Apostol Kotani: Shqiptarët dhe hebrenjtë në shekuj
Në Gusht të vitit 1968, kur punoja në Institutin e HISTORI – GJUHËSISË në Tiranë, mbi bazën e një kërkese nga një profesor francez, i interesuar për trajtimin e hebrenjve në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, u ngarkova për të bërë një studim në këtë drejtim. Më 23 Dhjetor të atij viti e përfundova studimin me titullin “PËR POPULLIN SHQIPTAR KA QENË DHE ËSHTË E HUAJ ÇDO TEORI RACISTE ANTISEMITISTE”. Kur filluan përpjekjet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit, në vitet 1987 – 1988, i nxitur edhe nga kërkesat e disa gazetarëve për t’u dhënë informacion, përgatita një shkrim të zgjeruar, të cilin e botova në fillim të vitit 1990 në revistën e Institutit të Historisë “STUDIME HISTORIKE” Nr. 4.
Një kopje të revistës ia dërgova Drejtorit të Institutit të Yad Vashemit, zotit Mordehai PALDIEL dhe një tjetër, Dr. Anna KOHEN në SHBA.
Drejtori i Institutit të Studimeve të Yad Vashemit, ndër të tjera më shkruante: “Dëshiroj të kërkoj ndihmën tuaj, për të na njohur më sa më shumë histori si këto, për të mirën e brezave të ardhshëm, si dhe për mundësinë që na jepni për t’i falenderuar zyrtarisht këta bamirës në emër të shtetit të Izraelit dhe popullit hebre. Me ndihmën tuaj, unë jam i sigurtë se ne do të jemi në gjendje ta dëshmojmë dhe të shlyejmë borxhin tonë moral ndaj atyre shqiptarëve që rrezikuan jetën për t’i shpëtuar hebrenjtë nga nazistët, për t’i falenderuar në emër të shtetit dhe popullit të Izraelit si dhe për të përjetësuar emrat e tyre për gjithë brezat që do të vijnë”…
Ndërsa e nderuara hebreo-shqiptare Dr. Anna Kohen nga Nju Jorku, ndër të tjera më shkruante: “Ideja që keni ju për të bërë një libër të ilustruar me emra, dokumente e pamje, është një ide fantastike, prandaj vihuni menjëherë punës dhe fillojeni këtë libër”.
Nxitje më kanë dhënë edhe letrat dhe ndihma e hebreo-shqiptarit PEPE KANTOZI, me të cilin kam patur lidhje qëkur jetonte në Shqipëri. Këtë nxitje ma shtuan edhe më shumë vlerësimet e veçanta që mora në përurimin e Muzeut të Holokaustit në SHBA nga zoti Ben Gilman e zoti Miles Lerman si dhe mesazhi i Bashkësisë Shqiptaro-Amerikane drejtuar kryeministrit shqiptar më 22 Prill 1993.
Në vitin 1991 fillova të hulumtoj në Arkivin e Shtetit, në shtypin e kohës, të takohem me hebrenj dhe familje strehuesish, të vjel informacione nga botimet e autorëve të huaj etj. Duke u njohur me historinë dhe përpjekjet e hershme të popullit hebre për të mbijetuar midis persëve, helenëve, romakëve, bizantinëve, spanjollëve, otomanëve e nazifashistëve; me dëbimin dhe shpërndarjen e hebrenjve në ILIRI dhe në Shqipërinë e sotme dhe duke u njohur me qëndrimin dhe trajtimin e tyre me respekt e dashamirësi nga shqiptarët, më lindi dëshira për të hulumtuar dhe shkruar këtë libër të vogël për të vënë në dukje dhe përjetësuar ato lidhje shekullore aq të mira e aq të ngrohta që ishin midis hebrenjve dhe shqiptarëve.
Me anën e këtij libri, lexuesi do të njihet me kohë-ardhjen e grupeve hebraike në ILIRI dhe në Shqipërinë e sotme dhe me marrëdhëniet ILIRO-HEBRAIKE që nga fundi i mijëvjeçarit të dytë para erës sonë; me të dhëna historike për popullin hebraik e përhapjen e tyre në qytetet e ndryshme të Shqipërisë; me bashkësitë dhe sinagogat e tyre; me shkrime të autorëve të vjetër e të rinj që flasin për përhapjen e hebrenjve në Europën Juglindore e Shqipëri; me dokumente të shekullit XV që bëjnë fjalë për hebrenjtë në Shqipëri e marrëdhëniet e ndërsjellta; me listën emërore të hebrenjve të ardhur në Shqipëri që nga viti 1850 deri në vitin 1944 dhe vend-vendosjen e tyre; me dokumenta të administratës shtetërore të pushtuesve nazifashistë për ndjekjet kundër hebrenjve; me fakte të shumta për përkrahjen që u dha populli shqiptar si dhe listën e familjeve që kanë strehuar dhe shpëtuar hebrenjtë, pa ngjyrime politike e fetare.
Gjithashtu lexuesi do të mësojë edhe për ndihmën e hebrenjve, dhënë në luftërat për liri e pavarësi të shqiptarëve dhe posaçërisht për luftën kundër fashizmit, ku dhanë jetën 9 hebrenj.
Botimi i parë i librit, vetëm në gjuhën angleze u bë në vitin 1995, kurse botimi i dytë në gjuhët shqip-anglisht, i plotësuar me dokumenta të tjera, harta, lista, pamje e letër-këmbime, u botua në vitin 1996. Libri u shpërnda në SHBA, KANADA, ANGLI, GJERMANI, SUEDI, GREQI, ITALI, IZRAEL, ZVICËR, KOSOVË, MAL i ZI e deri në Jordani. Duke marrë parasysh kërkesat e shumta dhe një interesim të madh për këtë studim, si dhe faktin që gjatë vazhdimit të hulumtimeve kanë dalë edhe materiale të reja, doli e domosdoshme që të bëhej një ribotim tjetër i përmirësuar e i plotësuar…
Në botimin e ri, lexuesi do të njihet me të dhëna më të plota për Izraelin, me emra të rinj hebrenjsh të shpëtuar, duke e rritur numrin e tyre në rreth 1000 vetë dhe të familjeve strehuese në mbi 120, me histori të reja të rrëfyera nga të shpëtuarit dhe strehuesit, me emrat e familjeve të dekoruara, me veprimtaritë ndërkombëtare në këtë drejtim, me punën e madhe që jep Lidhja Qytetare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan në përhapjen e rolit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore etj… Libri është në harmoni të plotë edhe me vendimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili vendosi në vitin 2005, që edhe në Shqipëri të përkujtohet data e 27 Janarit, përvjetori i çlirimit të kampit famëkeq nazist të shfarosjes së Aushvicit, ku gjetën vdekjen, midis të tjerëve edhe qindra mijë hebrenj…
Në Izrael dhe në bashkësitë e tjera hebraike në botë ka një interesim të veçantë edhe për Shqipërinë, si vendi i VETËM në Europë, ku nuk e pësoi ndonjë hebre nga ndjekjet shfarosëse të nazistëve. Shqipëria u vendos në krye në hartën e vendeve që kanë ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve si në YAD VASHEM, ashtu edhe në Muzeun e Holokaustit në SHBA, ku emrat e familjeve shqiptare kanë mbushur dhe po mbushin murin përkujtimor të shpëtuesve.
Gjithashtu Qeveria e Izraelit ka dekoruar dhe shpërblyer dhjetëra familje me medaljet “NJERIU FISNIK” dhe “I NDERUAR MIDIS KOMBEVE”. Deri në Shkurt 1995 ishin vendosur emrat e 26 familjeve shqiptare në Murin Përkujtimor në Yad Vashem. Ndërsa deri në mesin e vitit 2003, numri i tyre arriti në 35 dhe vazhdon puna për dallimin dhe vlerësimin e të tjera familjeve.
Shqiptarët e nderuar nga shteti i IZRAELIT deri tani janë:
ABDULLA e HIJE MYRTO – (SHkodër)
– AGOSTIN e GJYZEPINA ÇIFTJA – (Shkodër)
– AISHE KADIU – (KAVAJË)
– ALI SHEQER PASHKAJ – (Lezhë)
– ATIF e GANIMET TOPTANI – (Tiranë)
– BEQIR QOSJA – (Tiranë)
– BESIM e LIMA ZYMA – (Tiranë)
– ESHREF SHPUZA – (Durrës)
– GJOVANA BALA – (Shkodër)
– HAMDI KASAPI – (Tiranë)
– HAMID VESEL VESELAJ – (Tiranë)
– KASEM JAKUP KOÇERRI – (Tiranë)
– LIMA KAPLLAN BALLA – (Durrës)
– MAGDALENA SFECI SHKURTI – (Durrës)
– MEHMET YSHREF FRASHËRI – (Tiranë)
– METIN AZIS RULI – (Tiranë)
– MIHAL LEKATARI – (Kavajë)
– MIKEL KILICA – (Tiranë)
– MUHASIL DULAJ – (Vlorë)
– NJAZI MEFAIL BIÇAKU (Elbasan)
– NJAZI PILKU – (Tiranë)
– NURO HOXHA (Vlorë)
– PASKAL ORGOCKA (Korçë)
– QAMIL XHYHERI (Vlorë)
– REFIK VESEL VESELAJ (Tiranë)
– SHABAN HILMI HOXHA (Durrës)
– SHAQIR e XHEMILE BORIÇI (Shkodër)
– SHYQYRI BUDO (Tiranë)
– STAVRI e NORA SHEKO (Tiranë)
– STILJAN NOSI (Elbasan)
– SULEJMAN HAMDI MEÇE (Krujë)
-VASIL e ADELINA NOSI (Elbasan)
– VASIL e KRISTINA KONO (Tiranë)
– VEHBI HOTI (Shkodër)
– XHEMAL VESEL VESELAJ (Tiranë)
Në përurimin e Muzeut të Përkujtimit të Holokaustit në Nju York më 23 Prill 1993, drejtori i këtij Instituti MICHEL BERENBAWN ndër të tjera tha: “Populli shqiptar tregoi një trimëri të jashtëzakonshme… çdo njeri prej tyre është një mësim për kurajon e fisnikërinë njerëzore dhe një betim për racën njerëzore”. Kurse Kryetari i Këshillit të Muzeut të Përkujtimit të Holokaustit, zoti MILES LERMAN tha: “Ne ndodhemi këtu për t’i thënë FALEMINDERIT Shqipërisë që rriti bij e bija kaq fisnike, të cilët ditën të veprojnë, në një kohë kur hebrenjtë ishin të izoluar dhe të braktisur, në një kohë kur ata e ndjenin se edhe zoti i kishte harruar. Prandaj ne jemi krenarë për popullin shqiptar dhe i jemi atij shumë mirënjohës…”.
Apostol Kotani , Tiranë, 07/02/2007
* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *
– VLERËSIME PËR VARIANTIN E PARË –
– Prof. Dr. XHEMIL FRASHËRI, ndër të tjera shkruan:
– “Është I PARI dhe I VETMI studim i deritanishëm me vlera të mëdha për kombin, që ngre lart virtutet dhe vlerat morale të popullit shqiptar. Nga brendia e librit, del se autori Apostol Kotani ka kryer një punë të gjatë dhe serioze për hulumtimin, grumbullimin dhe paraqitjen e dokumentacionit të gjerë nëpërmjet të cilit dalin qartë dhe bindshëm marrëdhëniet e hershme të ndërsjellta midis hebrenjve dhe ilirëve /pasardhësve të tyre shqiptarëve dhe sidomos ndihmesa e madhe e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Libri dallohet nga qartësia, vërtetësia, paanshmëria dhe fryma atdhetare. Ky libër do t’i sjellë një shërbim të madh kombit shqiptar”.
* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *
– AT ARTUR LIOLIN , BOSTON (USA) në Qershor të vitit 1997, ndër të tjera, do t’i shkruante autorit, Apostol Kotani:
“Kjo është një vepër madhështore që do të mbetet jo vetëm një kontribut i çmuar në historinë e kombit, por edhe një vërtetim i zemërgjerësisë së popullit tonë të shtrenjtë. Kërkimet dhe hulumtimet TUAJA do të mbeten një thesar i vlefshëm në arkivin e historisë sonë të shtrenjtë…”.
* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *
– JOHANA-JUTA NAUMAN-GERECHTER, në Dhjetor të vitit 1996 ndër të tjera, do t’i shkruante autorit, Apostol Kotani:
“Lexova librin TUAJ me një interesim tepër të madh dhe mendoj se ju keni bërë një gjë të shkëlqyer dhe keni punuar shumë në kërkim të fakteve për këtë temë…”.
* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *
– DEBORAH LIPSON, Muzeu Historik i Davidit në Jeruzalem shkruante: “Mbeta shumë e prekur kur lexova librin TUAJ rreth veprimit të guximshëm të popullit shqiptar në mbajtjen gjallë të popullsisë hebraike gjatë Holokaustit…”.
* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *
– Motra GWEN SHAW, pas mbarimit të Konferencës për Paqen që u zhvillua në Jeruzalem në Janar të vitit 1999, do të shprehej: “Një bekim që na erdhi nga Shqipëria është libri i mrekullueshëm i z. Apostol Kotani, i cili flet për historinë e mbrojtjes së hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Unë besoj se, kur amerikanët të lexojnë këtë libër, do të frymëzohen për ta dashur edhe më shumë popullin shqiptar. Ju duhet të kuptoni që ne amerikanët nuk e njohim mirë Shqipërinë, por ky libër do të na liidhë me ju dhe me kombin tuaj të mrekullueshëm…”.