Dëshira Ahmeti: E dua publikun shqiptar kudo që të jem
Dëshira Ahmeti ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, sot Universiteti i Arteve në klasën e pedagoges së mirënjohur Nina Mula. Pasi falë këtij bashkëpunimi shijoi skenën në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë, u vendos në Teatrin e Shkupit si zë i parë dhe i rëndësishëm. Ajo është shqiptarja e parë që punon në operën e Maqedonisë së Veriut dhe kontributet e saj në këtë opera kanë vijuar me koncerte të ndryshme gala. Në janar Dëshira mbajti dy koncerte gala në skenën e Teatrit të Operës në Shkup, duke u duartrokitur dhe pritur mjaft mirë nga pubkliku.
Në Nju Jork Dëshira Ahmeti shkëlqeu me vokalin e saj, duke ndjekur klasa në audicione të ndryshme dhe duke realizuar koncerte me emra të njohur të skenës botërore. Ajo ka interpretuar në skena prestigjioze, që nga Manhatani deri në Evropë dhe në evente të mëdha si për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë e në Shkup, në bashkëpunim me soprano Inva Mula. Ajo sot njihet për zërin e saj të veçantë në muzikën klasike, për interpretime në veprat e Puçinit, si: “La Bohem”, “Toska”, “Madama Butterfy” dhe “Turandot”. Në një intervistë për Radio Ejani Dëshira tregon për suksesin në koncertet gala në Shkup, karrierën e saj artistike si dhe projektet në të ardhmen.
CMG: Riktheheni në SHBA pas suksesit në dy koncerte gala të mbajtuara në Shkup. Si e shihni këtë rikthim në Shkup për këto koncerte?
Dëshira Ahemeti: Unë vazhdoj të jem soliste e Teatrit të Operas dhe Baletit të Maqedonisë së Veriut, meqenëse që nga viti 2005 unë jam soliste e roleve kryesore në këtë institicion. Edhe pse vitet e fundit jam me familjen time në SHBA, puna ime nuk është ndalur me teatrin. Unë për të gjitha rolet që më janë besuar kam shkuar e përgatitur nga Nju Jorku dhe kam vazhduar që të performoj në skenë me punën që më përcaktohet, me rolet që ata i ndajnë për solistët, ku unë jam një ndër solistet e TOB të Maqedonisë së Veriut. Koncerti që u zhvillua në muajin janar është një koncert tradicional, i cili mbahet çdo vit për festën e vitit kalendarik orthodox, të cilët maqedonasit e kanë si traditë dhe është një koncert festiv që zhvillohet në datat 12-13 janar. Unë kisha vite pa marrë pjesë në këtë koncert tradicional sepse gjithmonë kam pasur në janar aktivitete nga Nju Jorku dhe e kam anashkaluar. Megjithatë këtë vit mbas shtatë viteve për këtë lloj projekti u ndjeva kaq mirë dhe publiku më priti kaq ngrohtë. Ishin entuziastë edhe ata vetë kur panë në program që do marr pjesë në këtë koncert si një shqiptare e vetme e këtij institucioni për gjithë këto vite.
Unë vazhdoj të jem këmbëngulëse në punën time dhe fanatike për ta mbajtur këtë profesion, që të hapim rrugën dhe për gjeneratat e reja, për kulturën shqiptare. Unë kam dhe një mison timin në këtë institucion. Në rastin konkret në koncert ishte një publik qytetar që e ndjek operën, por përsëri për fatin e keq në sallë nuk kishte shqiptarë dhe kjo nuk na bën mirë ne si shqiptarë që mos të ndjekim këtë institucion. Gjithësesi duhet të krijohet tradita që të dërgojnë fëmijët e tyre apo nipërit dhe mbesat, që ata të formojnë kulturën e tyre dhe në të ardhmen të jenë në atë institucion. Kështu që unë si Dëshira përveçse bëj punën time dhe jam e lumtur për atë që më pret publiku, por kam dhe një detyrim tjetër ndaj popullit tim si një e vetme shqiptare aty që u duartrokita jashtëzakonisht nga publiku dhe e ndjeva këtë duartrokitje të sinqertë. Kjo vlen për mua më shumë jo vetëm si artiste në skenë, por për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që unë krijoj një imazh i cili nuk është i lehtë të krijohet në atë skenë.
CMG: Sa ju mungon publiku shqiptar kur jeni larg dhe cili është emocioni që përjetoni kur interpretoni para tij?
Dëshira Ahmeti: Sinqerisht para publikut shqiptar gjithmonë kam një përgjegjësi më të madhe. Gjithmonë kur kam ardhur në Tiranë që kam performuar në rolet, por dhe kur kam qenë studente kam pasur një përgjegjësi të madhe sepse kisha respektin e madh për të gjithë pedagogët që unë i kisha në akademi. Ata na përgatisnin për të ardhmen në skenë dhe jo rastësisht ngeli respekti dhe të kesh frikë të dalësh në skenë, sepse publiku në Shqipëri është shumë i përgatitur. Artistët në skenë janë në një nivel shumë të lartë dhe jam me fat që jam përgatitur nga këto artistë të një brezi pedagogësh në Akademinë e arteve.
Unë isha në Akademinë e arteve nga viti 1994 deri në vitin 1998, teksa u diplomova dhe dilja në skenë edhe kur isha studente. Më vonë u punësova në TOB të Shkupit dhe vazhdoja të kisha kontaktet dhe të më ftonin si një artsite nga Shkupi, por ishte dhe një përgjegjësi shumë e madhe, jo aq shumë sa e kam në skenat e tjera. Kur vij në Tiranë, por dhe kudo për publikun shqiptar është një emocion i veçantë që ndjen sepse skena e Tiranës është respekt edhe nga ana ime por dhe nga ana e tyre për punën që ne prezantojmë. Kështu që kjo të bën shumë mirë si artist sepse të formon për të ardhmen akoma më shumë, por që të them të drejtën e dua publikun shqiptar kudo që të jem. Gjithashtu unë jam edhe shumë afër komunitetit shqiptar në SHBA, duke qenë shumë aktive me aktivitetet e mia këtu, qoftë edhe para fëmijëve të shkollës shqipe ose me të gjithë që performoj është një emocion i papërshkruar. Unë e dua publikun tim, e dua që gjithmonë të jem pranë publikut shqiptar.
CMG: Ju keni punuar me sopranon e njohur Nina Mula kur keni studiuar në Akademinë e Arteve. Sa ka ndikuar kjo pedagoge në karrierën tuaj artistike?
Dëshira Ahmeti: Sinqerisht kam qenë shumë me fat që unë isha studente e artistes së madhe Nina Mula, një artiste mjaft e dashur dhe e respektuar. Përveç skenës që ajo kishte arritur gjithë atë sukses në TOB, ishte dhe një pedagoge e adhuruar nga sopranot që unë njihja dhe nga shoqet e mia në ato vite në akademi. Unë isha shumë e lumtur që u pranova në klasën e zysh Ninës. Ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm sepse ajo nuk punonte vetëm me pjesët që ne kishim si studentë, por kishim një afrimitet që ajo e njihte psikologjinë e pedagogut ndaj studentit, dinte të hynte më thellë në emocionet dhe të përgatiste në përgjithësi për të qenë një artist i fuqishëm, guximtar, që asnjëherë të mos dorëzohet nga sfidat, audicionet. Zysh Nina mua ma dha këtë forcë që unë sot jam me të vërtetë shumë falenderuese për këtë afrimitet që më krijoi të isha përveçse një studente e saj, por të isha si pjesë e familjes sa saj, duke më edukuar si studente që sot të kem këtë kulturë të punës.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë dhe të admirueshme artistike. Cilat nga rolet do të veçonit gjatë gjithë karrierës suaj?
Dëshira Ahmeti: Është e vështirë t’i veçosh sepse të gjithë janë të bukur dhe janë drama të cilat i kam ndjerë, i kam shijuar në skenë dhe jam munduar të jap maksimumin, atë më të bukurën nga vetja ime që del nga shpirti i një artisti. Sidomos vitet e fundit që kam qenë në SHBA kam investuar në veten time, duke shkuar nëpër pedagogë për të përgatitur rolet me një përkushtim dhe kontroll tjetër sepse e kemi shumë të nevojëshme të jemi në mbikëqyrje dhe duke mësuar gjëra të reja nga ky profesion. Nuk ka asnjëherë mbarim puna jonë, gjithë jetës do mësojmë dhe ushtrohemi që të jemi në formë në skenë. Unë vitet e fundit kam performuar role nga Moxart dhe jam një artiste që i dua shumë veprat e Puçinit dhe Verdit. Të gjithë rolet që kam interperetuar deri tani në skenë nga Puçini, Verdi dhe Maskanji, të them të drejtën më ka bërë shumë përshtypje roli i Dona Anës tek opera Don Zhuani i Moxart, një rol shumë karakter, një dramë e fuqishme që përveçse ka dramaticitetin, ka dhe shumë momente kolorature, të cilat jam shumë e kënaqur që kam arritur ta realizoj dhe këtë rol. Gjithësesi unë të gjitha rolet i kam shumë të dashura.
Unë do të veçoja dhe rolin e Donikës tek opera “Skënderbeu” në Tiranë sepse është një nga rolet të operave shqiptare që rrallë herë na jepet mundësia të interpretojmë në skenë rolet e operave të kompozitorëve shqiptarë. Ky rol mua mu besua në vitin 2012 kur ishte 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, kur u vu në skenën e TOB-it pas shumë vitesh opera “Skënderbeu” e Preng Jakovës. Unë kisha ftesën nga Maestro Zhani Ciko si soliste. Pas Tiranës këtë shfaqje e sollëm dhe në Shkup dhe ky ishte një vit mjaft i suksesshëm për shqiptarët.
CMG: Do kishit dëshirë që të performoni në Kinë, për publikun kinez?
Dëshira Ahemeti: Sigurisht, është kënaqësi dhe ëndërr për artistët që të marrin pjesë nëpër skenat e mëdha të qendrave të mëdha botërore. Pekini është një qytet që lidhet me historinë e operas “Turandot” që ka shkruar kompozitori i madh Puçini, dhe unë kam realizuar rolin e Liut në TOB e Shkupit, që këtë vit do ta kem përsëri në festivalin “Netët operistike të majit”. Do të ishte një mrekulli po të isha përsëri me këtë rol në vendin ku është shkruar historia. Më shumë kënaqësi të jem në Pekin.
CMG: Cilat janë planet dhe ambicjet tuaja për të ardhmen në Nju Jork, por dhe më gjerë gjatë këtij viti?
Dëshira Ahmeti: Këtë vit kam disa projekte, të cilat shpresoj që të realizohen. Unë jam akoma në përgatitje e sipër sepse nuk është si para Covidit që gjërat bëheshin një vit më përpara. Tani është pak më e vështirë nga vetë situata që është krijuar vitet e fundit pas Covidit. Për ne artistët nuk është e lehtë të krijohet një projekt i madh për një qytet metropol siç është Nju Jorku. Unë kam plane për të realizuar brenda vitit disa koncerte me artistë amerikanë dhe shqiptarë, të cilët janë emra në botë.
Gjithashtu kam në plan që të vazhdoj përsëri në Teatrin e Operës në Shkup si dhe një plan tjetër për një festival të zërave operistikë, i cili duhet të krijohet në këtë institucion. Plani tjetër është që kam dhe vajzën time këtu në Nju Jork dhe duhet ta përkrah sepse është në hapat e mia, e cila është në një shkollë në Manhatan dhe shpresoj që t’i eci mbarë në dëshirat e saj. Unë qëndroj në Nju Jork për të përkrahur vajzën time vitet e fundit sepse kam shumë projekte që dua t’i realizoj në vendin tim, por gjithmonë kur je larg bëhen pak më të vështira për t’i realizuar. Unë jam shumë këmbëngulëse në punët e mia dhe me shumë dëshirë dua që t’i realizoj.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Dëshira Ahmeti: Unë ju uroj shumë shëndet dëgjuesve të Radio Ejani dhe ju them që të ndjekin artin dhe kulturën.
Intervistoi: Gazmend Agaj