Dorian Koçi: Republika Shqiptare e Korçës
Sfondi Historik
Republika Franceze, në Luftën e Parë Botërore u gjend aktor dhe faktor politik në Ballkan pas zbarkimit të Armatës së Lindjes në Selanik. Repartet franceze të Armatës së Lindjes përparuan kah perëndimi në drejtim të kufijve të Shqipërisë dhe në tetor të 1916-s pushtuan Korçën. Para ardhjes së francezëve qyteti i Korçës ishte në duart e ushtrisë greke, e cila e kishte ripushtuar zyrtarisht qytetin në korrik 1914 . Në emër të popullsisë së krahinës, një komision korçarësh i kërkoi komandës franceze largimin e menjëhershëm të trupave greke dhe ngritjen e një administrate shqiptare.Me ardhjen e francezëve në Korçë, grekët kostandinistë, civilë e ushtarakë, si kundërshtarë politikë të Fuqive të Antantës, u detyruan të largoheshin prej andej, çka u mirëprit nga rrethet atdhetare të atjeshme.
Forcat shqiptare arritën të korrnin një fitore politike të madhe me nënshkrimin në 10 dhjetor 1916 të një protokolli me komandantin e forcave franceze të Korçës, kolonelin Henri Descoins, sipas të cilit krijohej një “krahinë autonome”. Sipas këtij protokolli, Korça, së bashku me Kolonjën, Gorën dhe Oparin do të formonte një krahinë autonome të administruar prej shqiptarëve dhe nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Protokolli i 10 dhjetorit ishte i përbërë prej 9 nenesh me një përfaqësi prej 14 vetash nga Korça, ku bënin pjesë (7 ortodoksë e 7 myslimanë), të cilët arritën të nënshkruanin me komandantin e forcave franceze të Korçës, kolonelin Henri Descoins.Administrimi i krahinës iu besua një këshilli administrativ, i quajtur ndryshe këshilli qeveritar, i përbërë po nga ato figura politike shqiptare që kishin nënshkruar dokumentin.
Ky këshill do kishte nën urdhrat e veta xhandarmërinë dhe njëkohësisht do të krijoheshin edhe repartet lëvizëse shqiptare për të ruajtuar “pavarësinë e territorit dhe lirinë e banorëve”. Ky protokoll mbyllej me dy pika të ndjeshme për shqiptarët. Gjuha zyrtare do të ishte shqipja, ndërsa flamuri i krahinës autonome të Korçës do të ishte “flamuri tradicional i Skënderbeut me shiritat trengjyrësh të flamurit francez”. Me emrin e “Republikës” u shtypën pulla poste dhe u vunë në qarkullim monedha 1 fr. dhe 0.5 fr. Protokolli shqiptaro-francez ishte rrjedhim i vlerësimit realist nga ushtarakët francezë të gjendjes etnike dhe të forcës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në krahinën e Korçës.
Me kërkesën këmbëngulëse të përfaqësuesve shqiptarë komanda ushtarake franceze pranoi të largonte nga krahina e Korçës të gjithë grekët pavarësisht nga prirjet e tyre politike, rrjedhimisht u përzunë edhe venizelistët. Në 25 nëntor Themistokli Gërmenji i drejtonte popullit të krahinës së Korçës një thirrje me përmbajtje politike kuptimplotë: “Ushtria franceze ardhi zaptoi Korçën për të luftuar kundër austriakëve, gjermanëve dhe bullgarëve dhe jo kundër shqiptarëve. Komandari dhe qeveritari i Francës në Korçë e njeh Korçën për vend të Shqipërisë, i njeh të gjithë të drejtat e kombit shqiptar..”
Reportazhi i gazetarit Robert Vaucher nga Korça më 28 shkurt 1917
Shpallja e Republikës në Korçë në 10 dhjetor 1916 ka hyrë në historiografinë shqiptare me emrin Krahina Autonome e Korçës por shtypi francez i kohës e pa atë thjesht si republikë shqiptare. Një informacion shumë i rëndësishëm për Luftën e Parë Botërore në zonën e pushtimit italian dhe francez në Shqipëri janë reportazhet e gazetarit të famshëm zvicerian, korrespondentit të gazetës franceze “L’Illustration”, Robert Vaucher (1890-1977). Robert Vaucher erdhi si korrespondent lufte i revistës “L’Illustration” në Shqipëri në periudhën dhjetor 1916 – shkurt 1917. Në Shqipëri ai raportoi nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Leskoviku e Korça. Përveç Korçës, këto qytete ishin në zonën e pushtimit italian pas braktisjes së Aleancës Trepalëshe nga Italia dhe aderimit të saj në Antantë. Ja si e përshkruan shpalljen e Republikës së Korçës, këtë moment të rëndësishëm të historisë shqiptare-franceze gjatë Luftës së Parë Botërore por dhe të Shqipërisë Robert Vaucher në reportazhin e datës 28 shkurt 1917. Përveçse informacionit të gjendjes politike, reportazhi i Robert Vaucher nga Korça jep informacion të drejtpërdrejtë për popullsinë, jetën ekonomike dhe jetën sociale të qytetit.
Republika Shqiptare e Korçës
Korçë, 28 shkurt
Në nëntor bullgarët pushtuan përsëri të gjithë rajonin jugor të liqeneve dhe zbritën deri në fshatrat Zvezdë dhe Lozhan*. Patrullat e tyre vinin shpesh deri në Korçë. Autoritetet greke të qytetit nuk i fshihnin ndjenjat e tyre gjermanofile dhe bullgarofile. Korça ishte një nga qendrat më të rëndësishme të spiunazhit dhe kontrabandës për armiqtë tanë. Nëpërmjet rrugës Janinë-Korçë-Pogradec postat gjermane dhe austriake kalonin disa herë në javë, me destinacion Athinën. Në atë kohë, austriakët merreshin me ngritjen e çetave te forta komitësh për të ruajtur qytetin. Monarkistët grekë i kishin siguruar ata se nuk do të lejonin të hynin francezët. Por shërbimi i zbulimit, i organizuar mjaft mirë në Ushtrinë Lindore, rrinte zgjuar. Pa paralajmërim, skuadrone luftarakë francezë hynë në qytet, në fillim të nëntorit. Disa qindra ushtarë që iu bashkuan lëvizjes venizeliste, që kishin fituar Selanikun tashmë. Elementët monarkistë duhej të ktheheshin në Korçë.
Qyteti u pushtua nga trupat tona, autoritetet greke gjermanofile u dëbuan, prandaj, Qeveria Kombëtare e Selanikut dërgoi shpejt një prefekt venizelist, Z. Argiropulos. Por kjo nuk ishte ajo që kërkonin shqiptarët, myslimanë apo ortodoksë, ata shpesh flasin greqisht, por nuk janë më pak shqiptarë.
Franca, në fillim të dhjetorit, kishte në Korçë çeta të dobëta të destinuara për të ruajtur qetësinë në vend, për të parandaluar spiunazhin dhe kontrabandën dhe për të mbuluar krahun ekstrem të majtë të ushtrive aleate që vepronin në zonën Follorinë – Manastir.
Në sytë e nacionalistëve shqiptarë, Franca ishte e njohur vetëm si filohelene. Kur një oficer francez bisedonte me Sali Butkën, duke i kërkuar atij pse luftonte kundër nesh, shefi i komitëve u përgjigj: “Franca, në Konferencën e Londrës, ishte armiqësore ndaj vendit tim. Ajo kërkon t’i japë Greqisë më shumë se ç’është e mundur në Shqipërinë Jugore. Austria, nga ana tjetër, mbështet të drejtat tona, kjo është arsyeja pse ne jemi austrofilë”.
Ndërkohë, komitat rrethuan Korçën me një brez bajonetash. Vetëm rruga e Bilishtit ishte e jona. Të gjitha kodrat përreth në lindje, jug dhe perëndim, ishin në dorë të shqiptarëve që ishin të ndarë në dy grupe: Njëri i Themistokli Gërmenjit, një i krishterë ortodoks nacionalist i bindur që kishte grupuar nën komandën e tij të gjithë të krishterët shqiptarë dhe ai i Sali Butkës që kishte të rekrutuar komitë në mesin e popullsisë muslimane.
Postat e batalioneve tona indo-kineze ishin në dalje të qytetit dhe në fillim të dhjetorit, situata dukej kritike. Për të mundur komitat duheshin kontingjente të mëdha ushtarësh të angazhuar në këtë kohë në një pjesë tjetër të frontit, dhe ishte në dorë të një sulmi të disa mijërave ushtarëve të çrregullt me pushkë gjermane dhe të paguar me ar austriak. Shqipëria nuk ishte në luftë me Francën, pse ushtarët tanë rrezikonin çdo herë që dilnin jashtë qytetit dhe goditeshin?
“Nëse Franca, tha Themistokli Gërmenji, do me të vërtetë të shpallë pavarësinë tonë duke vazhduar të na mbrojë ushtarakisht, ajo duhet të jetë e sigurt se paqja do të mbizotërojë së shpejti në vend.”
Duke rënë dakort se dëshira e shumicës dërrmuese të popullsisë i përgjigjej kësaj deklarate dhe që të arrihet qetësia në zonën për të cilën kishte nevojë për operacionet e tij, Gjeneral Sarrail lejoi shpalljen e pavarësisë së qytetit të Korçës nën mbrojtjen e autoritetetit ushtarak francez. Themistokliu kishte rënë dakort ndërkohë me të gjithë njerëzit, dhe kodrat mbi qytet nuk u pushtuan veçse nga çeta të Sali Butkës, të cilat ishin mundur plotësisht, siç raportova më lart.
Më 10 dhjetor para një turme të madhe, flamuri kombëtar shqiptar, i kuq, me shqiponjën e zezë dykrenore në mes, flamuri i vjetër të Skënderbeut që luftoi kundër turqve, u ngrit në ballkonin e kolonelit francez që komandonte territorin dhe bashkinë e qytetit. Një këshill administrativ që shërben në të njëjtën kohë, si parlament dhe qeveri, u zgjodh nga populli. Ai përfshin katërmbëdhjetë anëtarë, shtatë myslimanë dhe shtatë të krishterë, dhe një delegat nga Bilishti. Ky këshill përgjigjet për administrimin e brendshëm të qytetit që numeron më shumë se njëqind mijë njerëz.
“Shqipëria shqiptarëve”, kjo është motoja e njerëzve të të gjitha komuniteteve të kësaj pllaje të pasur të Korçës ku toka është shumë pjellore, nëntoka e pasur me bakër dhe mineral hekuri. Qymyri është në nivelin e tokës dhe në ditët e fundit, këshilli administrativ filloi shfytëzimin. Ky qymyrguri është shitur nën kujdestarinë franceze për nevojat e trupave tona.
Mbërrita në Korçë pas dy muajsh pasi ishte shpallur Republika dhe nga të gjitha anët, në mes muslimanëve e ortodoksëve, kam dëgjuar vetëm një mirënjohje për Francën.
Këta njerëz të varfër kanë parë që prej Luftës së Parë Ballkanike, të parakalojnë para tyre, me një shpejtësi të madhe, një sërë qeverish ardhur natyrisht për t’i çliruar ata prej zgjedhës së paraardhësit të tyre:
1) deri në dhjetor 1912, ishte regjimit turk,
2) deri në maj 1913, regjimi ushtarak grek;
3) deri në mars 1914, sundimi civil grek;
4) deri në korrik 1914, regjimi shqiptar i Princ Vidit;
5) deri në tetor 1914, andartët grekë;
6) deri në dhjetor 1914, pushtimi ushtarak grek;
7) deri në fund të tetorit 1916, administrata civile greke monarkiste;
deri në 23 nëntor 1916, administrata civile venizeliste;
9) deri në 10 dhjetor, Autoriteti ushtarak francez me zyrtarë grekë;
10) që nga 10 dhjetori, Republika autonome shqiptare nën mbrojtjen e ushtrisë franceze.
Kuptohet qartë pasiguria e kësaj popullate të vuajtur të Korçës këto katër vitet e fundit. Prej dy muajsh shqiptarët dëshmojnë se ata janë në gjendje të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Mosmarrëveshjet fetare nuk ekzistojnë për arsyen e thjeshtë se nuk është askush për t’i nxitur.
Republika e Korçës është ndoshta aktualisht shteti i vetëm në Evropë që balancon buxhetin e saj dhe nuk ka defiçit. Nga taksat, të dhjetat dhe detyrimet raportohet në të vërtetë 46.000 franga në muaj, 35.000 prej të cilave shërbejnë për të përforcuar xhandarmërinë e qytetit.
Të pajisur mjaft mirë, me një uniformë kaki dhe një tegel kuq e zi, dy ngjyrat kombëtare, policia ka një pamje të bukur. Ata formojnë dy organe të veçanta: xhandarmërinë e policisë dhe xhandarmërinë e lëvizshme (kufitare). E para mban rendin në qytet, e dyta është përgjegjëse, në përputhje me kushtetutën e shtetit të ri, për të mbrojtur integritetin territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë. 350 xhandarët erdhën për të luftuar me ne, kundër bandave të çrregullta në llogari të Austrisë.
Shkollat ne Korçë janë siguruar nga emigrantët shqiptarë në Amerikë dhe Egjipt në shuma të mëdha që arrijnë në disa milionë franga, të cilat rritën kështu buxhetin vendor. Sapo vendosëm në program mësimin e gjuhës franceze. Në Korçë po botohen shumë gazeta. Kryesorja, Gazeta e Korçës del në katër faqe në shqip, frengjisht dhe greqisht.
Një rend i përsosur mbizotëron tani në territorin e qytetit. Për dy muaj nuk ka pasar asnjë krim, fakt unik në historinë e Shqipërisë. Pulla të shtypura ose të gdhendura duke përdorur burimet lokale dhe duke mbajtur shqiponjë me dy koka dhe mbishkrimin “Korçë (emrin shqiptar i Koritza), Shqipëria e pavarur,” zëvendësojnë aktualisht pullat e vjetra greke apo epirote. Kartëmonedha 1 Franga dhe 50 qindarka janë krijuar për të plotësuar pamjaftueshmërinë e vogël të monedhës. Franca, për traditat e saj liberale, dhe me frymën e vetëmohimit me të cilat ajo kishte të bënte me qytetin e Korçës, është vlerësuar sidomos nga shqiptarët si fuqi e pushtetit. Kjo që bëjmë, nuk është e mërzitshme, nuk ka asnjë synim territorial në Shqipëri dhe gëzon nga ana tjeter, një autoritetit të padiskutueshëm moral në Ballkan.
Shumica e liderëve shqiptarë që e kanë njohur këtë fakt , propogandojnë për të ardhmen e një Shqipërie të pavarur formuar si një konfederatë e katër ose pesë qyteteve të ndryshme nga njëri-tjetri nga zakonet, nga feja e tyre, por të bashkuar me të njëjtën dëshirë për bashkim dhe pavarësi shqiptare. Kjo konfederatë do të modelohet sipas Konfederatës zviceriane dhe do të drejtohet nga një Këshilli Federal. Por të gjithë udhëheqësit pa përjashtim pranojnë se Shqipëria duhet të mbetet, të paktën gjatë viteve të para, nën protektoratin ushtarak të fuqive të Antantës.
Fjala e hapur sot në qytet se austriakët, të cilët mbahen në radhët e tyre në sajë të shumë shqiptarëve nacionalistë duke u premtuar atyre shpalljen e Shqipërisë të pavarur dhe për t’i mbrojtur kundër Greqisë mbështetur nga Franca, shihen tashmë të braktisur nga komitat. Ata nuk duan të luftojnë kundër një France që vetëm provon simpatinë e tyre. Duke ndjerë rrezikun, Austria, nga ana tjetër, kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë Veriore. Aktualisht është e vështirë për të ditur detaje. Një gjë është e sigurt se austriakët të tërbuar nga dështimet e trupave te tyre dhe çetave të cilave u ishin përkushtuar, tashmë kërkonin hakmarrje.
Aviatorët e tyre me shumë skuadrone avionësh bombarduan në Korçë. Spiunazhi, i cili lulëzon në të gjithë Shqipërinë, ku frontet janë mbyllur me një rrjet teli me gjemba, megjithatë u lejuan atyre të dinë se trupat tanë nuk qëndrojnë në qytet, por në kampe shumë më afër frontit. Madje, ata u hidhëruan për kryeqytetin e republikës së re. Dëmet, të cilat u prishën plotësisht nga pikëpamja ushtarake, u kufizuan në disa gropa me bomba në çatitë dhe kupolat e Kishës se madhe Ortodokse , dhe në vrasjen e vajzave të reja që luanin në rrugë apo gra shtëpiake, me shtëpizat e ndërtuara keq dhe që u rrëzuan si kështjella prej letre .
Robert Vaucher
Pjesë nga libri Shqipëria në reportazhet e Robert Vaucher/ L’Albanie dans les reportages de Robert Vaucher, Papirus, Tiranë, 2020, mbledhur dhe përgatitur për botim nga Dorian Koçi.