Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri

Një delegacion i zgjeruar i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (KAA), i drejtuar nga Presidenti i këtij Këshilli Ambasadori Timothy Chorba, po qëndron për një vizitë një javore faktmbledhëse në rajonin tonë, me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH).

Në Tiranë, Delegacioni Amerikan u takua e zhvilloi bisedime rreth procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, por edhe të zhvillimeve rajonale e atyre politike të brendshme me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, me Kryetaren e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, Znj. Mimi Kodheli, me ish-Presidentin Meta, si dhe me përfaqësues të partive të tjera politike të opozitës.

Delegacioni i Ambasadorëve Amerikanë morri pjesë edhe në ceremoninë festive të dt. 8 maj të 5 vjetorit të themelimit të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, me të cilin ka një partneritet të ngushtë institucional.

“Këshilli ynë i Ambasadorëve Amerikanë në Uashington ka patur nderin t’u ofrojë këshilla homologëve tanë shqiptarë në Tiranë gjatë gjithë evoluimit të Këshillit tuaj dhe shndërrimit në këtë Organizatë të jashtëzakonshme që është sot”, u shpreh Ambasadori Chorba në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni.

Vizita në rajon vijoi në Kosovë, në Prizren dhe në Prishtinë. Delegacioni u prit në Prizren, në kryeqytetin historik të kombit tonë nga Kryetari i Komunës Shaqir Totaj dhe vizitoi Shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Delegacioni i KAA vizitoi edhe Kantinën e Verës “Stone Castle” në Rahovec, një nga investimet më të mëdhaja të diasporës shqiptaro-amerikane në Kosovë.

Më dt. 10 maj, Delegacioni Amerikan zhvilloi takime në Prishtinë me Kryetarin e Kuvendit Konjufca, Kryeministrin Kurti, Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Gërvalla-Shvarc, Kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama, si dhe me partitë politike të opozitës.

Ambasadorët Amerikanë vlerësuan zhvillmet demokratike në Kosovë, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe faktin që Kosova është tashmë një kontribuese e sigurisë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe shprehën pa ekuivoke përkushtimin e SHBA-së edhe në të ardhmen në funksion të forcimit të gjithashëm të Republikës së Kosovës.

Delegacioni Amerikan zhvilloi një vizitë të posaçme në kampin ushtarak amerikan të Bondsteel-it, i cili është shndërruar në një element sigurie e stabiliteti për Kosovën e rajonin.

Në përfundim të vizitës në Kosovë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), së bashku me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë (KAA), zhvilluan në Kolegjin AAB në Prishtinë, një aktivitet të veçantë me rastin e 101 vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike Shqiptaro-Amerikane dhe 15 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndër të tjerë, kontribuan me vlerësimet e tyre në këtë aktivitet edhe Rektori i Kolegjit AAB, Prof. Lulzim Tafa, Presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Ambasador Besnik Mustafaj, Presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Ambasador Timothy Chorba, Zv. Presidenti i KAA, Ambasador Philip Hughes, Ambasador Avni Spahiu, ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, etj.

Gjithashtu, në kuadër të misionit të tyre faktmbledhës, Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë u takua respektivisht në Tiranë dhe në Prishtinë me përfaqësues të partive politike shqiptare të Malit të Zi dhe atyre të Luginës së Preshevës, me të cilët shkëmbeu mendime rreth zhvillimeve rajonale dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve në shtetet përkatëse.

Vizita e KAA-së, shoqëruar nga Bordi drejtues i KASH, vijon turin e tij në rajon në dt. 11 dhe 12 maj në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku do të takohet me autoritetet më të larta dhe faktorët e tjerë politikë në vend.

https://www.albanianambassadors.al/keshilli-i…/
Please follow and like us: