Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: OLENI “ELEKTRIZON” SHQIPTARËT E ATHINËS!

Ashtu sikundër isha, i tejshkundur nga pandemia e “rrufeja” e mëpastajme, po i ripërtërirë, si e kisha mundur të keqen, shkova edhe unë në “Divan Caravel” të Athinës për t’u gëzuar rishtazi, edhe sivjet, në Festën e Pavarësisë. Ndriste gjithçka në atë kat salloni të hotelit madhështor të Athinës, me tryezat e stolisura, me vajzat tona të veshura me kostumet origjinale dhe me shqiptarë, arvanitas e arbëreshë të ftuar e të veshur me sqimë, me buzëqeshjen e të lumturve… Me të gjitha të mirat brenda, me të pira e mezera, që servireshin pa pushim, me muzikë, këngë, valle, flamuj e shamira të kuqe flakë e me fare pak fjalime zyrtare. Kur flet ZEMRA! Festa kërkonte pikërisht këtë atmosferë të ndezur e të kulturuar bashkëkohëse, ku unë do të shihja se si lëvizte midis turmës një person i njohur entuziast, i thjeshtë e i nxituar, si të ishte një arlekin i shkathët i Komedia del’Arte, me këmishë të bardhë e me flokët mbi ballë, që s’dija se ku e kisha parë, po që ishte aq i njohur e i këndshëm, i cili do më shquhej i plotë e i vërteti, sapo të hypte në podiumin e orkestrinës përballë e do vendoste violinën  në qafë, mbi telat e së cilës ranë edhe leshrat e tj të dredhura: qe OLEN QESARI ynë, Piqerasioti, që lindi në Durrës në vitin 1975, i biri i Inxhinier Roberto Qesarit nga Piqerasi, që gjezdisi BOTËN me violinën në krahë, një talent i lindur, që doli edhe në publik me koncertin e tij të parë muzikor që më moshën 6-vjeçare  dhe që, u përket tani, edhe të gjithë kombeve ku u rrit, mësoi, u diplomua në tre konservatore famoze (brenda moshës 18 vjeçare!), jetoi dhe shpërndau talentin e tij të jashtzakonshëm, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Greqi, Itali, Austri, Amerikë, Kanada, Japoni e kudo ne Europë, ku dha koncertet e tij magjike, me violinën elektrike e me vokalin e tij, herë të butë e herë të zjarrtë.

Këtë behar u bënë edhe mjaft “debate pa bereqet” atje në Piqeras, në fshatin e tij të origjinës! Për Olen Qesarin, të nipin e Stefan Qesarit nga Piqerasi që emigroi në Amerikë, nëpërmjet Greqisë dhe që e la të birin, me gjyshen nga Qeparoi. Oleni  lindi, u rrit dhe mësoi muzikë në Durrës e Tiranë, jeton (më së shumti) në Itali, ku mbiemëri i tij lexohe Cesari, -sipas versionit vendas, sikundër ndodh edhe në  Greqi e në shume vende të botës, dhe, njeri nga këta (të “opozitës” së fshatit!),-si  i quajmë unë e Fabulisti Gjivogli, -thoshte se Oleni duhet të vijë edhe në Piqeras  a në Bunec, që t’i bjerë violinës, kur këtë artist me famë botërore (që shumëkush nga BOTA, e ka cilësuar GJENI!), nuk e mbledh dot as Italia, ku edhe banon, me koncertet që ka dhënë e jep, që nga Brazili i kontinentit amerikan e gjerë në kontinentin aziatik, duke e përshëndetur ”Botën Aziatike“ nga  muri i lashtë kinez! E pikërisht në këto çaste (sikur ta kishte “ngacmuar telepatia” se po flisnim për të, më telefonon vetë Oleni, nëse mund ta prisja në Piqeras që të blinte librat e mia për Piqerasiotët, ku pata botuar edhe një portretin e tij, për të cilin pata shumë komente pro e kundra(?!) Ai ndali makinën BMW që e ngiste vetë, para shtëpisë time, pa patur kohë që të pinte as edhe një kafe, ngaqë e prisnin në Parga të Greqisë, të ftuar për disa koncerte aty e në qytete të tjera të vendit fqinjë, por premtoi se me kthimin e tij mund të qëndronte ca me tepër  dhe menjëherë hapi kasetofonin për të dëgjuar direkt mesazhin e së ëmës, Lavdie Qesari, e cila më falenderonte për shkrimin e bërë për Olenin e saj, që as ajo vetë nuk e “mblidhte dot” nga turnet e ftesat e shumta që i vinin pa rreshtur… Po mori tre librat e mia, tha se do t’i lexonte me kujdes, më përqafoi e iku me po atë nxitim që kanë arrtistët kur i kërkon publiku i pa anë…

Dhe, ja ku më del përpara, në Athinë, para  emigrantëve tanë  që u “çmendën” pas tij dhe që e shtuan kohën e qëndrimit në atë hotel luksoz të Athinës, kur festa u “elektrizua” e morri zjarr!… Ç’farë këngësh dëshironi,-u tha ai  spektatorëve që mbushnin sallën,-shqiptare, greke , apo italiane? Dhe , kori  buçiti në një zë të vetëm:  SHQIPTARE!, për ta flakëruar “Divan Caravelin” ca më tepër! Dhe do më bëhej Oleni më i plotë e i kompletuar si artist, që harmonizoi aq natyrshëm instrumentistin, këngëtarin, aktorin dhe konferecierin që lidh shpesh sallën me skenën… E u tejmbush atmosfera me këngë shqiptare e klithje gëzimi, me ato drithtërima të violinës së tij magjike, që i ftoi që të gjithë shqiptarët, arvanitasit e grekët që ndodheshin aty të ftuar, në kërcime e valle të përbashkëta… Kur do të më merrte edhe mua “Arëza“, për të vallzuar në krahët e saj. Po do të dukej edhe Aleksandra (Llaçi) Nikkollo, pak më tutje… E me Olenin bëheshim katër. Katër  piqarasiotë në Divan Caravel! Dhe, kurrë nuk e pandehja se do ngrihesha edhe një herë në këmbë e jo më të kërceja!… Po ai Lefter Çipa nga Piluri,-Bardi i Madh, më kishte thënë një fjalë: ”vdekça e u ngritça nga kënga”! I pavdekshëm mbete, o Lefter Çipa dhe ti, o Olen Qesari Piqerasioti, që i vure “flakën” sonte “Divanit Turk”, ashtu si bëre nga krahu i monumentit  grandioz të Jezu Krishtit ne Rio De Zhaneiro, që mahnite atje poshtë më se dy milionë brazilianë që i mbajte në këmbë, për gjashtë orë, nën magjinë  e violinës tënde! T’u shtoftë jeta, o Olen Qesari, që i vure re edhe ata tre piqerasiotët atje poshtë teje, në atë festën athinjote të shqiptarëve dhe zbrite, na fotografove me celularin tënd, tek i kisha mbyllur edhe sytë, nga ajo ëndërr e gjallë dhe e flakëruar! E që do të përlotesha tek lexoja se si më shkruaje të nesërmen në facebook: “U lumturova edhe unë që u takova familiarisht!  Oleni”.

Athinë, fillim dhjetori 2022.

Miho Gjini: Olen Çezari, artisti gjenial nga Piqerasi

Please follow and like us: