Miho Gjini: “SHTEGTIMI I KRILLAVE”
Skica nga Leonidha Bullgari
Tregim
-”U bëmë si krillat, që fluturojnë në tufë”,-më tha Markua, tek pinim birrë në lokalin “COLNER HOFBRAU”, buzë Lumit Rin, në Gjermani dhe po shikonim disa klientë që rrinin në këmbë, përbri tavolinave të lokalit të tejmbushur me njerëz dhe shanin në gjuhën tonë. Po unë, shoku e mysafiri i tij, që sapo vinte nga Greqia, kisha ngrirë i tëri, para pamjes madhështore të Katedrales së Këlnit…
-“Ja,- tha ai,- tek janë! Njihen menjëherë nga e folura e pahijshme që përdorin”! Më tepër sa i revoltuar qe i trishtuar. Ai heshti një copë herë. Heshta edhe unë dhe sytë i hodha nga skafet e limanit dhe anijet lundruese të mbushura me turistë… ”Përse kështu?!,-vazhdoi ai të flasë,-Lam nam, ngado që vemi! Ky vend këtu, që nga lumi gjer te katedralja u bombardua nga rusët, në ‘flakët’ e Luftës së Dytë, para se të arinin në Berlin. Thuajse u shkatërrua e u bë hi, po megjithatë, gjermanët që mbetën këtu, nuk e braktisën vendin e tyre!… Dhe nuk kaluan shumë kohë, që edhe rusët vetë, filluan të iknin nga vendi i tyre, i shkatërruar po njëlloj prej nazistëve të këtueshëm… Kjo është ajo “zija që sjellë lufta”!
“Po përse vallë ne shqiptarët,-vazhdoi ai i pikëlluar,- gjëndemi këndej, nëpër ‘udhët e botës’?! Apo jemi si krillat? E ke parë atë filmin që bënë rusët në vitet 60-të: ”Fluturojnë Krillat”? Ne, të rinjtë e asaj kohe venim çdo natë për ta parë. Qe një film i bukur, po edhe i trishtuar. Se nuk qe fjala më tepër për këta zogj qiellor se sa për njerëzit. Si simbol, me po këtë temë… Krillat fluturojnë nga njëri vend në tjetrin, ku gjejnë më shumë ngrohtësi DIELLI. Se janë zogjë të lirisë vetiake, më të fismit që ka krijuar natyra! Po përse vallë duhet që dhe të shajmë vendasit atje ku vemi e që e kanë ringritur e lulëzuar me punë vendin e tyre, ku Dielli ndrin edhe më rrallë? Apo që jemi mësuar me humbjen dhe mungesat?… Ç’djallin kemi përbrënda shpirtit dhe e shprehim me atë kryeneçësinë tonë?! Dje e piva kafenë në qytetin Duren, që ka tani përmasat e një qyteti të madh, sa Tirana, në një lokal italian, ku zienin biseda të qeta kur, papritur, u dëgjua edhe fjalori shqip, nga një grupim të rinjsh që desh u zunë me njëri- tjetrin! Edhe ky qytet,-tha Markoja,-u ringrit nga “hiç”, kur nuk kishin mbetur nga gërmadhat as katër shtëpi”…
Markoja qe nga ana ime. Vërtet që ishim larguar nga vend ynë,”i mbirë në sy” nga ai çikë bregdet i thepisur në kaltërsi, që e rrahin erërat e ngrohta dhe rrezet e diellit, ngaqë po kalonim një tragjedi kombëtare,-kur edhe atje, ne vetë bëmë batërdira: shembëm kishat dhe manastiret, ndërsa më mbrapa (në liri!), nuk lamë asnjë fabrikë, uzinë e kombinat pa i kthyer në gërmadha (O ZOT I MADH!,) për mend e kokës?!… Dhe “ia mbathëm”! Po, ndërsa unë mbeta në Greqi, ai u hodh në Gjermani, që në kohën e krizës së papritur e të lemeritshme, që e ndjeu i gjithë populli grek e ndodhi falimentimi i shumë fabrikave, kur edhe këtu po mbyllej rrezja e jetës normale! Sidomos shqiptarët e mërguar, që humbën vendet e punës, sikundër kishin humbur edhe paratë e tyre në “firmat piramidale”, atje tek ne, kur u hap fjala se tani do kishim mundësinë që të “hanim me lugë floriri”! Medet! Dokrra edhe këto”! Dhe, kur erdha këtu,-vazhdoi ai të flasë i rrëmbyer nga pasioni spontan,- e “mata mirë bythën”, pa bërë “derci-vërsi”, me punë ndërtimi, sa më vente djersa tek lugu i… Ulja kryet para gjermanëve që ringritën nga hiri vendin e tyre! Ndërsa ne e vetshkatërruam jetën tonë dhe i humbëm që të gjitha, o njeri: jo vetëm paratë e para që fituam në Greqë, pas ikjes së madhe, po lamë edhe shtëpitë nëpër këto mut “firma”! Aqsa i gjori Nasho “iku nga fiqiri”. I shkreti Agron la paratë e së dashurës dhe pastaj “i mori dreqi” që të dy. Po edhe ne të tjerët i humbëm shtëpitë e të dashurit tanë në këto kohë të vështira, kur e ndjen veten si në detin me tallaze! U shpërbëmë si njerëz e si shtet!… Dhe tani zëmra të pikon gjak! Sikur nuk qemë të mësuar me humbjet, dreqi ta marrë!,-përfundoi shoku im , duke i rënë tryezës me grushtin e tij të fort, sa desh “fluturuan” dhe gotat e Birrës “Kolsch” që po pinim me etje të madhe…
-“Ti shpëtove,-i thoshia Markos, që erdhe këtu dhe u largove përgjithmonë nga Greqia e “sëmurë rëndë”, po unë nuk e pata kurajon tënde e mbeta, as andej e as këndej, me ata emigrantët rus, që i quanin “Pondios”, qyshkur “rusët e bardhë” të Vrangjelit, nisën t’i persekutonin bolshevikët e t’i ndiqnin nga Rusia!… Po mirë,- ja më thuaj të lutem, si është e mundur që paska shpëtuar kjo Katedrale Madhështore?! Aman, o njeri, mbetëm si personazhe tragjikë të një drame absurde dhe tani…
-Prit pak,-ma ndërpreu fjalën e mi mbërtheu duart, se po të rrëfej një histori nga të këtij behari… Se nuk jemi vetëm ne, të përfshirë në këtë tragjedi kombëtare, si në një vithisje të rruzullit…
E lashë të fliste… Ka shumë njerëz si Markoja, që nuk të lënë fare që të flasësh edhe ti, po vetëm ata, duke e hedhur fjalën nga njëra tek tjetra e nuk i ndërpret dot, për qamet. As kur bie fjal për diçka të rrallë e të pabesueshme, si shpëtimi i kësaj katedrales gotike 157 metra të lartë, po këtu ku ndodheshim ne e po pinim birrën e ftohtë “FRUH kolsch”, majat e kullave të së cilës dukeshin sikur “çanin qiellin”… Po ama, gjuha vete tek “dhëmbi i kalbur”…
-“Që kur vrava gjurin në punë e më dhanë leje shëndetësore e më duhej të ecja me shkop në dorë, për të mbajtur terezinë e trupit, u hodha andej nga fshati ynë, që të merrja pak veten. Se gjithsesi, atje e kemi lënur shpirtin. Edhe vdekjet, mesa duket, atje do t’i kemi, jo si krillat që vdesin në fluturim! Shpendë të çuditëshme! Por prap nuk rrija dot pa lëvizur e dolla nga shtëpia që ta pija kafen 15 km larg, në plazhin e qytezës sonë të dashur. Le të isha vetëm… Mos më ndërpre të lutem! Buzë “Detit Jon” e ka lezetin përsëri,-ajo e shkretë,-edhe kur e pi vetëm, me një gotë raki, pa e ndjerë fare vetmin tënde. Je ti, deti dhe e gjithë bota, brenda filxhanit tënd. Mirëpo, gjer aty mund të veja vetëm me atë korierën karakatinë të Bregut, që e kishte pronësuar Barba Lluka dhe që unë nuk e arrita dot… Më kaloi përpara syve, “Shejtani me brirë!”… U ula në pragun e shtëpisë përkarshi e po prisja se mos më merrte ndonjë makinë tjetër… Një… Dy… Tre… Dhjetë… Asnjera nuk ndalonte, edhe pse hyra në rolin e njeriut shqiptar të kulturuar: ngrihesha në këmbë e i rrëfeja gishtin e madh. Shënja e auto-stopit! Shkopin e shtrëngoja me dorën e djathtë, kur një makinë,-ne trajtën e një shtëpie,- si ajo baranga jote, në periferi të Athinës,- frenoi tek këmbët e mia… Nga xhami i përparmë nxorri kokën një grua me flokë të thinjura që foli anglisht e unë “memeci”, pa ndonjë shpresë, i rrëfeva me shkopin e shtrirë në drejim të veriut, nga ana e përtejme dhe ajo pati mirësinë të më hapte derën e pasme, duke më dhënë dorën e saj të rreshkur, për t’u ulur afër shoferit me flokë të bardha,që buzëqeshte me mua torollakun, që kundërshtonte me ngulm të mos ulesha edhe në sedilen e vetme. Ja se ç’është etika e njeriut me kulturë, mik i dashur. Se ajo nuk qe makinë pasagjerësh, po një shtëpi plazhi intime, me një tryezë buke e dy karrige brenda, me një kënd kuzhine dhe diku nga fundi, me një WC modeste. Shoferi simpatik, i moshur edhe ai, buzëqeshi përsëri me hutimin tim dhe sakaq u nis. Po ç’të them më tepër?… Njeriu e ndjen veten si “kau i parmendës”, kur nuk mëson një gjuhë të huaj. Atëhere na detyronin të mësonim vetëm rusishten dhe ku Syrjai nisi të mësonte anglishten prej një të burgosuri politik të liruar, (sepse gjuhët e huaja, vetëm prej atyre mësoheshin më mirë), desh e futën brënda edhe atë. Dhe, kur më pyesnin këta, (pa e kuptuar as pyetjen që më bënin), u thoshnja kuturum, ca fjalë shqip e ca greqisht… Gjersa mbërritëm tek ura e vjetër dhe makina-shtëpiake doli në bregoren nga ana e detit që rrezëllinte nga dielli i fortë i paradites. Kur befas shoferi tha i ngazëllyer: ”Çerezviçajnaja morje, daragaja maja”! (Ç’farë det i jashtëzakonshëm, e dashura ime!) dhe mua mu shqyen sytë. Më dëgjon? Unë loza jo vetëm nga vendi, po edhe nga fiqiri! Ata qënkishin rus, rus të emigruar në Kanada, si unë e ti në Greqi e Gjermani, larguar edhe ata, si ato Krillat qe nuk rrinë dot në një vend dhe shtegëtojnë parreshtur. Bile edhe për të vdekur, duan hapësirë. Në qiell mbarojnë, mbi detra e oqeane. Në tufë dhe në kërkim të lartësive të mëdha, gjer atje ku i “kapin rrezet diellore”! Dhe, sikur e dinë mbi cilën tokë do të zbresin. Janë zogjë të çuditshëm. Tregojnë se një krille i vendosën një unazë në këmbën e saj në Finlandë dhe ia gjetën në Etiopin Afrikane…”.
Nuk i pushoi goja, gjersa mbërritën te qyteza jonë, me plazhin më të bukur që ka bota, në trajtën e një patkoi, ku trupat prej bronxi e gjysmë lakuriq, kishin vajtur aty edhe nga “djalli i s’ëmës”, ndërkohë që edhe ata i kishin “nxjerrë edhe zorrët e barkut” njëri-tjetrit. Qenë bërë miq. Çifti që fliste rusishten, ishte aratisur prej Bashkimit Sovjetik, nga ana e Lituanisë, nga e kishin origjinën, sepse nuk u pëlqente diktati i rusëve, ende pa filluar shpërbërja e perandorisë Cariste, që mbeti, po ashtu edhe në shtetin e madh të diktaturës komuniste, me republika të veçanta. Ai kishte studjuar në Vilnus, po doktoratën në arkitekturë e kishte mbrojtur në Moskë… Ugne,-sepse ashtu e quanin,- ishte një nga militantët e parë të vendit të tij që luftonte për pavarësinë e Lituanisë ,-sikundër e kishte Lituania pas Luftës së Parë Botërore, gjer në vitin 1940, kur e zaptuan rusët që, pas luftës së dytë, më 45-ën e mbajtën vendin e tij pas “qerres” së tyre, nën një sundim diktatorial si i juaji ,-i kishte thënë Ugne, gjer në vitin 1990, para se ai të arratisej, nëpërmjet kufirit jugor me Poloninë, bashkë me Lianën. Ishin dy të rinj të dashuruar atëhere dhe kishin ikur fill pas arratisjes së Pasternakut, kur atë e shpallën si “tradhëtar të Atdheut” dhe u vu në rendin e ditës slogani “Atdheu mbi të gjitha” e kur gjysma e burrave e të rinjve rus qenë vrarë në “luftën e dytë”. E njëjta gjë po përsëritej,- kishte thënë Ugne, me ofensivën e Putinit në Ukrainë, pasi mori me dredhi e luftë Krimenë, sytë i kishte te Ukraina dhe nga republikat balltike, nga veriu ynë, që prekte doemos edhe Lituaninë, bile edhe me merakun e vjetër të Carit për të gllabëruar edhe Norvogjinë, që Putinit i shfaqej në ëndërr edhe një gjë e tillë, agjentit të vjetër të KGB-së ruse. Se, nëqoftëse “Lufta e dytë” qe e drejtë, që angazhoi të gjithë popujt ndaj marrëzive të një personi të çmendur,-sikundër qe Hitleri, sot, kemi të bëjmë me nje “luftë të padrejtë”, agresive, të një të çmenduri tjetër, si Putini… Sepse vëllaçko,-qe shprehur Ugnei lituanez, “koha e perandorive” ka mbaruar… Leri popujt të ndërtojnë JETËN E TYRE… Edhe shkrimtari i proltariatit rus, Maksim Gorki, endacaku i dikurshëm, që “përvëlohej” nga zjarri i furrave të bukës, ku ka punuar më së shumti dhe që shkroi aq shumë për muzhikët, për endacakët e njerëzit e varfër, në njerën prej veprave të tij “Shkrime nga nëntoka” paraqeste me vërtetësi edhe paradoksalitetin e njeriut rus “me vetëdije të grisur tragjikisht”, që e afruan atë edhe me kollosët e tjerë të letërsisë ruse, me Tolstoin, Gogolin dhe me Çehovin, ende pa e ditur mirë se ishte pikërisht “ky njeri” që do përdorej tani, si “mish për top” kundër një vendi të lirë si Ukraina, që kishte të njëjtin fat e “oreks të madh”, për Putinin (Carin e tanishëm të Rusisë!) që dikur e kishte nisur jetën e tij pikërisht nga këto zyra, ku, një ditë prej dite, e kishin thirrur edhe atë, arkitektin e ardhshëm të Lituanisë, si rastësisht, ata të KGB-së dhe i kishin thënë se: “nuk mundej dot të hante bukën e rusëve në Moskë dhe pasataj të vente në Vilnus e të merrej me politikë revanshiste”!
Sikundër e parashikonte bashkëkohësi i Maksimit të Hidhur (si e kishte mbiemrin”Gorkij”), po edhe poeti i Ukrainës Taras Shevçenko, që 100 e ca vite më përpara, me poezinë e tij “AMANETI”, ku shkruante: ”Kur të vdes, të më mbuloni/,Te ndonjë kodrinë,/Që të shoh gjithnjë, vëllezër,/Mëmën Ukrainë/…Prangat flakini,/Derdhini në shesh të luftës/Gjakun për liri”. Lijana, me profesion aktore, i interpetoi këto vargje, pasi dolëm para ndërtesave të qytezës së qetë e flladi i ngrohtë i gushtit sikur na digjte zemrat,- u shpreh Markoja, tani me një ton patetik, që nuk e prisnja prej tij… “Millij moj”, i dashuri im,- i kishte thënë, i prekur thellë, shoferi lituanez,- qytetari i sotshëm i Kanadasë Ugne, me një pamje serioziteti e madhështie njerëzore,- pasi bëmë diçka, në mbrojtje të lirise e pavarësisë tonë, na detyruan që të marim edhe ne arratinë, se ndryshe na priste Siberia!… Aje në Moskë unë njoha edhe shumë shqiptarë që mësonin me bursë (falas) nëpër shkollat ruse, me pikësynimin që edhe vendit tuaj t’i “hidhnin kthetrat”… Unë e dija edhe këtë, prej një studenti tuajin që pata shok konvikti e jete dhe që e patën thirur, për ta rekrutuar, pasi i kishin “afruar” edhe një vajzë ruse… Mirëpo ç’farë ndodhi, a e dini?! Ata ranë në dashuri me njëri-tjetrin, u martuan e pastaj erdhën këtu tek ju dhe u trashëguan… ”Lamtumirë K.G.B”. Ç’farë nuk bën Putini tani,- “Brat Moj” (vëllai im), në një plan më të gjërë, si me Çeçeninë, republikën më të vogël rebele, gjersa i nënshtroi çeçenët me zjarr e hekur dhe pastaj i dërgoi kundër Kievit të luftojnë si mercenarë, ku ukrainasit trima e asgjësuan gjeneralin e tyre që në ajër! Po nuk do t’i eci! Ukraina do të fitojë! Ai “amaneti” i poetit Shevçenko, bie tani si kambanë në veshin e ukrainasve dhe jeton e nuk shuhet, në ato rrugë e shtëpi të shkatërruara nga rusët e kur vetë rusët s’duan më që të luftojnë me vëllezërit e tyre. Ç’jort vazmi! (Dreqi ta marrë!). Pasi nuk mundi ta nënështroj Ukrainën ai i mallkuar po bombardon popullsinë civile.E janë rusët tani, duke e braktisur “Rusinë e Madhe”. Kam dëgjuar se spiunët e tij, vërtiten akoma nëpër Ballkanin tuaj të mrekullueshëm, me “oreksin” e dikurshëm”. Ugnei i thinjur fliste me zjarrë,-sikur do të thoshte edhe emri i tij…
Ata u përqafun kur u ndanë, sikur të ishin njohur prej kohësh! Ndërsa ne të dyve na u “lidhë gjuha” e “sytë e mëndjes” u përqëndruan nga katedralja e famshme. I rrëkëllyem edhe gotat në heshtje…
-Doja të isha edhe unë, në atë “shtëpi lëvizëse”, sikundër kam jetuar në Greqi 20 vite, në një shtëpi të tillë, por që nuk lëvizte fare,-thashë unë, i pikëlluar… Po mirë, si shpëtoi kjo katedrale e rrallë, ore Marko, nga e gjithë ajo luftë e tmerrshme?
-Ooo, ç’më “çanë kokën”!… Kjo është një temë tjetër që ti nuk do ta besoje kurrë!.. .Avionët Rus, gjatë luftës së dytë, kur mbërritën gjer këtu, lëshuan 14 predha mbi të e nuk e prishën dot. Devijonin predhat nga ana e lumit, gjersa shembën vetëm urrën… Thonë se kjo katedrale, e nisur që në vitin 1248 dhe e bitisur në vitin 1880, “hëngri” 632 vite punë e mijëra jetë ndërtuesish, arkitektësh, teologësh e artistësh të famshëm, sa u ngrit e madhërishme dhe shumë e bukur, sikundër e sheh,- një mrekulli e njerëzimit, me katër thesare brenda: me sëndukun e tre të diturve, me statujën e famshme të Madonës së Milanos, me varret e peshkopëve më të ndritur dhe me “Kryqin e Gores”, i gjithi prej ari! – tha Markoja, po nuk numërohen dot edhe monumentet e shenjtorëve e sidomos të Shën Pjetrit e të Maries së Shenjtë, prej të cilave mori edhe emrin, pa përmëndur dhe një mrekulli tjetër: tablonë e madhe të kryqëzimit të Krishtit, i cili edhe pse i vdekur, shpërndan një dritësim shënjtërie, hirësie e jete sa nuk ta rrok mëndja! Po nesër, atje do të të shpie që të pataksesh, ca më shumë edhe nga Akropoli, që e ngritën grekët e parë mbi shkëmbin gjigand të Atikës…
-Vërtet? Eh, sa do më pëlqente! E përsëri, nuk më mbushet mëndja, se si ka mundur të shpëtoj nga barbarët që s’lanë asnjë qytet e fshat, shesh e rrugë, vend e lulishte, shkolla e kisha, banesa me njerëz e fëmijë, pa i bombarduar, shkatërruar e djegur, atje në Ukrainë… Të dhëmb zemra kur e dëgjoj, e jo po t’i shoh në vënd…
-Qarkullojnë dy legjenda edhe për ketë “thagmë”! E para: që flet per “vendin e shenjtë”, ku u ndërtua kjo katedrale e magjistarëve të fesë dhe e dyta: që thotë se ishte “ngarkuar vetë Djalli” që ta ruante Katedralen me të madhe në botë nga ç’do e keqe”!… Ti tani, pi birrë e beso kë legjendë që të duash e që të pëlqen më shumë…
-E mirë, mire… Nesër të them, si ta shoh në vënd, por nuk më the, ore Marko vëllai, nëse bisedove rrugës, me atë aktoren e mplakur-psherëtiva unë,- për Samaillovën e famshme të filmit “Fluturojnë Krillat”, që ishte pararendëse në ikjet masive nga vendet tona, si nga Shqipëria, Lituania, Rumania, Bullgaria, ashtu edhe nga Rusia?…
-Oh, temë tjetër edhe kjo! Ç’thua, more, ajo e njihte mirë Tatjana Samaillovën, atë bukuroshen ruse që e dashuronim që të gjithë ne studentët e atëhershëm… ”Prelesnaja djevushka”, Vajzë e mrekullueshme,-përfundoi me egzaltimin e tij Markoja… Lijana e njihte që në shkollë…
-Porositim edhe nga nje birrë? E kanë të mirrë birrën, qeretallarët…. Çdo qytet gjerman ka birrën e tij.. .Ah, për krillat le të flasim. Ato janë të fisme, të qiejve të pastërta edhe kur shtegtojnë me mijëra, hapësirave të pafundme… Shpendë krenare, që shtegtojnë së bashku, po edhe të vallzojnë atje lartë, me elegancën e tyre, përpara “perëndive”, nëse ka akoma PERËNDI e na dëgjon dhe kur rrojmë, edhe kur vuajmë, po edhe kur vdesim…”.
Athinë, më 13 maj 2023.