Vangjush Saro: Rusia e madhe dhe e vogël njëherësh
Rusia e madhe dhe e vogël njëherësh, po bëhet barrë për komunitetin ndërkombëtar. Kur shikon në histori raportin me këtë vend, mendon që ke çfarë të vlerësosh e të shpresosh dhe, po ashtu, të harrosh. Ne u rritëm me një frymë simpatie për Rusinë. Ndër librat e parë që na ranë në dorë (flas vetëm për disa breza) ishin përkthime nga ai vend, që nga “Xhaxha Stefi”, një libër i lehtë e gazmor, te novela “Mumu” e Turgenievit, aq e prekshme. Pastaj të tjerë: nga librat e angazhuar si “Nëna”, “Çapajevi” e “Garda e re” apo edhe romane tejsocialistë si “Çimentoja”, deri tek ato që të linin pa frymë: “Ana Karenina” e Tolstoit, “Shpirtëra të vdekur” e Gogolit, “Njerëz të varfër” e Dostojevskit, tregimet, novelat dhe dramat lirike të Çehovit, poezitë e Pushkinit, Lermontovit dhe sidomos të Eseninit, fabulat e Krillovit, etj.; për të mos lënë pas dore baletet e famshme të Çajkovskit “Liqeni i mjellmave” apo “Arrëthyesit” (që tash në Vankuver e kemi ndjekur disa herë) filmat “Kur shtegtojnë krillat” dhe “I dyzetenjëti” (këtë të fundit e pamë kur në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Kinostudio kryeja kursin pasuniversitar; na shfaqnin edhe filma e dokumentarë ‘të ndaluar’). Më pas do të dëgjonim e do të lexonim edhe për Pasternakun, Ahmatovën, etj. Gjithsesi, një kulturë e gjerë, madje jo vetëm në fushë të letërsisë e arteve, por edhe në disiplina të tjera. Por koha e fashiti atë ndjesi. Dalëngadalë u zhdukën autorë dhe kujtime. Kjo s’do të thotë që klasa intelektuale të tregojë mungesë njohurish dhe të flasë marrëzira pse cënon rëndë një kastë autokratësh me një tiran të sëmurë në krye. Kështu, jam habitur kur në një bisedë, në një nga TV-të tona, një pedagog (bir-o pedagog!) nuk bënte dot dallimin mes Letërsisë Ruse dhe asaj Sovjetike (!) Kam qenë dy herë në Rusi. Herën e parë në Moskë e Kursk me kolegët Nezihat Hoxha (atëherë gazetare në RTSH) dhe Martin Leka (gazetar te “Koha jonë”). Në fakt ‘sebepi’ i kësaj vizite, meqë kish qenë në burg bashkë me A. Frangaj, historira të harruara sot). Shëtitjet në Sheshin e Kuq e buzë lumit të Moskës, vizitat në Kremlin, në muzeun e A. S. Pushkinit, në Dumën Ruse (përndryshe Dhoma e Ulët e Parlamentit) si dhe mbrëmja gjatë së cilës pamë “Princesha Çardash” (Imre Kalman) ishin disa nga episodet e paharruara nga ajo vizitë. Shkuam vetëm për një ditë edhe në Kursk (udhëtuam për gjithë natën me tren); qytet i njohur për betejën e tankeve gjatë Luftës II Botërore, por (këtë e mësuam atje) edhe për bilbilët. Madje drejtori i gazetës së atjeshme i dhuroi Nezihatit një pllakë ku ishte inçizuar kënga e një bilbili. Kjo ngjante mjaft simbolike, por shpejt do të vinte biseda te Kosova dhe rusët u shprehën në një mënyrë të tillë që ne s’mund të heshtnim. Ua dha përgjigjen Martini, sado që aleanca me Serbinë, atëherë dhe tani, ishte një urdhër por ata, nuk kuptonin. Ishte një vend i varfër. Ose ndoshta i pasur dhe i varfër. Në Moskë, një qytet i stërmadh – shumë zhurmë, shumë trafik – makinat ishin gjithfarëlloj, nga ato më karakatinat, te market e reja. Qyteti i kishte shërbimet kryesore dhe një metro gjigande, ndërtesa të vjetra shumë të bukura, monumente e parqe, rrugë të gjera; por qytetarët dukeshin të lodhur. Shoqëruesit tanë ishin shumë të kujdesshëm, ndonjëherë si të trembur; veças, njëri prej tyre na dukej gjithnjë i urritur. Shoferi që na çonte andej-këtej gjithnjë ankohej dhe ngaqë dija ose mbaja mend rusisht (kisha bërë gjatë në shkollë) disa herë u vura në pozita të vështira, se ata e morën vesh dhe u vinte rëndë nga ato sjellje, tipike të një vendi ku puna është ‘angari’. Kur ishim në Kursk, ngulëm këmbë të shikonim ndonjë fshat dhe ato izbat, që i kishim parë në filma e lexuar në aq shumë faqe të asaj letërsie. Ndaluam diku dhe pamë që punët s’ishin mirë; njerëzit na u sulën duke u ankuar dhe një nga shoqëruesit na tha që na kishin marrë për njerëz të qeverisë… Herën e dytë, shoqërova një grup artistik të Korçës në Festivalin e Karnavaleve e të Kulturës në Kaliningrad. (Është një provincë e spostuar nga vetë Rusia, enklavë me një histori të ngatërruar midis saj dhe Gjermanisë.) Fluturuam për në Vienë, pastaj për Varshavë. Nga këtu, në Kaliningrad shkuam me autobuz. Mësuam që kishte qenë një krahinë e Gjermanisë, në fakt zemra e Prusisë; dhe atje kishin lindur disa njerëz të njohur e filozofë, mes të cilëve Emanuel Kanti. Mësuam, gjithashtu, që kishte qenë një bazë e madhe ushtarake, por tani po i zvenitej fama dhe rëndësia. Por ‘baza’, siç dukej, bënte sikur flinte atëherë, se kur plasi lufta me Ukrainën, media shkruajtën që Kaliningradi është vendi ku Rusia mban armë bërthamore. Sidoqoftë, mbaj mend që edhe në këtë fragment të vogël të Rusisë së madhe, ishte e njëjta situatë: frikë e varfëri, me gjithë disa përparime e liri të pjesshme. Rusia është një vend sa një kontinent, me një histori të gjatë e kontradiktore. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ajo i shtriu kthetrat gjatë e gjerë, falë edhe kontributit të madh në këtë ngjarje. Aleanca e përkohshme e Perëndimit me BS për hir të luftës kundër nazizmit, i la vendin fillimit të Luftës së Ftohtë. Ishin krijuar dy botë kundërshtare, Gjermania gjithashtu ishte ndarë më dysh, edhe Berlini. Me vdekjen e Stalinit dhe ardhjen në pushtet të Nikita Hrushovit, u zbut disi ‘klima’ ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e BS me vendet aleate; ‘gara paqësore’ siç ishte termi në atë kohë, fitoi terren dhe u duk sikur do të kishte paqe për një kohë të gjatë. Gjithsesi, herë pas here, në rajone të caktuara, por dhe në vetë bllokun e vendeve socialiste lindnin konflikte; një pjesë e atyre vendeve (Polonia, Hungaria, Çekosllovakia, etj.) ngrinin krye dhe përplaseshin me Rusinë e madhe, që e donte bllokun rus (!) dhe që turrej edhe më tej, herë andej e herë këtej (në Afganistan e gjetkë) për të mbajtur nën kontroll sa më shumë zona influence. Ashtu si edhe vendet e tjera në ekspansion, vetë SHBA, tërheqjet me turp ishin të paevitueshme nga ato vende ku (siç thuhej e siç thuhet) ata kishin, kanë ende mbase interesa strategjike. Pastaj rusët rihapën konfliktet me Ukrainën, deri sa ia behu kjo luftë e pakuptim dhe e pambarim, që vazhdon edhe sot dhe ka shkaktuar aq shumë viktima, vuajtje e shkatërrime. (Një vit më parë, në fund të shkurtit, Putini dërgoi 200 mijë trupa në Ukrainë, por lufta nuk qëlloi aq e lehtë sa e kishin menduar rusët.) Sado që përdoren terma nga më të çuditshmit, gjer te ‘denazifikim’ e ku di ç’tjetër, është e qartë që Rusia ndjek një program fanatik: do me çdo kusht hegjemoni dhe hapësirë; konsumon energji për të mbetur faktor në botë; nuk mund të largohet nga lufta për pushtet të pakufi; kërkon mundësi për të shtënë në dorë pasuri të tjera; më në fund, i hedh një kockë popullit dhe mbarë opinionit me harru problemet e rënda ekonomike dhe sociale që përjeton. Por ndërkaq, konflikti mahiset, pjesëmarrësit në këtë batërdi shtohen; e kështu, tash dëgjojmë që Rusia, Kina dhe Afrika e Jugut zhvillojnë stërvitje të përbashkët ushtarake, pikërisht në 1-vjetorin i fillimit të luftës në Ukrainë, duke shtuar “rrezikun e një përshkallëzimi bërthamor”, siç paralajmëronte Mike Ryan, Drejtori Ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore në OBSH. Përfshirja e Kinës në këtë aventurë, mbase dhe e Iranit – mes të tjerash, bëhet fjalë për teknologji që rusët s’e kanë, etj, – flet për anët e errëta të kësaj hemisfere të botës që ndonjëherë e quajmë Lindja dhe ku përgjithësisht liritë janë të kufizuara e regjimet tiranike kërcënojnë pareshtur. Gjithsesi në këtë histori, Rusia e madhe është po ajo, që në episode të tilla zvogëlohet, mjerohet, mbetet edhe më prapa nga ç’mendohet e shikohet. Ndryshimi i sistemit politik, i kastave agresive e gjithnjë problematike, si dhe përqafimi i parimeve të qëndrueshme demokratike, sado me defektet përkatëse, këto janë shpresat e opozitave minore e të pafuqishme të vendeve respektive që, më në fund, edhe në Lindje të lindë një botë tjetër. Kushedi sa ujë (mbase edhe gjak) do rrjedhë…