Ramiz Varvarica ka mbetur në zemrën e popullit shqiptar
(Në kuadrin e 85 vjetorit të rënies)
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Ata shpëtuan nderin e Shqipërisë
Historikisht dihet se populli liridashës shqiptar është bazuar gjithnjë në forcat e veta dhe kurrë nuk ka bërë luftëra për të pushtuar dhe skllavëruar vende të tjera. Bota e qytetëruar nuk i harron sakrificat e popullit shqiptar dhe luftën e tij heroike, të udhëhequr nga prijësi legjendar Gjergj Kastrioti në mbrojtje jo vetëm të lirisë së tij, por dhe të qytetërimit europian, të kërcënuar nga osmanët. Kuptimin e një simboli të madhërishëm ka dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në rezistencën e popullit spanjoll (1936-1939) kundër diktaturës fashiste të Frankos, Musolinit e Hitlerit, që kishin filluar luftërat agresive. Pjesëmarrësit shqiptarë shkuan me vullnet të lirë aty ku derdhej gjaku, ata shkuan për t’i shpëtuar nderin Shqipërisë, që rrezikohej të humbiste lirinë, ata shkonin të bashkoheshin me vullnetarë të tjerë nga 53 vende të botës, për t’u bashkuar me personalitete të shquara botërore, simbole të lirisë e demokracisë. Me këtë anë të botës përparimtare bashkoheshin 60 shqiptarë. Rëndësi për historinë nuk ka numri, por fakti që shqiptarët nuk munguan të kalojnë gjithë vështirësitë për të qenë pjesëmarrës në betejat e luftës kundër fashizmit në Spanjë.
Vullnetarët përfaqësonin gjithë trojet ku banonin shqiptarë dhe diasporën, nga Shqipëria, nga Kosova e Çamëria, nga kolonitë arbëreshe të Greqisë e Kalabrisë, nga fabrikat e miniera e Francës dhe Amerikës, ku bënin pjesë intelektualë të shquar, profesorë e poetë, ushtarakë me akademi e studentë, punëtorë e bujq, zejtarë e nëpunësa, mjekë e femra. 15 prej tyre dhanë jetën në Spanjë për lirinë e saj dhe të Shqipërisë. Ndërsa luftëtarët e tjerë që mbetën të gjallë nga kjo luftë u gjendën në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Bijtë e Shqipërisë përmenden në faqet e historisë të popujve të tjerë si fatosa të çlirimit të tyre kombëtar. Në mënyrë të veçantë krenarë është populli dhe Shqiptaria për vullnetarët dhe dëshmorët te Brigadave Internacionale, që ranë në luftën heroike të popullit spanjoll kundër fashizmit dhe reaksionit ndërkombëtar. Lufta e Spanjës, ku dha jetën Heroi i Popullit Ramiz Varvarica, që e përkujtojmë në 85 vjetorin e rënies, ishte një thirrje e fuqishme zgjimi nga gryka e armëve. Kjo thirrje u drejtohej popujve të të gjitha vendeve, në pragun e Luftës së Dytë Botërore, për t’u bashkuar në luftë kundër rrezikut fazhist, që i kanosej kontinentit europian dhe mbarë njerëzimit.
Ramizi studioi në shkollën e vërtetë atdhetare
Ramiz Varvarica lindi në vitin 1900, në Dibër të Madhe në një familje patriote dhe të një shtrese të varfër qytetare. Prindërit: Fejzulla dhe Zadja ishin të varfër nga ana ekonomike, bënë të gjitha përpjekjet për t’i shkolluar djemtë Sali dhe Ramiz. Në Dibër në atë kohë ishte vetëm një shkollë fillore në gjuhën turke ku mësonin bijtë e pasanikëve. Në moshë të vogël, babai i la jetë dhe Ramizi me të vëllain, për të siguruar bukën, punonin çirakë tek një zejtar për grirjen e duhanit. Por lufta e pandërprerë, traditat patriotike të popullit të thurura me mjeshtëri artistike në këngët popullore të të gjitha gjinive, që këndoheshin me lahutë, fyell dhe çifteli, vallet, armët e zbukuruara dhe veshja kombëtare, u bënë burim frymëzimi, shkollë e vërtetë atdhetare dhe ushqim i përditshëm patriotik që mbanin gjallë dhe e rritnin trima dhe luftëtarë. Ramiz Varvarica ndihej krenar, luftarak dhe ishte i shëndetshëm, ai shpresonte për një të ardhme të mirë për kombin shqiptar, vegjëlinë punëtore dhe fshatare, që do të vinte me fitore. Barbarizmat e ushtrisë serbe kundër popullit shqiptar e revoltuan dhe indinjuan Ramiz Varvaricën i cili ishte 12 vjeçar, por nuk e thyen dhe as nuk e trembën. Banorët të cilët shpëtuan nga vdekja, të uritur, të çveshur e të zbathur u larguan për në Shqipëri. Saliu dhe Ramizi të revoltuar nga shkatërrimi barbar i vendlindjes së tyre shkuan në Elbasan. Ramizi në Elbasan mbaroi shkollën fillore në kushte të vështira ekonomike.
Ramiz Varvarica në moshën 16 vjeçare u frymëzua nga lëvizja e fshatarëve kundër çifligarëve në Shqipërinë e mesme. Më 11 shkurt 1920, batalioni ku bënte pjesë Ramiz Varvarica shkoi për të siguruar qeverinë. Në maj 1920, bashkë me vullnetarët e Tiranës, u nis dhe batalioni i Ramizit për në Luftën e Vlorës dhe u përqëndrua në rajonin e Salarisë. Ai mori pjesë në luftën historike për çlirimin e Vlorës, ku Ramiz Varvarica bashkë me shumë të tjerë luftëtarë të efektivit të batalionit u dalluan për veprime patriotike, guxim luftarak dhe vendosmëri. Ramiz Varvarica për merita luftarake u gradua oficer nga qeveria e Suljeman Delvinës.
Thirrjes së qeverisë për të kundërshtuar me armë ndërhyrjen serbe, forcat dibrane në bashkëpunim me dy batalione të ushtrisë së rregullt, ku bënte pjesë dhe Ramizi iu përgjegjen duke i zënë të gjitha shtigjet malore me vlerë strategjike. Ramiz Varvarica me luftëtarët dibrane ia prenë rrugën ushtrisë serbe që marshonte nga Dibra përmes Lurës për të dalë në Mirditë. Ramiz Varvarica u gjend në krahun demokratik përparimtar me Bajram Currin, Avni Rustemin, Hasan Prishtinën etj., në përpjekjet që zhvilluan kundër feudalëve gjatë viteve 1922-1924.
Më 30 prill 1924, Ramizi mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë, ku me të gjithë anëtarët e shoqërisë “Bashkimit”, u formua një batalion, që u nis për Tiranë duke çarë rrugën me armë në dorë. Ndërkohë, nga Vlora shoqëria “Bashkimi”, ju bëri thirrje djalërisë shqiptare për kryengritje të armatosur kundër qeverisë së bejlerëve. Ramiz Varvarica së bashku me shokë gjatë gjithë kohës prej qershorit deri në dhjetor bëri një luftë konsekuente për spastrimin e ushtrisë nga kuadri oficer reaksionar, që sabotonte organizimin dhe demokratizimin e saj për mbrojtjen e Shqipërisë demokratike nga rreziqet e brendshme dhe të jashtme. Në dhjetor 1924 populli u ngrit në këmbë për mbrojtjen e Atdheut, megjithëse nuk kishte armë të mjaftueshme as organizim përballë një armiku të armatosur. Disa batalione të ushtrisë shqiptare ku bënte pjesë dhe Ramiz Varvarica me inisiativen e tyre i rezistuan armikut në Gurabardhë, Martanësh dhe Priskë. Me ardhjen e Zogut në pushtet shumë patriotë dhe anëtarë të Organizatës “Bashkimi”, midis tyre dhe Ramiz Varvarica morën rrugën e mërgimit. Në portin e Durrësit, Ramizi u betua edhe një herë se pavarësisht se në çfarë rrethanash do të ndodhet, deri në rrahjet e fundit të zemrës të gjithë jetën do t’ja kushtojë çështjes së çlirimit të Atdheut.
Nga minierat e Francës në radhët e brigadave internacionale
Në Francë ku u strehua Ramizi nga viti 1925 deri në vitin 1936, punoi në miniera dhe fabrika për bukën e gojës. Në grevat e fuqishme politike të proletariatit që shpërthyen në Paris, Ramiz Varvarica ishte ndër të parët që u përlesh me policinë. Atë e burgosën si komunistë të rrezikshëm për rendin publik të shoqërisë borgjeze. Torturat që ju bënë Ramizit me shokë në burg për ta thyer, e bënë më të fortë, më të vendosur në bindjet komuniste dhe antifashiste. Me daljen nga burgu ju përkushtua punës politike me forca të shumëfishuara kundër klasave shfrytëzuese.
Ramiz Varvarica në krye të punëtorëve shqiptarë u hodh në aksion për të mbledhur ndihma për popullin vëlla spanjoll. Në vjeshtën e vitit 1936, me vullnetarët e parë shkoi dhe Ramiz Varvarica në Spanjë për të luftuar kundra fashizmit krah për krah me bij revolucionarë të 53 kombësive. Ai u rreshtua në radhët e Brigadës XV Internacionale, e cila me 5 batalionet e saj kishte zënë pozicione në vargun e kodrave të Pingaronit. Përballë kishin reparte të zgjedhura të ushtrisë fashiste prej 50.000 veta të mbështetura nga artileria, aviacioni dhe tanket gjermane, ku më 6 shkurt 1937, kishin shpërthyer mësymjen drejt Argandës dhe Morata de Tahunja, për të rrethuar Madridin nga ana juglindore. Artileria masive gjermane e manovronte zjarrin e saj të dëndur dhe të përqëndruar gjatë gjithë frontit, ndërsa në qiell bëhej një luftim i rreptë ajror midis aviacionit gjuajtës të Republikës Spanjolle dhe aviacionit bombardues dhe gjuajtës gjerman që përkrahin mësymjen e ushtrisë mercenare të Frankos.
Ramiz Varvarica ishte në sektorin e batalionit “Dimitrov” dhe punonte për rregullimin e pozicioneve të zjarrit. Ai ishte i qetë, i vendosur dhe me mprehtësi vigjilonte lëvizjet e armiqve përpara. Ai u thoshte luftëtarëve të tij se “se lufta nuk bëhet pa disiplinë të ndërgjegjshme kundër fashizmit. Rregulloni dhe maskoni mirë pozicionet gjatë natës. Plumb e kokë, se ne kemi pak municione dhe përgjegjësi të madhe para popullit spanjoll, vendeve tona, të gjithë popujve dhe proletariatit botëror për shpartallimin e fashizmit në frontin e lirisë. Uniteti, urrejtja kundër armikut të klasës, disiplina e ndërgjegjshme, mjeshtria luftarake e ushtrisë internacionaliste në përdorimin e armëve dhe vigjilenca ishin kushte të domosdoshëm për korrjen e fitores mbi fashizmin”. Në luftime duke luftuar trup me trup me armikun ra dëshmor në fushën e nderit patrioti revolucionar Zef Hoti bashkë me 19 luftëtarë të brigadës me kombësi të ndryshme. Po në këto luftime ra si trimat duke luftuar edhe Kapiten Urfi Ali Agolli nga Dibra. Në varrimin e tyre, me nderime ushtarake internacionaliste, në mes të grushtave që ngriheshin në ajër si kështjellë kundra fashizmit, duke intonuar hymnin e Republikës dhe Internacionalen ishte dhe grushti i Ramiz Varvaricës.
Më 6 prill 1938 për të mbrojtur drejtimin e Tortosës, Brigada XII Internacionale “Garibaldi”, ku bënte pjesë edhe Ramizi, u rreshtua në formacion luftarak mbi kodrat në mes të Kaspës dhe Gandesës. Sulmet e këmbësorisë mercenare fashiste të shoqëruara me tanke, zjarri masiv i artilerisë dhe bombardimet e aviacionit fashist arritën t’i rafshojnë kodrat me fushën duke i shkaktuar brigadës humbje të mëdha, por batalionin e tretë ku bënte pjesë Ramiz Varvarica me detyrë intedent, sekretar i organizatës bazë dhe komandant i kompanisë mitraliere me gradën kapiten nuk u tundën dot nga pozicioni, megjithëse efektivi i batalionit të tretë u gjysmua dhe në të dy krahët rrethohej nga forcat fashistë.
Ramizi, meqenëse ishte dhe vetë i plagosur, ndenji me të plagosurit dhe me të sëmurët, buzë lumit Ebro. Kapiteni i intendencës Ramiz Varvarica, po luftonte me dy batalione armiq, vetëm me të sëmurët e të plagosurit. Kur mbritën përforcimet në pozicionin e mbrojtur prej tyre, të gjithë të plagosurit e të sëmurët ishin vrarë së bashku me kapiten Ramizin në pozicione luftime mbi mitrolozin “Maksim”. Ramiz Varvarica është Heroi i Popullit shqiptar.