Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Mevi Rafuna

Kosovë- Lulja ime e bukur e Ilirikut të shkatërruar

 

Nga hiri yt u ringjalle si lule e bukur

Të ujitëm me lotë dhe me gjak

Se shiu dhe bora nuk ta shuanin etjen.

Në vend të bimëve trojet tona u mbushën me varre.

Shpirta që kërkuan drejtësinë e mohuar mbi tokë

I bënin roje natën varreve të veta.

Nuk u kursye as plaku një qind vjeçar e as fetusi në barkun e nënës.

Nuk u kursyen as zogjtë, as qyqet.

Kosovë mbi kurrizin tënd e mban ngjizjen e civilizimit

se këtu dikur ishte Dardani

mbretër dhe mbretëresha që i dhanë botës çfarë paten,

ndërsa pasardhësve të tyre i lanë mallkimin.

Mallkim që e bartim si hajmali

në gjakun dhe në eshtrat tanë…

 

Herojtë e mi janë të heshtur

 

Herojtë e mi janë të heshtur

Rrinë me një qosh të mohuar

Dhe nuk kërkojnë lavdi.

Herojtë e mi rrallë buzëqeshin

Por buzëqeshja e tyre nuk është e rrejshme

Ju del nga shpirti.

Herojtë e mi nuk kërkojnë asgjë nga populli

Se nuk ja matën lirinë

Se nuk ja neveritën lirinë

Ja dhanë dhe nuk ja përmenden ma kurrë.

Herojtë e mi janë heroj të vërtetë

Nuk duan ta rrëmbejnë historinë

Nuk e dhunuan atdheun

Por edhe në paqe luftojë heshtur…

Herojtë e mi nuk kërkojnë mëshirë

Herojtë e mi janë fisnikë

Me gjakun e Lek Dukagjinit

Me gjakun e Gjergj Kastriotit.

 

Luftë

 

Njerëzit thërrisnin luftë, është luftë, po bahet luftë, u ba luftë.

Unë si fëmijë nuk e dija qa është lufta.

Njëherë mendova se lufta është femër.

Mendova se lufta ka sy, ka veshë, ka buzë, ka gojë, ka dhëmbë, ka hundë, ka fyt, ka duar ka këmbë, ka trup, ka fytyrë, ka flokë dhe vishet me fustan.

Se dija as qa janë plumbat, isha një fëmijë që më pëlqente t’i shihja yjet natën.

Një fëmijë ëndërrimtar, që fillova shkollën në luftë.

Një ditë oborrin e shkollës na e rrethuan policia serbe.

Buzët e mësuesit dridheshin kur na tha të mos vinim më në shkollë.

Ishte ditë me shi, kur u rrëzova në rrugica me lloq disa herë,derisa u kthyem me nxënësit e tjerë të trembur në shtëpi.

Më pas na i dogjën shtëpitë,na qitën në një rrugë të gjatë pa kthim që vonë e mësova se i thonë eksod.

Përgjatë rrugës së gjatë, ku barbaria hidhte valle,

shihja duar që luteshin, duar që dridheshin, duar të këputura. Dhëmbë të thyer dhe gojë dhe hundë të gjakosura.

Sytë e mi të humbur, shihnin sy që qanin, sy të tmerruar, sy të nxjerrur në skaje rruge…

Dëgjoja me veshët e mi klithma që qanin qiellin, shihja veshë që këputeshin me duart e ushtarëve serbë. Fyte të nxira e të mavijosura.

Këmbët e mija nuk i ndjeja tek vrapoja ta arrija traktorin me rimorkio ku ishte familja ime, sepse mbeta në kolonë dhe për pak humba mes turmës së madhe.

Mijëra këmbë ecnin në rrugën e ferrit ku djajtë i binin daulleve.

Skaj rrugës kishte trupa të pajetë me plumba në ballë…

Shihja fytyra pa shpirt që ecnin të lodhur sikur ishin të mallkuarit e shekullit.

Gratë i kapnin flokët me duart e tyre dhe qanin me brimë herë i nxjerrin flokët vetë, e herë për flokësh vrazhdë i kapnin ushtarët serbë.

Fustana nusesh digjeshin dhe bashkë me ta digjej jeta e një populli.

Atëherë kuptova çfarë ishte lufta.

Tani më nuk dua as ta mendoj…

 

Ata nuk kërkuan kurrë falje

 

Në tavolinë bisedimesh ulet xhelati me viktimën

xhelati nuk e shikon viktimën në sy

thua se viktima ishte fajtore, pse xhelati nuk i shkoi deri në fund zhdukjes së një kombi.

Gazetat e botës shkruajnë për marrëveshje

tragjiko-komike çfarë marrëveshje mund t’i garantojë xhelati viktimës, pa i kërkuar falje.

Nëpër stadiumet e botës ende dëgjohen britmat

“Vrite, therre shqiptarin”

“Shqiptari me bisht”

O shqiptar i mallkuar kur do ta duash veten

se ke mjaftë që kodo të urrejnë.

Pastaj bisedimet pa fund vazhdojnë

diplomacia e botës i duartroket xhelatit

se xhelati na u “civilizua”

buzëqesh rrejshëm, shtiret dhe këto gjëra atyre i’u pëlqejnë.

Në zyren e bisedimeve ka kamera, por nuk ka pasqyra.

A thua eksiztojnë në ndonjë tjetër dimension ato pasqyra

ku xhelati do ta shihte shpirtin e tij?

Oh neveri asgjë nuk ekziston

vetëm tituj bombastik gazetash

që e lidhin turpin dhe e fshehin në qoshe të OKB-së.

Pastaj i kthehen Ballkanit, aty ku buka hahet me gjak

dhe flasin për demokracinë

më thoni çfarë është kjo demokraci

që unë nuk arrij ta kuptoj

më falni për mosdijeninë time.

Xhelati buzëqesh, gjuha e trupit të tij e thotë të kundërtën

më thoni a rriten trëndafilat nëse i ujisim me naftë

dhe po t’i këpusim të gjitha yjet, xhelati nuk bëhet dot njerëzor.

Bisedimet vazhdojnë viktimat nuk kanë çfarë të kërkojnë

se të gjitha ja u morën për një copë toke

ku në vend të jastëkut, vendosin gurin dhe aty e vënë kokën për të fjetur kur i zë gjumi natën

dhe kur zgjohen të nesërmen

janë të trullosur

habiten, ndihen fajtorë…

Xhelati buzëqesh

xhelati edhe qan

viktima është një gurë

Më thoni a kujton guri

më thoni a mendon guri

më thoni a ndjen guri

Çfarë do t’i thotë botës guri kur nuk mundet as të flas?

Ndërsa bota i duartroket në skenë xhelatit – si viktima më e dhimbshme.

Please follow and like us: