Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Njolla

(Mbi një dukuri të lënë enkas pas dore)

Lexova disa ditë më parë një letërkëmbim të Prof. Isuf Kalos për çështjen e një mjeku të cilin “Drejtësia” e kapi me presh në dorë dhe që më vonë, pas një vonese të stisur, u lirua nga akuza dhe u kthye në profesion me pretekstin e rrezikut të hemoragjisë së profesionistëve, që po ndodh në vend. Disa nga problemet jane kapur drejtë nga prof. Isuf Kalo dhe mendoj që kushdo dhe vetë mjekët, nuk duhet ta shohin këtë çështje me sentimentalizëm profesional, por me gjakftohtësi, edhe pse mund të jetë ndoshta e pamundur për ta shëruar.

Prof. Isuf Kalo shkruan:

“Mjekët tanë të sektorit publik shtetëror janë padyshim viktima të keqtrajtimit dhe keqkuptimit, por, në  një masë, janë edhe bashkëfajtorë të padrejtësive, që u bëhen. Ata e dinë, paraprakisht, që, ditën kur nënshkruajnë kontratën për fillimin e punës në atë sektor, se, sa është paga e tyre”.

  1. Etika Mjekësore, e bazuar dhe në betimin e Hipokratit nuk mund te jetë e ndryshme në sektorin privat dhe në atë publik. Aq më tepër që kjo dukuri e mbrapshtë nuk është vetëm morale, por dhe ligjore, pasi marja e “rryshfetit” apo shpërblimit të padeklaruar është në më të paktën vjedhje ndaj shoqërisë, e cila veçanërisht në Ballkan apo dhe në shoqëritë e Europës Lindore, të cilat dolën nga dikaturat përkatëse, konsiderohet një atavizëm i së kaluares dhe se tashmë individualizmi është norma e shoqërisë së re, gjë që nuk është e vërtetë, pasi në vendet e zhvilluara dhe me traditë, ndodh pikërisht e kundërta: mitmarrja dënohet rëndë në të gjitha nivelet e shoqërisë, kudo dhe kurdo që shfaqet. Sigurisht, edhe pse në këto vende ka korrupsion, ai nuk është si në Shqipëri, mënyrë jetese dhe i gjendshëm pothuajse në çdo qelizë të shoqërisë. Tregimi me gisht i “Peshqve të Mëdhenj” pushtetarë, se përderisa nuk dënohen ata, nuk ka pse të dënohen cironkat apo vemjet për një faj “fare më të vogël”, nuk mban ujë. Faji yt është faj edhe kur janë thuajse të gjithë të njollosur. Në këtë kontekst nuk ka asnjë padrejtësi ndaj mjekëve, se ata janë, pa asnjë dyshim, shkelës së ligjit. Paga e ultë nuk nënkupton vjedhje. Paga e ultë, varet se me kë krahasohet, ndoshta me e ulta në Europë, por kjo varet nga niveli ekonomik i shtetit dhe shoqërisë ku ata, mjekët, jetojnë. Në të fundit e lidhur me mijra fije të padukshme mitmarrja është dukuri shoqërore që duhet të kontrollohet dhe të përfshijë çdo qytetar dhe jo të zgjidhet rruga më e shkurtër siç është bërë për 30 vjet. Ligji nuk ka asnjë vlerë nëse nuk zbatohet, aq sa edhe kur i pandehuri është në grahmë të fundit, shërohet që të egzekutohet.
  2. Struktura Shoqërore: Si kudo dhe në mjekësi, ka tre mënyra të ushtrimit të profesionit: privat, publik dhe një e tretë hibride, një kombinim i dy të parave, në të cilën mjekët që punojnë në shtet/publik, në kohën e tyre të lirë ushtrojnë zijen e tyre në privat ose në spitalin publik kanë shtretërit e tyre ku marin te ardhura, duke u përafërsuar dhe kompensuar pagesën me atë të atyre që punojnë në privat. Nën deklaratën politike krejtësisht të rreme që “mjekësia është dhe mbetet falas”, gëlon korrupsioni i dukshëm dhe i padukshëm. Mjekësia nuk ka qenë as falas dhe as dhuratë e shtetit, por rrjedh nga taksat e shtetasve dhe pagesat në Sigurimet Shoqërore. Ndërkohë, asnjë taksë nuk mblidhet nga rryshfeti që të shkojë për përmirësimin e shërbimit, si çdo industri fitimprurese siç është mjekësia, por mbahet me para të marra borxh, që prapë i gjori vend do t’i paguaj. Mjekësia private, përveç disa spitaleve dhe klinikave të lidhura me pushtetin është thuajse tërësisht monopol partiak. Madje dhe neutraliteti ndëshkohet. Për t’u vënë në “krye” apo të marrësh një vend pune duhet të paguash dhe kështu vazhdon në një rreth pa mbarim. Liçensa kushton dhe më shumë burokracia e saj. Kufijtë janë të hapur jo vetëm për të ikur, por edhe për të ardhur mjekë nga jashtë, siç do të ndodhë për së shpejti, siç ndodhi dhe në kohën e mbretërisë. Pacientët e kamur kurohen jashtë dhe disa “figura të shquara” shoqërore kurohen jashtë dhe me paratë e shtetit. Konkurenca e lirë mbase do të rregullojë diçka edhe vetvetiu, por monopoli politik nuk e lë të marrë frymë. Shembuj për këtë ka plot kudo dhe nuk ka nevojë për një zbulim apo hibridizim shqipëtar.

Prof. Kalo, në korrespodencën me dr. Andrea Gudhën, me të drejtë shkruan:

“Të drejtat e mjekëve tanë jo rrallë nëpërkëmben, kontributi i tyre shumë i vyer shoqëror nënvlerësohet. Pagat e tyre paracaktohen dhe imponohen bukrokratisht me arrogancë nga shteti, pa i diskutuar dhe negociuar ato paraprakisht me vetë mjekët ose me përfaqësuesit e tyre. Një nga arsyet për to është se, mjekët tanë  janë  jo mirë të organizuar, janë  jo solidarë  dhe jo konseguent sa duhet  në mbrotje të interesave dhe të kontributeve të tyre”.

  1. Mendësia: Janë mjekët viktimat e një shoqërie që nuk respekton punën e ndershme, por përkundrazi nxit atë të rrugës më të lehtë dhe pa kokëçarje, të mashtrimit apo vjedhjes? Nuk mund të jesh viktimë kur je pjesëmarrës. Dikush, koleg apo jo, do të zemërohet me këtë lloj emërtimi, pasi intelektualë të shquar dhe “ajka” e një shoqërie, siç janë mjekët, nuk bëjnë gjëra të tilla. Mitmarrja u dha pa e kërkuar me vullnetin e plotë të vetë pacientit, gjë që nuk është e vërtetë, sepse tashmë flitet për tarifa rryshfeti të standartizuara nga portieri tek shefi, që po i pëlcet barku i ngopur dhe qafa e majmur që të kujton një kohë të hidhur migjeniane. E vërteta është ajo që është dhe nuk justifikohet edhe pse gjendet kudo, edhe pse shteti është i pafuqishëm të bëj një pastrim-mësim ashtu siç duhet, edhe pse kokat e Hidrës janë po ato për më shumë se një shekull dhe Vetingu, një kalë i zgjebosur që presim ta ngjallë Perendimi. Rryshfeti është vjedhje. Dhe mendoj se nuk do ketë organizate apo urdhër mjeku që do mund t’i mbroje ata, aq më tepër përpara ndërgjegjes së tyre për një mendësi të mjerë cubizmi mesjetar.

Edhe në ditët më të errta të historisë së saj Shqipëria ka ditur të nxjerrë njerëz të vërtetë, ata që në heshtje kanë ditur të ndërtojnë diçka të vlefshme për ata që do vijnë më pas. Etalon i derdhur në ndershmëri. Deklaro atë që fiton për aq sa fiton! Respekt!

Mendimet e prof. Isuk Kalos i gjeni më poshtë:

Andrea Gudha: Korrespodenca e fundit me mikun tim të rrallë, Isuf Kalo

 

Please follow and like us: