Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Olen Çezari, artisti gjenial nga Piqerasi

Kushdo që e di se egziston ky njeri që shprehet kështu, për humbjen e gjetjen e vetvetes dhe ky është Oleni me pesë gërma, mjeshtri i violinës që prek telat e shpirtit njerëzor, si të ishte një i dërguar i Perëndisë, inspirues i humbjes së vetëdijes në rrokjen e të gjithë botës, të bën të heshtësh fare, të ulësh kryet a të thërrasësh si ai: “Ku jeni, o njerëz”?!

Gjenial?! Unë nuk e kam quajtur veten në këtë mënyrë, -thotë ai ne një intervistë televizive në “Albania News”, me shumë modesti. Ky është një përkufizim që ta cakton bota!…”, duke kujtuar më pas gjithë “udhën e vështirë” të vetes, që nga fëmijëria e tij, jo fort e lumtur, kur ushtrohej me orë të tëra, për t’i dhënë “shpirt njerëzor” telave të violinës, tek vështronte fëmijët e tjerë nga dritarja e shtëpisë së tij në Durrës, kur ata loznin me top e brohorisnin, sa “çanin qiellin”, gjersa të bëhej një “Qytetar i Botës”, për ta duartrokitur si artist të tij i gjithë Durrësi e Tirana, mandej Roma, Vjena, Nju Yorku, Rio De Janeiro, Parisi, Madridi e Salzburgu. Si në një film, ku madhështia fshihet pas thjeshtësisë së njeriut! Se ai, Olen Qesari, i kishte që të dyja, edhe humbjen e fëmijërisë e të rinisë, me heshtjen e vetvetes, që lidhej pazgjidhmërisht me punën e tij titanike që bënte në vetminë e tij, tepër i duruar, këmbëngulës e i heshtur, po edhe vlerën e madhe të fituesit, të ngadhnjimit në shkallët e dijes e të artit, si edhe të protestave individuale kundër së keqes, ndotjeve të atmosferës dhe të luftrave që gjymtojnë e vrasin njeriun me ëndrrat e së ardhmes. Se është edhe virtuoz si njeri, veprimtar i Paqes dhe një nga luftëtarët e parë kundër të gjitha llojeve të pandemive vdekjeprurëse e luftrave shkatërruse, si tani, kur bombat bien mby qytetërimin ukrainas, mbi fëmijët e porsalindur e mbi pjanofortet e violinat e artistëve të këtij vendi të lire, para se të jetë gjenial në muzikë, një Paganin i dytë, që i bëri telat e violinës, të shpirtërohen e të njësohen, bashkë me shpirtin e tij prej artisti të lindur, me gjenialitetin e vet. Dhe ky djalë i mirë e pasionant, i thjeshtë e me plot humor, ështe nga një fshat i Jugut të Shqipërisë, nga Piqerasi ynë, ku mali puthet me detin e ku këndojnë zogjtë e panumurt nëpër degët e mandarinave erëshumë… Me “krahët hapur” tani nëpër botë, në përsosjen e njerëzimit, që duhet ta “rifilloj jetën nga muzika”, thotë ai me zë të lartë!

Po. Se jemi nga ata piqerasiotë që i kanë, po këtu”rrënjët e tyre”, që marrin me këmbë gjithë “udhët e jetës” e që përsëri vijnë këtu, në vatanin e vet, me kulturën, artin e dashurinë e tyre ndër duar. Se gjithçka ka ndodhur, është bërë e nuk zhbëhet më. Nga që jemi lerë, po këtu, po edhe të shpërndarë në të gjitha skajet e rruzullit tokësor, qytet më qytet, fshat më fshat. Që nga Australia, në ekstremin më jugor të Globit,-nga ku, një fshatari ynë i mërguar aty, plasi pa e parë Piqerasin tërë jetën e vdiq rrugës, duke ardhur, që të vdiste po këtu,- e gjer në skajin më verior, në Kanada e Irlandë, apo atje më poshtë, në zemrën e tokës, nga kalon “meridiani i zjarrtë”, në Brazilin plotë Diell, tek ngrihet monumenti madhështor i Jezu Krishtit, mbi krahët e të cilit do të “këndojë Ave Maria”edhe violina magjepsëse e Olen Qesarit nga Piqerasi, duke u lutur për paqen, si në një meshë madhështore…

Ai ka lindur në Durrës , më 4 shkurt të vitit 1975, po origjinën familjare, prej këdej e ka, nga Qezarajt e Piqerasit, shtëpiat e të cilëve, rreshtohen njerapastjetrës në “Rimin e Dedazve”, sikundër e quanin dikur, rrugicën me kalldrëm që varret mëtëposhtë, deri në “Dedegjon”, në sheshin e “Dedës (dhe) Gjonit”, ngritur si puçkë mbi kodrinën nën ullinj, pas shtëpisë sime fundore, nga ku duket e gjithë hapësira e detit që nga malet e Llogorasë, ku shkrepin vetëtimat në dimër e gjer në ishujt e Korfuzit grek, më përtej detit, si të ishte një anfiteatër i mbuluar nga qielli i “qëruar” a i kaltëruar si deti, që duket sikur shtrihet deri te këmbët e tua…

“Dera e Qezare” ishte në Piqeras, fisi më i gjërë e më i kulturuari, që e kishte parë botën dhe që “botën” e kishte sjellur në Piqeras… Si kulturë po e po, por edhe si “art i të paraqiturit”, si etikë e vlagë, emocion i pashlyer i përsosmërisë së natyrës e të vetë jetesës së piqerasiotit mërgimtar, si bir i saj. Që të gjithë Qezarajt ishin kurbetllinj, venin e vinin nga vendet e tjera të Europës, deri më përtej, në Amerikë e Australi. Ndërsa Greqinë e Italinë e kishin “një vrap pele”, duke vajtur andej me fellukat e varkat e tyre. Asnjerin nga Qesarajt nuk e shihje pa kostum veshur, kurdoherë elegantë, sqimatarë e të mençur. Ata ishin në një vëllazërim të përhershëm, edhe pse në “trungun familjar” qenë degëzuar, sipas kohës e rrjedhave të jetës. Edhe muret e shtëpive të tyre dy katëshe, i patën thuajse të ngjitura, si vazhdime të njera-tjetrës, që nga shtëpia e Alie e deri në shtëpinë e Çeçe. Shtëpi të bukura nga brenda e nga jashtë, me avllira e oborre të bollshme, ku kundërmonte vasilikoja, me çatira të mbuluara me qeramidhe “galika” e me tavane nga brenda, të skalitura në dru, me disenjo, vizatime e tarikota të gdhendura me merak. Gjer tek mobiljet e sënduqet e sjellura nga Korfuzi, Bari e Malta. Po njerëzit, si ishin? Koço Qezari ngjante me aristokratët e vonë. Pavllo Qezari qe një ekonomist e financier që s’e kishte shokun e dytë, për nga mençuria. Petro Qezari qe një mjeshtër tepër i zoti i elektronikës, që sapo kishte hyrë në Sarandë, bile edhe në fshatin tonë, nëpërmjet radiove dhe aparateve televizive. Niko Qezari e Kiço Qezari që përfunduan në Amerikë, e kishin “futur Amerikën” brenda shtëpiave të tyre. Këtë rrugë ndoqi edhe Stefan Qezari, gjyshi i Olenit, drejt Amerikës, i apasionuar pas aktrimit, duke “shkelur” kështu ëndrrën hollivudiane. Ndërsa i biri, Roberto Qezari, u ngul në Durrës, duke u bërë inxhinier i zoti, krijoi aty familjen e tij, deri sa solli në jetë edhe këtë njeri gjenial të muzikës, që do të bënte për vete mijëra e mijëra spektatorë të botës së kulturuar, me artin e tij të interpretimit, përmes atyre telave të violinës, që e “fshehin botën”, si me magji, me emocionet që i takojnë vetëm cicërimave të zogjve e melodive të tyre magjepsëse. Pa harruar të përmend, midis Qezarajve, vajzën e përjetshme, Lolën e famshme që shkëlqente në të gjithë Bregun, për bukurinë e saj po kaq magjepsëse, që,-sikundër më thoshte nëna ime, “kështu qëndroi e mbeti Lola e Qezare, në tërë jetën e saj, si ikonë e bukurisë së rrallë dhe nuk u martua kurrë, ngaqë kërkonte e vazhdimisht kërkonte për jetën e saj burrin ideal, të bukur e të gjatë, pa “zorrë në bark”, me elegancën e qeparizave! Si në një çmenduri përrallore përreth së bukurës, në kërkim të përsosmërisë hyjnore…

Po, a nuk ishte një “çmenduri”, koncerti i këtij artisti, i improvizuar mbi krahun e monumentit gjigand të Jezu Krishtit, midis tokës e qiellit, njeri prej projekteve spontane, spektakulare e të jashtëzakonshme të tij, pa lindur ende Dielli e kur njerëzit në Rio De Janeiro ishin ende në krahët e gjumit, që violinisti nga Piqerasi i priste atje që të zgjoheshin bashkë me diellin, përmes melodive të magjishme të instrumentit të tij, drejtuar “Maries së shenjtë” atje lartë, ndërkohë që një vogëlushe mbledhte tufën e “luleshqerave” atje poshtë, që t’ia shpjerë këtij artisti të “marrosur”, i cili do të zgjonte e mahniste me artin e vet mbi një milion spektatorë brazilianë që u mblodhën vetiu atje, poshtë syrit të tij, të befasuar, kur violina i qe kthyer tashmë në një gjymtyrë të shpirtit dhe kameramani i shtrirë mbi krahun e “Birit të Perëndisë”, filmonte këtë akt çmendurie të bukurisë e të përsosmërisë së Olen Qezarit, jo më pak të çmendur, tek qielli qe mbushur me zogj shtegtarë, si të ishin dhe ata spektatorë qiellorë, nga të tjera planete?! “Përjetova kështu çaste të rralla të jetës sime, humbjen e vetvetes, thotë artisti, tek shikoja nga “krahu i Krishtit” miliona spektatorë të vetëmbledhur, si me magji e midis tyre njerëz që qanin! O ZOT I MADH! Qe hera e parë që shoqëroja edhe lindjen e diellit me violinën time! Përjetova i lumturuar njerën nga shtatë mrekullitë që ka bota e që përbëjnë projektet e mia të së ardhmes, ëndërrimet e artit tim. Paskëtaj më pret mrekullia e “murit kinez”, i tha ai mbesës piqerasiote Evi Reçi, gazetares së “Vizion Plus”, tek drejtonte emisionin e saj “Jeta ime në tingujt e violinës” më 19 prill 2019…

Dhe dëgjuesit e violinës së tij, kudo në botë, mahniten, jo vetëm nga mjeshtëria hyjnore e artit të Olen Qezarit, po edhe nga dhuntia e jashtzakonshme e gjenialitetit të tij, që e nisi “rrugtimin në udhën e bukur, po shumë të vështirë të artit”, fëmijë 5-vjeçar, me koncertin e parë në publik dhe që, brenda moshës 18-vjeçare mbaroi tre konservatore të muzikës: në Tiranë, Romë e në Vjenë, si një talent gjenial, që i vjen tepër rrallë “Botës Muzikore”! Për t’u kurorëzuar edhe si interpretuesi më i mirë i Mozartit në Salzburg, ku edhe perfeksionohet si muzikant klasi nën drejtimin e Ruxhero Riçit! Dhe më pas, në një koncert me violinë me pjesë të Paganinit fiton çmimin Ndërkombëtar “Foyr des Artistes”. Perfeksionimi i tij do të vazhdojë pa rreshtur, sidomos në Amerikë, për muzikën klasike, po edhe për interpretimet në gjini të ndryshme muzikore (jazz, black,soul, hip-hop, rap, counttry), duke tërhequr kështu vëmendjen e kompozitorit Danny Elfman, me të cilin edhe do të bashkpunoj me sukses. Rikthimi i tij në Itali i referohet një veprimtarie muzikore të ngjeshur e akoma më të suksesshme, me programin “Partia Doppia” që drejtohej nga Pipo Baudo, me krijimin e grupit “Licbhaber Konzert Trio”, së bashku me kitaristin Xhiusepe Pistoneve dhe flautisten Aleksandra D’Andrea, me interpretime nga repertori i Mozartit, Rossinit, Hajden, Debussy, Piazolla, Kurt e Weill. Ai do të jetë super aktiv në turne të vazhdueshme nëpër Itali, Zvicër, Portogali e gjetkë së toku me këngëtarë famozë si Luçio Dalla, Ana Oksa, Luka Barbamo, Veronika Lock e me shumë kantautorë të njohur, duke qënë me ta i pranishëm dhe në festivalin prestigjioz të Sanremos. Olen Qezari, sikurse njihet në publik, do të duket edhe në titrat e filmave artistik si kompozitor (“Italiani”, “Nuk mbaron këtu”, “Koha e dashurisë” dhe të një filmi të Peter Razait që fitoi çmimin e parë ne Teksas për vitin 2005). Duke mos u mjaftuar me kaq, Oleni themelon Shtëpinë Diskografike “OLENART”, boton albumin e parë muzikor “Befasime” me pjesëmarjen e artistëve italinë, shqiptarë, amerikanë, brazilianë e tj. (ku përfshihet edhe këngëtarja jonë Elsa Lila), si edhe më pas, themelon Bandën Muzikore “Orkestra Internacionale Klandestine” , me të cilën, në vitin 2009, zhvillon edhe një turne në Shqipëri, duke përfshirë në të sopranon Inva Mula dhe pjanistin Genc Tukiçi. Po, ai do të njihet edhe si këngëtar, që do ta mahniste publikun e Romës me këngën shqiptare “Luleborë” e që do të çudiste pasagjerët e nxituar në aeroportin “Fiumiçino”, tek i binte violinës si muzikantët e varfër të rrugës, me maskë në fytyrë, si të bënte kështu edhe lutjen e fundme kundër Pandemisë, si një “murtajë” shfarosëse që kishte zaptuar njerëzimin. Le të ishte edhe kështu, një njeri kundër së keqes shoqërore, qoftë edhe për pakëz buzëqeshje e kënaqësi shpirtërore. Pse të mos ishte edhe një gaztor si ai Charles Chaplini që thoshte se “dita më e humbur në jetë është dita kur nuk qeshim”. Duke ia shpërblyer kështu, mundimin nënës së tij, mësueses së muzikës Lavdije Qezari, violinistes së papërtuar të shkollës së muzikës së Durrësit, dora e së cilës, për pesë vitet e para qe e lidhur pazgjidhmërisht me dorën e këtij muzikanti të vogël e të madh njëkohësisht, që vetë Perëndia ia kishte dërguar, për të emocionuar miliona fëmijë, burra, gra e pleq… Me magjinë përcjellëse të violinës së tij, ai arriti që të përlotë edhe sytë e spektatorëve më të rrallë të jetës së tij koncertale, të të tre papëve të Vatikanit: Papës Pali II, Papës Rotzinger e Papës Françesko… Edhe koncerti madhështor i 12 artistëve shqiptarë, midis të cilëve Olen Qezari do të ishte Violina e Parë, shoqëruar në pjano nga Genci Tukiçi e në praninë e sopranos shqiptare me famë botërore Inva Mula, me rastin e 500-vjetorit të Heroit tonë Kombëtar dhe zhvilluar po në Selinë e Vatikanit, përpara shenjtërisë së TIJ dhe Papatit, tek të cilët Skënderbeu ynë gjeti edhe mbështetjen si luftëtar -mbrojtës i krishtërimit. Qe një event i rrallë ky koncert i paparë dhe madhështorë, ku artistët shqiptarë derdhën gjithë talentin e tyre e u këndoi zemra nga brenda.

“Unë interpretoj kudo në botë, ka deklaruar violinisti ynë, po për mua, Tirana mbetet Tiranë”. Ai ka dhënë këtu dy koncerte të mrekullueshme, me shumë dëshirë, duke derdhur ndër to gjithë talentin e tij si muzikant, më së tepërmi i linjës klasike e i asaj moderne, nga ku ndjehet temperamenti i tij jugor e mesdhetar, si gjithmonë energjik e pasionant, me spontaneitetin e tij të veçantë e improvizues. Në shumicën e herës, pa i parë partiturat! Partiturat e autorëve më të mëdhenj botërorë, marrin jetë nuanca e shprehje të reja interpretuese. Pasi ai ka punuar mbi to me orë të tëra. “Që kur isha fëmijë, thotë mjeshtri Olen, ushtrohesha 4-6 orë në ditë, me violinën time të shtrenjtë, ndërsa kur më duhej të dilja përpara konkurimeve e koncerteve ndërkombëtare 8-10 orë në ditë”. Gjerisa midis supit, e rrëzës së nofullës ravijëzohej në mavi ana fundore e instrumentit. Dhe vetëm atëhere violina e tij e dashur, mundej “të fliste” vetiu me të gjitha “gjuhët e botës”. Melodia e tij violinistike sikur merr ngjyrat që ka ylberi, ka hapësirë e rrëmben shpirtra të panumërta njerëzish, duke u bërë vetiu e gjithpushtetshme dhe e pavdekshme…

Italianët, tashmë janë mësuar me të, ta qujnë edhe “të tyre” dhe, meqënëse Olen Qezari banon atje, e ngaqë gërmën Q e shqiptojnë me C, në versionin e italishtes,- do ta thërasin përherë “Cesare” e jo pa veneracion, duke e paraqitur atë ndër eventet artistike që i realizon aq bukur si “Violinisti gjenial italo-albanez”, sikundër edhe e rrëfejnë ata, në shumicën e rasteve. E që do ta ngatërronte njerën prej gazetareve tona televizive, se mos kishte të bënte gjë vërtetë me Perandorin Cezar a me dinastin e tij?! Një tjetër gazetar e tepëron shakanë a padijen e tij, duke e pyetur artistin, me një ngasje shpotitëse fort të trashë se “Çfarë e ke Jul Qesarin”(?) dhe artisti, ia kthen “me të njëjtën “monedhe” se e kishte “kushëri të 17-të”… Po, le ta thërrasin si të duan, qoftë edhe me mbiemrin e Qesarit, perandorit të Romës, qoftë sikur ta quante edhe ai veten, me këtë “trill artistk”, të pranuar nga kushdo artist modern i botës së kulturuar… Realisht ai është tani një shtetas italian, qysh kur mbërriti në Romë 14 vjeç djalë, për të përfunduar edhe Konservatorin e Shën Çeçilies në moshë 17 vjeçare. Por, deklaron ai me krenari, “Unë kam në trungun gjeneologjik të familjes, gjurmë të hershme shqiptare, ashtu sikundër edhe greke e italiane, duke e ndier veten tipik mesdhetar, pra ndihem njëkohësisht si një “urë lidhëse” ndërmjet dy kombeve tona, shqiptar e italian, madje e konsideroj veten Ambasador të Kulturës Italo-Shqiptare”,-përfundon Olen Qesari intervistën e tij të datës 28.11,2018 në kanalin televiziv shqiparë “Albania News”.

Dhe ja se ç’thonë ata që e kanë njohur nga afer atë e familjen e tij: Lefteria Lazri (Bitri): “Kam jetuar në Durrës, si shumë familje piqerasiote dhe e njoh mirë Roberto Qesarin, të atin e Olenit, sikundër e quajti gjyshja e tij,-mjeke pediatre e nderuar në Durrës, kur ai lindi me këmbë të mbarë. Babai i Robertit, Stefan Qesari, ishte nga fshati ynë, Piqerasi, po ai iku në Amerike dhe e la djalin, vetëm me nusen e tij, pa u kthyer më”. Rajmonda Kondi (Reçi), bijë Piqerasiote, Violiniste edhe ajo, me banim në Durrës gjithashtu, që e ka njohur Olenin dhe e përshëndet atë si “komshiun e saj” që i kishin dyert e të parëve të tyre, përballë njëra-tjetrës, thotë se “Oleni ishte nje djal i vogël, me një talent të madh. Mësimet e para i mori nga nëna e tij që ishte violiniste, po, mos të harrojme se edhe gjyshi i tij, Fani, ishte aktor, që u largua nga Shqipëria e shkoi në Amerikë, në Hollivud…, pra, tek ky djalë, ishte,-si të thuash-,”damari i artistit” i trashëguar! Aq më tepër se, mamaja e tij, Lavdija, ishte violiniste, një mësuese muzike shumë e mirë, që nga durt e saj kanë dalë shumë violinistë të talentur që sot janë kudo nëpër botë…”. Sanije Hoti,- aktore e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit,- thotë se “unë Olenin e kam njohur shumë pak, kur ishte ende fëmijë dhe e ëma, Lavdija, e merrte çdo ditë për dore dhe e çonte te Shkolla e Muzikës”. Dirigjenti Bujar LLapaj thotë se “Olen Qesari është një muzikant artist i kompletuar, sidomos në aftësinë e tij improvizuese që rrallë herë muzikantët e kanë! Po, për të mund të flasin më mirë Inva Mula e Genc Tukiçi”. Ky i fundit, pjanisti Genc Tukiçi, që kur ishte fëmijë, na befasoi me këngën “Bota Rrotullohet”, shprehet: “Në vitin 2016 kam pasur fatin të luaj muzikë së bashku me violinistin Olen Qesari, në qytetin e Vjenës, në Austri. Jam befasuar nga talenti gjenial i këtij muzikanti, i cili përtej instrumentit të violinës, transmeton emocione të forta. Ai është krijues i pashtershëm, origjinal, vetvetja… Më pas, kam luajtur me Olenin në salla të ndryshme nëpër botë, ku ai elektrizon publikun. E konsideroj shumë të pjekur, por të ri në zanat dhe dua t’ju them të gjithëve: Prisni, ai nuk e ka zbulur akoma “diamantin” e vërtetë”. Ndërsa kantautori i famshëm italian Luçio Dalla shprehet kështu: “Oleni është një ndër artistët më të mëdhenj të botës. Muzika e tij ka shtrirje të gjërë dhe forcë magjike, me repertor nga gjigandët e muzikës klasike, me muzikë jazz, nga muzika popullore, në World Music”.

Kur unë vajta për herë të parë mbi tokën italiane, ku ndodhej dhe një “suazë piqerasiote”, që 300 e ca vite më parë, pas ardhjes aty të 18 familjeve të fshatit tim dhe Mbreti Karl i III i Napolit pati mirësinë e fisnikërinë t’i sistemonte midis Romës, Chietit e Pescarës, do të dëgjoja të flitej edhe për Olen Qesarin. Me entusiazmin që më sillte nga Brindisi mikja ime Aksinja Xhoja, e bija e Nikolinit, i cili kishte lindur po aty, në Brindisi e unë sa kisha nisur që të shkruaja edhe një libër për të, sidomos pas furoreve që ai pati me xhirimin e filmit “Kapedani”, ku do të shkëlqente për origjinalitetin e tij të mëvetshëm. Figura e Nikolin Xhojës qe bërë shumë e dashur edhe për fshatarët e mi, kur u xhirua ky film i këndshëm dhe Aksinja shtoi se, përveç meje, kishte dhe një mik tjetër të rrallë, po nga ky fshat i bukur, Olen Qesarin, violinistin e mrekullueshm, i lindur edhe ai në Durrës e me të cilin, ajo si pjaniste kishte realizuar me sukses të plotë në Itali edhe disa koncerte rradhazi. Qe viti 2012 e unë, po e dëgjoja kështu për herë të parë emrrin e tij, tok me sukseset e tij të para në tokën italiane, ku ishin strehuar shumica e shqiptarëve, pas ikjes së madhe, me numrin e tyre më të shumtë, nga ana e Greqisë, drejtë së cilës ne iknim edhe me këmbë, natën e ditën, të lemeritur nga zgjedha e rëndë e diktaturës. Frynte tani era e lirisë, e krijimit, e zgjedhjes dhe e shprehjes. Bile edhe e vdekjes tënde ku të doje,-sikundër gjeta edhe në varrezat e këtushme, që tre shekuj më parë, emra edhe nga fisi im Gjini, po edhe Qesari, nga ai i Olenit, që Villa Badessa ku unë kisha arrdhur, u kishte krijuar edhe vendprehjen e mëtejshme, diku në anën më të bleruar të fshatit të tyre, i cili të kujtonte Piqerasin gjithashtu, në një pastërti e paqllëk njerëzor… Dhe atje do të ulesha në gjunjë pranë një pllake mermeri ku ishte shkruar emri i Milit e Qesare, nga dera e ish komshinjve të familjes time të hershme, përbri varreve të Duke e të Silvestre!

Po vitet, dekadat e shekujt “rrjedhin”, si lumenjtë, tek gjurmët njerëzore mbeten si të gjalla! E, tek dëgjoja intervistën e parë të Olenit në Shqipëri, do më pëlqente shumë kur tha se ai ishte një “ambjentalist i çmëndur, mbi tokë e mbi det… kundër ndotjes që na kthehet mbrapsh edhe ndër tryezat tona!”, do ta doja edhe më tepër këtë artist e njeri, i cili del jashtë vetes së vetë e mendon e lufton , i vetdijshëm, për një jetesë normale, pas kënaqësive estetike e magjisë që të fal arti, me komunikimin e ndërsjellë…

Do të njihesha kështu, së afërmi nga larg, me botën e gjerë shpirtërore të një njeriu të thjesht e zëmërbardhë, me aftësira e dhunti të jashtëzakonëshme, me të cilin mund të miqësohesh shumë shpejt e ai të të bëhet tepër i afërt me komunikimin e vet të natyrshëm, si edhe me një humor shpërfillës. Dhe disa projekte të bukura e të arirra artistikisht të tij i takojnë çasteve në përditshmërinë e vet në rrugë, në kafene e restorante, apo në fuajetë e sallat e koncerteve. Kështu, do të njihej me një këngëtar të talentuar si Mandarini, me të cilin do të bëheshin aq miq sa ta sillte atë edhe në Shqipëri, për një koncert të përbashkët, a t’ia linte paraqitjen e koncertit tjetër të rradhës një gaztori të panjohur, që e takoi krejt rastësisht në një restaurant të Tiranës. Është fjala për Bes Kallakun, me të cilin u bënë edhe miq, në jetë e në skenë. Pra, kemi të bëjme me një artist të kudondodhur, me etikën më normale e të kulturuar të komunikimit, që di të kërkojë e menaxhojë vetë, midis artistëve e të relizojë atë që ai e quan “familja ime muzikore”. Me devizën e tij origjinale që “t’i bëjë njerëzit të lumtur përmes muzikës”, duke mos harruar asnjëherë se “duhet të luftosh për lirinë tënde”. Që të fitosh dhe kurrë të mos humbasësh. Pa le të sakrifikohesh për njerëzit, si Jezu Krishti! Me mesazhe të tilla ai do të kompozojë edhe këngën “Tërë jeta në një çast” që do të bëhet shumë e njohur, jo vetëm ne Itali, po edhe në Kanada, Japoni, Hollandë, Belgjikë e kudo nëpër Europë. Si një artist poliedrik Oleni ideon edhe skenografinë e koncertit të tij famoz të viteve të fundit që ka si sfond kryesor detin. “Kam zgjedhur detin si kornizë të spektaklit seps kam lindur në Durrës, por edhe për të sensibilizuar spektatorët për të respektuar mjedisin, për më tepër se atje, gjithnjë e më shumë po hapet në mënyrë tragjike varri i mijëra ikanakëve, por edhe rruga e shpresës për një jetë më të mirë për dhjetramijëra të tjerë. Këtyre njerëzve u dedikojë koncertet e mia”, përfundon Olen Qesari mesazhin e tij human….

Kritika muzikore thekson se spektatorët e shumtë e përjetojnë, e ndjejnë dhe gëzohen me repertorin e Olen Çesarit (Qesari), në ato koncerte me intensitet të madh dhe me interpretimet me talent të rrallë, që tërheqin spektatorin në një atmosferë muzike që të emocionon, të mrekullon e të orjenton drejt një “melting pot” zërash dhe ngjyrash. Duke filluar me notat e “Valles Hungareze” të Johnnes Brahms, duke vazhduar me “Tarantellën” e Rossinit, me këngët e bukura shqiptare. Oleni, me ritmet e melodive, të çon te Led Zappelini dhe Jimi Hendrix, nëpërmjet një udhëtimi magjiplotë muzike… I magjishëm edhe ai.

Të falenderojmë OLEN QESARI PIQERSIOTI!

Athinë, më 22 maj 2022.

Please follow and like us: