Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (6)

 

MËSUESI PJETËR P. PALI

 

Mësuesi Pjetër Prendush Pali ka lé në vitin 1914, në Hot të Jugosllavisë. Prindët e Pjetrit ishin Prendushi dhe Hana (Ana). Ka perfundue Normalen e Elbasanit dhe ka punue mësues. Asht kenë i martuem me Z. Gjyzepina Kumasku (Pali), mësuese dhe kishte tri vajza. Arrestohet në vitin 1946.  “Jam arrestue, por për shka s’e di”! Kështu fillon rreshti i parë i proçes-verbalit të mbajtun në hetuesinë e Seksionit të Mbrendshëm të Shkodrës (Shtëpia e Çiurçisë), me datën 27 nandor 1946, ora 8.00, me oficerin pyetës Abdyl Hakiu dhe sekretar Vehbi Fishta, i ruejtun në dosjen nr. 1251 (Arkivi M.M.Tiranë).

Pjetri deklaron:  “Kam mbarue Normalen e Elbasanit në vitin 1935. Jam emnue mësues në Bllac të Pogradecit në vitin 1936. Jam transferue në Shkodër në 1937. Në vitin 1938 kam shkue në Vlonë ku kam punue katër vjet deri në vitin 1942 që jam kthye prap në Shkodër. Jam pushue nga puna prej Gjonit Markagjonit deri në tetor të vitit 1945, që fillova përsëri si mësues në katundin Stajka të Shkodrës dhe kam vazhdue deri në korrik të vitit 1946. Tashti nuk fillova se u arratisa. Në vitin 1939 kam ikë në Trevllazër se nuk dojshe fashizmin. Atje nuk më pranuen fashist, kur erdha në Shkodër më dhanë triskën e fashizmit. Përveç mësues nuk kam ba punë tjetër. Shokë në Vlonë kishe: Pirro Mino, Veladin Zejnelin, Fane Shkufi, Spiro Pano, Musa Muho, etj. Në Shkodër kishe: Lazër Kakarriqin, Ndoc Fishtën, Gac Lecin, Lec Sekuj. Mësues ishe me Sllobodan Koçov, Marije Siliqin, Viktore Demën, Sofije Mazrrekun, Tonine Fishtën dhe, baxhanak kishe Kol Kosmaçin, mësues. Jam kenë indiferent deri në shtator të 1944 kur dola në mal nga frika e gjermanve, se kishe shoqnue Lin Dedën dy herë me u takue me kolonelin anglez Neill, ku asht bisedue çështja e Legalitetit, por unë nuk kam bisedue, as nuk kam kenë në dhomë. Mbrenda asht kenë Llesh Marashi, Lin Deda dhe nji inxhenjer italian, rreth nji orë e gjysëm, bile edhe përkthyesi i kolonelit doli jashtë me né. Kur duelne, Lleshi iku me makinën e tij, unë, Gjelosh Vata, Lini dhe inxhenjeri italian erdhëm me makinën e italianit. Për dy-tre ditë nuk e kam takue Linin; mandej, Lini iku, e unë ika se u frigova nga gjermanët. Qëndrova me forcat e Legalitetit në Gruemirë, me forcat e Sali Myftisë e Nik Sokolit. Unë simpatizojsha Legalitetin në fillim derisa u bashkue me gjerman dhe e mori vesht bota mbarë pse u bashkue. Kur mora vesht se u kthye Lini erdha. Kemi bisedue vetëm për lajme radiosh e komente të hapta me Lazër Kakarriqin, Angjelin Lekën, Zef Duodën, Simon Prendin, Xhemal Lopçin e Gjon Harushën.Me Gjelosh Vatën kemi bisedue se po dominuen anglezët vjen Zogu, se e mbështesin edhe Austria, Franca e Italia. Nga mesi i gushtit të 1946, ishte në klubin e Gjelosh Vatës (kushrini i em) Gjon Leka, që kishte në dorë një gazetë ku flitej për Konferencën e Paqës. Të dy folëm për gjendjen e keqe, unë i thashë: Mos trazoni tjerë në politikë mbasi ju tham unë kur me dalë në mal, lajmet jua jap unë se shka thotë radio. Gjon Leka një ditë më tha se kam ndrrue punë, kam hy në Seksion të Mbrendshëm në nji punë shumë të mirë. Edhe ti, më tha, rri urtë se të baj të keqën!”

  • Kaq ishte e mjaftueshme me formue grupin e “armiqve të popullit”.

Mbas një viti hetuesi, siç del edhe nga dokumentacioni nën kujdesin e katilit të njohun Ali Xhunga organizohën proçese, ballafaqime, shpifje, mashtrime, tortura shtazarake dhe simbas dëshmive të të mbijetuemve ky hetues deri në 1944 kishte kenë me “Ballin Kombëtar”, në Shkodër fitoi kredi dhe besim të përjetëshëm, tue u ba “antar i denjë i Partisë Komuniste Shqiptare” dhe instrument i fuqishëm në Sigurimin e Shtetit. Ka ngordhë tue torturue njerëz në hetuesinë e Ministrisë së Mbrendshme me terroristët Xheudet Miloti e Nevzat Hasnedari.

Me datën 2 dhetor 1947, plotësohet dosja për Gjykatën Ushtarake: “Për faje kundër shtetit dhe popullit”. Grupi përbahet nga:

  1. Gjelosh Vat Maçi, 37 vjeç, Traboin – Jugosllavi,
  2. Gjon Luc Leka, 25 vjeç, Shkodër,
  3. Mustafa Jakup Vodaj, 48 vjeç, Shkodër, furrtar,
  4. Pjetër Prendush Pali, 32 vjeç, Hot, Jugosllavi,
  5. Rrok Gjok Luli, 37 vjeç, Shkodër,
  6. Pjetër Gjok Luli, 43 vjeç, Shkodër,
  7. Tom Lec Marku, 25 vjeç, Shkodër.

Motivi i dënimit përcaktohet pothuej plotësisht nga prokurori i Shkodrës, Zurdi Shehu. Gjykata Ushtarake e Shkodrës, e përbame nga: Kryetari, Misto Bllaci, antarë P. Alizoti dhe A. Koroveshi, prokuror Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, zhvillon gjyqin tue u bazue kryesisht në proçes-verbalin e ballafaqimit ba me dt. 18 nandor 1947, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës nga oficeri Ali Xhunga:

Gjon Leka para Pjetër Palit: Më ka thanë se pa tjetër do të bahet luftë se do të vijnë anglezët, do të këthehët Zogu, se komunistët nuk i donë të huejt etj…

Mustafa Jakupi: Kemi ba mbledhje, Pjetri na diftonte çka thonë në radio, kemi pritë se vijnë anglezët, prandej edhe kemi krijue nji grup që na drejtonte Pjetër Pali. Ai ishte i lidhun me ata që kanë organizue edhe përpjekjen e 9 shtatorit…

Gjelosh Vata: Pjetrin e kam takue me anglezët dhe i kam çue letra, sa njenës palë sa tjetrës…

***

“Pjetër Pali mbasi dëgjoi Mustafa Jakupin, Gjon Lekën dhe Gjelosh Vatën tha: Thanjët e Mustafa Jakupit nuk janë asnji të vërteta. Përsa i përket thanjes së Gjelosh Vatës, për anglezët janë të vërteta dhe, se kam përcjellë Lin Dedën, por jo se kam marrë pjesë unë. Kam marrë nji letër prej Gjeloshit, me ia dhanë L. Dedës me pseudonimin “Paloka”, nji paketë me trakte dhe disa karikatura të klerit. Përsa i përket Gjon Lekës nuk asht e vërtetë të kemi folë njiherë me té, përveç, njiherë që e gjeta në klubin e nëpunësve me Gjelosh Vatën, kushrinin tem. Aty më diftoi se jam me punë në Seksion të Punëve të Mbrendshme e tue qeshë më tha, rri mirë, se kam në dorë me të ba keq! Nuk asht e vërtetë të kemi bisedue për shënime për mue, por ai më tha se prof. Syrri Anamalit nuk i kishte lëshue nji çertifikatë mirësjellje.

Për akuzat tjera që më bajnë: Gjelosh Vata, Gjon Leka dhe Mustafa Jakupi, nuk janë asnji të vërteta.”

Deklaruesi: Pjetër Palaj d.v.                        Oficeri: Ali Xhunga d.v.

Para Trupit Gjykues Pjetër P. Pali tha: “Akuza nuk asht e vërtetë, nuk kam kenë antar i Legalitetit, por, simpatizues. Me majorin anglez jam takue.  Kur erdhi fashizmi ishe mësues. Edhe mbas çlirimit ishe prap mësues. Lidhje me njeri nuk kam pasë dhe as nuk kam bisedue, por lajmet e radios i kam ndigjue. As propagandë për të pregatitë terrenin kundër Pushtetit nuk kam ba. Unë para se të hyjshe në punë ishe i pakënaqun, por kur u emnova ishe i kënaqun…

Me këta që ndodhen para gjyqit nuk kam ba bisedime. Gjelosh Vatën njiherë e kam takue ku, Gjoni më ka thanë se kam në dorë me të ba keq!

I pandehuri Gjon tha, se më pyeti për biografinë e tij.

I pandehuri Pjetër tha se nuk asht e vërtetë. Në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë. Në ballafaqim kam ba, por, nuk asht e vërtetë.

I pandehuri Gjelosh tha se disa janë të vërteta, disa jo, që janë thanë në ballafaqim.

I pandehuri Mustafë tha se ballafaqimi ka qenë me shtërngesë, unë nuk kam qenë armik i Pushtetit.

Foli prokurori Namik Qemali dhe dha prëtencën. Pastaj folën të pandehurit:

Pjetër Pali tha: Përsa akuzohem s’dij gja. Jam hjellë në krah të pushtetit. Nuk kam kenë agjent i Inteligent Servisit, as nuk kam punue kundër pushtetit. Punën teme e din Fronti (Spiro Pano).

Rrok Luli tha: Kërkoj mëshirë, e pranoj fajin.

Tom Leci tha: Rrnoftë Shqipnia e Trupi gjykues.

Mustafa Jakupi tha: Kërkoj mëshirë, jam fajtor.

Pjetër Gjok Luli tha: Kërkoj mëshirë se nuk kam ba gja. Pjetër Pali nuk na ka drejtue, as nuk kemi organizue kundër Pushtetit.

Gjelosh Vata tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor.

Gjon Leka tha: Kërkoj mëshirë se jam fajtor”.

***

Të dënuemit me vdekje kishin të drejtë me ba një kërkesë për “falje jete”, e cila përcillej nga organët e Seksionit të Punëve të Mbrendshme, në ndonjë rast nga gjykata, avokati ose ndonjë familjar. Kuptohet, një formalitet sa me thanë se u shqyrtue edhe ma nalt. Kjo kërkesë dorëzohej në Degën e Mbrendshme, mbasi përcillej prej sajë. Sigurisht, përveç, dokumentacionit shoqnues të dosjës së hetuesisë dërgohej edhe një relacion nga kryetari i gjyqit, shpesh nga prokurori i rrethit ose i gjyqit dhe kur ishte fjala me e çue tjetrin në plumb, relacioni bahej nga Kryetari i Degës së Mbrendshme, si në rastin e Pjetër P. Palit.

Kur lexova në fillim të hapjes së gjyqit listën emnore të grupit, më bani përshtypje pse vetëm Mustafa Jakupi kishte të shënuem profesionin “furrtar”, gja të cilin tjerët nuk e kanë! Arësynë e kuptova vetëm në fund të mbylljes së çështjes, gja që keni me e kuptue edhe ju!

Seksioni i Sigurimit të Shtetit Shkodër, dërgon për shqyrtim në Gjykatën e Naltë vendimin e Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, dhënë më dt 2dhetor 1947, për të pandehurit:

“1. Pjetër Prendush Pali dhe 2. Mustafa Jakup Vodaj, me vdekje, me pushkatim…”

  • Akuza e Pjetër Palit, ka qenë antar i Partisë Fashiste nga të parët. Ka urryer Lëvizjen Nac.Çl. dhe sidomos P.K.Sh. I ka luftuar me çpifje e poshtërsi… Ka qenë antar i organizatës trathtare të Legalitetit në kohë të gjermanve, ka punuar për të dhe është qenë në lidhje me eksponentë në Shkodër si Lin Deda, Llesh Marashi e Daut Kombi, ku bashkë me ta është takuar me kol. anglez Neill… Mbas çlirimit, me aktët e tij reaksionare vazhdon takime me Legalitetin e elementë të pakënaqur dhe kështu mendon t’i organizojë…

Ka formuar një grup kundërshtar me Gjelosh Vatën, Gjon Lekën, Tomë Lecin dhe Mustafa Jakupin, ku kanë diskutuar çështje me karakter politik kundër Pushtetit… Kanë komentuar lajmët e radiove duke paraqitur gjëndjen e turbullt dhe plasjen e një lufte të re botrore, që kjo do të përfundojë në favor të Anglo-Amerikanve…

Ka qenë përgjegjës i grupit të sipërm ku pjestarët i ka udhëzuar mbi punën që do të zhvillojnë kundër Pushtetit të sotëm, të cilin donin t’a rrëzojnë me violencë.

Ka udhëzuar antarët e grupit për të punuar në prëgatitjen e Përpjekjes së 9 shtatorit 1946, ku  dhe vetë ka punuar në këtë drejtim…

Kryetari i Seksionit të Mbrendshëm d.v. (firma)

  • “Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e mbledhur sot më dt. 6 mars 1948, e përbërë nga Kryetari major Niko Çeta, antarë kap. I Nexhat Hysejni dhe Kap. I Mustafa Iljazi, prokuror kap. Nevzat Hasnedari dhe kryesekretar Thoma Rino, vendosi:

Aprovimin e vendimit 457 dt. 2 dhjetor 1947, ME VDEKJE për PJETËR PRENDUSH PALIN, dhe modifikimin me privim lirije, përjetë për Mustafa Jakup Vodaj.

Vendimi është i formës së prerë”.

Pjetër P. Pali u ekzekutue më 11 mars 1948, në Zallin e Kirit në Shkodër, me Prelatët e Klerit Katolik. Pse u pushkatue me këtë grup?  Krytari i Gjyqit, Misto Bllaci, vlleh, shënon disa herë:

  • “Të pandehurit Pjetër Pali dhe Rrok Luli, kanë qenë të lidhur me Komitetin Organizativ klandestin të Shkodrës, me anë të Klerit Katolik, të cilët e mohuan para gjyqit. (Dosja1251, fq. 7).

…Kanë marrë letra prej Gjelosh Lulit, me ia çue Cin Serreqit, e ky Françeskanëve…

Në mbledhjen e parë kanë caktuar si kryetar Pjetër Palin dhe sekretar Rrok Lulin. Direktivat e grupit i jepte Pjetër Pali… Ai i merrte direktivat nga Organizata terroriste Demokristjane në fillim, pastaj nga Komiteti i Përbashkët për Shkodrën…”.

Misto Bllaci d.v.

  • Edhe një Martir në Elterin e Atdheut:

I pafajshmi Pjetër P. PALI.

 

IMZOT PROF. JUL BONATTI

“Shteti komunist në përputhje me kushtët konkrete përpunoi platforma politike dhe zbatoi metoda e mjete antikatolike tepër të sofistikuara”, Ajèt Shahu.

Ka lé në Shkodër më 4 maji 1874. Prindët e tij ishin Aleksandër e Roza Bonatti. Asht laurue në filozofi dhe letërsi në universitetet e Vjenës së Austrisë dhe në Padova, n’Itali. Ka pasë edhe një motër murgeshë që thirrej Motër Veronika. Porsa ka mbarue studimet asht shugurue meshtar, ka shkue në Stamboll, ku ka shërbye për 16 vjet. Atje ka mujtë me kërkue ndër arkiva mjaft materiale historike që ma vonë i vlejnë për punimet që do të kryente dhe që janë një thesar i madh për shkencën shqiptare.

E vërteta asht e msheftë mbasi nga materiali që kam kalue nëpër dorën teme nuk bahët fjalë se ku mund të jenë ata punime aq me vlerë.

Dikush me siguri edhe mund të dijnë!

Mbas Stambollit, vjen me shërbim fetar në Durrës ku punoi për 10 vjet, mandej 3 vjet të tjera ishte në Vlonë. Atje u njohtë me Papa Petraq Isakun, prift katolik, si duket edhe ai një klerik i pergatitun mirë, mbasi Imzot Bonatti flet me respekt për té. Edhe ai përfundoi në birucat e Sigurimit të Vlonës dhe me sa shihët nga një shënim jo i saktë, asht kenë mbytë në hetuesi ose asht pushkatue. Mungesa e dokumentacionit nuk më lejon me dhanë mendim të saktë për té, ndonse edhe permendet ma vonë.

Imzot Prof. Jul Bonatti prej vitit 1942 ishte në Itali, për arësye shëndeti. Atje vazhdon punën shkencore dhe letrare deri në vitin 1946 që e këthejnë në Shqipni. Ka jetue në Montecatini dhe me sa dukët atje kanë mbetë edhe dorëshkrimet e tija. Me të ardhmën në Shqipni, vjen në Shkodër për me takue At Mati Prennushin, i dërguem nga Imzot Vinçenci. Me këtë rasë merr edhe një ndihmë të vogël materiale mbasi kur u kthye nga Italia, nuk mujti me marrë as teshat e trupit prej andej.

As sot që kanë kalue ma shumë se 50 vjet që u kthye nuk di me e kuptue se cila ishte arësyeja që u dërgue ky njeri në Shqipni, vetëm në kjoftë se e nisën për “kurban”, mbasi arësye tjetër nuk di me gjetë! Nga disa filma dokumentarë të asaj kohë për ngjarjet në Itali, dyshoj për ndonjë marrveshje të mësheftë të Italisë me Tiranën komuniste!

Për pak muej shkoi në Vlonë ku, kishte shërbye si famullitar edhe përpara pushtimit komunist. Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Bonatti, pra, pak muej mbas kthimit nga Italia.

Hapet dosja nr. 3616… Me gjithë mangësitë e saja, tregon dishka që për mue më ka ngjallë interes. Në hetuesi Imzot Bonatti deklaron: “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”

Rreshti i fundit për mue flet gjithshka! Plot një vit hetime.

Po shka deponon i shkreti Imzot Bonatti?  “…nuk kam lidhje politike me konte Salvonin. I kam thanë për Flamurin tonë Kombëtar, pse kështu nga fashizmi? Nuk më pëlqen aspak vëprimi i juej!

Për fëtyrën e Papës merren lajmet nga agjensi që janë kundër Papës. Papa mbron popujt e vegjël dhe nuk asht e vërtetë që Papa me kenë kundër njerzimit.

Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës.

Feja Katolike ka anmik kryesor gabimin dhe jo gabimtarët, i cili gabim asht komunizmi, por komunistët i ka vëllazën”.

Asht fat që në shpjegimet biografike tregon disa detaje që me siguri nuk do të ishin ditë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë”.

Edhe pse asht i arrestuem Sigurimi vazhdon grumbullimin e informatave: “…ka lidhje me Tol Arapin e Jan Boskon, shkojnë me biçikleta në mbrëmje tek shtëpia e Bonattit”(dt. 30. 06. 1947). Do të dishrojsha me ditë, kush ishte ky Jan Bosko?

– Kujt i përket ky emën?

“… përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.”  (dt. 10 qershor 1946).

“… shoh dy vetë që vejnë në darkë tek prifti Bonatti, por nuk i njoh kush janë, ato ikin shpejt me biçikleta, për të mos i parë njeri…” … sigurisht makina e Sigurimit ishte e zanun me arrestimet e shumta… nuk kishin me shka me ndjekë spijujtë e Vlonës priftin! Besohet kjo?!…

Prokurori Beqir Isufi shënon: “Prifti spijun i djallzuar…”.

Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë”.

Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “… agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor) dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…”.

Me datën 27 tetor 1947, jepet vendimi: “7 vjet burg, me heqje lirie”.

Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vendimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”.

  • Prof. Arshi Pipa në shkrimin e tij “Monsignor Vinçenc Prennushi (in memoriam)”, me datën 28 shkurt 1995, në Tiranë, shkruen: “… Mbaj mend nji skenë të devotëshme në infermerinë e burgut, ku unë u shtrova mbas kthimit në Durrës nga kampi i Vloçishtit. Në infermerinë e burgut gjeta Imzotin qi vuente prej asmës. Kjo ishte e tillë sa me e lanë pa frymë prej gulshimit. Nji ditë prunë në infermeri Don Jul Bonattin, famullitarin e Vlorës. Kur i thashë kush ishte i smundi qi përpëlitej, ai u ngrejt prej shtratit dhe ngau me i puthë dorën Imzotit. Monsignori tërhoqi dorën, bekoi me té Don Bonattin dhe u përmbys në shtratin e vet”. (marrë nga origjinali).
  • A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?

Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né. Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast.

Në materialet arkivore vërejmë disa dënime të “buta”, nëse do t’i quajmë kështu. Edhe Imzot Prennushi dënohet 20 vjet, ndërsa Don Anton Zogaj, sekretari i tij pushkatohët. Don Zef Maksen (gjerman) dënohet pak vite, por merret natën nga burgu dhe vritet. Enver Hoxha kishte zgjedhë rrugën e dredhisë përpara opinjonit të huej. Po pyetën të huejt “ç’u bë Imzot Bonatti?”, ne  do t’i themi – “e kemi në spital për mjekim”, më vonë, “shohim e bëjmë!?”.

***

Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim.

Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i tij me té.

Njëditë ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.

Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njoftun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni…. dhe çohet në manikomjo.. .fantazia e kriminelit asht e pafund….

  • Imzot Prof. JUL BONATTI, një ditë thanë se ndrroi jetë!

“Ndrroi jetë…” një fjalë goje!

U gjet në një dhomë copa-copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”. Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin?

-Jo, jo! E, prap po përsëris, jo!

-Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij e me gishtin tregues tue vrritë si qentë : “Tradhëtarë, …”!

  • Harroni, harroni, po deshët!

Por, mos harroni se:

Çobajt e kafshëve të egra janë ma të egjër se kafshët e tyne!

 

PROF. ARSHI PIPA DHE PROF. PRENKË KAÇINARI

Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i ashpër dhe i rrezikshëm. Përditë e ma tepër specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht, që në fillim i mungonte eksperienca por shpirti i keq dhe i mbrujtun me krime, ishte zgjedhë me kujdesin ma të madh ndër këta organe të mnershme e terroriste. Bie në sy që në fillim të vëprimëve të para mënyra e përzgjedhjes së elementit që kanë ndër mend me arrestue. Kryesisht merrët pikë orientuese shkolla që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën e mesme ose të naltë. Kontrollohej rrethi familjar dhe shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën komuniste ose jo dhe se a mund të na shërbejnë ne ose jo. Në shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa në pikëpamje mbarshtetnore janë në shënjestër edhe ata që kanë përfundue gjimnazin e shtetit në Shkodër. Ishte koha kur ishstudentët e vitëve maparë kishin mundësinë me u hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në rrethët  komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose kanë kenë indiferent ndaj vëprimëve të tyne. Kush mund të kishte shprehë ndonjë fjalë u quejt menjëherë “armik i popullit”, ose u mendue si “zog” i çelun në çerdhën e reaksionit që ishte “Shkodra”. Shumë nga studentët e ardhun në Shkodër, pa përjashtue ata që jetuan në Konviktin e njohtun “Malet tona”, ose që kanë banue në Shkodër, por që kanë ndjekë shkollën në këtë qytet kjoftë edhe atë femnore të Motrave Stigmatine apo “Donika Kastrioti”, u ndoqën njësoj si nxanësit e shkollës Fullcit.

Piknisja e Sigurimit të Shtetit nuk ishte vëprimtaria e një personi; shkolla ishte pika e referimit, ndërsa, themelore ishte ajo që i shkonte në mend Sigurimit se shka mundët me pasë koka e atij që kishte atë rrezik me u vue në listën e njerëzve të rrezikshëm për pikëpamjet e tija, kjoftë edhe të pashfaquna. Pra, mjaftonte me i shkue mendja dikujt nga kta terroristë se ky përson asht “i pakënaqun” e, mbyllej dosja, sigurisht tue paracaktue edhe dënimin e “merituem”.

Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi të çonte në duertë e kriminelëve: Cuf Lohës, Ali Qorrit, Ndrekë Nallbanit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit, Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil Kapisyzit, Jonuz Dinit, etj. ose, një telefon nga “qendra” dhe të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të shihësh ma dritën e diellit.

Po, sa të pafajshëm u zhdukën prej duerve të këtyne katilave?

As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta ndonjëherë. Derisa të mbulohet gjenocidi që i asht ba gjithë Popullit Shqiptar, shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të fyem dhe të poshtnuem.

Me këtë mendim besoj, do të ishin dakord edhe brezi i njohun i Prof. PRENKË  KAÇINARIT dhe Prof. ARSHI PIPËS.

  • Të dy ishin të burgosun në vitin 1947. Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër tortura, të dy t’uritun, të dy të “pa marrun vesht”, të dy të humbun ndër birucat e burgjëve të Durrësit, të dy “agjenta” se kanë mbarue shkollat e larta, të dy direkt ose indirekt të simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë, të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të kulturës shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt majave të vështira, por që vezullonin si zafire për me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të ardhëshme drejt Evropës. Por, ç’e don, të dy të “infektuar” nga Kleri Katolik! Prandej, dënimi i dhanun nuk asht i mjaftueshëm… duhën ridënue… Ashtu u veprue!

PROF. ARSHI PIPA “(Dosja 1167), vjeç 27, lindur në Shkodër (nga Libohova), banues në Durrës, profesor, në gjendje ekonomike të mirë, i dënuar nga Gjykata Usht. Tiranë me dy vjet privim lirie, për vëprimtari kundër Pushtetit Popullor, u muar sot më 5 dhjetor 1947 në pyetje nga Prokurori Publik i  Prefekturës së Durrësit, Sotir Qiriaqi: – I pandehuri ka patur të proçeduar për veprimtari antipushtet vëllain e tij Muzafer Pipa, i vdekur në burgun e Shkodrës…”.

  • Në rreshtin e parë fillon gënjeshtra! Duhej shkrue: “… Muzafer Pipa, i vdekur në tortura në Sigurimin e Shtetit në Shkodër… i padënuar…”.

Vazhdon ma poshtë prof. Pipa:

“1. Për akuzat e reja që m’atribuohën si rrjellim çka ka dalë nga proçesi i Gjyqit të Tiranës, kundër grupëve të organizueme kundërshtare, unë jam krejt në padijeni të tyne dhe nuk asht aspak e vërtetë që kam qenë bashkëveprues me të dënuemit, ose të pandehurit e grupëve të Durrësit të kësaj organizatë. Unë shtoj, se edhe dënimi em i maparshëm, me akuzat që mu banë në atë gjykim kanë qenë disa akuza të pavërteta, të disa të rijve çiliminjë që kanë intërpretue disa fjalë të mija.

– Mbi akuzat tjera që më përmendën, unë i mohoj, e kam deklarue edhe para gjyqit që më asht ba se me të dënuemit Is-han Podgorica, se mardhanjet e mija shoqnore nuk kanë kalue cakun e marrdhanjëve profesionale për shkëmbim mendimesh për çështje letërsie, dhe kurr ndonjëherë nuk kemi bisedue ose shtrue çështje për vëprimtari kundër Pushtetit. Me Hysen Çelën nuk kam as njohje, vetëm e njoh kështu si ftyrë, kështu që vetvetiu edhe akuza që më bahët në lidhje me té asht e pavend. Po kështu nuk njoh aspak as edhe si ftyrë Skënder Çelën.

– Akuzat që po me bahën tash unë i kam marrë vesht me anën e fletorës “Bashkimi”, dhe nga zhvillimi i gjyqit të Tiranës, ku i dënuemi Beqir Çela, ka pohue se unë paskam qenë i ndërlikuem me I. Podgoricën, dhe ky direkt me Beqir Çelën ishin në këtë organizatë që u zbulue. Këto pohime të Beqir Çelës i mohoj plotësisht mbasi as kam pasë dijeni, as pjesë në organizata që ekzistonin këtu në Durrës.

– Unë mohoj gjithashtu pohimët që kanë ba para hetuësisë dhe para Gjyqit të Tiranës, të dënuemit anëtarë të Komitetit të Qarkut të Durrësit, Selim Kokalari, Sulo Konjari dhe R. Tabaku, për që unë të kemi qenë antar i kësaj organizate me pjesmarrje në grupin Social-Demokrat.

– Unë mohoj, se këta i kanë ba këta pohime tue dijtë se unë kam qenë një përson që nuk e simpatizoj Pushtetin Popullor, sikurse e kam pohue edhe ma parë në gjyqin e maparshëm. Kështu më kanë kallur këtë akuzë, siç kundër u a kanë kallur edhe të tjerve.

– Me të burgosunin H. Ballhysi nuk kam patur asnjë mardhanje për aktivitet kundërshtar, kështu që edhe emni i tij që përmendët si pjestar i grupit social-demokrat për mue asht i pavend.

– Unë duke mohue edhe njëherë akuzat e sipërme ju shtoj përfundimisht, se veprimtaria e eme kundër Pushtetit detërminohet mbi sa kam thanë në gjykimin e parë. Ma vonë shtoj, se detërminohet e shpreha me qëllim me thanë: kufizohet.

– Unë sikurse thashë, jo vetëm që nuk kam pasë mardhanje e marrë pjesë në këto grupe që u zbuluen, porse edhe absolutisht nuk kam pasë dijeni që të kenë ekzistue një organizatë e tillë kundërshtare.

Mbasi nuk kam gjë tjetër për të shtuar sëpse i pandehuri i përgjigjet me  mohim ju dha fund pyetjes së tij, të cilat si ju kënduan i vërtetoi me nënshkrimin e tij.”

I pandehuri ( Arshi Pipa) d.v.

Prokurori Publik  i Prefekturës (SotirQiriaqi)d.v.

Proçes-verbal i Seksionit të Sigurimit  Durrës,  Nr. Regj.66,

Simbas shkresës përcjellëse nr.3053 dt. 02. 12. 1947, i dënuari ARSHI  PIPA, me fakultet Filozofije në Firencë, nga Libohova, lindur në Shkodër në vitin 1920, ti vazhdohën pyetjet.

Prokurori Publik i Prefekturës: S. Qiriaqi d.v.

“Mbasi nuk mbetët gjë për të shtuar, sëpse i pandehuri përgjigjet me mohim. Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipërme…

Prokurori… firma.

Fletë-akuzë: I pandehuri Arshi Pipa ka qenë armik i popullit… Për të gjitha këto që përmenda më sipër, neve propozojmë që i pandehuri Arshi Pipa të gjykohet edhe njëherë nga ajo Gjykatë Ushtarake, mbasi dënimi i parë i është dhënë i pakët sëpse mungonin edhe faktët. Me qenë se veprimtaria e të pandehurit ka qenë e vazhdueshme kundër Pushtetit Popullor dhe se parimet e tija kundërshtare nuk pajtohën kurrë me vijën e Pushtetit Popullor, propozoj, që të marrin dënimin më të rëndë.

Veprimtaria armiqsore e të pandehurit Arshi Pipa faktohet edhe më tepër në proçeset e armiqve të popullit, si më poshtë vijon:

Selim Kokolari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat bashkë me H. Ballhysin, I. Podgoricën, H. Çelën etj.

– Sulo Konjari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat dhe ka qenë elementi më aktiv i këtij grupi, bashkë me H. Çelën, I. Podgoricën, Skënder Çelën e H. Ballhysin.

– R.Tabaku thotë: Arshi Pipa ka propaganduar vazhdimisht kundër Pushtetit në fuqi dhe për ndrrimin e situatës me ndërhyrje nga jashtë.

Ka punuar kundër Pushtetit në mënyrë sistematike me elemente të pakënaqur nga reformat… Duhët ridënuar…”.

Prokurori… firma.

 

PROF. PRENKË KAÇINARI: (Dosja1167).

Ka lé në Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet e larta në fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937 në Lion të Francës.

Vjen profesor në Shkodër. Ka miqësi me Dr. Federik Shirokën, me të cilin asht mjekue dhe ka ba pjesë në Organizatën “Balli Kombëtar”.

Në vitin 1946, transfërohet mësues në Korçë, ku arrestohet pikërisht kur ishte tue verue mbasi ishte randue nga sëmundja dhe:

“… Akuzohët:

– Se ka vazhduar shkollën nëpërmjet të Klerit Katolik.

– Ka bashkpunuar për ardhjën e fashizmit.

– Kur erdhi Italia u holl në mal me “Ballin Kombëtar” dhe në Kishë tek priftërijtë shtypte trakte, merrte udhzime nga kleri katolik dhe elementët e pakënaqur në Tiranë, gjoja i sëmurë rrinte i mbyllur në shtëpi.

– Ka bërë pjesë në grupe Social-Demokrate, kishte lidhje me profesorët e Korçës, Foto Bala, Sulo Klosi etj.

– Ka punuar për të rrëzuar Pushtetin Popullor dhe për shkëputjet e lidhjeve me Bashkimin Sovjetik për t’u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas tij, që donte të thonte të lidhesh me Anglo-Amerikanët.

–   Ka propaganduar për të rrëzuar Pushtetin me vjolencë.

– Ka punuar me elementët e rinjë për të patur lidhje me demokristjanën dhe grupet e social-demokratës të udhëzuara nga Prenka.

Veprimtaria armiqësore e tij vërtetohet edhe nga të pandehurit:

– Selim Kokalari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i grupit të organizatës Social-Demokrate që nga formimi i saj.

– Sulo Konjari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i partisë Social-Demokrate.

– Gjovalin Vlashi thotë: Unë kam folë rreth gjendjes së formueme në Shqipni, gjithmonë kundër Pushtetit.

Ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.

– Xheudet Tirana thotë: Elementët që unë kam biseduar kundër Pushtetit Popullor dhe që ishin një mendimi me mue, ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.

– Pashko Gjeçi: Në mbledhjën e parë që kemi ba në Lice në Durrës, ka kenë edhe Prenkë Kaçinari… Një mbledhje e kemi ba në shtëpi të Vasil Zirit, dhe një tek Simon Deda, një tek Stavro Frashëri…Ndër të gjitha ka kenë Prenkë Kaçinari.

Në grup kishim edhe Pjetër Gjinin, Nush Radovanin, Kol Ashtën, Ndrekë Demën, Prenkë Kaçinarin, Simon Dedën, Luigj Ljarjen, Gaspër Jakovën, këta ishin për Social-Demokratën.”

Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipën, Hysen Ballhysin e Pashko Gjeçin, përpara Trupit Gjykues të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga: Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku dhe Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.

  • Me datën 18 dhetor 1947 Prof. ARSHI PIPA deklaron para Trupit Gjykues: “Përsa i përket akuzës që unë të jemë antar i organizatës trathtare nuk asht e vërtetë, dhe s’e pranoj. Unë me Sulo Konjarin dhe Selim Kokalarin nuk kam pasun ndonjë lidhje e ndonjë miqësi dhe nuk i njoh. Unë artikujt në kohën e Italisë i kam shkrue në revistën “Kritika”. Kam shkrue mbi Fan Nolin etj. Is-han Podgorica asht profesor… Pushtetin Popullor nuk e kam pa me sy të mirë. Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja për situatën dhe çështje politike. Proçesi i em i bamë në Prokurori tregon se nuk kam rrejtë, por jam mundue me thanë të vërtetën. Gjithë faji i em asht se nuk jam dënue njëherë e mirë, dhe tash më sjellin prap në gjyq për të më akuzue për organizatën që u zbulue, por unë nuk kam marrë pjesë në té. Me I. Podgoricën kam bisedue çështje letrare por çështje politike nuk kam bisedue, mbasi nuk kam qenë marrë me politikë por kam ndejë tue studjue gjithmonë.  Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja. Me ata që më kanë akuzue mue, unë kërkoj të ballafaqohëm. Me Hysen Ballhysin nuk kam bisedue gja, me të jam takue disa herë por në shtëpinë e tij nuk kam qenë asnjëherë. Bisedoja se si je, por kurr çështje politike. Skënder Çelën unë nuk e njoh, por mundet që ai më ka ndigjue emnin tim si profesor që unë ishe.

Unë në shtëpia të shokve të mijë nuk kam shkue ndonjëherë. Pashko Gjeçin e kam njoftë dhe që të kem bisedue gjana letrare po, por, jo, gja politike. Përsa i përket akuzave që më bajnë dy të rinjë, unë këtyne i jepnja mësim privat dhe nuk kanë kuptue mirë fjalët e mija. Nxanësit nuk kishin ndonjë simpati karrshi meje, unë u jepja mësim privat se më paguejshin edhe ata kishin interes me mësue. Sulo Konjarin nuk e njoh, për akuzën që më ban të mejtohet me ke ka qenë! Me R. Tabakun jam takue në kafe por nuk kam bisedue kundër Pushtetit, dëshroj të ballafaqohem! Në kohën e fashizmit më kanë propozue të bahem kryetar i një reviste italiane që do të delte në Shqipni, por nuk kam pranue. Me Selim Kokalarin nuk kam pasë asnjë bisedë dhe nuk dij pse më akuzojnë”.

Pyeten dëshmitarët Pashko Gjeçi, H. Ballhysi, I. Podgorica, dhe deponojnë ato akuza që kanë deklarue masipër.

“I pandehuri Arshi Pipa mohon thënjet e tyre, nuk janë të vërteta”. Për secilin përsëritë thanjet e bame para Trupit Gjykues.

Pyetet PROF. PRENK KAÇINARI, i cili deklaron: “Kam kenë profesor në Shkodër. Atëherë nuk kishte Këshill të Lëvizjes N.Çl., por Lëvizje N.Çl. kishte. Në korrik të 1943 kam shkue në Shllak me “Ballin Kombëtar” për t’i ikë kuesturës. Me Mit-hat Frashërin jam takue në fillim të 1943 dhe bashkë me Zef Palin, jam organizue me “Ballin Kombëtar”. Në Tiranë jam takue me R. Barbullushin që më foli për Social-Demokratën, por unë i thashë, se jam i sëmurë e nuk due me dijtë gja për këtë punë. Pashko Gjeçin e njof, por nuk kam ba pjesë në ndonjë organizatë me té. Thanjet tjera nuk i pranoj, mbasi me ata përsona nuk kam asnjë lidhje. Me Klerin Katolik nuk kam pasë asnjë lidhje. Kam njoftë Don Mikel Koliqin dhe Don Ndre Zadejën. Me Don Ndreun kam bisedue vetëm për probleme filozofike dhe letrare. Nuk dij se ka pasë ndonjëherë në Shqipni organizatë apo parti demokristjane. Unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë parti apo organizatë trathtare klandestine. Jam kenë antifashist.  Don Ndre Zadeja dhe në përgjithsi Kleri nuk e ka simpatizue okupacionin dhe fashizmin. Mbas 1944 nuk jam angazhue në politikë, ata që më akuzojnë nuk dij mbi ç’baza më akuzojnë”. (Dosja 1167, po aty).

Thirret Pashko Gjeçi, i cili deklaron: “Preka më duket se ka kenë në mbledhje të Durrësit me Partinë Social-Demokrate, kështu e dij unë”.

“Prenk Kaçinari i përgjegjet: Unë nuk kam ndonjë anmiqësi, por le të pohojnë drejtë”.

Edhe ndonjë dëshmitarit tjetër të parapregatitun Prenka, gjakftohët dhe me ton burrnor i jep atë përgjigje që meriton. Jam i sigurt, se këta dëshmitarë të topitun para qëndrimit të palëkundun të Prenkë Kaçinarit, fillojnë që në gjyq me mohue jo aq nga turpi, sa nga mendimi i gabuem i tyne, se në gjyq ata nuk kanë me kenë ndonjëherë përballë Prenkës.

Vetë përdorimi i fjalës “më duket” se ka qenë edhe Prenka!…, tregon lëkundje, një lojë që gënjeshtarët e përdorin shpesh me mendimin që i akuzuemi  me u lëkundë në qëndrimin e tij dhe po e hangri “ullinin”, hyni në grackë, ose ma vonë me pasë mundësinë me i thanë viktimës: “Të dhashë një mundësi me mohue!”. Faktet tregojnë se ata mbetën gjithmonë akuzues dhe shpifës, ndërsa burra u rikëthyen vetëm ata që para gjyqit thanë: “E kemi pranue me shtërngim, por e vërteta asht kjo që po tham tashti këtu!” e, nuk janë kenë të paktë edhe burrat që mbas dhunimit të mnershëm në hetuesi, kanë gjetë forca me thanë të vërtetën.

Tue mos pasë fakte për gjykimin që mund t’i kenë ba gjykata, Prenka ose Arshiu ma vonë prap do të përsërisnin gjyqin. Unë po vazhdoj me thanjet e tyne mbasi jam i bindun se edhe Prenka edhe Arshiu, do të ridënoheshin njësoj edhe sikur kurrkush mos t’i kishte dalë dëshmitar i rremë në gjyq ose në hetuesi, madje, ma vonë edhe do t’ishin pushkatue si shumë shokë të tyne.

Por, për me kenë të qetë shpirtnisht, të paktën sot, ata që jetojnë  nuk duhët të mendojnë se ata burra vdiqën pa folë për dobësinë tonë e, “ishalla edhe dokumentat janë djegë, se ashtu po flitët!”

Jo, jo! Mos rreni veten gjithë jetën! Të gjithë dokumentat janë! Koha ka me provue dhe ka me vulosë ndër fletët e historisë se të gjitha poshtërsitë Enver Hoxha, me shokët e tij i ka lanë këtu dhe askush mos të mendojnë, se i kanë marrë me vedi në vorr!

***

  • Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:

“… Në emër të Popullit Shqiptar”:

“… Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.

I pandehuri Arshi Pipa gjatë kohës së fashizmit ka drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë profesor në liceun e Tiranës, lidhet me grupin e social-demokratës dhe zhvillon një aktivitet të gjerë në favor të kësaj organizatë.

I pandehuri, vazhdon aktivitetin e tij ndër studenta dhe ndër elementa të pakënaqur duke predikuar mbi demokracinë perëndimore dhe me tjera pallavra, të gjitha këto i bënte me qëllim për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe e konsideronte Pushtetin si një Pushtet terrorist.

Aktiviteti i të pandehurit u provua plotsisht nga atribuimet që i bëri Sulo Konjari në gjyqin e Tiranës, Selim Kokalari dhe Ramazan Tabaku, nga proçes-verbali i tij para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes.

I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit. Prandaj: … Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vendosi:

  1. Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë, konfiskim të pasurisë së tij të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
  2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.
  3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.
  4. Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë para Gjyqit dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë e tij, por edhe të shokve të tij pjestarë të po një organizate, i akordohen shkaqe lehtësore në konformitet me nenin 45, të ligjës 382, dt.12 dhjetor 1946, dhe vendosë: dënimin e tij me 5 vjet privim lirije, dhe konfiskimin e pasurisë.

Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.

Durrës 24 dhjetor 1947.

Sekretari d.v.  Antar d.v.  Antar d.v.  Kryetari d.v. (vetëm firmat)

***

  • Në dosjen nr. 1167 ruhët kjo kërkesë e bame nga Prof. Arshi Pipa, të cilën po e botoj pa asnjë ndryshim nga origjinali, mbasi m’u dha mundësia e kopjimit:

“V.F.L.P.

Me anën e Drejtorisë Burgut  A.P. Durrsit:

Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë

I nënshkruemi Arshi Pipa kam nderin T’i paraqes asaj së Nalte Gjykatë, kërkesën time apelimore, si vijon:

I arrestuem që më 27 prill 1946, jam dënue prej Gjykatës së Garnizonit Tiranë, me 2 (dy) vjet privim lirije, për veprimtari kundër Pushtetit.

Më 20 dhetuer 1947 jam dënue rishtas nga Gjykata me 20 (njizet) vjetë privim lirije, i akuzuem në grupun social-demokrat në lidhje me organizatën e deputetve. Përsa i përket kësaj akuze, marr lejën të baj vetëm nji vrejtje: Përsonat që më akuzojnë, disa i njof vetëm për fëtyrë, e disa nuk i njof fare. Prej akteve që e Nalta Gjykatë do të marrë në shqyrtim kam shpresë, do të dalë qartë se unë nuk jam nji njeri i politikës por nji njeri i librave, i studimëve; nuk kam marrë pjesë në jetën politike para Çlirimit, nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Me ndjenja kam qenë kundërshtar i fashizmit, gja kjo që provohet ndërmjet tjerash, nga nji dokument që ndodhet n’aktet e mija të gjykimit të parë. Rrjedhi nga nji shtresë e mesme qytetare. Nuk jam i prekun nga Reformat mbasi as unë as prindët e mij nuk kanë të paktën asnji shtëpi banimi tonën.

Përveç të masipërmëve lutem të merren parasyshë edhe këto dy gjana: a. Gjendja ime familjare: tue qenë unë i vetmi mashkull përveç babës që asht tetëdhetë vjeçar e paralitik – në familjen time të përbame nga nana, katër motra – prej të cilave njena e sëmurë tuberkuloze – dhe dy jetime. b. Gjendja ime shndetsore: tue qenë unë që prej shumë kohe me nji infiltracion të mushkërive.

Tue shpresue se apelimi im do të gjejë konsideratë pranë asaj së Nalte Gjykatë, kërkoj lehtësimin e dënimit dhe shpreh bindjen time në verdiktin e sajë të drejtë.

Durrës 27 dhetuer 1947, Arshi Pipa  d.v.

I burgosun në Burgun A.P. të Durrësit”

V.O. Burgu A.P. (Armiqve të Popullit), shën.autori.

Seksioni i Mbrendshëm i Durrësit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument:

“Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se:

Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore duke bërë pjesë në grupin e quajtur social-demokrat, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi e Suat Asllani. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta. Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të prëgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve.

Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.

Vepra e tyre është tradhëti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut.

Për këto arësye dhe për ato që do të shtroj, kërkoj modifikimin e dënimit Prenkë Kaçinarit, ndërsa Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, dhe Hysen Ballhysa të lehën si ishin.

24 shkurt 1948

Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare

Kapiten I. Nevzat Haznedari  d.v.

Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino, mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vendosi:

  1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.
  2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
  3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
  4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet  privim lirije.

Kryesekretari  d.v.  Antar d.v.   Antar  d. v.    Kryetari  d.v.

(vetëm firmat).

  • Këtu mbyllet vetëm dosja…

***

  • Jeta me të vërtetë duket se vazhdoi… por, askush nuk mund të parashikonte si u erdhi fundi këtyne njerëzve, ndoshta, edhe ata vetë në vitin 1947-48, fundin e kanë mendue në Beden, Maliq, Burrel, ose Tepelenë, por kurrë, se mund të jenë një ditë… në Romë,…Washington… ose, ma mirë me thanë se mund të jenë ndonjëherë të lirë.

Fjala liri kishte përëndue bashkë me andrrat e shpresat e tyne. Prof. Arshi Pipa pat fatin me e shijue prap lirinë ndërsa Prof. Prenkë Kaçinari, provoi, se, ka rasë që jeta tregohët e ashpër dhe mizore e, ndonjëherë, jo e meritueme kjo për atë që e provoi…

  • Lexoni me kujdes këta pak rreshta, (pa koment):

“I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)

Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija.

Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy.

Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.

Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.

E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora.

Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji

Prenkë  Kaçinari

Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke”.

  • Kjo letër iu postue nga Tirana nga vetë Prenka, z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës dhe origjinali ruhët në familjen e tij. (shënimi i FR).

 

DON ANTON MUZAJ

Ka lé në vitin 1921 në Vernekollë të Jugosllavisë, nga prindët Dedë e Dila Muzaj. Kishte katër vëllazën dhe një motër. Mbasi kryen klasën e parë në Prizren, vjen në Shkodër për me vazhdue studimet në Kolegjin e Jezuitëve, ku vendosë me marrë rrugën e meshtarisë.

Në vitin 1938 shkon me vazhdue studimet e nalta në Universitetin e Gregorianëve në Romë, Itali. Mbasi mbaron studimet për filozofi dhe teologji në vitin 1945 shugurohet meshtar.

Në 1946, Vatikani tue e dijtë se mjaft klerikë po arrestoheshin, i ban thirrje të gjithë meshtarëve të vendëve të Lindjes “me u gjetë në këtë kohë të vështirë pranë popujve të tyne të robnuem nga komunizmi…”.

Thirrjes së Papës Piu XII-të, i përgjigjet Don Antoni edhe Imzot Jul Bonatti, të dy të ndodhun atje që këthehën në Shqipni dhe pësojnë të njajtin fat. Mbas arrestimit të Don Tom Lacës, Don Antoni, emnohet Kançelar i Argjipeshkvisë së Shkodrës.

Në një kohë rekord mbrenda pak muejsh Don Anton Muzaj bahët një ndër figurat ma të nderueme dhe të respektueme të Klerit prej popullit të Shkodrës. Cilsia që ë bani të përjetëshëm ishte përvujtnia dhe modestia shpirtnore e tij. Me të vërtetë i rinj me moshë, por shumë korrekt dhe komunikues me njerëzit. I pa pritueshëm dhe shumë aktiv. Ishte tërheqës në biseda dhe në predikimet e tij që bante në Katedrale.

Me datën 20 maji 1947 arrestohet dhe torturohet si të gjithë të tjerët në mënyrën ma shnjerëzore nga katili Pjerin Kçira. Ky kriminel e mbajti Don Antonin, në një nga podrumet e hetuesisë të zhytun deri në bel në ujë të pistë, mbandej e nxori në hollin e Kuvendit të Fretënve, ku asht kenë sahati me diell. Aty vendi i shatrivanit ishte këthye në një pus të madh i gropave të zeza, që derdhëshin përjashta dhe në atë moçal të ndytë Don Antoni, asht pa për disa ditë i zhytun, derisa njëditë ka fillue me humbë në atë pisllëk. Aty kaloi një dimën të ashpër që e shpartalloi me një T.B.C. galopante. Asht dëshmitare Z. Ana Daja, që e ka pa me sytë e sajë tue skuqë vendin me gjakun e tij, që nxirte kur kollitej dhe binte pandjenja. E vetmja thirrje e tij ishte: “O Zot, për hatër tand… më ndihmo!”. Kur ka dalë në gjyq asht ba “përjashtim” në grupin që bante pjesë, i vetmi asht kenë Don Antoni që asht lejue me folë i ulun në karrigë, mbasi ishte aq i sëmurë sa nuk qëndronte në kambë.

Që në pyetjet e para Don Antonit, para trupit gjykues i merrën mendët dhe rrëzohet.

Don Anton Muzaj u akuzue: “Agjent i Vatikanit i dërguar në Shqipëri për qëllimet e tyre djallëzore për me organizuar grupe kundër Pushtetit, është qenë bashkëpuntor i fashizmit që në shkollë, spijun i tyre.

Ka dëshruar që pushtetin ta marrin Balli Kombëtar, mbasi ajo organizatë ka qenë që ka bashkëpunuar me fashizmin deri në kapitullimin e plotë të tyre.” (Dosja 1303 Arkivi M.M.Tiranë).

Hetuesi kriminel Pjerin Kçira, shënon: “Në hetuesi ka rezistue, mundohet të largojë vehtën nga përgjegjësia. Asht element besnik i vijës së trathtisë”.

Në proçes-verbalin e ballafaqimit me At Mëhill Miraj, pyetësi Fadil Kapisyzi shënon: “… ka pasë lidhje me padër Mëhill Miraj dhe padër Bernardin Demën, me të cilët ka biseduar se Kleri pret kohën oportune për me sulmue këtë Pushtet. Ka shpërnda trakte për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe ka ba pjesë në grupin e avokat Paulin Palit.

Don Antoni mohon ballafaqimin, se nuk janë të vërteta”.

Grupi përbahej nga: At Donat Kurti, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Angelo Tarcizio, Çesk Hilgega, Viktor Kujxhija, Injac Serreqi, Albert Çoba, Ana Daja, Gjon Kovaçi, Liza Pali, Elez Nurja dhe Sheuqet Lutfija.

  • Dokumentacionin e plotë nuk kam pasë mundësi me e lexue.
  • Gjyqi Ushtarak u zhvillue në Shkodër dhe vëndimi u dha më 8 janar 1948 nga Trupi Gjykues i përbame nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë: P. Alizoti dhe Anastas Koroveshi, dhe prokuror Namik Qemali. Relacioni për gjykatën u përpilue nga Aranit Çëla, i cili shënon karakteristikat përsonale për secilin, mbasi njëditë para daljes në gjyq ai i mori në pyetje të gjithë një nga një.
  • Don Anton Muzaj deklaron:”… nuk e kam dashtë asnjëherë komunizmin dhe më ka ardhë keq që humbi dhe nuk fitoi Balli Kombëtar, mbasi ishte e vetmja organizatë që kishte elementë të mirë me marrë në dorë drejtimin e shtetit.”

Mbas pak ditësh që u lirue, vdiq në shtëpi për mos me u shenue se mbeti në duart e hetuesve kriminelë…

NJË AKT TIPIK KOMUNIST…

“Lufta që racjonalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues”, Don Kolec Prennushi

Komunizmi asht një e keqe e madhe që duhët zhgulë me rranjë dhe duhët mos me hezitue për me e shkatrrue përfundimisht, me luftë të vazhdueshme dhe të përhershme.

Asht sistemi ma përbindësh që mbështetët në një dhunë të pamëshirshme dhe propagandë fund e maje vetëm rrena.

Sigurimi i Shtetit nuk asht tjetër veç, një sadizëm i përhapun në çdo skaj dhe i institucionalizuem në të gjitha metastazat e tij.

Praktika e punës së qeveritarëve dhe e institucioneve të krimit asht zhdukja e dokumentacionit. Dosjet, hetuesitë, zhdukjet e njerëzve, vrasjet dhe trajtimi i kufomave të viktimave shpeshherë në tortura ose mbas torturës, gjithmonë në msheftësi, pa proçese legale dhe pa asnjë përgjegjësi të njohun dhe të pranueme nga organët shtetnore, kanë për qëllim shkatrrimin përfundimtar të njeriut si nga ana fizike, morale, ashtu edhe psikologjike e shpirtnore.

Terrorizmi në Shqipni gjithmonë në këta 50 vjet asht mohue, asht errësue ose asht nënvleftësue, aqsa populli kishte humbë çdo shpnesë se njëditë mund të shpëtojë. Gjyqet e mëshefta janë rruga e çmobilizimit në masë mbasi mija njerëz me të njajtat vlera dhe me trimni të pashoqe, janë torturue e masakrue tue përfundue viktima të terrorit komunist. Kundër popullit shqiptar asht  përdorë TERRORI si mënyrë qeverisje, tue e kthye atë në një plaçkë të friksueme ose në një turmë të bindun, mbasi përpjekja e Sigurimit të Shtëtit ka kenë gjithmonë mobilizimi i shumë vetëve në strukturat e tij. Ai i ka detyrue ata me u identifikue me spijunllëkun, në mënyrë që jeta e tyne të ishte një ankth i vazhdueshëm. Kontrolli i lëvizjeve të çdo individi, vrojtimi i të gjitha hallkave të jetës nga agjentët, monopolizimi i organizatave, i mjeteve të komunikimit, shfrytëzimi i shumicës nga pakica e privilegjueme për shërbimet shtypse, dhunuese e shtërnguese, sjellin si pasojë tek njerëzit që në mënyrë të vetëdijshme me pranue dhunimin e të drejtave njerëzore si një dishka e paevitueshme, aqsa njerëzit, që nuk janë të arrestuem ose ma keq, ata që dalin nga burgjet, kthimin e lirisë arrijnë me e konsiderue si një “dhuratë”.

Po, ka prap edhe ma keq, para lirimit me e detyrue viktimën me nënshkrue edhe deklaratë “bashkëpunimi” dhe me ia ditë për “nderë” se po shkon me ba punën e tyne si agjent, tue u konsiderue gjoja “i lirë”.

Sigurimi i Shtetit ka pikësynue gjithmonë që në popull të mbizotnojë pasiguria e përhershme, tue kenë i “kudogjindun”.

Zhdukjet e pashpjegueshme, hetimet e stërzgjatuna, pyetjet dhe firmosjët e proçes-vërbaleve me dhunë e dajak, terrorizmi i fshehtë dhe shnjerëzor, proçesët gjyqësore poshtnuese, dëshira me vdekë për me “shpëtue” pa marrë parasyshë pasojat, intërnimet e familjarëve, papunsia, dëbumjet, divorcet, etj. që përmblidhen në “luftën e kllasave”, kanë ba mbretnimin e mjerueshëm të psikologjisë së mbarë popullit nga shteti.

Asht aksiomë: Çdo shtet në Botë i drejtuem nga komunistët përfundon në shtet terrorist.

Kush nuk pajtohet me gjendjën, ose vetëm mendon me e ndryshue atë, asht atypëraty “armik i popullit”, edhe pa krye asnjë akt për atë qëllim. Automatikisht atdhetarët, intelektualët e ndershëm dhe kleri janë në formulën e “armikut të popullit”. Të gjithë këta mendojnë kundër kësaj vegle vigane që quhet komunizëm, mbasi zbulojnë qëllimin amoral të tij që asht i mbuluem me lëvoren e pranueshme morale “barazi për të gjithë, pa dallim feje, krahine dhe ideje”, tue rrokollisë miljona njerëz në këtë humnerë, e provueme sot ma shumë se kurr: utopi.

A mund të pranonte Enver Hoxha me shokë, thanjën e Don Lazër Shantojës, që shkruante shumë vite maparë (në vitin 1924): “Qeveria ka krye plotësisht programin e sajë, atëherë, kur trathtarët e popullit të mos munden me qeshë ma kurr mbi kurrizin e popullit”?

Kjo asht arsyeja që më 5 mars 1945, i pari klerik katolik që pushkatohet asht pikërisht Don Lazër Shantoja, i gjymtuem kambësh e krahësh me sharrë druvari. Hetuesit e tij bredhin rrugëve të Tiranës tue përqeshë turmat e popullit që nuk dijnë cilit me i vue gishtin të parit e, ku me fillue, në cilin skaj të vëndit, gjithkah zi e ma zi.

Komunistët mendonin me përdhosë Elterin e Atdheut, me veprat ma makabre të Shekullit XX dhe, asht e vështirë me e mendue e besue njerëzit këtë skenë të ndodhun me dy klerikë dijetarë dhe Shqiptarë!

 

Please follow and like us: