Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: NJЁ VEPЁR E PANJOHUR E FAMILJES ZENGO NGA DARDHA

 

Kristaq Balli

 

 Analizë krahasuese epigrafike

 

Familja Zengo me origjinë nga Dardha e Korçës është një prej ”dinastive” të vjetra, të mëdha e me kontibute të shquara, të vijueshme e të shumëfishta në fushat e artit pasbizantin, pikturës kontemporane, fotografisë, muzikës, etj. Veç të tjerash, prej kësaj familjeje kanë dalë  përgjatë më se 250 viteve të fundit duke filluar qysh nga piktori Nikolla Zengo (I Vjetri- gjysma e dytë e shek XVIII) e deri sot shumë breza artistësh të shquar, që u dedikohen vlera të veçanta kulturore, të cilat përbëjnë edhe gurë kilometrikë në rrugën e historisë së artit shqiptar.

Në këtë shkrim do të nxirret në dritë një prej ikonave “të reja” deri tani e panjohur për publikun e një prej pinjollëve të hershëm të kësaj familjeje, si dhe krijimtaria e tij artistike.

Gjithçka nis dhe lidhet me procesin e restaurimit të saj. Restaurimi i objekteve të kulturës materiale e posaçërisht e ikonave, përveç punës për konsolidimin e shtresave dhe përbërësve të tjerë të saj (panelit të drurit, shtresave të grundit, pikturës, vernikut ekzistues, etj) ka edhe një synim tjetër të mundshëm, atë të evidencimit më të qartë e më të plotë të vlerave të saj pamore artistike, teknologjike, të konfirmimit të të dhënave autoriale, kohës së realizimit të saj, dhuruesit (ktitorit), fjali përkushtuese ndaj manastirit apo kishës  së dedikuar, vendin e realizimit, etj., të cilat fshihen, apo nuk dallohen qartë për shkak të dëmtimeve pjesore, apo oksidimit e papastërtive të vernikut si rezultat i kohës së gjatë, ngjyrave, lidhësit, grundit… E nëse restaruimi synon edhe të dhëna të tilla të panjohura, ai është shumëfish i vlefshëm, pasi ia ka arritur plotësisht qëllimit restaurues  edhe  studiues.

Pak a shumë kjo ka ndodhur me ikonën që po shqyrtojmë. Ikona ndodhet në koleksionin e fondeve të Muzeut të Artit Mesjetar, Korçë me nr. invenatari KO-1374 dhe shoqërohet me 2 kartela pothuajse të njëjta, të vendosura në kohë të ndryshme, por që nuk ndryshojnë në përmbajtje. Aty thuhet se ikona quhet Sh. Mitri (Dhimitri) mbi Kalë, që dimensionet e saj janë 90 cm x 47 cm x 3 cm, me sa duket ikonë ikonostasi dhe që ajo vjen nga kisha e Shën Gjergjit e fshatit Kamenicë të Korçës. Në kartelën e vjetër është vendosur edhe një ide e mundshme e autorit dhe datës, por që nuk dallohen qartë. Ikona është punuar mbi një panel druri arre njëpjesëshe në gjendje relativisht të mirë fizike dhe pak e dëmtuar nga insektet e familjes Xestobium. Në pjesën e përparme duket se ka dëmtime të gjera sipërfaqësore të shtresave të pikturës dhe grundit, por më së shumti errësimin oksidues dhe papastërtive fizike e kimike të vernikut.

Skena e pikturës së ikonës ka në epiqendër Shën Dhimitër Mirovlite, pra një prej paraqitjeve më të njohura e më të përhapura në ikonografinë pasbizantine ballkanike dhe më gjerë. Sipas shkrimeve liturgjike Dhimitri (Demetrius) ishte lindur rreth viteve 280-284 në qytetin e Selanikut, në kohën e perandorit romak Dioklecian, një përndjekës brutal i të krishterëve, nga prindër senatorë dhe besimtarë të krishterë… Ai ishte një riosh  me aftësi e virtyte të spikatura, falë të cilave u radhit në ushtrinë romake, ku në moshën 22 vjeçare fitoi grada të larta ushtarake. Veç tyre, ai vijoi detyrimin dhe përpjekjet e përhapjes së Krishtërimit. Gjatë jetës së tij si përhapës i këtij besimi të ri, ai kreu shumë mrekulli, kryesisht për mbrojtjen e Selanikut, qytet i cili ishte edhe baza kryesore ushtarake e luftës kundër nomadëve sllavë. Shkrimet e shenjta supuzojnë se gjatë një fushate kundër sllavëve të veriut, ai ka vrarë me  ushtë mbretin bullgar Kallojan. Aty ai është kapur, është torturuar dhe ka vdekur si martir i krishërimit. Ai është shpallur më pas si shenjtor, martir i madh  ushtarak i krishterë i shekullit IV, i një rangu me Shën Gjergjin. Njihet edhe si shenjti mbrojtës i kryqëzatave  e,  më së shumti si shenjtori mbrojtës i qytetit të Selanikut.1) Varri tij ndodhet brenda kishës “Shën Dhimitri”, të ndërtuar për nderimin e tij në këtë qytet biblik në shek. V. Por varri tij nuk ka lipsane (eshtra, apo objekte vetiake), veçse një shishe me një aromë kundërmuese miroje që lëshon erë të këndshme mrekullibërëse, ndaj edhe ky shenjtor mban atributin  “Mirovlite”.

Ikonografia e Shën Dhimitrit përdor më së shumti si imazh perceptimin ndaj tij të një luftëtari ushtarak, i cili i veshur si i tillë, më këmbë ose mbi një kalë të kuq, i pajisur me shtizë (ushtë, heshtë) që lëviz nëpër territoret ku zhvillohen përndjekje ndaj krishtërimit, duke zhvilluar aksione e beteja kundër pushtuesve barbarë.

Edhe ikona që po analizojmë, ka pikërisht skemën tradicionale e më të përhapur të paraqitjes së shenjtorit gjatë mijëvjeçarit të parë, dhe më gjerë në të dytin në të gjithë Ballkanin, madje edhe deri në Rusi. Pra, “fabula” e “shkruar” vizualisht në këtë ikonë paraqet Shën Dhimitrin të hipur në kalë, në momentin që ai është duke shpuar për vdekje  me shigjetë një tjetër ushtar (apo gladiator). Paraqitja është shumë dinamike, po aq sa edhe dramatike.

Shën Dhimitri pikturohet si një djalë i ri, me tipare simpatike, të brishta e të virtytshme prej shenjtori, me fizik të fuqishëm, të shaluar fort në shpinën e kalit të egërsuar që duket sikur do të shkelë mbi viktimën. Ai është i veshur si një luftëtar. Pelerina e kuqe (ngjyra e atributeve hyjnore, energjisë, fuqisë, pasionit) që valavitet në ajër përfaqëson metaforikisht atë të fitores, triumfit. Ai shfaqet në momentin kur me shtizën e gjatë është duke shpuar në zemër armikun e tij, prej nga derdhet një curril gjaku. Viktima e tij është gladiatori Lieo i cili pasi është mundur në arenë nga dishepulli Nestor me bekimin e Shën Dhimitrit, ka përfunduar në goditjen vrastare të këtij të fundit, pasi Lieo ishte përgjegjës  për persekutimin dhe vrasjen e shumë të krishterëve. Edhe pse Lieo konsiderohej si një  gladiator i fuqishëm gjigant, në ikonografinë pasbizantine për ta zhvlerësuar atë por ndoshta, edhe për të zbatuar  rregullat e perspektivës inverse të ikonografisë tradicionale, ai shfaqet poshtë  shenjtorit, i shtrirë, i mundur, i dërmuar, më i vogël në  përmasa.

Një vend të konsiderueshëm në ikonë përfshin sfondi i saj. Edhe pse përtej realitetit, aty përfytyrohet një qytet bregdetar dhe port i rëndësishëm buzë detit, ku lundrojnë anije të shumta me vela. Ky peizazh piktorik është vizioni i qytetit të Selenikut në detin Egje (në shek IV), pra i vendlindjes së Shën Dhimitrit, si dhe i rëndësisë, apo famës së tij prej një epiqendre qarkullimesh ekonomike e tregtare, të jetës shoqërore, shpirtërore e veçmas  asaj fetare në përhapjen e Krishtërimit. Që ai është Selaniku e përforcon edhe një detaj tjetër i krijuar posaçërisht nga ikonografi (ashtu siç kanë bërë shumica e piktorëve të tjerë pasbizantinë). Edhe pse fabula vendoset në  fillim të shek. IV), në të majtë të peizazhit është pikturuar edhe një kështjellë e bardhë. Ajo përfaqëson kështjellën cilindrike (rotonda) të Selanikut buzë detit.  Në ikonat bizantine (pra para shek. XV) nuk vihet re ky detaj, pasi kjo kështjellë, në atë kohë, nuk ekzistonte, sepse  është ndërtuar në shek. XVI.

Pra, piktorët pasbiantinë e “huazuan” këtë kështjellë në pikturat e tyre kushtuar Shën Dhimitrit (që jetoi në shek. III-IV)   për të idendifikuar si simbol të qëndresës  qytetin e krishterë edhe si vendlindje të Shën Dhimitrit, për mrekullitë e tij aty,  si dhe për meritat e tij si shenjti mbrojtës i qytetit. Do të thotë që simbolizmi artistik  i artit freskografik dhe ikonografik nuk njeh  kohë, e kapërxen, e shpërfill atë, udhëton kronografikisht edhe  në të kaluarën, edhe në të ardhmen, edhe në të dyja njëheresh. Pra, koha profetike  është iluzion etern. Ashtu si edhe   në shumicën e ikonave që kanë fabulën e Shën Dhimitrit mbi Kalë, edhe në rastin e ikonës sonë, ka ndodhur, pra, ky fenomen ekstrakohor.

Tani që ikona është restauruar plotësisht 2), janë evidentuar më mirë edhe një sërë elementësh dhe detajesh mbi autorësinë dhe kohën e realizimit të saj. Në këndin poshtë majtas janë qartësuar plotësisht të dhënat e autorit dhe koha e pikturimit të veprës. Bëhet fjalë për ikonografin Jo. A. Zografi nga Dardha dhe vitin e pikturimit, 1864.

Por cili është ky autor nga Dardha?  Një analizë  krahasuese vizuale do të na çojë në rezultate interesante. Nga atelieja dardhare  e ikonografisë, kohë më parë kemi zbuluar piktorin  J.A.Z  (Jani Andon Zengo)3) nga Dardha dhe të vetmen ikonë të tij “Rrethprerja e Krishtit” të pikturuar në vitin 1864 (ashtu si edhe ikona që po analizojmë).

Mbishkrimi në ikonën “Rrethprerja” është ky:  Δι εξοδων του Κ. Αναστασιου… Δαρδα 1864 Ιω. Α. Ζ. – Nga Korça 1864 Dora e J. Zografit nga Dardha.

Kurse, mbishkrimi në ikonën e re “Shën Dhimitri mbi Kalë” është ky: Ιν Κοριτζα 1864. Ιω. Ζωγραφις ιν Δαρδα – Nga Korça 1864 Dora e J. Zografit nga Dardha.

Pra, mbishkrimet epigrafike të të dy ikonave jo vetëm që mbajnë të njëjtën datë (dmth ikonat janë punuar në të njëjtin vit) dhe të njëjtat iniciale të emrit, por kaligrafia e shkrimit është, gjithashtu, e njëjtë, çka nuk le asnjë shteg dyshimi se kemi të bëjmë me të njëjtin piktor: Jani Andon Zengo. Sigurisht, edhe elementët stilistikorë pikturalë  të ikonave kanë elementë të ngjashëm.

Jani A. Zengo, apo Papa Jani Zengo u lind në Dardhë në vitin 1932. Pas mbarimit të shkollës plotore aty, shkoi të punojë si çirak  në Malin e Shenjtë e më pas në Korfuz, ku mësoi ksilografinë. Rreth vitit 1955 gjendet në Larisa, ku mësoi profesionin e fotografit. Fotografia më e vjetër që njihet prej tij në Shqipëri është ajo e vitit 1876, ku është fiksuar një pamje e shkollës së Dardhës me banorët e saj. Rreth vitit 1860  kryen gjimnazin grek të Korçës, prej ku dërgohet si mësues për shumë vite në Ziçisht e më pas në Dardhë. Në vitin 1892 shugurohet prift. Gjatë kësaj periudhe ai përpiqet të përkthejë Ungjillin në gjuhën shqipe, një ekzemplar i të cilit ndodhet në muzeun e vjetër të Dardhës. Ndërsa profesionin e fotografit ia mësoi edhe djalit të madh, Vangjelit. Jani Zengo ishte njeri me kulturë të gjerë. Ai zotëronte disa gjuhë si greqisht, turqisht, sllavisht e rusisht. Ai ishte ksilografist (drugdhendës,) piktor, fotograf, mësues, rrobaqepës, prift. Punoi me pasion për lëvrimin e gjuhës shqipe. Në familjen Zengo (Antoniu) ndodhet një dokument i vitit  1866, i cili përfaqëson një dorëshkrim të tijin me interes të veçanmtë, ku vihen re përpjekje për hartimin e një alfabeti shqip me 33 shkronja, pjesërisht latine me të cilin do të përkthente shkrimet liturgjike.4)

Rëndësia e identifikimit të plotë të autorit të ikonës Shën Dhimitër Mirovliti të Jani Andon Zengos qëndron në faktin se autorit dardhar deri më sot (i njohur vetëm me një ikonë, “Rrethprerja”, por i identifikuar nga ne edhe si i pari fotograf autokton shqiptar5)) i shtohet edhe një ikonë e panjohur më parë, çka krijon premisa për mundësinë e gjurmimit e gjetjes edhe të ikonave të tjera të tij.

Gjithashtu, gjatë gjurmimeve dhe kërkimeve për këtë autor, ne kemi hasur të dhëna të reja të besueshme, se një tjetër piktor dardhar më i vjetër dhe i panjohur,  do t’i shtohet ateliesë së ikonografëve dardharë. Ai ka punuar gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XVIII, pra pas Nikolla Zengos (I vjetri – gjysma e dytë e shek. XVIII) dhe  para Jani Zengos (1832-1912).  Shpresojmë se do ta identifikojmë me ikonat e tij, duke i bërë  një shërbim historisë së artit pasbizantin, por edhe Dardhës posaçërisht, si një prej  qendrave shumë të njohura e të përparuara shoqërore e kulturore të Shqipërisë dhe të rajonit ndërkufitar.

Më në fund do të theksoja se piktura freskografike e ikonografike pasbizantine e gjysmës së dytë të shek. XVIII dhe shek.  XIX ishte në mug, në dekadencë për shumë arsye të rëndësishme historike, shoqërore, kulturore e artistike që po manifestoheshin  edhe në zhvillinin  e tendencave dhe rrymave të reja kontemporane të pikturës së kavaletit, që do të thotë se edhe piktura e 25 piktorëve freskografë e ikonografë të punishtes dardhare (midis tyre, për herë të parë edhe piktore femra) inkuadrohet dhe duhet gjykuar në këtë këndvështrim. Si kudo gjetkë, ajo, në shumicën e herëve, mund të mos ketë vlera të spikatura  artistike, por duhet marrë në konsideratë si një kontribut e larmi e veçantë, e pazakontë, origjinale, autentike ndaj gjithë trashëgimisë shpirtërore e kulturore shqiptare që buron nga një fshat i vetëm shqiptar, Dardha.

 

▪▪▪▪

________________________________________________________________

 

Burime referimi:

 

1. Bollandist Hippolyte Delehaye (1859–1941): “…Disputes between Bohemond I of Antioch and Alexios I Komnenos appear to have resulted in Demetrius being appropriated as patron saint of crusading.” …. “Very  large church in Thessaloniki, the Hagios Demetrios, dates from the mid-5th century. Thessaloniki remained a centre of his veneration, and he is the patron saint of the city”.

2. Ikona është restauruar nga G. Proko, MKAM, 2022.

3. K.Balli & K. Naslazi: Piktorë Ikonografë nga Dardha, Botimet “Toena”, f.39.

4. Po aty: f.35-38.

5. K. Balli: Fotografi i Parë Autokton Shqiptar: Gazeta Koha Jonë, 5 Korrik 2017, f. 16-17.

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: