Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: “AUTOPSIA” E NJË SHKRIMTARI

 

Një spektakël me të vërtetë i rrallë, që sjell në Athinë Viktor Zhustin e Teatrit Kombëtar, pasi ai ka interpretuar dhe “Mbretin Lir”, një nga kulmet e dramaturgjisë dhe të aktrimit, do të ishte mbrëmë një sukses i meritur, jo vetëm i tij, si njeri prej artistëve tanë brilantë të skenës e të ekranit, po edhe i një regjisori befasues si Leka Bungo, realizuar në Teatrin “Bylys” të Fierit dhe shfaqur në teatrin komod “Miki Theodhoraqi”, me interesimin e shoqatës “Apollonia” e të Ambasadës Shqiptare në Athinë. Duke i folur kohës sonë në nje retrospektivë dramatike, me tone sarkastike të trishtuara, për të kaluarën tronditëse komuniste, në dyanshmërinë e njeriut, përmes një shkrimtari profesionist, i cili nuk ka mundur “të shkëlqejë” në ato rrethana të ideologjizuara e të politizuara, por që befas, “zbulohet” se mendimet e tij të asaj kohe paskeshin “vlerë inverse”, të një krijuesi me parime e filozofi të kundërta, që vlente edhe të përndiqej! “Shtirjet” përbrënda “guackës” së tij përbëjnë edhe “shtratin” e këtij subjekti domethënës së një jetë të tërë, që i bëhet edhe “autopsia” para syve tanë. Kur edhe “injorimi” që u bën të tjerëve janë pjesa e tij “më e errët” e po aq e vërtetë. Dhe kur e gjithë jeta shoqërore, pra edhe ajo e tij, është e survejuar dhe e rezikuar! Në një BALLKAN me paragjykime etnike e vrastare, ku “fitilat e barutit” rrinë përherë të ndezura e shumëkush është gati t’i nxjerrë sytë njëri-tjatrit.

Dramaturgu serb Dusan Kovaçeviç (që na vjen me një përkthim të Timo Fllokos), zbulon falsitetin njerëzor, diabolizmin e një shteti totalitar policoro-ushtarak, dualitetin e individit, shtirjen e madhështisë, nëpërmjet nje suzheti po aq befasus e agjenturor, paralelisht me veprimtarinë mediokre letrare të një “PROFESIONISTI” të asaj kohe, me dy botime gjithësejt , ndërkohë qe “Agjenti Policor” ka mbledhur një “bibliotekë të tërë” të llafollogjisë së tij të pafundme që  pështjellin jetën e veprimtarinë e  tij letrare të survejuar. Njëkohësisht dhe me injorimin që i bëhet lirisë krijuese të personit, i cili përndiqet gjithëheri e është përherë në “tehun e thikës”, brenda një “rrjeti merimangash”. “Pseudoshkrimtari”, le ta quajmë pikërisht kështu, ndodhet në pragun e një jubileu fatkeq, tek dëgjohen vetëm gishtrinjtë e tij mbi tastierën e makinës së shkrimit, disa qen që lehin e ca përqeshje urimesh të deformuara,-mjete shprehëse, me të cilat, regjisori Leka Bungo, shtjellon atmosferën groteske mbi seriozitetin e rremë të kësaj madhështie, kur telefonat bien pa pushim dhe e “shqetësojnë autorin e madh” edhe tek dera e zyrës! Subjekti tragjikomik që mund të degradonte në aspektin thjesht policor të një dedektivi, është dhënë me një realizëm të kulluar, me zhbirime psikologjike, me fakte, ngjarje e detaje, me kalime befasuese, po edhe në tone sarkastike. Ashtu siç është edhe vetë jeta në dyanshmërinë e saj, si edhe me ato zhgënjime vrastare të jetës së zbrazur e pa ideale të vërteta. Aq të domosdoshme për skenën, po edhe për spektatorin që ka mundësinë t’i “hedhë një sy edhe vetvetes”, (pse jo!) dhe që e has për ditë (bile edhe sot) këtë lloj dualiteti gërryes e shkatërrimtar të personalitetit….

Të dy aktorët që e mbajnë “të ndezur” dramën  retrospektive që shpaloset këtu, si në dramat e Ibsenit,  kaq natyrshëm, Viktor Zhusti e Astrit Hasani, dinë të krijonë atë bindje rrëqethëse e tragjikomike njëherësh, se kështu ka  ndodhur e jo ndryshe, kur jo vetëm shkrimtari , po çdo njeri duhet të mos dalë nga vetja, nga parimet bazë të jetës, nga bota reale e marrëdhënia reale, pa e krijur atë që quhet “Bota e gënjeshtërt”, në një realitet të dytë, që sajohet prej “palës tjetër” regresive! Hasani e jep mirë këtë vuajtje të dyanësisë, duke pësuar rënie pas rëniesh në “njohjen e vetvetes”, si një dallgëzim që e përul e ia heq rrobat e trupit, si t’i “zhvishte” edhe lëkurën e trupit(!). Ndërsa aktrimi i Viktor Zhustit, të befason e të trondit njëherësh, me “Shpirtin diabolik”, me inteligjencën e zbërthimit gradual të rolit të tij të “shumfishtë”, poliedrik, duke e “rikrijuar” figurën artistiike, fare i qetë së jashtmi, realitetin e dytë të ketij shkrimtari, e jo pa mundime, vuajtje e befasime, duke e “zhveshur lakuriq” veten, edhe ai, sikundër heq, po njëlloj si tjetri, njëra pas tjetrës, rrobat e trupit , gjersa diku afër zemrës, mbetet i dukshëm e  është i lidhur revolveri. Ndërkohë, psikologjikisht, nuk është vetëm kryepolici, hetuesi, zbuluesi, fiksuesi, po edhe njeriu që do ta ndjejë edhe ai keqardhjen dhe orvatet të ndikojë, sado pak, pozitivisht tek njeriu i mjerë që ka përpara. Kur e ka edhe ai një djalë qe rrezikon e i dhimbset, ndërkohë që “humnera” e tjetrit, në atë zgrip të trishtë bëhet e dukshme dhe alarmonjëse! Një aktrim i mrekullueshm, me motive psikologjike kontraverse, kur në qetësinë e jashtme të një karakteri solid zbulohet edhe tek ai, jo vetëm kotësia, rreziku, ana e kundërligjshme politike, po edhe ana njerëzore… Gati të përlotet, tek jehona e “zërit të ndërgjegjes”, zbret thellë, në pentagramin e dhimbjes. Dy aktorët e tjerë Matilda Avduli e Artan Islami, në personazhet anësore janë edhe këta, brenda kësaj atmosfere të pazakontë, me korektësinë e interpretimit të tyre…

Sa shumë nevojë ka teatri ynë, po edhe publiku, për të tilla spektakle mbi “luftën” që bëhet parreshtur përbrenda kompleksitetit njerëzor, kur “bota vithiset”!

Athinë, 26 shkurtt 2023.

Please follow and like us: