Albspirit

Media/News/Publishing

REFERENDUM PËR ASOCIACIONIN E KOMUNAVE ME SHUMICË PSEUDOSERBE NË KOSOVË

Dashamir Uruçi

Me sa duken punët, plani franko-gjerman po vulos urtë e butë, asociacionin e Serbisë në Kosovë.

Bisedimet nuk bëhen të ditura e mbahen konfidenciale në mes palëve e në fakt, vetëm qytetarët shqiptarë nuk dinë asgjë.

Ndërsa të tjerët nuk kanë kurrfarë përgjegjësie, politika shqiptare gjithandej mban përgjegjësi kombëtare për zhvillimet si dhe pasojat e frikshme që rrjedhin nga krijimi i asociacionit serb në Kosovë.

Qeveria Kurti është vënë nën presion dhe i kërkohet në mënyrë ultimative, nënshkrimi i kësaj marrëveshje, anipse preken interesa thelbësore të ekzistencës së vetë Kosovës.

Megjithë qëndresën cilësore ka të ngjarë që Kurti të lodhet e të dorëzohet përballë këtij presioni shumëvjeçar.

E thënë me pak fjalë, fitorja e Serbisë me asociacionin shënon fillimin e rrënimit të pavarësisë së Kosovës, të fituar me gjakun e shumë brezave.

Në këtë situatë jam i mendimit se ka disa rrugë të cilat ndihmojnë në tejkalimin e gjendjes:

E PARA

Është shtyrja e problemit deri në krijimin e kushteve të tjera më të favorshme për Kosovën.

Duke nxituar, nën presionin e ndërkombëtarve për të firmosur marrëveshjen me Serbinë, politika shqiptare legalizon pa kthim, marrëveshjet e THAÇI-MUSTAFA me Serbinë.

Në të njëjtën kohë, ajo shkel në mënyrë të papreçedentë, vendimin e Kushtetueses së Kosovës e cila me vendimin e saj e ka ndaluar krijimin e asociacioneve me baza etnike.

E DYTA është referendumi.

Asnjë politikan nuk ka të drejtë të firmosë marrëveshje që cenojne integritetin territorial të Kosovës.

Pranimi i asociacionit, i çfarëdolloji qoftë shënon fillimin e shkëputjes së veriut të Kosovës, nga Kosova e mbetur dhe kjo, për të gjitha faktorët që tashmë dihen e rrënon ekonominë e Kosovës dhe i hap rrugën lëshimeve të reja si ato për komunat e tjera, poshte Ibrit; tokat e pasurite e kishave, aktualisht serbe e kështu me rradhë.

E TRETA

Është qëndresa e fortë e shqiptarve ndaj të tretëve, kushdo qofshin ata.

Koha ka vërtetuar se përballë një qëndrese të gjatë e shumëvjeçare të vetë vendeve anetare, ndaj presionit të Europës së Bashkuar, kjo e fundit është tërhequr.

Kujtoni konfliktin 30 vjeçar të Greqisë me Maqedoninë për çështjen e emrit, konfliktin e Turqisë me Greqinë për Qipron turke e të tjerë.

E KATËRTA

Nuk kemi çfarë humbim më.

Pjesë e bisedimeve duhet të bëhen edhe kërkesat e shqiptarëve për asociacionin e komunave shqiptare nën Serbi si dhe kërkesat e shqiptarëve për pasuritë e tyre në ish Sanxhakun e Nishit,Toplica, Kurshumlia e të tjerë.

E PESTA

Është unifikimi i faktorit politik gjithëshqiptar.

Është koha që opozita dhe pozita në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, t’i ulin shpatat, të bëjnë armëpushim e t’i kthehen udhës së zotit, t’i bëhen krah qeverisë Kurti e Presidentes Osmani, në betejën e paprecedentë për ruajtjen e pasurive dhe territorit të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht.

E di që nuk është e lehtë qëndresa ndaj më të fortëve e sidomos ndaj atyre që na kanë ndihmuar në arritjet tona historike është shumë delikate.

Jam i mendimit se asociacioni është tejet i dëmshëm sidomos për të ardhmen e Kosovës.

Jam i bindur gjithashtu se janë në lojë interesa të mëdha të superfuqive të cilat flasin për demokraci e të drejta kombëtare e njerëzore të popujve e në fakt punojnë për interesat e tyre.

Në këto beteja planetare ku përplasen interesa shumëplanëshe, për ata është më e lehtë të sakrifikohen interesat e popullit shqiptar dhe më vjen keq ta them por këto lëshime që perëndimi po i bën Sërbisë, moralisht e politikisht janë të dënueshme.

Veçanarisht, gjatë këtyre 10 viteve të fundit, nuk u fol asnjëherë, institucionalisht nga Europa e Bashkuar për krimet genocidale të Serbisë në Kosovë.

U fol papushim, për të drejtat e një grushti serbësh në Kosovën veriore, pa zënë në gojë asnjëherë, të drejtat e 140 mijë shqiptarëve në Kosovën Lindore, pa u perpjekur as edhe njëherë të vetme, për ta ndalur dëbimin e shqiptarëve nga MEDVEGJA, të kryer ditën për diell e në sy të të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare.

E thënë troç, kësaj i thonë paturpësi europiane, sjellje me dy standarte, ndryshe me të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve nën Serbi dhe ndryshe me të drejtat dhe liritë e serbëve në Kosovë.

Nuk e di përse po ndodh kështu por mbështetja e kërkesave të Serbisë për ASOCIACIONIN (me të drejta ekzekutive apo pa të drejta ekzekutive) nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i aneksimit të trojeve shqiptare të filluara në Berlin, Londër e Paris në shekullin e 19-të.

Kjo mbështetje e kërkesave të Serbisë gjithashtu në kurriz të shqiptarëve po përdoret nga perëndimi për ta zbutur përkrahjen e Rusisë e cila e ka mbështetur aleatin e vet historikisht.

Dua të them edhe diçka tjetër në fund të këtij refleksioni të shkurtër të këtij fillim viti të vrazhdë:

POLITIKA SHQIPTARE, DOMOSDOSHMËRISHT DUHET TA KALOJË VENDIMMARRJEN PËR ASOCIACIONIN, NË NJË REFERENDUM POPULLOR…!

RRUGË TJETËR NË SITUATAT MË TË FUNDIT TË KRIJUARA NË KOSOVE NUK KA…!

Tiranë, 25 janar 2023.