Mumin Z. Shutaj: Vepra poetike e Rifat Ismailit
Vepra poetike e Rifat Ismailit me titull: “KËRKOJ TË ZBULOJ NJË SHKËLQIM”
Rifat Ismaili tashi i është i njohur krijuesve dhe lexuesve të artit poetik gjërësisht. Këtë e dëshmojnë veprat e tij që përshkojnë në shumë fusha ku i ka gjurmët e tija me rrjedhë edhe nga arti poetik në këtë rast. Është treguar i suksesshëm si poet, prozator dhe eseist dhe në ndonjë fushë tjetër. Ka treguar aftësinë dhe përkushtimin që herët, që në rininë e tij, duke u marrë me shkrime.
Që prej vitit 1986 ka filluar të shkruajë dhe botojë në gazetat dhe revistat e kohës. Është treguar mjeshtër i sukseshëm edhe në përkthime librash, zhanresh të ndryshme me sukses. Poezia e tij përshkohet nga ngjyrime të ndryshme, refleksive, dashurie, elemente filozofike, dhembje, por dhe nga historia.
Stili i tij si ndërtim vargu dhe fjalori, e ka formën mbarshtruese të vetvetishme, e që kjo na jep të kuptohet, se ka arritur ta vendosë krijimtarinë e tij në një rrugë të veçantë qoftë në shprehje, fjalor, muzikalitet, në metodologjinë e veçantë të ndërtimit etj. Vepra është e ndarë në cikle, gjë që na jep afinitetin përceptues të autorit si veti e një krijuesi të suksesshëm. Vepra fillohet me kryeradhën: “Fati i udhëtimit tim përtej detit”, çka paralajmëron përjetimet e tij sa të mundimshme, po aq edhe të padëshirueshme dhe me peshë që ia rëndon perspektivën. E tëra kjo ka simbolikën e saj narrative-filozofike, por edhe mjaft bukur e konkretizuar përmes stilit të tij si ndërtim artistik, si në vijim:
TI DHE UNË POR SI DY FJALË
Këpucët e mia
s’ rrojnë pa baltën.
Robinson Kruzoi
më dhuroi papagallin!
Është mjaft interesante fjala e poetit kur përshkruan përmes metaforës dy vendet ku ai ka bërë dhe bën jetë. Por kjo e ka lënduar në një anë dhe ana tjetër e detyron deri në padurim të qëndrojë dhe kalojë pjesë nga jeta e tij kahjesh të shumta. Vështirë e ka të përbashkojë dy elemente kundërthënëse dashurie, sa ky rrugëtim i bëhet një sfidë e padurueshme, e që i ngjason në fluturën pa krahë. Është peshë e rëndë jeta larg atëdheut, por që ekzistenca e detyron këdo të zëjë vend, aty nga rrjedh ajo siç edhe është shprehur autori këtë rast:
“Këpucët e mia
s’ rrojnë pa baltën.
Robinson Kruzoi
ma dhuroi papagallin”.
Ky është një realitet i dukshëm dhe i prekshëm përshkrues, e krijuesit të këtyre rreshtave përplot domethënie përvijuese, nga pjesët e përjetimeve që Robinson Kruzoi ia dhuroi papagallin. Kush ishte papagalli kuptohet në mes rreshtash. Më tej simbolika artistike mbi papagallin gjen hapësirën e saj që pikas autori si në vijim;
TI DHE UNË PORSI DY FJALË
Ti dhe unë
jemi
si dy fjalë pa lidhje!
E konkretizuar në mënyrë filozofike, antagoniste, është dheu nga lindja, e preku loti i ardhjes në jetë, dhe shumë faktorë e detyrojnë të flasë me një gjuhë tjetër në ambientin e pa parashikueshëm detyrues. /Dy fjalë pa lidhje/ Metaforikisht, dy botë qëndrueshmërie në më shumë forma e përvijuar të jetuarit me vite të tëra, ku nuk gjen qetësi shpirtërore, në njërën shpresëthyer, dhe tjetra që nuk i përket asaj që e ka lidhur koha dhe ambienti i trashëgimisë që nga lindja.
S’ JAM GJITHMONË KOLOMB
Varka e gëzimit tonë,
thellësi kërkon,
në dashurinë tënde,
ti më shpall Kolomb.
