Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: RESPEKTI NË DISTANCË DHE… ZHGËNJIMI

-A jeni zhgënjyer kur keni arritur ta njihni dikë “nga afër”?…
Në distancë, ne mbetemi të mrekullueshëm. Mbushemi me frymëzim, ndihemi të lumtur që patëm shans të njohim dikë që nuk e njihnim. Kjo lloj njohje të kujton elektronet që “shtyhen dhe tërhiqen” me njëri-tjetrin dhe në distancë mbeten “element zhvillimi”. Në këtë lloj marrëdhëniesh krijohet një energji e padukshme, por është energji dhe nxitje. Ajo mbetet e tillë deri në një moment kur Njohja dhe Mosnjohja “përballen”… Më vjen në mendje i pakrahasueshmi Doc. Aleko Xoxa. Në adoleshencën time do ta pyesja: “Profesor, si mundet dy që duhen një ditë kthehen në ‘armiq’?… Çfarë ndodh me njeriun?…”. Ai do më shihte drejt në sy dhe do më shpjegonte: “Ka njohje pa njohje dhe njohje pas njohjes”. Unë përpëlitja sytë si në leksionet e biokomisë. Aleko vijonte: “Ti kujton se gjete mikun apo mikeshën që nuk e kishte takuar kurrë. Ngazëllehesh dhe mendja e turbulluar vrapon si e tërbuar. Miqtë apo mikeshat e reja kanë një lloj ‘geni tërbues’ që ti nuk arrin ta kuptosh. Çdo lloj miqësie ka ‘kohën e mjaltit’, sepse mjaltë nuk është vetëm seksi… Pastaj varet se çfarë të sheh ‘syri lakuriq’ pas kësaj kohe. Në shumë raste ose në 80% të rasteve njerëzit zhgënjehen. Varet se si e merr këtë ‘zhgënjim’, pra e merr si ‘qofte pazari’, apo si ‘bërxollë sade’… Pra, Qeti, kujdes nga respekti në distancë, mbaje larg dhe mos ju afro se nuk dihet…”.
Aleko Xoxe ishte një ‘filozofi argëtuese’ e brezit tonë. Unë herë pas here ‘telefonoj’ pedagogun e dashur dhe në heshtje dëgjoj ato që kanë mbetur në “shiritat” e mi. Njerëzit e mençur të vijnë afër dhe nëse nuk di t’i lexosh, ata ikin larg dhe nuk kthehen pas. Mu kujtua ky njeri i rrallë i shekullit tjetër, dhe mendoja: Pse kur njihemi ‘nga afër’ respekti ose pëson një ‘progresion gjeometrik’ ose shuhet si ai ylberi në luginë? Mendoj se kjo ka të bëjë me kompleksitetin e njeriut, që mbetet ‘Enigmë e Zotit’ që e krijoi. Secili nga ne mund të kujtojë shembuj zhgënjyes, dhe po aq raste të respektit solid. Kjo seppse njeriu nuk është kurrë ai që duket, ai që të ofrohet, që të përgjërohet në necojë, apo ai që kërkon “të shitet”. Njeriu mbetet një koklavitje brenda vetes.
Duke menduar për këtë, më erdhi në mendje se pikërisht për të shmangur këtë “njohje nga afër”, Ata shpikën tribunat, piedistalet, pallatet dhe kështjellat me “mure të lartë” që të mos njihen kurrë. Po ju rrëfej një moment të jetuar: Vite më parë flisnim për udhëheqësat dhe “dritën” që ata lëshonin dhe në pikun e debatit filozofik, bashkëbiseduesi tha “Më fal… Më dihet të shkoj në nevojtore…”. Mbetur pezull në debat, unë përfytyroja udhëheqësit në tribuna, por kurrë nuk i kisha imagjinuar duke “shkuar në nevojtore”… “Po Ai shkon në nevojtore?!…” më erdhi një pyetje që nuk e kisha bërë kurrë. Më erdhi turp, sepse unë kurrë nuk kisha imagjinuar një “ecejake udhëheqësish” drejt nevojtoreve… “Idjot, edhe ata shkojnë atje, por nuk i sheh kush. Vetëm të vdekurit nuk shkojnë në nevojtore…”. Atë dialog e mbajta nga brenda si “frikë nga vetvetja”.
Ata nuk duan që t’i njohim kurrë. Dje kjo ishte herezi, por edhe sot, kur udhëheqësat që janë bërë “5 lekë tufka”, ata nuk duam kurrë t’i njohim nga afër, ndaj na mbajnë në distancë. Udhëheqësit nuk flasin kurrë “mes turmës”, por përherë lart në tribuna dhe lartësi, si për t’iu fshehur të vërtetës. Sepse ata e dinë, nëse “njihen nga afër”, ata nuk fitojnë kurrë. Ndaj trubunat, podiumet, skenat e larta, janë “guaska molusqesh”, ku njeriu i ashtuquajtur udhëheqës “fsheh vetveten”… Turma, e errësuar nga “drita nga podiumi”, përplas duar, përgjaket dhe mezi pret “fitoren e radhës”…
Kështu njeriu futet tek cikli i “mosnjohjes” ose thjesht “respektit në distancë”. Ata në distancë mbeten të errët siç kanë qënë, të ligj siç kanë qenë, përbindsha siç kanë lindur, por “drita e tribunave”dhe studiove televizive ua mbulon të gjitha. I thjeshti joshet nga drita dhe shkëlqimi nga larg dhe nuk mëson kurrë të vërtetën. Ata investojnë marrëzishëm tek “kulti i tyre” dhe njeriu i verbër bredh mbas ligësisë së molusqeve shqiptarë që janë proliferuar si kurrë më parë. Në diktaturë ata ishin vetëm disa, që numuroheshin me “gishtat e dorës”, por tani ata nuk mund t’i numurosh. Ata janë kthyer në “ushtri akrepash” që helmojnë fjalën, debatin, mençurinë dhe urtësinë dhe helmi i tyre kthehet në një “distancë” nga ku njeriu i thjeshtë sheh turbullt si i helmatisur dhe nuk di se çfarë të besojë…
Njohja në distancë? Është iluzion apo realitet? Kush po ngjitet në trubunë? Kush po flet nëpër “qelqet me ngjyra”?…
21 Shkurt 2023.
Please follow and like us: