Albspirit

Media/News/Publishing

GJENERAL THOMA XHIXHO – ATDHETARI ME PROFIL AKADEMIK

(Kushtuar ushtarakut madhor, Gjeneralmajor Thoma Xhixho (3.4.1920-29.11.2002), atdhetarit, patriotit, partizanit, komandantit të formacioneve partizane të Lanç-it, drejtues i niveleve më të larta në kohë paqe, akademik i klasit eleitar në Akademitë ushtarake të kohës në Rusi, Komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerave në vitet 1953-1954, themeluesit e Komandantit të parë të Shkollës së Naltë Ushtarake (Akademisë së Forcave të Armatosura) në vitet 1958 -1960 dhe 1963-1965,  ushtarakut që kreu detyra mjaft të larta dhe me përgjegjësi në Ushtrinë Popullore, veprimtar e intelektual erudit ushtarak i klasit shumë të lartë. Gjeneral Thoma Xhixho, i pari komandant i Akademisë Ushtarake Shqiptare kohët e fundit këtë fundviti 2022, ka ardhur denjësisht në penën e Prof. Asoc Bernard Zotaj, Mjeshtër i Madh me librin “Gjeneral Thoma Xhixho, i pari komandant i Akademisë Ushtarake Shqiptare”. Këtë fundviti nën kujdesin e Prof. Zotaj dhe Dr. Zemani, është publikuar edhe një libër i posaçëm i Gjeneral Thoma Xhixho: “Koncepte për Artin Ushtarak” (Histori Ushtarake, studime, analiza dhe artikuj të ndryshëm në vitet 1951-2000). Libri është korrektuar nga i biri Piro Xhixho dhe konsulenca nga historiani ushtarak Bashkim Qeli).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Suha, fshati i mirënjohur i gjeneral Thoma Xhixhos

Suha e Gjirokastrës ka qenë gjithmonë e shquar për atdhetari, patriotizëm, por dhe për mjeshtra të gurit dhe të drurit. Oxhakët e këtij fshati të vogël kanë nxjerrë luftëtarë, por dhe mjeshtra të punës dhe njerëz me vlera. Fiset, Xhixho, Xheli, Kuro, Kosta, Shollo, Goga, Caro, Meci, Lici e shumë të tjerë. Në këtë ambient patriotik të spikatur lindi biri i Suhës historike Thoma Koço Xhixho më 3 prill 1920. Për shqiptarët viti 1920 ishte viti vendimtar i Kongresit të Lushnjës, i Luftës së Vlorës dhe Tiranës kryeqytet. Ngjarje madhore të historisë shqiptare. Kur lindi Thomai askush nuk mendonte se djali që lindi në fisin “Xhixho” do të “vinte gur qosheje” në themelet e rindërtimit të vendit, e sidomos në fushën ushtarake. Përtej traditës administrative dhe sidomos ushtarake përgjatë shekullit XX do kishim zhvillime që djaloshi i vogël Thoma Xhixho do të bëhej ndër burrat më të shuar të fshatit, krahinës, Gjirokastrës. Libri për Gjeneral Xhixhon, në 444 faqe ka sjellë jetën dhe aktivitetin për atdhetarin, që shkroi histori suksesi në jetën e tij 82 vjeçare. Prindërit e Thomait Koçua dhe Katerina Besho ishin njerëz të nderuar e respektuar të Suhës, këtij “postoblloku” të krahinës së Pogonit e Zagorisë. Ndërkohë që shkrimtari Koço Kosta thoshte se, “Suhjotët pushkën e mbanin gjithmonë pranë dhe pranë pushkës belbëzonte së pari fëmija. Shkollën e dashuronte por në fshat kreu vetëm katër klasë shkolle, të pestën Thomai e ndoqi në Poliçan, bashkë me vëllanë Kriston. Më tej arsimin për dy vite do ta ndiqtë në Gjirokastër tek miku i babait të tij Bardho Topulli, që e mbajti dy vite në shtëpinë e tij. Me ndihmën e vëllezërve vijoi semimaturën në Gjirokastër më 1937. Më tej punoi në Suhë, por dhe si sekretar pa rrogë tek Foni Qirko. Kursi i parë i policimit në Shqipëri i 21 Majit 1938 e gjen Thoma Xhixho një ndër njëqind kursantët e parë. Kursi drejtohej nga Major Viktor Shanto ndërsa mësimi zhvillohej pranë stacionit të Trenit, ku sot është sala e studimit të Arkivit Qendror të Shtetit. Thomai zhvilloi në këtë kurs policor një vjeçar 12 lëndë: “Organizim shteti”, “Administrim”, “Institucionet e së drejtës civile”, “E drejta penale dhe ndërkombëtare”,“Organizimi i xhandarmërisë”, “Policitë e tjera”, “Njohuri mbi letërsinë botërore”, “Histori e gjeografi Shqipërie”, “Hygjenë”, “Gjuhë e huaj”, italisht, “Përdorimi i armëve” dhe “Edukim fizik”. Por kursi u ndërpre nga pushtimi dhe në tetor 1939 kursantët dhe bashkë me ta edhe Thomai 19 vjeçar u dërguan në Kazerta të Italisë. Nuk është e rastit që dhe puna e parë e tij ishte në polici në Gjirokastër, më vonë në Tiranë, në Shkodër e deri kur nisi survejimi ndaj tij për përkrahje të ideve përparimtare e komuniste të kohës. Urrejtja ndaj fashizmit e bënë Thoma Xhixhon që në mars 1941, që ta lidhte jetën me lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare së bashku me Qemal Karagjozin, Bedri Spahiun, Tahir Kadarenë, Vasil Katin etj. Në mënyrë kronologjike Thomai I ka shkruar vetë në “Kujtimet” e vitit 1992, Por Profesor Zotaj ka bërë një riorganizim tërësor të të gjithë të dhënave të gjeneralit akademik, por dhe çdo të dhënë tjetër dokumentare të AQSH, AQFA, Kartotekës së QPR-së etj. Biri i fshatit Suhë ishte shfrytëzues i momentit historik, duke u bërë ndër udhëheqisit e Luftës Antifashiste, që në fillimet e veta në trevat e jugut të vendit. Vlerat e larta të patriotizmit u shpalosën që në rininë e tij nga Thoma Xhixho, që shpejt do të bëhej komandant e komisar i njësive sulmuese partizane. Thomai spikaste për ndjenjat patriotike që në rininë e tij, në një ambient patriotik, ku familja Xhixho, kishte edukuar bijtë e saj me frymë të lartë atdhetare, frymë e përcollë ndër shekuj nga burrat dhe luftëtarët e fshatit dhe gjithë trevës krahinore. Kontributin e Thomait, si antifashisti, luftëtar, si figurë e rëndësishme ushtarake, si ushtar i vetdijshëm i atdheut e ndeshim në çdo document arkivor, që realisht është i shumëanshëm. Thoma Xhixho i Suhës së Gjirokastrës, ja rriti krenarinë krahinës së Lunxhërisë, e njohur për me histori e tradita luftarake, për kapedanë të shquar si liftëtarë, burra të mençur e të zotë, bijë e bija këmbëngulës e tepër kurajozë, për një botë të gjerë e të thellë shpirtërore, me zakone e tradita nga më të spikaturat, të njohura në gjithë hapësirën shqiptare brenda dhe jashtë kufijve administrativë shqiptarë.

 

Nga fronti luftarak i LANÇ-it në ngritjen e konsolidimin e Ushtrisë Popullore

Thoma Xhixho ka kontribute të vlerësuara për qarkun e Gjirokastrës dhe më gjerë. Kontributi i familjes “Xhixho” i kapërceu shumë herë kufijtë e hapësirave të Suhës. Ai e nisi veprimtarinë që me njësitet guerrile për tu angazhuar vrullshëm në detyrat nga më me përgjegjësi të luftës. Në vitin 1942 ka qenë aktiv në ndjekjen e situatës në gjithë qarkun e Gjirokastrës si kudogjendur në ballë të aksioneve kundër fashizmit. Krijimi i çetave partizane si: çeta e Kurveleshit më 1.4.1942; çeta “Koto Hoxhi” në Sheper të Zagorisë më 8.10.1942, i çetës “Çerçiz Topulli” themeluar në Fushëbardhë më 12.12.1942 dhe që është emërtuart e tillë më 27.3.1943 në Prongji të Krahinës së Kardhiqit. Ai u shqua bindshëm gjatë LANÇ-it, si komisar i batalionit “Misto Mame”, komisar i batalionit të 3-ë të BrVIIIS. Është për tu përmendur se Pano Xhixho, vëllai i Thomait, luftoi dhe ra dëshmor për lirinë e atdheut, në Vishegrad të ish-Jugosllavisë. Thoma Xhixho nuk ishte i vetëm në kontributin për lirinë, sepse emra të njohur janë dhe Petro Xhixho të BrVIIIS, Maria Xhixho (e mbesa) në BrVIIIS, Nako Kosta, kushëri i parë në BrVIIIS e shumë të tjerë. Thoma Xhixho për aftësi drejtuese dhe organizuese u ngjit me zotësi në drejtimin e formacioneve luftarake partizane, si drejtues i komandës së vendit, komisar e komandant i njësive partizane si kompani, battalion, por dhe në brigadë. Mjaft i vlerësuar ka qenë si komisar i batalionit “Telo Plaku”, komisar i batalionit “Thoma Lula”, komisar i BrXIXS. Lufta për liri dhe betejat e përgjakshme gjatë LANÇ-it, e bënë Thoma Xhixhon dëshmitar dhe protagonist aktiv në shumë ngjarjeve, lufimeve përfshi edhe si pjesëtar në Kongresin e Përmetit, ku ju dha grada madhore “major”. Trimërinë dhe mençurinë Thoma Xhixhoj ja njohën miqtë dhe armiqtë. Ai ishte në ballë të aksioneve luftarake në gjithë jugun e vendit deri në luftimet e Konispolit, në Delvinë, Sarandë etj. Në ballë ishte edhe në Theollogo më 30.8.1944 në udhëheqje të mëse 1400 partizanëve bashkë me Thoma Mitrojorgjin, Lefter Kasnecin etj në BrXIXS. Thomai botonte që gjatë luftës “Vëllazërimi”, një bulletin i dashur i BrXIXS. Çlirimi i vendit kishte ta gatshëm një kuadro me mjaft përvojë në hapësirën shqiptare, në fushën e artit e shkencës ushtarake, si dhe të përgatitjes luftarake të ushtrisë. Ai, shumë shpejt do të bëhej një ushtarak madhor, duke përligjur virtytet morale, i ka ngjitur shkallët e gradimeve ushtarake deri në “gjeneralmajor”, si dhe është vlerësuar në jetë dhe është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhra e medalje të ndryshme. Shkolla e mesme, që Thoma Xhixho mbaroi në Gjirokastër, kurset përgatitore në Itali, akademitë ushtarake në BS, kalitën disiplinën ushtarake, karakterin burrëror dhe moralin e lartë atdhetar. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare rriti bij të tillë që i dolën zot Atdheut për çlirimin e Shqipërisë por dhe për ndërtimin e shtetit. Është fakt se Thoma Xhixho punoi me shpirt dhe atdhetari e ndërgjegje të thellë për organizimin e ushtrisë shqiptare. Kështu pas çlirimit, në kushtet e një ushtrie të dalë nga lufta, udhëheqësit e luftës iu përveshën punës për të ndërtuar, organizuar e përgatitur ushtrinë shqiptare, i shërbyen atdheut në çdo kohë si mbështetës të lirisë, të pavarësisë dhe në ruajtjen e mbrojtjen e kufijve të shenjtë të Shqipërisë. Thoma Xhixho që në vitin 1945, menjëherë pas çlirimit, u përzgjodh dhe u dërgua për studime në Akademinë Ushtarake “Frunze” në BS. Pas kthimit në atdhe, me fillimet e organizimit të ushtrisë shqiptare, Thoma Xhixho u emërua drejtues i lartë ushtarak në repartet e njësitë e kësaj ushtrie si: shef shtabi DIK në Tiranë, Korçë e Gjirokastër, në vitet 1947-1950. Thoma Xhixho ka qenë pjesë e rëndësishme e të gjithe riorganizimeve ushtarake shqiptare. Me riorganizimin e ushtrisë popullore, në detyrën e komandantit, ka drejtuar Brigadat e Këmbësorisë në Burrel, gjatë viteve 1950-1952, në Gjirokastër gjatë 1954-1958. Gjeneral Thomai ka shërbyer si ushtarak karriere i ushtrisë popullore shqiptare, duke ushtruar me kompetencë gjithë përgjegjësitë e karrierës ushtarake, në kuadrin e mbrojtjes së atdheut, të forcimit të ushtrisë popullore, si dhe të arsimit, trajnimit, kualifikimit e specializimit, por dhe si themelues i spektrit të themeleve të shkencës ushtarake shqiptare dhe mendimit ushtarak shqiptar. Karriera ushtarake e Gjeneral Thomait është pazgjidhshmërisht e lidhur me historinë e ushtrisë, me parimet dhe konceptet e artit ushtarak popullor, të cilin e mësoi në shkolla, në kurse kualifikimi, në akademi, por mbi të gjithe në luftërat dhe betejat e përgjakshme, në momentet më decizive historike që në hapat e parë të karrierës së tij. Thoma Xhixho me dhe pagrada kontribuoi në studimin shkencor të artit ushtarak si edukator dhe akademik i shkollave dhe Akademive ushtarake. Komandant dhe komisar, shkencëtar erudit ushtarak, pedagog teorik dhe praktik, njohës i shkëlqyer i terrenit, pasionant teorik e praktik, njohës i artit ushtarak botëror, një dekadë e gjysëm lider në shkollat më të larta ushtarake të vendit, tre vite (1952-1954), komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Më 1958, gradohet kolonel, ndërsa që më 1957-ën u dërgua me dy delegacione në Moskë dhe Shën Petërburg me qëllim të hedhjes së hapave të para për ngritjen e “Shkollës së Naltë Ushtarake”. Me vendim te Byrosë Politike dhe urdhër të ministrit të Mbrojtjes, u ngarkua të formonte Shkollën e Lartë Ushtarake, që historiografia ushtarake dhe jo vetëm e ka rregjistruar si “komandant i parë i SHNU”, ndërkohë që më 1961 u emërtua Akademia Ushtarake, ku përsëri gjeneral Thoma Xhixho emërohet komandant sërish, detyrë që e kreu deri më mars 1966. Në 1961 ndoqi studimet në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” dhe pas kthimit nga Moska, emërohet përsëri në Shkollën e Lartë Ushtarake. Shkollën më të Lartë Ushtarake të vendit e ngritën nga e para, me mencuri dhe përkushtim në krye të një stafi të përzgjedhur oficerësh të lartë. Kontributi i Thomait ishte sinjifikativ për ngritjen dhe forcimin e arsimit ushtarak shqiptar. Viti 1963 Thoma Xhixho gradohet me gradën e lartë: “gjeneralmajor”(sipas dekretit nr.3707, dt. 8.7.1963), në kuadrin e 20 vjetorit të themelimit të SHP të UNÇSH. Thoma Xhixho u shqua si komandant i arsimit ushtarak shqiptar, drejtues i përgatitjes luftarake, njeri i aksionit, bindës dhe argumentues në fakte, pjesë e korpusit të oficerave me mendim të thellë teorik e praktik, personalitet me vlerë, ushtarak që dinte të merrte përgjegjësi, që rrezatonte gjithmonë patriotizëm e mirësi njerëzore, gjithmonë korrekt me vetem dhe me gjithë bashkëpuntorët, kontribues me vlerë historike për ngritjen e lartësimin e ushtrisë shqiptare, duke u bërë nismëtar të themeleve solide të arsimimit ushtarak modern. Këto vlera të spikatura i gjejmë tek libri për Gjeneral Xhixhon nga Prof. Zotaj me mbështetjen pa rezerva të familjarëve të Thoma Xhixhos.

 

Gjeneralmajori që ngeli memorial i mendimit ushtarak akademik shqiptar

Vlerësimet për mendimin ushtarak si dhe atë shkencor të Thoma Xhixhos kanë ardhur përmes bashkëluftëtarëve dhe stafit bashkëpuntor. Një prej tyre është gjeneralmajori me origjinë shqiptare, Jani Lufi që ka shërbyer në ushtrinë ruse deri në shesh shtabi të Divizionit të Kaukazit, që thoshte: “Thoma Xhixho merr gradën e merituar “gjeneralmajor”, falë aftëesive të spikatura akademike”. Për pesë vite 1972-1977, kohë që doli në pension, gjeneral Thomai punoi sërish në Akademi si zëvendëskomandant dhe drejtues i degës shkencore të sapokrijuar. Por pas daljes në pension me porosi të Mehmet Shehut kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes së kohës, ishte: “Gjeneral Thomai dhe Gjeneral Vehbi Hoxha dhe kolonel Moisi Elezin të vijojnë mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në Akademinë Ushtarake, edhe si këshilltarë të jashtëm, duke dhënë ndihmesë me përvojën e tyre të madhe në struktura ushtarake dhe shkencore të Ushtrisë Popullore, që vijuan deri më 1981. Në periudhat kur akademitë i drejtonte Thoma Xhixho janë diplomuar më shumë se 800 oficerë. Thomai spikati edhe në detyra të tjera ushtarake si drejtor i Përgatitjes Luftarake në Ministrinë e Mbrojtjes nga viti 1966 – 1972. Përgatitjet e stërvitjeve të mëdha të ushtrisë shqiptare shkonin me pjesëmarrjen e rreth 80 mijë deri në 120 mijë trupa, ku padyshim kontributi I general Xhixhos është padyshim mjaft i dukshëm. Breza të shumtë ushtarakësh e kanë parë dhe ndjerë drejtimin e spikatur të ushtarakut madhor Thoma Xhixhos, që parapëlqente të ishte në krye të mendimit teorik dhe praktik të artit ushtarak shqiptar, në krye të themelimit të shkencës ushtarake shqiptare, aktiv në  përpunimin e dokumenteve më të rëndësishme të mendimit teorik e praktik të artit ushtarak shqiptar, në hartimin e rregulloreve bazë të ushtrisë, sikurse mësimdhënia ishte pjesë e trupëzuar e gjithë qënies së tij. Ai ishte mik e bashkëpunëtor i ngushtë i brthamës së përhershme të grupit të ushtarakëve që merreshin me studime të thelluara të afrtit të luftës në Shqipëri të atashuar pranë MMP, sikurse ishin gjeneralët Ernest Jakova, Spiro Shalësi. Thoma Xhixho në vitin 1963 bashkë me grupin hartoi dokumentin kryesor të ushtrisë mbi Artin Ushtarak, i quajtur “Referati i Ministrit të Mbrojtjes”, “Materialin teorik ushtarak” në vitin 1967, si dokumente bazë që lidhet me Artin Ushtarak. Thoma Xhixhon në planin studimor dhe historic e gjejmë shpesh si autor e bashkautor në mjaft studime dhe përgjithësime shkencore ushtarake shqiptare, kryeredaktor i “Revistës Ushtarako-Politike”. Shkrimet e gjeneral Xhixhos datojnë në gati gjysëm shekulli, 1951 deri më 2000. Ushtarakë madhorë, komandantë e komisarë që kanë lënë gjurmë në luftë dhe në ngritjen e UP-së kanë lënë libra, kujtime, foto, relike, dokumente arkivore dhe muzeale, që kanë sjellë ndjenjat e fisnikërisë dhe të atdhedashurisë së idealistëve e patëriotëve që dhanë gjithçka për këtë popull e këtë vend në situata të vështira lufte. Është fakt se Thoma Xhixho kontribuoi fuqishëm për ngritjen e Ushtrisë Popullore, për arsimin ushtarak, shkencën, mendimin ushtarak, stërvitjet, publikimet e materialeve teoriko-shkencore në revistën politiko ushtarake. Krahas librit monografik për general Xhixhon lexuesi ushtarak dhe jo vetëm ka në dorë një libër të ri të shkrimeve më të mira të Thoma Xhixhos në gati gjysëm shekulli, që titullohet “Koncepte për Artin Ushtarak”. Në 188 faqe me tre krerë lexuesi lehtësisht informohet për një botë, një epokë misionare ku ushtria shqiptare përballoi me sukses të plotë sfida të mëdha. Në këtë kuadër spikasin mendime, gjykime e arsyetime të shkencëtarit ushtarak shqiptar Thoma Xhixho sikurse janë: “Të mësojmë historinë luftarake të njësive partizane”, që i referohet krijimit të D1S, D3S, për miqësitë e çimentuara në llogore, për zgjidhjet strategjike që ofroi SHP i UNÇSH. Më tej në librin e general Thoma Xhixhos gjejmë: “Koncepte dhe parime për artin ushtarak”, “Hapat e hedhura në përgatitjen ushtarake”. Trashëgimia e mendimit ushtarak shqiptar ka tek Gjeneral Thoma Xhixhon një vlerë të rëndësishme kombëtare, që meriton vëmëndje dhe studim të vijueshëm nga institucionet arsimore akademike ushtarake dhe më gjerë.

 

Please follow and like us: