Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj: Trimi nga Bolena që ra në Vishegrad

 

Në gjurmët e heroizmit bolenas

Boço Mero Cacaj lindi më 1 janar 1924 në fshatin Bolenë të Vlorës. Ai u rrit me ndjenjën e patriotizmit që sundonte në çdo familje bolenase. Luftërat e pashoqe të bërë në shekuj i kishin shtuar namin e mirë fshatit dhe kishte rritur dhe burrëruar luftëtarë. Kënga “Bolenë e zeza Boleneë, që bëre dyfek me mbrenë”, u kushtohet të shtatë Leskodukajve, për të vijuar me sekretarin e Çelo Picarit, Majko Dervishi, me kapedanin çepeverdhë Sinan Malo Labi, me kapedanin Birbil Lesko Mingo, me Isuf Bushin e parë, me Sulo Sinan Allushi, trim i kapedanit të Bregut Odise kasneci, për Arif Hasani që e mori plumbin me vete, me Toto Hosi Bolena që u bë simbol i heroizmit popullor në Luftën e Vlorës të vitit 1920, apo të Mato Sako Robi që ishte burrë i mëndjes në parinë e Bolenës, etj.

Ky ishte edukimi dhe shkolla që mësoi Boço Cacaj në rininë e tij. Këto ngjarje dhe ndodhira tregoheshin nga të moçmit e Bolenës në takime popullore, por dhe në netët e gjata të dimrit pranë oxhaqeve në familjet e mëdha. Me këtë përgatitje morale dhe atdhetare e gjeti Boçon pushtimin fashist i vendit, dhe më pas zhvillimi i luftës italo-greke, ku kufiri i kësaj lufte kishte mbritur deri në Bolenë.

I riu Boço nisi rrugën e luftëtarit

Lëvizja antifashiste kishte zënë vend deri në Bolenë. Bijtë e saj kishin mundur të sillnin dhe të propogandonin idenë e luftës kundër pushtuesit dhe çlirimin e vendit. Me fillimin e lëvizjes, Boçua u tregua një ndër të rinjtë pjesëmarrës më aktivë të saj. Kështu ai u gjend më 27 nëntor 1942 në rreshtat e çetës partizane “Hajredin Tremishti”, ku komandant ishte një nga aktivistët e parë të lëvizjes, luftëtari nga Bolena, Kadri Ali Birçe me pseudonimin “Pisha”. Në ditën e inagurimit të kësaj çete, organizatori kryesor i saj Heroi i Popullit Memo Meto i porositi partizanët për detyrat e mëdha që kishin përpara. Midis shumë luftëtarëve që morën fjalën në këtë përurim, foli edhe Boçua, i cili plotësoi me nder fjalën që dha në betim. Në të gjitha luftimet që zhvilloi kjo çetë, si në Bregdet, Fterrë, Borsh, Zhupdenë, Pec, Kardhikaq, apo Mezhgoran, etj., kundër forcave fashiste italiane, Boçua tregoi trimëri të rrallë.

Në gusht 1943, luftëtarët e çetës partizane “Hajredin Tremishti” fill mbas Epopesë së Mezhgoranit u inkuadruan në batalionin “Asim Zeneli”. Batalioni në ditën e inagurimit mori urdhër të shkonte në afërsi të Libohovës, pasi fashistët italiane, në bashkëpunim me tradhëtarët, po përgatiteshin të zhvillonin operacion në krahinë. Në Manastirin e Cepos u la një çetë, ndërsa i gjithë batalioni, duke marshuar me shpejtësi gjatë gjithë natës, arriti në vendin e caktuar, spastroi zonën nga armiqtë dhe i detyroi ata të përqëndroheshin në qytetin e Libohovës. Batalioni pasi la një çetë në Suhë, dhe u nis menjëherë në Manastirin e Cepos sepse një forcë prej 1500 fashistë, të pajisur me armë e teknike luftarake, po përpiqej të hynte në krahinën Kardhiqit. Forcat partizane të ndihmuara nga forcat territoriale, luftuan ashpër dhe e detyruan armikun të tërhiqej në panik në drejtim të Gjirokastrës.

Në ditët e kapitullimit të Italisë fashiste, më 9 shtatorit 1943, batalioni goditi në afërsi të Urës së Kardhiqit dy autokollona armike, njëra e përbërë nga italianë të ardhur nga Gjirokastra dhe tjera nga gjermanë të ardhur nga Përmeti e Këlcyra. Me kapitullimin e Italisë fashiste vendin e tyre e zunë fashistët gjermanë. Batalioni ka zhvilluar luftime të ashpra më 2 tetor 1943 në kështjellën e Manastirit të Cepos kundër pushtuesve gjermane dhe më 16 tetorit 1943 kundër forcave tradhëtare të përqëndruara në katundin Gjorm të Vlorës. Pas këtij luftimi, batalionet “Asim Zeneli” dhe “Halim Xhelo” formuan Grupin e Parë të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Në përbërje të grupit batalioni “Asim Zeneli” zhvilloi luftime më 18 nëntor 1943 për çlirimin e qyteteve Gjirokastër, Përmet e Këlcyrë dhe organizoi pritën në Qafën e Kiçokut kundër autokollonës fashiste gjermane.

Batalioni mori pjesë në shumë luftime kundër nazistëve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre si në Cepo, Delvinë, Rrëzomë, Dëshnicë, Qafë e Gjashtës, Qafë e Kiçokut, Vendresh, Therepel, Buzë, Gllavë, etj., duke treguar shembuj të lartë guximi e trimërie. Në luftimet e Rrëzomës në malin Katulat, Boçua vrau një mitralier nazist, ia mori mitrolozin “Shars”, të cilin s’e lëshoi kurrë nga dora dhe kur u caktua komandat skuadre e ju kërkua që ta ndërronte me një armë më të lehtë.

Partizani me përvojë lufte në detyrën e komandantit të skuadrës

Në janar të vitit 1944 batalioni “Asim Zeneli” u inkuadrua në Brigadën VI Sulmuese. Në të gjitha luftimet që kjo brigadë zhvilloi në tërë krahinat e vendit deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë mori pjesë dhe partizani trim Boço Cacaj. Duke ndjekur bishën naziste dhe përtej kufijve shtetërorë, forcat partizane të Brigadës së VI Sulmuese, më 20 janar 1945, sulmuan qytetin e Vishegradit. Luftëtari Boço përjetoi ditët e netët në llogore në Bosnje. Luftohej në Drinsko, në afërsi të Vishegradit dhe këndohej: “Në Drinsko, në Vishegrad/ Po lufton Brigadë e Gjashtë,/ Sulmon, para shkon,/ Armikun e shpartallon”. Dhe brigada shkonte drejt lumit Drino, drejt Vishegradit, drejt atyre lartësive e luginave ku ishin vendosur ushtarët e Divizionit 181.

Nuk ishte hera e parë që brigada ndeshej me forcat e këtij divizioni. Megjithëse në terren të panjohur, tepër të thyer dhe shumë të pyllëzuar, brigada e ndoqi armikun këmba-këmbës, duke asgjësuar njëri mbas tjetrit nënrepartet armike që siguronin krahët dhe shpinën e Divizionit 181. Luftimet më të ashpra u zhvilluan në lartësinë 961 (Onah) nga batalioni i parë i brigadës ku bënte pjesë dhe Boço Cacaj. Kur forcat partizane morën pozicione, komandanti i brigadës dha urdhër që përparimi i tyre të ndalej. Shtabi organizoi zbulim përpara dhe në krah, dhe u mundua të bënte lidhje me forcat vendëse, për të luftuar armikun e përbashkët dhe të forcohej solidariteti luftarak midis popujve.

Në çlirimin e lokalitetit të Drinskos është dhe gjaku i Boços

Sulmi mbi pozicionet e armikut në Drinsko filloi herët në mëngjez, në atë ditë të ftohtë të janarit 1945. Tri shënja të kuqe të pistoletës, që u dhanë nga komandanti i brigadës, i hodhën partizanët e batalionit të parë dhe të pestë në sulm. Dy kompani të batalionit të parë, kompania e parë dhe e dytë, zhvilluan disa orë luftime nga ana e përroit te mulliri, gjersa morën të gjitha ndërtesat e fshatit. Në Drinsko ishin vendosur në pozicione mbi dyqint ushtarë hitlerianë. Luftimet në fshatin Çaçiç, ku sulmuan dy kompani të batalionit të pestë, e zunë armikun në befasi dhe, me një sulm të rrufeshem, ra Çaçiçi duke i detyruar hitlerianët të tërhiqeshin në panik. Batalioni i dytë, duke qenë se vepronte në lartësira të veshura me pyje të mëdha, në lartësitë në lindje të Drinskos e Çaçiçit dhe i nxori nga pozicionet ushtarët hitlerianë, që mbronin këtë lartësi, të cilët u tërhoqën drejt Vishegradit.

Goditja i zuri në befasi armiqtë. Nuk mendohej që aq shpejt të dilnin forcat partizane në këtë sektor dhe aq më shumë të sulmonin. Të tri batalionet i ndoqën në shpinë gjermanët gjer në breg të lumit Drina, duke hapur zjarr të dëndur mbi dy trena të mbushur me ushtarë, që kaluan në rrugen e trenit. Sulmet e brigadës vazhduan në drejtim të Vishegradit. Përleshjet bëheshin në afërsi të qytetit. Nga të dy anët u bënë sulme e kundërsulme. Shtabi i brigadës studioi situatën dhe urdhëroi batalionet të tërhiqeshin dhe të zinin pozicione.

Batalioni i parë të zinte pozicione në lartësinë 493 dhe në fshatin Drinsko (kodrat mbi fshat) me detyrë të thyente çdo sulm armik që mund të bëhej. Atij iu ngarkua detyra të merrte një lartësi dominuese mbi qytet, të cilën gjermanët e kishin të fortifikuar. Koha ishte shumë e keqe, dëbora arrinte deri në brez dhe shikimi ishte shumë i kufizuar. Një mitroloz armik pengonte shumë lëvizjen e mëtejshme të kompanisë. Lufta ishte e ashpër. Një partizan u vra dhe një u plagos. Duhej që pa tjetër të neutralizohej mitrolozi armik dhe këtë detyrë e mori përsipër vullnetarisht Boçua. Ai hodhi disa bomba dore mbi fortifikatën armike dhe e bëri të heshtte mitralierin gjerman. Kompania pushtoi lartësinë, përmbushi detyrën e ngarkuar dhe vazhdoi sulmin. Në këtë luftim ra heroikisht partizani trim Boço Mero Cacaj.

Në luftën për çlirimin e tokave Jugosllave dhe të Kosovës martire morën pjesë 45 partizanë bolenas, të cilët luftuan në kushtet e dimrit të egër 1944-1945, në territore të panjohura, por me një ideal të lartë për çlirimin e popujve liridasheës të ballkanit. Bijtë e Bolenës së bashku me partizanët e tjerë shqiptarë luftuan dhe çliruan territore në Mal të Z, Gjakovë, Kosovë, Sanxhak e deri në Vishegrad. Në këto territore dhanë gjakun e tyre pesë luftëtarë nga Bolena, dëshmorët e Atdheut: Tefo Ali Mataj në Gjakovë, Xhelo Heim Goxhaj në Mal të Zi, Boço Mero Cacaj në Vishegrad, Faslli Bejko Hasani në Sanxhak dhe Vano Muço Hasani në Vishegrad, si dhe u plagosën mjaft të tjerë.

Please follow and like us: