Nderohen me titullin “Qytetar Nderi” tё Tropojёs, Sali Morina dhe i biri Sokol Morina
Në qytetin e Bajram Currit u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” dy intelektualëve të shquar, “Mësuesit të Popullit” Sali Morina (mbas vdekjes) dhe djalit të tij, “Mjeshtër i Madh” Sokol Morina, me motivacionin: “Për vlerat e larta që kanë shfaqur me patriotizmin dhe atdhedashurinë për Kombin e në veҫanti për Tropojën, duke dhënë kontribut real dhe të pamatshëm, që ka ndikuar ndër breza”.
Në një ceremoni të bukur, me pjesëmarrjen e shumë të ftuarve, të ardhur edhe nga vendlindja e Sali Morinës Gjakova si dhe nga Tirana, folën jo vetëm ish-nxënës të mësuesit të Popullit, por edhe të rinj që ishin njohur nëpërmjet prindërve të tyre, me jetën dhe veprën e këtij patrioti, para Çlirimit të vendit dhe mbas tij, me përkushtimin dhe dashurinë për edukimin e dhjetëra brezave si mësues dhe drejtues në shkolla nga veriu në jug, si në Gjakovë, Tropojë, Kukës, Dibër, Tiranë deri në Delvinë.
Sali Morina në vitin 1915 mori pjesë në hapjen e shkollës së parë shqipe në Gjakovë, ku u caktua edhe drejtor i saj.
Ai nuk e ndau detyrën e mësuesit të gjuhës shqipe nga ajo e patriotit, duke i ushqyer nxënësit e tij në ato kohëra të vështira me dashurinë për Atdheun.
Ai ka qenë përkrah Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Avni Rustemit e patriotëve të tjerë të shquar. Nxënës të tij kanë qenë edhe Asim Vokshi, Emin Duraku, Hajdar Dushi. Edhe mbas ҫlirimit të vendit në Tiranë, megjithëse në pension ai vazhdoi punën si mësues, duke shërbyer me devotshmëri të lartë.
Kryetari i bashkisë, Rexhë Byberi, duke vlerësuar figurat e Sali dhe Sokol Morinës për kontributin e tyre edhe për Tropojën, në zhvillimin e arsimit dhe të sportit, tha se ishte nder për të, t’ua dorëzonte këtë titull nderi, sepse ata janë shndërruar në model patriotësh dhe intelektualësh.
Të pranishmit vlerësuan edhe Mjeshtrin e Madh të Sportit, Sokol Morina, si një prej figurave të nderuara dhe të respektuara të sportit shqiptar, kontributin e veçantë të tij në zhvillimin e sportit të atletikës, duke u bërë edhe kampion absolut brenda vendit në garat 800 dhe 1500 metra, si dhe në kroset e zhvilluara, në paraqitjen dinjitoze në garat ndërkombëtare të atletikës jashtë vendit, duke thyer disa rekorde kombëtare. Ishte pasioni për sportin që ndikoi edhe në punën si trajner, duke përgatitur atletë të niveleve të larta.
Të pranishmit vunë në dukje, edhe kontributin e Sokolit, në nxitjen e masivitetit të sportit tek brezat e rinj, në organizimin e spartakiadave dhe manifestimet e mëdha, në rastet e festave kombëtare.
Mjeshtri Morina, duke qenë kryetar i Komitetit të Fizkulturës dhe Sporteve për Tiranën dhe drejtor i Klubit Sportiv “Dinamo” dha kontribut për ngritjen dhe fuqizimin e ekipeve në Tropojë, duke dërguar aty edhe trajnerë nga Tirana për llojet kryesore të sportit si futboll, volejboll për femra, alpinizëm e mundje, që hynë në kategorinë e parë sportive, por veçanërisht meritë është edhe dalja kampion për 6 vite rresht e ekipit të basketbollit “Valbona” të Tropojës.
Ky aktivitet u mbyll me një koncert të mrekullueshëm nga ansambli i valleve dhe rapsodistët e Tropojës./atsh