Vjershëtari R. I. skalit mjaft mirë diapazonin e tij të gjërë në ndërtim të vargut, përmes të cilit pasqyron artistikisht hallet që e kanë mbingarkuar njeriun tonë nga kohë të hershme. Po kështu edhe sot vazhdon tipologjia politike e zvetënimit, gjë që masën e gjërë e përplas keqas ngado. Ai si mjeshtër i ndërtimit arqitekturor të artit poetik me karemin e tij tërhjek dhe përbashkon dhembjet, përjetimet, mundimet e pafund, duke i krahasur me gjenitë që ka parë historia nëpër kohë. Në këtë rast është shembull tipik kur përshkruan udhëtimin e Kolombos nëpër botë, ku tretet duke kërkuar ta zbulojë shtatin e planetit ku ne frymojmë. Por kjo është sa e rëndë po aq e pa kapshme, për të, meqë e ka rrëmbyer plogështia historike shumëvjeçare për të gjetur pak qetësi e shijuar jetën në mënyrë normale në tokën Ëmë. Ai vetëm aty ndihet vetvetja, veshur me dinjitet dhe afri me parardhësit, por dhe trashëgimtarët të nguliten aty ku veten e ndiejnë zot të vendit të tyre ndër shekuj.
Kështu në mënyrën e tij mjeshtërore këtë ia drejton atyre që kanë shkelur orientimin e kahjes së ecjes përpara. Ndaj dhe shprehet duke e krahasuar vendin e tij me vet Kolombon në forma narrative të qëlluara kur thekson:
Varka e gëzimit tonë,
thellësi kërkon.
Në dashurinë tënde,
ti më shpall Kolomb.
Në këtë rast kuptohet se kujt i’a drejton këtë ndjenjë rrënqethëse, që i është shkaktuar nga duar të papastra, e që godasin jo vetëm ndjenjën e tij por në përgjithësi të mbarë shtresave të popullit, duke përjashtuar përpirësit e mirësisë së tyre.
VETMIA
Nganjëherë,
më duket se jetoj
në ishullin e Robinsonit
pa gruan,
pa librat,
pa pijen.
Për grua kam,
gjinjtë e dallgëve,
Për libra kam,
fletët e pemëve,
ku shënuar është,
gjeneza e botës,
gjeografia e gjelbër e jetës.
Për njeriun vetmia natyrisht është një barrë e rëndë gjithëpërfshirëse, por që kryesisht prek në ndjenjat e tij, që shkakton ngarkesa të shumta. Autori këtë problematikë e cila i është një përcjellëse e pandalur dhe e paftuar, që si poet e përshkruan njeriun shumështresash të tilla. Ndiesia i rrin pranë si një truproje që e përcjell si hija e tij.
Me të gjitha këto, brënda këtij korpusi vargjesh, poeti përmes tyre, dhe përplot elemente figurative fabule dhe narracioni siç e përjeton, gjithashtu edhe e përshkruan me mjeshtrinë e tij artistike. Në këtë rast e krahason veten me Robinsonin, dhe jetën e tij që bën disa forma në vetmi. Përdor mjaft qartë metodën krahasimtare, se si rrjedh jeta e tij si shumë të tjerë, larg njerëzve të dashur, të cilët gjenden diku në distancë gjë e cila i shkakton neveri.
Burim frymëzimi kryesor e ka njeriun, por që e krahason me Robinsonin e romanit anglez të autorit Daniel Defo. Udhëtimin e personazhit që ka lënë gjurmë të pashlyera te lexuesit e shumtë kurreshtar, dhe që në të pasqyron botën imagjinare dhe realitetin objektiv me të cilin bashkëjeton njeriu. Të gjitha këto elemente arti poetik rrjedhin nga imagjinata rrugëtuese e poetit. Ai në mënyrë mjeshtërore, sa i revoltuar, por që e përshkruan në mënyrë mjaft të qetë kur shprehet/ Nga njëherë më duket se jeton në ishullin e Robinsonit/ dhe vazhdon duke i renditur më të dashurit e tij si në vijim/pa gruan, pa librat, pa pijen. Ky peizash shprehjesh është brumë nga i cili nxirret dhembja, vuajtja, dhe dëshpërimi, ngase bën jetë larg tyre.
Në lidhshmëri vargu haset volum vargjesh, përmes të cilave ndiesitë ia zgjojnë kurreshtjen ndaj së kaluarës komplekse, por dhe mjaft të dhembshme kur merret në shqyrtim narracioni poetik në vijim:
ZEMËR RRETHUAR
Ndjehem një litar i prerë,
prej harresës.
Kjo jeta ime
nuk është më,
një sinfoni në harmoni.
Burim i këtyre ndërtimeve janë peizazhi gri i peripecive që janë sublimim i përjetimeve shtresore për njeriun kudo dhe kurdo. Jeta e njeriut në shumë raste mund të sjellë edhe përpëlitje në raste të veçanta, siç nënkuptohet katërvargëshi më lartë.
“Re shkronjash në trup” pasqyrojnë muzën e krijimtarisë e cila e nxit poetin të çlirohet nga ngarkesat e brendshme që e mundojnë ashpër, e që janë të shtresëzuara. Ato ngrisin ftesën e një organizmi të prirur natyrisht, për ta liruar ndjenjën e pezmatuar, duke derdhur permes vargjeve, që pasi hidhen në letër, arqitekti i pjellës së krijimeve poetike, e ndjen në një formë lirimin nga barra të padurueshme deri në dhembje niveli të lartë siç shprehet në vazhdim:
RE SHKRONJASH NË TRUP
Trupi m’u mbulua me re shkronjash,
dhe muza më puthi me afsh!
Një shi i beftë m’i lagu kujtimet,
u ktheva në letër të bardhë.
Ushtritë e shkronjave me heshta në duar,
ma shpuan zemrën tej për tej,
nga gjaku im ndezur e përvëluar,
rilindën perëndi e poetë…
Në këtë rast haset në një mbarështrim artistik i konsoliduar si përvijim udhërrëfyesi, që ka të bëjë me mjeshtrinë artistike të autorit, i cili jep të kuptohet, se edhe kur e nxit muza më shumë here, ngjan që e godasin kujtimet dhe dhembjet. Mëtej, ai befasisht e humb orientimin dhe shndërrohet në letër të bardhë, pra nuk e përballon as të ulet e zbrazi kupën e ngarkesave kur i përfytyron si objektiv.
Poetët kanë ndiesinë e vet prej force të thellë, sa në formë therrori poeti përshkohet, e që në këtë rast krahasohet të jetë në radhitje fuqie humane dhe shpirtërore deri në atë nivel, sa mund të zëjë vend pas perëndive.
Poetët priren të jenë me ndieshmëri të thellë dashurie ndaj botës së gjallë, me theks të veçantë ndaj njeriut. Prandaj ata qëndrojnë si truproje në mbrojtjen e pasardhësve, por edhe rrethit shoqëror në shumë segmente të jetës. Ndjenja e tyre humane nxit përkushtimin ndaj rrethit bën jetë, dhe përmes vargjeve, por dhe formave tjera qëndrojnë vertikalisht në të mirë të tyre.
Ndaj autori i këtij libri pasqyron përmes formës artistike dashurinë që ushqen për pasardhësit e tij, ngarkuar me një bagazh dashurie dhe përkushtimi të pa kufijshëm, kur përmes vargut flet me lexuesin, dhe atij ia shpërfaq qëndrimin personal sublim, ndaj pasardhësve të vet. Konkretisht bën fjalë për vajzën e vet si epiqendër e sinqeritetit të dashurisë dhe përkushtimit ndaj saj:
TI, BIJË
(Dedikuar Melisës)
Ti bijë erdhe papritur,
si një dallëndyshe,
nga kaltërsitë…
mbi krahët e lehtë
mbaje pranverën.
Piklat e vesës,
gonxhet e lulëkuqit,
stuhitë…
Këto shprehje të ndërthurrura me kujdes, përmbajnë komplekse portretizimesh, pleksur me dashurinë ndaj së bijës, së cilës i jepet roli i veçantë, nga e cila i ka sjellur diç të rëndësishme, gjë e cila ia ka rrëmbyer kujdesin dhe dashurinë me përmasa të fuqishme, dhe që ushqen i ati i saj për të. Vajza në këtë rast krahasohet me dallëndyshen, një shpend me bukuri të rralla, e që si të tillë merret si një shembull karakteristik ilustrativ artistik. Asaj në forma të ndryshme i jepet portretizimi i një pikture të veçantë, në të cilën sublimohen një sërë krahasimesh nga ndjenja e përflakur që e fton ndërtimi shpirtëror përmes formës artistike.
Qershor 2022.
Please follow and like us: