiptar.
  5. Angazhimi i partive politike shqiptare për çështjen kombëtare lë shumë për të dëshëruar. Shqiptarët duhet të kenë strategjinë e tyre kombëtare e të sjellin në drejtimin e vendit liderë patriotë të dëshmuar që kanë provuar se e duan me shpirt vendin e vet. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën e dëshmojnë më së miri përkujdesjen e shtetit AMË ndaj bashkëkombësve të vet pa u futur me thellë tek MINIPAMBUKU BALLKANIK, tek mos-rezoluta për dënimin e genocidit serb në Kosovë, nga parlamenti shqiptar e të tjerë.
  6. Sot në Shqipëri, në trojet shqiptare e në diasporë po punohet për mbajtjen e një KUVENDI KOMBËTAR me përfaqësues që nuk zgjidhen nga politika aktuale. Jam i mendimit se lëvizja për organizimin e këtij kuvendi duhet të përkrahet e mbështetet fuqimisht. Ky kuvend do të prodhojë rezolutën e vet si dhe do të zgjedhë forumet drejtuese, kryesinë dhe Asamblenë Kombëtare. Në këtë Kuvend mund të vijnë njerëz të zgjedhur nga organizatat jo qeveritare, nga qytetarë patriotë si dhe nga personalitete të dëshmuara për kontributin që kanë dhënë për vendin e vet. Bashkimi e unifikimi i tyre, në një tribunë të mendimit të lirë, qytetar dhe intelektual do të ketë një impakt të dorës së parë në Shqipëri.

Politika nuk do të ketë më përballë individë të veçantë apo organizata të ndara, atdhetare e kulturore.

Ajo do të përballet ne një institucion përfaqësues e fuqiplotë të shoqërise shqiptare.

I dhashë disa mendime me sinqeritet e dashuri e shumë të tjera më vlojnë në gji.

I mirëpres mendimet e shokëve, bashkëpunëtorëve e miqve të mi në facebook.

 

Tiranë, më 10 dhjetor 2022.

Please follow and like us: