Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Riza Tola, idealisti që kërkon një emër

 

Riza Tola luftoi si idealist

Riza Tola u lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1911 dhe rrjedh nga një familje e njohur patriotike qytetare. Familja e Hamit Toles, përbëhej nga pesë djem dhe një vajzë. Rizai në moshë fare të re u frymëzua nga ndjenja e lirisë. Ai ishte ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të militantit revolucionar Qemal Stafa, i cili, kur vinte për punë në Elbasan do të takohej me Rizanë në dyqanin e tij, ku ai ushtronte mjeshtërinë e këpucarit.

Riza Tola luftoi si idealist për një të ardhme të re të Shqipërisë. Ai ka qenë pjesëmarrës në lëvizjen antizogiste dhe antifashiste. Riza Tola arrestohet dy herë nga regjimi zogist për propaganda kundër tij. Fillimisht në shtator 1938 dhe në dhjetor 1938. Ai gjykohet midis 73 personave me grupin e Qemal Statës. Në paraqitjen që bëhet për Riza Tolën evidentohet sa vijon: “Prokuroria e Posaçme për Faje Politike me aktakuzën e saj numër 2 dhe 3, datë 23.01.1939 dhe 3.02.1939 ka dërguar si të pandehur për të gjykuar 73 persona përpara Gjykatës së Posaçme për Faje Politike në Tiranë në numrin rendor 59 të aktakuzës figuron emri i Riza Toles, i biri i Hamitit, 25 vjeç, nga Elbasani, këpucar, i pamartuar, i padënuar”. Me vendimin datë 12 shkurt 1939 të kësaj Gjykate, në pjesën arsyetuese për Riza Tolën argumenton se “ky i pandehur në bashkëpunim direkt me të tjerët ka përhapur në tokën Mretnisë me gojë dhe me shkrim, teorina dhe idena komuniste në kundërshtim të hapët me rendin shoqënuer dhe ekonomik që ishte në fuqi”. Më poshtë për Riza Tolën vendimi evidencon se ka qenë frymëzuesi i të gjithë të tjerëve. Vendimi i mësipërm penal në dispozitivin e tij vendos që në bazë të nenit 6 të ligjit datë 30 prill 1939, për faje kundër rendit në fuqi, Riza Tolën e deklaron fajtor dhe e dënon me katër vjet burgim dhe dërgohet për ta vuajtur atë në burgun e Mbreshtanit, Berat.

Me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, u shpërthye burgu, fiton lirinë dhe vazhdon veprimtarinë patriotike me shokët e idealit, pjesëtar i grupeve për çështjen e lirisë, duke qenë një antifashist i spikatur.

Me çlirimin e vendit, Rizai nuk u pajtua me rrugën që po ndiqte regjimi i vendosur në Shqipëri. Kjo sepse pikëpamjet e tij po binin ndesh me ndjenjat e tij patriotike dhe idealet e lirisë, si dhe të veprimtarisë së tij antifashiste. Ai arrestohet. Nuk zhvillohte gjyq, por ekzekutohet më 15 maj 1947, në mjedisin e Degës së Brendshme të Elbasanit.

Në dyqan ruajti traditën

Prof. Plangarica “Enigma e një vrasje”, gazeta “Fjala e lirë” Elbasan në vitin 1993 ka shkruar se “jam njohur me Riza e Ymer Tola menjëherë pas pushtimit. Me Ymeri ishim moshatar, ndërsa Rizai një burrë i ri tridhjetëvjeçar. Rizai ishte sqimëtar në çdo drejtim e binte në sy menjëherë. Për ditë mbante pantallona sport që lidheshin ndën gju, çorape, këmishë me ngjyra e vizatime. Për këpucët tregonte një kujdes të veçantë, përdoret më të shumtën lëkurë ngjyrë kafe. I gjatë dhe i shëndetshëm, zeshkan e i fuqishëm. Ai paraqiste një pamje burrërore, që përforcohej nga sjellja e të folurit që kujtdo i impononte respekt. Rizai ishte i dashur, i qeshur dhe i gatshëm të ndihmonte miqtë, por nuk i duronte burracakët dhe të liqtë, të cilët i përbuzte hapur e i cilësonte “halabakë”.

Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, bie në kontakt me idetë komuniste, duke drejtuar në Elbasan një grup. Në shtëpinë dhe dyqanin e tij vinin Qemal Stafa dhe Vasil Shanto. Është dënuar në vitin 1939 në gjyqin e Tiranës nga qeveria e Zogut dhe u internua me Qemal Stafën dhe të tjerë në burgun e Mbreshtanit të Beratit. Pas vrasjes së Qemal Stafës, më 5 maj 1942, Rizai pësoi një krizë në idetë e tij për kauzën patriotike që kishte ndjekur, duke u tërhequr dhe ushtruar zanatin e tij. Vazhdoi të japë ndihmesën e tij në përpjekjet për luftën që kishte nisur kundër pushtuesve fashistë. Rizai e shndërroi dyqanin e tij në një klub, ku diskutoheshin me zjarr punët e Shqipërisë dhe politikës ndërkombëtare. Dyqanin e tij e kishin vizituar njerëz me pikpamje e mosha të ndryshme. Me të njohurit ishin Emin Shashai, Hysen Kopili, Xhaf Miraku, djemtë e Dervish Biçakut që nga Sefedini e deri te Reshati. Vazhdonte ballafaqimi i lirë politik.

Rizai kishte shpallur hapur asnjanësinë e mosangazhimin. Vëllai Ymeri përqafoi me gjithë dëshirë idetë komuniste që predikonte Xhemal Miraka, luftëtar i Luftës së Spanjës. Ymeri e Xhemali u angazhuan tërësisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dhanë një ndihmesë të rëndësishme, ndërsa Rizai gjithnjë e më shumë asnjëherë nuk u pajtua me veprimet e tyre. Edhe pas çlirimit të Elbasanit dhe të Shqipërisë, Rizai në dyqanin e tij e ruajti traditën, priste miq e shokë që diskutonin politikën, por gjithnjë e më të rezervuar.

Kur njeriu vdes del nga shtëpia

Riza Tola u arrestua më 10 maj 1947. Pesë ditë më vonë prokurori Josif Taja, i tha Adem Jahjën, burrit të motrës së tij, se “Rizai u arrestua dhe do të dënohej pak vite për agjitacion e propagandë, por ai tentoi të arratisej dhe u qëllua e u vra”. Ky njoftoi Muharremin, vëllanë e madh të Rizait. Lajmin ogurzi për vrasjen e Rizait, Muharremi me familjarë vendosën të mos ja tregojnë të atit. Muharremit i thanë që të “merrte babanë e nënën dhe shkonte në spital që ta shikonte për herë të fundit Rizanë, sa do e varrosim”. Babai fatzi, Hamit Tola, e mori vesh gjëmën. Ai ishte një burrë zakoni e trim, që i kishte fjalët e pakta. Babai e nana kishin kundërshtuar të shkonin ta shikonin Rizanë të vrarë. Ata kishin thënë “që le ta shohin ata që vranë, kur njeriu vdes del nga shtëpia, jo nga spitali hajdutëshe”.

Arsyeja e vërtetë që u arrestua Rizai ishte qëndrimi i tij i deklaruar hapur kundër regjimit në fuqi, për të cilët fliste me përbuzje. Një ditë kur e çonin në dhomën e hetuesisë, gardiani që e shoqëronte, e kishte keqtrajtuar. Rizai që nuk pranonte të fyhej nga asnjeri, e kishte kapur dhe vënë poshtë, duke e rrahur. Nga të thirrurat e gardianit, roja e degës kishte shkuar në ndihmë dhe kishte qëlluar me automatik drejt Rizait. Me vrasjen e Rizait, Ymerin e përjashtuan nga partia dhe e çmobilizuan nga ushtria. Familja Tola hyri në radhët e familjeve të përndjekura.

Djemtë e Hamit Tolës

Mësuesi i Merituar Hyqmet Shëngjergji në gazetën “Elbasani” në vitin 2008 shkruan se “Djemtë e Hamit Tolës” ku ndër të tjera vihet në dukje se Hamit Tola, babai i Rizait ka qenë pjesëmarrës në jetën shoqërore politike të qytetit të Elbasanit, madje ka qenë kryeplak i lagjes “Karavelie” ku banonte. Në shkrim flitet për jetën dhe veprimtarinë e vëllezërve Tola: Muharrem, Riza, Ali, Reshit dhe Ymer. Riza Tola ishte “djali i tretë i Hamitit, djalë azgan, me trup dragoi për nga shëndeti, u bë këpucar dhe hapi dyqanin në rrugën “Reneve”, sot Hotel Skampa. Ishte mjeshtër në Elbasan për bërjen e këpucëve të reja, krahas të tillëve si Ali Qosja, vëllezërve Shuteriqi e të tjerë.

Ymer Tola ka qenë i burgosur për propagandë subersive në burgun e Tiranës në vitet 1941-1942 dhe internuar prej nazi-fashiste në kampin e përqëndrimit të Barit në Italisë nga viti 1942 deri 6 prill 1943. Ka qenë pjesëmarrës aktive në LANÇ dhe është dekoruar me Medaljen e Çlirimit dhe të Trimërisë, me Urdhërin e Punës të Klasit II. Ka punuar në sistemin arsimor ku ka marrë dhe titullin “Mësues i Merituar”. Në jetëshkrimin e tij Ymer Tola tregon se ka qenë në radhët e partisë prej qershorit 1943 deri në dhjetor 1994 dhe pas çlirimit ka qenë oficer me gradën Toger, pranë Shkollës së Kadetëve në Tiranë me përgjegjësi komandant kompanie. Në këtë kohë përjashtohet nga partia sepse i vëllai, Rizai, u arrestua dhe u vra në burg. Në kërkim të së drejtës së tij, Ymer Tola vë në dukje se në vitin 1948 në një aktiv të partisë të bërë në Elbasan për Riza Tolën është bërë vlerësimi sipas të cilit arrestimi dhe vrasja e tij ka qenë për motive politike, duke u cilësuar si viktimë e politikës së Koçi Xoxes. Ndërkohë Ymer Tola në vazhdimësi ka punuar në arsim duke dalë në pension në vitin 1975 me përgjegjësi si zëvendësshef i Seksionit të Arsimit pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Elbasanit.

Shok ideali

Në intervistën e Riza Deliallisit shok ideali me Riza Tolën, pasi tregon rrethanat e njohjes me të ai kujton se në vitin 1937 u largua nga gjimnazi i Tiranës për të ndjekur mësimet në Shkollën Normale të Elbasanit. Nga mesi i viteve ‘30 dhe në qytetin e Elbasanit kishin hyrë dhe propagandoheshin ide antizogiste, të cilat fillimisht u përqafuan nga të rinjtë e shkollave dhe punëtorët e thjeshtë. Grupi i Elbasanit drejtohej nga Riza Tola, i cili punonte si këpucar. Në përbërje të grupit bënin pjesë student të Normales dhe disa punëtorë. Në dyqanin e Riza Toles mblidheshim shpesh dhe bënim biseda të ndryshme kundër regjimit dhe shkëmbenin libra dhe atë literaturë të pakët që siguronim. Me ne ishte dhe Abdyl Myzyri. Nga Riza Tola merrnim direktiva i cili vetë ato dhe udhëzimet i merrte nga Qemal Stafa. Riza Deliallisi kujtonte se “sa herë vinte Qemali në Elbasan, sipas udhëzimeve që na jepte Riza Tola ne mblidheshim në dyqanin e tij dhe bënim mbledhje. Takimet e grupit tonë me Qemalin vazhduan deri në shtator të vitit 1938, ku grupi u arrestua nga njerëzit e xhandarmërisë së Zogut të cilët na ndiqnin prej kohesh. Fillimisht u arrestuan pjesëtarët e grupit si Riza Tola, Subi Dedej e të tjerë”.

Një vërtetim dhe disa shkrime…

Vite më vonë familja merr një vërtetim me aktin nr. 43-1935 datë 9.7.1993, të Ministrisë së Rendit Publik të Republikës së Shqipërisë ku thuhet: “Vërtetim faktit juridik të vdekjes në hetuesi për motive politike të Riza Hamit Toles më datën 15 maj 1947, në Elbasan”.

Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri Riza Hamit Toles u bënë disa shkrime në gazeta të kohës. Kështu një shkrim është bërë nga Prof. Ndriçim Plangarica, në gazetën “Fjala e Lirë” të Elbasanit në vitin 1993 dhe një tjetër nga mësuesi Hyqmet Shëngjergji, në gazetën “Elbasani” viti 2006. Për figurën e Riza Tolës ka shkruar dhe Riza Deliallisi, në gazetat “Panorama” dhe “Liberale” në vitin 2020 në formën e një interviste.

Ende dhe sot Riza Toles nuk i dihet varri, me gjithë përpjekjet e bëra në vite nga familja, ai nuk është vlerësuar dhe nuk ka vendin e merituar, emrin e tij, për përpjekjet dhe sakrificat e bëra nga ai dhe familja e patriotit elbasanas Hamit Tola.

Please follow and like us: