Dr. Iris Halili: Dashuria në mitet antike greke
Ekzistojnë ca ndjenja që përjetohen njёsoj nga njerёzimi, pavarёsisht kohёs apo vendit. Një ndjenjë e tillë është dashuria. Që në mite, pra, që në atë kohë kur instikti dhe dija njerёzore fliste nëpërmjet gjuhës së miteve, njerёzimi krijoi heroin apo heroinën mitike që dashuronte dhe dashurohej. Grekët e lashtë kanë patur një koncept të tyre për dashurinë, qё na e kanё transmetuar edhe neve. Lindja e dashurisë në mitet greke ishte gjithmonë me shikim të parë. Helena dhe Paridi u dashuruan me shikim të parë. Po kështu dhe dashuria e Glaukës me Jasonin, Erosit me Psiken, Zeusit me të gjitha gratё që deshi apo bëri dashuri jashtë martese. Alfeu hedh dashuri me shikim të parë ndaj Aretuzёs, Apolloni me Kasandrën etj. etj., e kёshtu me radhё në të gjitha mitet. Në qoftë se shpjegimi do të merrte një karakter mё shumë psikoanalitik sesa historik, do të thonim se, sipas teorisë së Freud-it, dashuria nuk është gjë tjetёr veç frut i pavetëdijes, të cilën ai e quan lëndën e parë të shpirtit. Në të vërtetë, e gjallë dhe aktive kjo lёndё e parё vepron mbi mendimet dhe ndjenjat tona. Ndoshta, ajo përfaqëson pjesën mё plastike të ekzistencës sonë psikike. Freud-i thotё se mё shumё nga tё gjitha duhet tё dёgjojmё pavetёdijen, pasi ajo ёshtё grimca e padukshme e tensioneve tona tё brendshme. Sipas kësaj analize, Freud-i, na lë të kuptojmë se ekzistenca jonë nuk shtjellohet lirshëm në sferën e racionales, por jepet para trysnisë së pavetëdijes dhe procesi i dashurisё, nuk është vetëm çasti kur ne bëhemi të vetëdijshëm për atë që është fshehur në pavetëdijen tonë. Në rastin e një objekti që shfaqet, ndodh pikërisht ky kataklizëm i përgatitur më parë në botën e thellë të instikteve tona dhe që në një çast të dhënë përmbys papritur fatin tonë. Kështu ra në dashuri Apolloni me Dafinën. Dafina, bija e zotit ishte më e bukura prej nimfave. Nga ana tjetër Apolloni, më i bukuri mes perëndive nuk i besonte magjisë dhe fuqisë së dashurisë, ndaj Erosi vendosi ta plagosë me shigjetën e tij të plumbtë. Apolloni bie në dashuri me Dafinën, por kjo dashuri mbeti gjithmonë pa përgjigje dhe Dafina pranon të kthehet në pemë vetëm për të mos iu dhënë atij. Ndërkohë, Apolloni nuk rresht kurrë së zbukuruari pemën e Dafinës. Vargjet më të bukura, mbështetur në këtë mit, i gjejmë tek Ovidi. Sipas frojdizmit dashuria e pareshtur dhe pa përgjigje e Apollonit s’ёshtё gjё tjetёr veçse njё instikt i shtypur qё ngre krye. Kjo do të thotë se sa më shumë Dafina e refuzonte Apollonin, aq më shumë ai binte në dashuri e sa më shumë Apollonit i mungonte Dafina, aq më shumë i ndizej dashuria për të. Një interpretim pak a shumë të njëjtë merr edhe miti i Kasandrës. Edhe me tё dashurohet Apolloni, edhe nga ajo refuzohet. Fati i Kasandrës njihet nga Iliada dhe Odisea e Homerit si dhe vepra e parë e triologjisë së Eskilit Orestia. Miti na tregon se Apolloni hakmerret ndaj Kasandrёs pikёrisht pёr shkak tё refuzimit. Kasandra zhvishet nga zhguni i profetit. Ishte pikërisht kjo hakmarrje e Apollonit që solli pushtimin e Trojës, sepse askush nuk e besoi Kasandrёn kur shkulte flokёt pёr tradhtinё qё sillte nё bark kali i akejve. Ky akt i Apollonit theksohet si prepotencё hyji dhe Euripidi e rendit si akt tё turpshёm qё rrёzon nga froni perёnditё.
Por ndërsa në mitet e sipërmendura kemi Apollonin që bie me shikim të parë në dashuri të pafatё, në mitin e Lules së Diellit kemi dashurinë e pafatё të Klizias, nimfёs që ra në dashuri me perёndinё Diell (Heliosin). Thelbi i mitit në dukje është i thjeshtë. Klizia dashuron Diellin por ky dashuron të bijën e Orkamit , Leukotojёn. Klizia e çmendur nga xhelozia e kallzon Leukotojёn tek i ati, i cili duke mos e duruar dot këtë turp e varros të bijën të gjallë nё rёrёn e shkretёtirёs. Dielli me rrezet e tij tenton tё depёrtojё thellё nё tokё, por ishte vonë, Leukotoja tashmë kishte ndërruar jetë. Nga dёshpёrimi dhe hidhёrimi Dielli hakmerret ndaj Klizias duke e kthyer në lule me kërcell të trashë e me kokë të madhe. Është pikërisht lulja e diellit që ne e njohim të gjithë, e cila gjithmonë e kthen kokën nga dashuria e saj, Dielli. Edhe këtë mit e gjejmё tek Metamorfozat e Ovidit (IV). Klizia është simboli i gruas që me të gjitha drejtësitë dhe padrejtësitë synon të arrijë objektin e saj dashuror. Por morali i mitit është i qartë. Ajo jo vetëm nuk e gëzon dashurinë e njëanshme, por mbetet pre e vetë ndjenjës së saj. Sheh Diellin, lulёzon. Lulёzon, sheh Diellin, lulёzon. Derisa kupton qё lulёzim, jo domosdoshmёrisht, do tё thotё lumturi.
Dëshirat instiktive dhe i dëmtuari i tretë në mite
Helena mbetet figura më e pёrfolur e miteve antike. Ajo ёshtё aq e bukur, sa edhe vetё Homeri nuk arrin dot t’ia përshkruajё bukurinë. Simbol i feminilitetit, Helena ёshtё bёrё objekt i artit tё sa e sa artistëve, poetëve, piktorёve.
Bijë e Zeusit dhe të dashurës së tij Leda, Helena mbahej më e bukura nga të gjithë vdekatarët. Odiseu hodhi mendimin që ajo duhet ta zgjidhte vetë bashkëshortin, pasi situata për kërkimin e dorës së saj po e çonte Greqinë në prag të luftës. Ajo zgjodhi Menelaun dhe të dy u bënë trashёgimtarë të Spartës, derisa një ditë Paridi, princi i Trojës, i vizitoi dhe më pas e rrëmbeu Helenën që shkaktoi dhe luftёn dhjetёvjeçare të Trojës. Një vështrim psikonalitik i figurës së Helenёs, do ta paraqiste atë si një grua ku mbizotёrojnё instiktet, të cilat ajo vetë nuk i lufton aspak, nuk pёrpiqet t’i ndrydhë, por përkundrazi, i stimulon dhe i shpalos sa herё tё jetё nevoja. Freud-i e vendos Helenën në kategorinë e njerёzve qё ushqejnё dёshira tё verbra dhe instikte primordiale, pa asgjё shpirtёrore. Ёshtё rasti tipik i gruas qё epshin e zhvendos sa te njё objekt te tjetri, falё energjive tё saj psikike qё i lёvrijnё vazhdimisht. Kjo është Helena, sipas Freud-it. Dikur dashuroi Menelaun e më pas Paridin. Nga ana e tij Paridi e ka të lehtë të bjerë në dashuri me Helenën, me të cilёn ishin dashuruar të gjithë burrat e Greqisё së lashtë. Përpos kësaj, interpretimin frojdist na e lehtëson edhe arsyetimi se përse Paridi rrëmbeu një femër tashmë të martuar. Sipas Frojdit, në Mbi Psikologjinë e jetës dashurore , kur ndalet tek kushtet dashurore, ai përcakton si kusht të parë atë që ai e quan të dëmtuar të tretë. Sipas tij, burri ka gjithmonë tendencën të zgjedhë si objekt dashurie jo një grua që është ende e lirë, por një femër të angazhuar, ndaj të cilës ka “objektet pronësie dikush tjetër”. A nuk duket ky si një fakt bindës përse Paridi zgjodhi Helenën, përpos bukurisë së saj? Nё fund tё fundit, brazda ishte hapur. Edhe Zeusi rendte pas vdekatareve tё martuara dhe përdorte gjithë fuqinë e tij prej Zoti t’i shtinte ato në dorë.
Ndërsa Helena është dhe mbetet një casus belli, në përgjithësi, gratё në mitet greke jepen shumë të dashuruara dhe tё përkushtuara ndaj dashurisë dhe të gatshme të vetёflijohen për tё. Dashuria që fal femra në mitet greke është epike, ajo bën të qajnë edhe heronjtë si Akili. Mitet mundohen t’i japin forcën këtyre dashurive dhe të shfaqin madhështinë e tyre në forma të ndryshme. Për shembull, nëse nuk do të ishte dashuria e Briseidës ndaj Akilit lufta e Trojës ndoshta do të kishte patur tjetër përfundim. Po kështu kemi Alkesta e cila e dashuruar tmerrësisht ndaj të shoqit, mbretit Admet, pranon të vdesë fisnikërisht në vend të tij. Ajo njihet si heroina më bujare në mitet greke. Ndërsa një tjetër heroinë, Alkiona, tek sheh në breg trupin e pajetë të të shoqit, hidhet ta puth e vdes mbi të. Po kështu Etra, hidhet si e çmendur nga shkëmbi kur shikon të shoqin që digjet në turrën e druve. Të gjitha këto raste në mite janë dëshmi e forcës dashurore të gruas përqendruar tek një objekt i vetëm dashuror. Sapo eliminohet ky objekt, ato vetëflijohen. Të mos harrojmë se mitet greke i takojnë periudhës të konsolidimit të familjes dhe kjo familje çdo ditë e më tepër merr ngjyra patriarkale.
Psika dhe Erosi
Ndoshta ndër mitet më intriguese dhe më me shumë qasje psikoanalitike, është ai i Psikës dhe Erosit. Ky mit është bërë edhe më i njohur nga versionet e dhëna tek Metamorfozat e Ovidit si dhe Gomari i artë i Apoleut nga Madaura. Sipas mitit, dikur na ishte një mbret dhe një mbretëreshë që kishin tri vajza. Dy të parat ishin martuar e trashёguar. Vajza e tretë quhej Psika. E bukur si një hyjneshë, ajo ishte pengu i prindërve tё pikёlluar pёr fatin e saj tё vonuar. Një ditë, i ati iu drejtua Orakullit të Delfit, i cili i parashikoi një fat të trishtë: dhëndri do të ishte njё dragua i vrazhdë, me trup të mbushur me hekur. Dhe kur mendohej se asgjë nuk mund të ndalonte dot profecinë, dashuria tregoi fuqinë e saj. Ndërkohë perёndesha Afërditë kishte dëgjuar për bukurinë e Psikes dhe zërat i thoshnin se ajo i ngjante njё perёndeshe. Kjo e fundit e kishte porositur Erosin ta godiste Psikën me shigjetë. Por Erosi e sheh, mahnitet me bukurinë e saj dhe e sjell në një shtëpi madhështore dhe vetë kthehet nё hije qё tё mos shihet. Ndërkohë Psika habitet nga shёmbёlltyra pa fytyrё e Erosit qё i thotё të mos kërkojё shpjegime e të mos i rrëfehet askujt. Dashuria shpёrthen nё tё gjitha format e saj tokёsore dhe qiellore, derisa një ditë Psika vendosi t’u rrëfente motrave për vizitorin e natës. Motrat e zilepsura, e shtynë që të zgjidhte enigmën. Nën dritën e kandilit, Psika përpiqet të zbulojё fytyrën e burrit qё i mbushte shtratin çdo natё. Njё pikё e vajit tё nxehtё i bie nё trup dhe e djeg e kёshtu Erosi zgjohet i tërbuar e braktis Psikën.
Përpos anës së dukshme të mitit, ku ne vёmё re përpjekjet e njeriut për gjetjen apo rigjetjen e dashurisë dhe vuajtjeve që paguhen në shpёrblim të saj, ofrohen edhe interpretime më të vështira, për zbërthimin e të cilave, sërish na vjen në ndihmë psikoanaliza. Le të shtojmë këtu se me të drejtë, sipas Freud-it, psikoanaliza është kritikuar se nuk pyet për anën më të lartë morale, mbipersonale të njeriut. Megjithatë e vërteta është se ajo shpesh të befason me zgjidhjen që u jep fenomeneve të caktuara, për të cilat njeriu i zakonshëm mund të diskutojë gjatë, ndoshta pa arritur në pёrfundime shkencore. E pra, i pari që e bëri këtë, i pari që i tregoi njerёzimit një ishull brenda shpirtit, ishte Sigmund Freud-i . Ai do të mbetet simbol i sinqeritetit të gjeniut.
Ja se si do t’i afrohej psikoanaliza mitit të Psikёs dhe Erosit. Së pari, ngjashmëria e madhe në bukuri midis Afërditës dhe Psikës është arsyeja kryesore që sipas interpretimit frojdist e bën Erosin të bjerë në dashuri me Psikën. Kjo zgjedhje, është rezultat i një fiksimi fёmijёror të brishtësisë ndaj nënës dhe përbёn një nga rrugëdaljet e këtij fiksimi. Pra, Erosi dashurohet me shikim të parë me Psikën, pasi ajo është shumë e ngjashme me objektin që ai ka në mendje, ku shёmbёlltyra grash qё shkojnё e vijnё, ndërtohen vazhdimisht mbi modelin e nënës Afërditë. Fakti që edhe pas ndarjes, Erosi rikthehet sërish dhe përfundimisht te Psika, rrëfen se tek ai nuk kemi procesin zinxhir që frojdizmi e quan zëvendësim nëne, gjë qё e kthen mashkullin në Don Zhuan, gjithmonë në kërkim të imazhit të nënës. Po tek Erosi nëna zëvëndësohet një herë e mirë me Psikën e cila përmbush objektin ideal. Edhe vetë ndarja për disa kohë e të dy dashnorёve mund tё interpretohet me teorinё frojdiane, sipas sё cilёs ndarja kёrkohet kasten si barrierё artificiale.
Nga ana tjetër, po psikoanaliza do e çonte edhe më larg konceptin e mitit. Me interpretimin e saj ajo do të vërtetonte edhe një herë se njeriu, si ai primitiv ashtu edhe ai modern, priret tё shprehё nënndërgjegjen nëpërmjet mitit, ëndrrave apo artit. Ёndrra, mitologjia, arti rrjedhin të gjitha nga nënndërgjegjja. Ato tregojnё e zbulojnë një botë e cila nuk do të shpjegohej ndryshe.
Duket sikur miti i Psikës dhe Erosit herë merr trajta reale (dy të dashuruar lindin një fëmijë) dhe herë trajta ireale, teksa Erosi i shfaqet Psikës natën si një hije. Vetё miti nuk na jep kurrë njё shёmbёlltyrё të Erosit. Mos është vallë ai thjesht pёrfytyrimi i Psikës për dashurinë, një dëshirë dhe kënaqësi e fshehur e saj?! Të shënojmë këtu se Erosi dhe shigjeta e tij është simbol i dashurisë si e tillë. E pra, mos është ndjenja e saj më shumë një fantazi erotike e Psikёs sesa një realitet? Mos kemi të bëjmë me një ëndërr të Psikёs nё gjumё? Sipas Freud-it, figurat simbolike të ëndrrës, fshehin në shumicën e rasteve dëshira të ndrydhura dhe të paplotësuara, të cilat s’kanë mundur të realizohen gjatë ditës e përpiqen të hyjnë në shpirtin njerёzor nëpër shtegun e ëndrrave. Ёndrra është valvula e ndjenjave tona. Ajo është ndërmjetëse mes botës së ndjenjave të fshehura dhe asaj që i nënshtrohet arsyetimit tonë. Falë saj ne mund të mësojmë shumë gjëra, të cilat nuk pranojmë t’i mësojmë kur jemi zgjuar. Çdo ёndërr, është dëshmi, jo e një vullneti shumë të lartë hyjnor, mbinjerёzor, por shpesh e një dëshire të brendshme e të fshehtë të njeriut. Sigurisht, ky lajmës nuk flet gjuhën e përditshme të sipërfaqes, por atë të humnerës, të natyrës së pavetëdijshme. Sipas këtij shpjegimi, i gjithë miti kthehet në një simbol të fuqishëm, në të cilin njeriu primitiv ka tentuar të depërtojë brenda shpirtit dhe dëshirave të tij, pa mundur ndoshta të sqarojё se kush i stimulon këto dëshira, sa të fshehura aq edhe të dukshme.
Nё ёshtë shpirti që nxit epshin, apo e anasjellta, këtë mitet e kanё pasur të vështirë ta shpjegojnë. Pёr fatin tonё, ato na e kanë bёrё të qartë, qysh herёt, lidhjen e dashurisë shpirtërore me kënaqësinё fizike. Eros (Dashuri) + Psikë (Shpirt) = Hemonë (Kënaqësi).