Miho Gjini: ETIKA E KUDONDODHUR DHE E KUDOKËRKUAR
Ese
Ndihem gjithmonë i lumtur! Dhe a e doni pse?, – pyet Shekspiri, – Jeta është e shkurtër, – vetpërgjigjet, ndaj duaje jetën tënde. Ji i lumtur. Dhe vazhdo të buzëqeshësh. Para se të flasësh, dëgjo. Para se të shkruash, mendo. Para se të shpenzosh, fito. Para se të lutesh, fal. Para se të lëndosh, ndjej. Para se të urresh, dashuro. Para se të heqësh dorë, provo. Dhe përpara se të vdesësh, jeto! E kjo nuk është një thënie – recetë. Por baza e jetës dhe e marrëdhënieve tona të përditshme e të përjetshme, etikë e lindur dhe e trashëguar nga sjellja e mirë, nga virtyti e karakeri, që na i thotë kaq saktë e po kaq bukur, kolosi i Rilindjes Angleze, kur shoqëria e tyre po buzëqeshte, pas tiranisë së mesjetës, aty, mbi butet e verës së Ser Xhon Fallstafit të Uindsorit…
Termi ETIKË (ethos) është përdorur në Greqinë e Lashtë nga Aristoteli, si shprehje filozofike në jetën e shoqërinë e antikitetit, si sjellje e individit të asaj kohe, në përputhje të mësimeve të Sokratit e të Platonit, – nxënësit të tij. Me qëllimin që njeriu të synonte më të mirën e mundshme në sjellje dhe që, pasardhësi i tyre, Aristoteli i trajtoi parimet filozofike në librin e dytë të “Poetikës”, si traktate të mëvetshme, pra, më ndryshe nga mësuesit e tij që i trajtonin këto parime në trajtën e dialogut.
Duke i mbështetur teorikisht në katër “kollonat” e njohura të virtytit: guximi, përmbajtja, drejtësia e maturia. Synimi i tij është arritja e së bukurës, nëpërmjet arsyetimit. “Funksionimi i njeriut, – shkruan Aristoreli, – është veprimtaria e shpirtit në përputhje me arsyen, ose të paktën, jo pa arsye”. Filozofë të sotshëm, sidomos Bernard Williams e konsiderojnë superiore arritjen e tij filozofike si “pikë referimi” të qenësishme edhe për më mbrapa…
Pra, Etika ka të bëjë me sjelljen e njeriut, në dritën e parimeve morale, tok me veset, doket e zakonet, të cilat i gjejmë dhe i takojmë përherë, kudo e ngado. Grekët e vjetër, e kishin fjalën e parë për të sjellurit ndër stadiumet e anfiteatrot e tyre, që shtireshin gjer në tri ditë. Ndërsa sot e vërejmë dhe e ndeshim etikën e njerëzve në të gjitha epokat e zhvillimit njerëzor, në të gjitha shtresat shoqërore, po edhe në rrugë, në mjediset publike, kulturore, artistike e politike, bile edhe në ato mjedise të kultit, kur jeta bie, vdes dhe “ringjallet”. ETIKA është një kategori estetike e kudondodhur, nëpër letra, nëpër zyra, dyqane, teatro e parlamente, ku trazohen edhe “zorrët e barkut”, por që gjithmomë kërkohet më e mira e moralit dhe e virtytit njerëzor.
Vetëm se Etika dallon nga morali, që përcakton bashkësinë e vlerave, duke u mbështetur në zanafillën e gjërave për ndërtimin e moralit. Kështu, e mira, e keqja dhe virtyti, përbëjnë e qëndrojnë në nocionet kryesore të Etikës. “Etika, – sipas Albert Schwutzer, – është përgjegjësimi i zgjeruar në pakufi kundrejt gjithkujt që jeton”.*
Kam pasur fatin që, gjatë studimeve të mia, në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu” (1959 e në vazhdim), të studionim, para së gjithash “Etikën e Stanislavskit”, si një ndër bazat e punës së aktorit me vetveten, në studio, në skenë e në jetë, pa të cilën nuk mundeshim të nisnim procesin krijues, si një domosdoshmëri e sjelljes dhe e veprimtarisë sonë të përditshme. Gjë që, kërkohej më së pari, në procesin mësimor, në punët individuale në krijimin e etydeve të “Mjeshtërisë së aktorit”, po dhe në ato veti e virtyte të moralit që kishin të bënin me respektin ndaj institucionit teatror, si “Tempull”, mandej edhe ndaj pedagogëve e njëri-tjetrit, po edhe ndaj publikut që priste prej nesh emocionet që përcjell vepra e arti i aktrimit, me mesazhet reale të mirësisë, virtytit e së bukurës. Disa nga disiplinat mësimore, “Mjeshtëria e Aktorit”, “Plastika e Lëvizja Skenike”, “Edukimi Muzikor”etj., merreshin edhe me etikën, me shtjelljen bazë në të gjtha epokat e shoqërisë, me reverancat ceremoniale, ecjet e përshëndetjet e veçanta, me çdo kategori njerëzore e individ, jo vetëm nëpër sallone të çdo kohe, po edhe në rrugë e në jetën e përditshme. Gjersa u krijua tek ne, të mbledhurit nga çdo skaj i Shqipërisë një “grupim familjar artistësh të rinj”, do ta quaja, me një etikë të përsosur, kur çdo ditë flitej për të, që nga pedagogu ynë i mençur, skrupuloz e tepër i qetë i “Letërsisë Antike Greke”, Myzafer Xhaxhiu, që fliste për tragjikët e lashtë, për aktorët e parë me maska, si edhe për Aristotelin e parardhësit e tij të filozofisë në përgjithësi e të ETIKËS, si kategori estetike në veçanti. E njëjta kërkesë na bëhej në lëndët e lartpërmendura, ca më së shumti, kur erdhën të na mësonin etikën e mjeshtërinë e aktorit edhe pedagogët tanë të parë që kishin studiuar në shkollat e huaja me tradita, sikundër qenë regjisorët Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Esat Oktrova, Pirro Mani, Mihal Luarasi, Drita Agolli, kompozitori Çesk Zadeja e baletmaestri Skënder Selimi, ndërkohë që të tjerë regjisorë më të hershëm, kishin studiuar në Paris e në Bukuresht, sikundër qenë Sokrat Mio e Pandi Stillu… Që krijuan, si të thuash, një “Mbretëri Etike”, për “ushtarët e parë”, si na thanë më vonë, për të ashtuquajturin “arti proletar”, aq sa më pastaj, kërkesat estetizante do të stononin me “frymën revolucionare”! Kështu, që gjesti i Spahivoglit, tek ai i puthte dorën mysafires së shkollës sonë, pedagoges Nina Çefranova, më të vjetër në moshë dhe të ftuar nga qeveria jonë e atëhershme, prej Institutit Teatral të Moskës, do të stononte nga “syri i keq” e do të quhej si një sjellje “borgjeze”!
Mirëpo fatmirësisht, kërkesat etike të këtyre mësuesve, u “ngulitën” tek ne, në karakterin e moralin tonë “të pandreqshëm”, aq sa, disa prej nesh do të vuanin nga kjo “sjellje e pandreqshme” sikundër i ndodhi vite më vonë Edi Luarasit, Bujar Kapexhiut, Vangjush Furxhiut, Bujar Lakos e disa të tjerëve, që nuk pajtoheshin, me “klimën e kundërt” të moralit shterp. A nuk qenë për ne të gjithë, “xhentëlmenë të etikës” aktorë që nuk na vijnë më në këtë jetë, si Bexhet Nelku, Serafin Fanku e Agim Qirjaqi?! Ndërkohë, parimet e Etikës Aristoteliane, të përforcuara nge Etika e Stanislavskit kishin “zënë vend” tek brezi ynë. Flitej gjithmonë e më tepër për nevojën e domosdoshme që sa “futnin këmbët” në Teatër duhej të “varnin në kremastarin” e dollapit të shtëpisë e të konviktit, gjithë hallet e problemet, si një përkushtim maksimal ndaj artit, me një të vetëndjerë të plotë, si edhe me një virtyt e zakon të përhershëm. Në gjetjen e asaj që quhej “atmosfera krijuese”. Dhe akoma, kur do të ngjiteshim në skenë, të veshur me rrobat e një personazhi, ti do të ishe “tjetër njeri”, me fizionomi e sjellje të tjera, me një botë shpirtërore krejt ndryshe, duke qëndruar edhe në një tjetër dhomë, sallon, mjedis pune e shlodhjeje çfarëdo, a hapësire të mbyllur nga “muri i katërt” – sikurse e quante prezencën e publikut, themeluesi i “Etikës Teatrale”, teoricieni i famshëm rus Kostandin Stanislavski, mësimet etike të të cilit u bënë të pranueshme dhe të respektuara nga pedagogia e Marlon Brandos në Hollivudin Amerikan, Stela Adler. Gjithsesi edhe tek ne, do të kishim një plejadë aktorësh me etikë shembullore, duke filluar që nga Mihal Popi, Naim Frashëri, Sandër Prosi, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Pjetër Gjoka, Nikolin Xhoja, Pandi Raidhi, Mihal Stefa, Robert Ndrenika, Ndriçim Xhepa e me radhë… Artistë që ta impononin etikën, si një afeksion të menjëhershëm, që sugjeronin anën e ndërsjellë të sjelljes e të virtytit tënd. Që nga veshja me sqimë, nga heshtja, nga reagimi i mëvonshëm (pasi të dëgjonin me vëmendje), si edhe me fjalët e tyre koncize të përgjigjeve. A nuk ishte i tillë Mihal Popi, Mihal Stefa e Sandër Prosi, – modele të shkëlqyera të artistit bashkëkohës e jo vetëm, përsa i përket etikës, si disiplinë vetjake?
Po në skenë, në ekran e në ekranin televiziv apo edhe të kinemasë, si duhet të jetë etika e aktorit? Më se e shkëlqyer! Sepse atje, edhe fiksohet përfundimisht. Edhe gjesti i shëmtuar, po edhe fjala e rënduar e banale, që ka të bëjë me edukatën e kulturën individuale të gjithsecilit artist, reflektojnë një etikë të nivelit të ulët, sikundër ndodh në disa filma me skena ngrëniesh, kur lëpihen edhe gishtat! Primitiviteti natyralist bëhet, gati i njëllojtë, edhe kur lëshohen nga skena e ekrani batuta vulgare, pa “doganë”, apo “me thasë” e kjo mbahet si gjetje moderniste e shakatore!
Nuk flitet për etikën fetare, kur besimtarët thuajse “ngrijnë” para altarit e as për deputetët e parlamentit tonë, kur ata janë zgjedhur e dërguar aty të bëjnë oratorin e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor e të të drejtave legjitime të popullit e jo të “bëjnë gallatë!”, duke sharë njëri–tjetrin, bile me frazat më banale të fjalorit shqip! E zeza etikë! Edhe përkushtimi i aktorit, sa herë hyn në mjediset e punës së tij krijuese, ka të bëjë me etikën më elementare të domosdoshme. Ndryshe, nuk mund të krijohet atmosfera e nevojshme për të ndërtuar rolin, spektaklin, bashkë me atë atmosferë të një tjetër epoke. Teoria e Stanislavskit në përjetimin e rolit, duke i qëndruar sa më besnik rrethanave të dhëna nga autori, po edhe si e sheh regjisori atë periudhë kohore, kërkon edhe transformim në etikën e njeriut që interpreton, po në atë kohë. Duke e parë me vëmendje tryezën e personazheve provinciale të dramës së Çehovit “Tri motrat” e regjisorit Hervin Çuli, etika e “njerëzve të vegjël” merrte një përthyerje të hatashme ndaj çiftit të dashuruar, mënjanë tyre. Secili brenda kohës, rrethanave e jetës së personazheve të këtij autori, nga më të mëdhenjtë, në krijimin e atmosferave të tilla, provinciale, ku secili personazh i tij mbetet i mëvetshëm, me tiparet etike të asaj kohe të panjohur prej nesh, afro një shekull më mbrapa! Pra etika e personazhit ka të bëjë edhe me të vetëndjerit, që reflektohet në sjelljet tona, brenda e jashtë rolit. Se e dimë që ndodhemi në teatër.
Patjetër! Ndryshe, aktorja Rajmonda Bulku, nuk do ta vinte re fare aktorin Sulejman Pitarka që po dilte nga roli, bile edhe nga avanskena, në atë kohë thuajse të verbërimit të tij të plotë, në shfaqjen e dhënë në Dibër të Madhe (“Pjata prej druri”), i cili desh ra nga skena, tek reagonte i zemëruar me të birin e nusen e djalit që donin ta “hiqnin qafe” e ta mbyllnin në një Azil Pleqërie! Se sado të përkushtuar të jemi ndaj rolit, duke e “jetuar rolin”, – sikundër shprehet Stanislavski, teoricienët e mëvonshëm, këmbëngulin edhe në atë që quhet “distancimi nga roli”, që i përket vetkontrollit, pa e humbur arsyen që ti je Ai që po loz Atë, një tjetër njeri, me botë tjetër të brendshme, me rroba të tjera e me tjetër etikë. Se “Ka gjithmonë një të çarë në çdo gjë, – thotë Leonard Cohen, – dhe prej andej hyn drita”!
Nga libri im “DRTËHIJET E SKENËS DHE EKRANIT”
Athinë, 17.05.2023.