Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: GURORJA

 

Tregim

U ktheva në krahun tjetër. Gjumi nuk më zinte e nuk më zinte. Një ndjenjë frike e pasigurie më kishte kapluar të tërin. E ndjeva shpejt se gjithë këtë ankth ma shkaktonte arka me dinamit që gjendej tanimë poshtë shtratit tim të fortë, një lloj minderi ndërtuar me dërrasa të pazdrukthuara. Ndonëse e kisha shtyrë thellë, i nisur nga idea se lënda eksplozive gjëndej poshtë shtratit tim, gati-gati më shokonte. Lëviza përsëri dhe i hodha një sy barangës së vjetër se ku mund të gjeja një vënd tjetër më të përshtatshëm. U drodha prej një rryme të ftohtë ajri që vinte nga majëmali i Dajtit e që depërtoi me vërshëllimë nga të çarrat e dërrasave të pazdruktuara, me të cilat qe sajur edhe barrnga ime e dashur. Dhe u binda menjëherë se arka me dinamit nuk mund të vendosej askund tjetër. Idea se mund të ma vidhnin ishte akoma më e tmerrshme. Kisha krryer një dënim për hiçmosgjë e jo më për këtë lëndë eksplozive!

Lëviza përsëri. Hoqa nga arka kutinë e kapsollave dhe e vendosa poshtë dyshekut prej leckash, nga ana e kokës. Sikur u qetësova disi. E dija se dinamiti nuk mund të shpërthejë pa kapsollë dhe kapsolla nuk mund të ndizet vetiu. Veç në se i vë zjarrin ndonjë dorë djallëzore. As kjo nuk ishte e pamundur. Në fund të fundit kundër meje qe ngritur një shtet i tërë, qe sajuar një kala gurëmadhe që mund të më shtypte si mizë, sepse konsiderohesha keqbërës për shoqërinë. Për një çast besova se e gjithë kjo skemë, pra unë, minderi prej dërrasash të pazdrukthuara, baranga e sajuar po kështu që ta lejonin erën e majëmalit të hynte lirshëm, arka me dinamit dhe kutia e kapsollave, e rrethonin “bukurshumë” këtë keqbërës që isha unë e askush tjetër!

U mbulova deri në kokë me batanije. Nga leckat e vjetëra që thurrnin batanijen më erdhi menjëherë një erë djerse, shurre e kërme, nga e cila nuk më shpëtonte dot era e freskët që nisi të depërtonte nga të çarat e barangës. Sakaq një bubullimë e tmerrshme tronditi qiellin e tokën. Tranzistori im, harruar hapur, bëri një “gërr-mërr” ankuese dhe vetëm atëhere e kuptova se po afrohej stuhia. Ashtu sikundër isha, mbuluar kokë e këmbë bashkë, u ula të vendosja më mire gjërpërin mbi gurin e mineralit të tranzistorit tim, që ma la një nga kokëqethurit e mi që punonte me mua, po që e kishte akoma një “copë grua” e një bina ku të fuste kokën… Nga gërvishjet e gjërpërës më erdhi, deri aty gjysmëfraza e spikeres së radios që paralajmëronte rënien e dëborës…

U shtriva në minder, ashtu sikundër isha dhe më erdhën përsëri në vesh, me një qetësi të lemerishme ato fjalët që më tha ay zyrtari me fytyrë si të kalit: “Do të të shpiem të punosh në gurore… Mos mi shqyej sytë ashtu?! Apo, kushedi se ç’thua tani me atë trurin tënd të armikut të klasës… Hë, ç’thua? Me siguri që mendon se nuk jemi në epokën e gurit, hë? Fundja mendo ç’të duash… Neve aq na bën… Nëse nuk e kupton se partia po tregohet zemërgjërë me ty, ca më keq”!

Të gjiha fjalët e tij, shoqëruar më stërkala pështyme mu përplasën në fytyrë e ndjeva se po më përvëlonin pëllëmbët e darve e isha gati t’ia përveshja fytyrës, pa le të vente në djall jeta ime… Ai sikur e ndjeu, ngriti strehën e kapeles ushtarake dhe u mënjanua, duke rrëfyer me dorën tjetër derën e hapur të zyrës, ndërsa me dorën tjetër më zgjati një letër të daktilografuar, me firmë e vulë që përmbante emërimin tim si gurëthyes e gurëngarkues në Guroren e Linzës.

“Merre këte e mos e zgjat! Mblidhi duart e vuri fre gojës.Pikë! E drodhe bishtin, prapë ta presim kokën.  E në të sëmës të vesh”!

Qenë copëra fjalësh qe mi sillte era e që mezi i durova, për të mos u kthyer mbrapsh, andej nga pata arrdhur. Po qetësia ime qe zhdukur si me magji. U ngrita në këmbë dhe e flaka batanijen mbi një grumbull gazetash ku ishin stivosur edhe regjistrat e Delisë, shefit të gurores. U tremba. Qenë lagur edhe regjistrat, edhe gazetat që ai i sillte vet çdo mëngjes nga Tirana. Vrulli i shiut mbi katramanë e çatisë se si kishte hyrë e rrjedhur deri aty, duke krijuar edhe një vijë a njollë të murme mbi një fotografi të Enver Hoxhës në tribunë, për të cilin flitej se nuk ishte më ai, po një nga aktorët tanë të teatrit që i ngjante shumë! U drodha e nuk guxova që t’i lëvizja nga vendi e as t’i prekja me dorë, sepse mund të griseshin dhe pastaj nuk dija si të justifikohesha para shef Delisë që na bënte çdo mëngjes informacionin politik, para se të fillonte dita e punës në gurore, që ai e quante si “ushqim shpirtëror”! Dhe, si e mbaronte këtë lexim, me zë të lartë e me pauza të një rëndese politike, na caktonte vëndet e punës, vrimat që do hapnim me barominë, dinamitin që do pëlcisnim, gurët që do të thyenim dhe sa makina “Skoda” do të ngarkonim, duke e përfunduar fjalën gjithmonë me shprehjen: “e le të pëlcasin armiqtë tanë që na kanë halë në sy”!

Në këto e sipër sesi errdhi një shakullimë ere që i ngjante suferinës dhe e shqiti aty për aty katramanë mbi kokën time, e cila në këto çaste vetmie më ishtë bërë shumë e dashur, gati e mrekullueshme, duke u përgjumur nënë trokëllitjen e pikave të shiut, në dallim nga nënurat e ndyra të Lanës, bunkerët e periferisë dhe nga vagonat e prishura të trenit, që nga koha e ndarjes me jugosllavët! Dhe mbeta në errësirë. Një errësirë totale e pa konture. Mbeta ashtu, i palëvizur, pse jo, edhe i trëmbur… Zgjata duart e nisa të kërkoj shtratin tim. E gjeta lehtë. Edhe batanijen prej leckash e gjeta. Hyra nën të dhe u mblodha kruspull. Era nisi të kuiste prapë, por gjithsesi më qetë.

Gjumi nuk po më zinte. Djallobaranga ndodhej midis Kampit të Pushimeve, nga ana e sipërme dhe Vilave të Partisë, nga ana e poshtme. Nuk guxoja të mendoja se atje kishte drita, ujë, ngrohtësi dhe batanije të pastëra. Por ky ishte një aluçinacion dredharak, sepse ata që gjendeshin atje as që e kishin parë ndonjëherë barangën time sa një gogël, ku banonte brenda një njeri, së toku me një arkë dinamiti! Ne qemë dy botë aq të largëta. Dhe që kishte këtu një individ të mbëshjellur me “mjergull” që isha unë, me një mendim ndryshe në tru, që përbënte kështu ankthin më të kobshëm… Më ngjau vetja si në një varrezë pa mure. Një e tillë përflitej se ndodhej më përtej malit të Dajtit, ku niste i llahtarshmi “Mali me Gropa”, i krijuar enkas nga erozioni i mendimit ndryshe. U drodha përsëri! Mund të përfundoja edhe atje. Pa barangë e shtrat prej dërrasash, pa batanije leckash të kuqe… Gjithsesi nuk gjendesha nënë tokë i varrosur. Befasisht, këtë ndijesi të lumtur ma solli tranzistori që filloi të kuisë përsëri. Zgjata dorën, e mora dhe e futa me shpejtësi nën batanijen time leckëmbajëse që nuk mu duk edhe aq e keqe, si një konfort mjeran që më nxiti të bëjë vizatime të tjera me mëndje…!

Dridhesha nga të ftohtit. Jashtë ishte vendosur një qetësi varreze, por nga që mesnata po kalonte dhe ngrica bëhej më e ashpër e kuptova se duhej të binte dëborë. Dhe vetëm kur ra drita e mëngjesit dhe hapa derën, m’u verbuan sytë e do ta kuptoja se ç’kishte ndodhur! Një dëborë e trashë, aq e trashë sa kishte zhdukur edhe konturet e gurores! Pishat qenë rënduar e varrnin degët deri në tokë. Edhe rruga mezi dukej. Eca si fëmijë ca hapa më tej dhe vështrova barangën time. As ajo nuk me dukej aq e shëmtuar dhe e vogël. Dhe tani, e zbardhëllyer, i ngjante një kasolleje lepujsh, nga ato që shihen në kartolinat për Vitin e Ri. Vetëm oxhak që tymoste nuk kishte.

Më ndiqte gjithandaj “fati” i Robinson Kruzos, njëfarë jete vetmie si e tij. Mbetur jo në ishull, po në një majëmali. Kisha afro një muaj që jetoja e punoja këtu, që nga dita e “emërimit” zyrtar, pas një “Amnistie të gjerë” që, sipas gazetave që na lexonte çdo mëngjes shef Delia, do të thoshte se dënimi i vuajtur, na quhej i paqenë dhe se mund të ktheheshim aty ku patëm punuar më parë. Dokrra! Ç’thua kështu,-i thashë vetes, a nuk ta tha shkoqur ai “Fytyrkali” se duhej qepur goja!? Pra, ule kokën, robi, e thyej gurët e Linzës, pre dega pemësh të rralla mali a shkul rrënjët e shqopeve nga dheu e gdhend çibuqe e pipa cigaresh, sajo me thupra çarqe për mëllënja e lepuj të egër që vërtiteshin këtu, çuditërisht, nëpër këmbë, pa patur frikë nga njeriu dhe bëje një jetë primitive si njerëzit e egër….

I bashkova pëllëmbët e duarve të ngrira, të çara vende-vende e të mavijosura dhe i afrova tek buzët, edhe ato të ngrira, po që gjithsesi nxirrnin avullin e shpirtit ende gjallë. Po më kot, nuk ndjenin asfare ngrohtësi, kështu që hyra përsëri në “shtëpizën time”. Vura mbi rezistencën e sajuar mbi dy tulla reflektare ibrikun e çajit, po me atë çaj që më kishte mbetur nga mëngjesi i së djeshmes, i hodha edhe dy gota të tjera me ujë dhe duart e mia të ngrira qarkuan ibrikun që sapo nisi të ngrohej. Po, sa më tepër që ngroheshin, aq më tepër më dhimbnin. Sepse dje, jo vetëm që pata thyer gurë me varre, gati gjithë ditën, po edhe ngarkova dy a tri herë “Skodën” me sponde të larta të Hamdiut nga Sharra dhe buzët e mprehura e të akullta të gurëve e kishin bërë punën e tyre, deri në gjakosje… Po avulli që lëshoi luleçaji sikur më solli në vete. Çaji i ngrohtë e i verdhë, me tri lugë sheqer brenda, më ngrohu duart e shpirtin bashkë… Erdha mirë në vete e dola jashtë përsëri. Po erë njeriu nuk dukej. Asnë zhurmë motorike nuk vinte deri aty. Isha i rrethuar nga dëbora që kishte zënë shtresë mbi shtresë e mu’ kujtua miku im më i mirë, Naumi, shkrimtari brilant e dramaturg, se si u tkurr i tëri, kur do të jepej në skenë drama e tij “RRETHIMI I BARDHE”  dhe, për bela erdhi ta shohë edhe Udhëheqësi, i cili u nxi në fytyrë,  tek nuk i pa në këtë “rrethim të bardhe” të natyrës, as “komunistët në ballë” e as ndonjë “personazh potitiv”, sikundër i quante ai, po vetëm ca njerëz, gjeologë që endeshin maleve,  që i kishte zënë dëbora aty e që vetë ata diçka do të bënin… Po unë, ç’mund të bëja sot aty? Dy mëllënja sqepverdha hidheshin gëzueshm nëpër dëborë e më erdhën deri tek këmbët e mia, gati të më çukisnin shollën e buavitur të këpucëve, edhe ato gati të ngrira… Gati- gati më pushtoi një ëndërrim tjetër… Mos isha në Alaskë vallë, kur prania e njeriut është aq e rrallë sa shpendë e kafshë bashkë nuk trëmben prej tij?! Atëhere unë isha Xhek Londoni dhe përreth meje duhet të ishin edhe shokët e tij, kërkuesit e Arit… Ndofta dhe lukunia e ujqërve më mbrapa… po edhe” Dhëmbi i bardhë”… Oh!… Sapo më kishte mbërthyer “iluzioni optik” e thuajse nuk isha më në vetëdijen time! Papritur se si nga mbiu një rreze dielli.

Dëbora u ndriçua aq shumë, sa që më verboi. Zogjtë e ngratë i humba nga sytë. Më kishin braktisur në mënyrën më të pabesë. Bashkë edhe me “Kërkuesit e Arit” të Xhekut… Po as lukuninë e ujqërve që i kishte vënë përpara me tërsëllim Dhëmbi i Bardhë nuk i shihnja më! Mbeta vetëm përsëri…

Ktheva kokën dhe pashë majën e Dajtit nënë “çatinë e dëborës”. Antena e lartë më solli menjëherë aty kinezin-viktimë që e montonte dhe ra prej andej. Ishte për të qeshur shpallja e një njeriu që i shket këmba në punë si “Hero i Shqipërisë”, sa vendi ynë i varfër do të kishte më shumë heronj se antiheronj. Por kjo qe punë e partisë dhe unë gurëthyesi duhej të kënaqesha vetëm me dëborën dhe me ndriçimet e saj polare. Edhe pse mua më kishte “shkarë këmba”!… Oh, pa korigjohu pakëz… Se ”tya të shkau mëndja, o shoku….”! Leri mënjanë hamendjet e tua… Poshtë Tirana mezi shihej. Qyteti i ëndrrave dhe dhimbjeve të mia, qyteti ku rronin fëmijët e mi të braktisur (prej një fuqie të errët), më ngjau i fshehur pas mjegullës, sikur të mos donte të më jepte asnjë kënaqësi. E ndesha midis dëborës dhe mjegullës. Nuk dija ku të shkoja. Nuk po vinte asnjë njeri për punë. Dhe do të mbetesha gjithë ditën duke pritur. Qenë prerë të gjitha lidhjet e mia me jetën. Unë, Mali i Dajtit që rënkonte nën peshën e dëborës dhe vetmia.

Prita sa prita dhe pastaj lëviza drejt “shtëpisë” sime. I ftohti sikur më kishte zbritur deri në stomak, sepse ca si copa akujsh lundronin edhe atje. Befas mendova se nuk do të gjeja asgjë për të ngrënë, përveç asaj buke të zezë e të fortë që më kishte mbetur qysh pardje. Dhe dinamitit që nuk ishte për këtë punë. Ndofta dëbora nuk do të ishte kaq e trashë dhe unë mund të zbrisia deri poshtë, në Linzë, ku kishte një mensë kooperativistësh, puntorësh e udhëtarësh bashkë e të haja diçka atje. Po arka me dinamit? Aman, o ZOT, mos ma sill shef Delinë në këtë orë që po më grijnë zorrët! E mora guximin në ballë, i kyça drynin barangës dhe u nisa, pra, përmes dëborës. Vesha një palë galloshe llastiku që patën qenë dikur çizme gome, po për shkak se qenë grisur e shqyer, unë i kisha prerë e ujdisur si galloshe.

Ecja midis shkurreve. Në fillim dëbora nuk e kalonte kërcirin e këmbës, por më pas pashë se këmbët nisën të më akulloheshin. Ngrohtësia e trupit e shkrinte aty për aty masën e bardhë dhe, pas pak, këmbët po më llokoçiteshin në ujë. Mensa qe një barangë që, megjithatë avullonte më shumë prej tupave njerëzorë që kishin mundur të mbërrinin deri këtu se sa nga zjarri që bubulonte brenda një fuçie hekuri të tejskuqur.

Zura një karrige të shtrembër dhe porosita një pjatë fasule. Gjella avullonte dhe u ndjeva aq i urritur sa nuk prita të më sillnin lugë, por futa turinjtë dhe thitha diçka nga lëngu. Porosita edhe një pjatë fasule tjetër. Edhe një gjysmë buke. Edhe një qepë kërkova, ndërsa kuponprerësja nuk ma futi në llogari. Dhe isha i bindur se isha kthyer në origjinën e stërgjyshit tim të varfër që shkulte gurët e hapte taracat e ullinjëve karshi Detit Jon, i cili e merrte gjithmonë me vete karavanën me fasulu! Akademia e Arteve paskish qenë një përrallë kulture! Unë shemba të gjitha muret e mirësjelljes. Me sa dukej haja si i limaksur sepse pashë ca vështrime të çuditshme të nguleshin mbi mua. Nuk ua vura veshin. Isha ngopur paq. Ndihesha më mirë se asnjëherë. Vërtet më mundonte disi mendimi se si do të ngjitesha përsëri në kasollen time robinsoniane, por kjo vinte pas të ngrënit. Tani kisha një eksperiencë të re, përtej asaj të burgut, përtej asaj të profesorit të artit teatror.

Nuk ma kishte ënda të dilja nga ajo mensë e ngrohtë, ku edhe kuponprerësja më shihte me përgjërim. Sikur të më lejonin mund të pranoja të kaloja aty pjesën tjetër të ditës, por edhe natën, ulur në atë karrige të shtrembër që tashmë më dukej e mrekullueshme. Edhe këmbët e mia mezi lëviznin. Nuk donin që të ecnin drejtë majës ku i kishte rrëshqitur këmba atij kinezit. As hero sikur të më bënin edhe mua! Dëbora aq e bukur më ngjau më e zymtë se kurrë. Megjithatë nisa lëvizjen drejt majës, ku për bela, kisha në ngarkim edhe një arkë me dinamit, që kushedi ç’mund të ndodhte me të…

Pesëdhjetë metra më tej ndala. Po përgjumesha në këmbë. U tremba. Mbusha duart me dëborë dhe nisa të fërkoja fytyrën. Pasaj duart, madje u zhvesha pakëz dhe fërkova barkun me dëborë. Edhe kokën e qethur, kur do të ndjeja se flokët më ishin rritur disi nga ajo kohë e largët tashmë që mund të bëhej përsëri e afërt prej asaj djallo-arkë eksplozivi, për të cilën shefe Delija më kishte thënë se “mund ta haja sa krahu, po mos ta ruaja si dritën e syve”! Shpejtova hapat… Kisha bërë një gomarllëk! E përsëri dallohesha menjëherë se isha një i burgosur. Si biçim pasaporte. Nuk qe një drojë, apo dyshim. Këtë do ta vërtetoja më se një herë… Ishte dita e parë e punës, ose e nesërmja e “emërimit” në gurore. Natën e pata kaluar te bunkeri i madh i “Rrapit të Treshit”, për të qenë sa më afër rrugës që të çonte në Dajt. Te kangjellat e portës së madhe të Kinostudios “Shqipëria e Re”, të cilat atë mëngjes herët konturoheshin frikshëm në gjysmëterr, i dola përpara një “Skode” rrangallë që gulçonte. Frenoi. Nuk pyeti fare se ku shkoja e dukej sikur sapo qe ngritur nga shtrati i rrobave a sikur pat punuar gjithë natën. Po pastaj sytë e tij pa formë e ngjyrë, sikur u ngulën mbi kokën time të rjepur e mua mu duk se më njohu.

“Burgaxhi”?-pyeti me një zë fare pa ngjyrë.

Pohova me kokë. Pata frikë se mos më zbriste, po jo, më vështroi me keqardhje.

Nuk folëm për një copë rrugë. Dhe vetëm kur po mbërrinim afër gurores së Linzës, unë i thashë se më kishin caktuar të punoja aty, në “gjirin e klasës puntore”.

Po ai më pa përsëri me keqardhje dhe tha se do të kisha të njëjtin fat edhe me disa ish “kokëqethur” të tjerë që i kishin sjellur po aty. “Këtu i sjellin fillimisht,-shtoi,- për kalitje… Se s’ka më të fortë nga gurët”!

“Kalitje dreqi”, mallkova me zë duke u ndalur në mes të dëborës. Unë nuk e dija në se e gjithë kjo torturë njerëzore vinte vetëm nga ideologjia, apo nga ligësia njerëzore. Sepse, në fund të fundit, po të vëreje me kujdes Fytyrëkalin nuk e urreja aq prej tipareve të tij në mënyrën më të neveritshme dhe druheshe të mendoje në e kishte bërë të tillë thjesht politika, apo puna që po bënte, apo ligësinë ai e kishte të lindur? Sepse,vazhdoja të arsyetoja unë, duke vështruar dëborën, do të ishin të ligj të gjithë ata që, me një farë mënyre kishin lidhje me shtetin. E, jo! Këtë nuk mund ta pranoja, Sepse edhe mes gardianëve të burgut kishte njerëz të mirë… Sepse ky njeri, Fytyrkali, se si e shprehte mllefin e tij, por edhe propogandën!

-Po të dalësh më i fortë se gurët e Linzës,-më kishte thënë duke më përcjellë, ke bërë detyrën e parë ndaj partisë e, që nga ai çast, ka filluar edhe shlyerja e fajit tënd!

Unë mund të vdisja nga gurët e Linzës dhe atëhere, sipas tij, e kisha kryer detyrën ndaj partisë. Dhe përsëri m’u kujtua kinezi që kishte rënë nga antena. Nuk kishte mundur aspak që t’i rezistonte marramendjes, rrëshqiti mavriu dhe pat vdekur. Përse e kishin shpallur atëhere hero?

Nuk e kuptova se si isha ulur galiç dhe po luaja me dëborën. Mblodha një masë të madhe, të ftohtë e të kristaltë dhe e ngjesha për të krijuar një formë njerëzore, si të kishte tiparet e Fytyrëkalit. Mirëpo, për fat të keq, absurdi im sa vinte dhe u afrohej më tepër tipareve të një të burgosuri. Sepse edhe koka që i sajova ishte pa flokë, krejt e rrumbullaktë, me gjithë përpjekjet për ta tjetërsuar. Karrotë nuk kisha për t’u tallur me figurinën time, prandaj edhe kur synova të formoja gojë, sy, hundë, nuk bëra gjë tjetër veçse i dhashë formën e nje kafke. Një kafkë e mbaruar tërësisht nga ndjenjat njerëzore, ku as egzistenca nuk gjallonte më. Dhe përsëri m’u mjegullua vëndi, sytë dhe mbi kokën time ndjeva flokët e dëborës që sapo kishte nisur rishtazi…

(Marrë nga libri me tregime: “Vdekja e Artistit”, botimet Albin, 2005).

Please follow and like us: