Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (9)

FILMI JUGOSLLAV “DOSJA 1302/II-A“

“Të nënshtrosh armikun pa ndonjë luftim asht kulmi i zotësisë, këta janë njerëz me zemër luani, të fortë, të squtë dhe trima…”, Brajan  Capmen

Në kjoftë se nuk duem me dijtë të vërtetën, na pajtohemi me gënjeshtrën.

Në kjoftë se duem me dijtë të vërtetën, nuk duhet të flasim pa pasë dokumenta.

Asnjëherë mos humbni shpresën se a do të gjejmë dokumenta?

Koha asnjëherë nuk ka punue me zhdukë faktët. Kurrë mos harroni fjalët: “KËRKONI SE KENI ME GJETË”, thotë Krishti.

Kishin kalue gati 50 vjet nga 11 marsi 1948, duheshin edhe pak ditë… Një mik i emi, z. T. M. merr përsipër me me nxjerrë një dokument të vdekjes së babës nga arkivi i Ministrisë së Brendshme në Tiranë. Dokumenti i vdekjes së babës ishte zhdukë edhe në gjendjen civile të Shkodrës aty nga viti 1967, kur komunistët mendonin me e shpallë të vramë me atentat prej tyne. Ky dokument u ba shkak me kërkue edhe ndonjë shpjegim për vrasjen e At Mati Prennushit, i cili asht pushkatue mbas një “gjyqi” me dyer hekuri të mbylluna. Gati askush nuk fliste gjatë për këtë vrasje, të gjithë u mundonin me shpjegue se ishte një ngjarje false, si të gjitha ngjarjet e gjyqeve të komunistëve kur donin me pushkatue të pafajshmit. Ndër të parët njerëz që më ka folë me njëfarë sigurie për këtë çështje asht kenë Don Mark Hasi, i cili tregonte për qëndrimin burrnor të atyne trimave para një “gjyqi” që fatkeqësisht nuk u ndigjue kurrë nga populli. Prej tij ndigjova se shumë vetë i nxirnin në “gjyq” në ndonjë prej dhomave të hetuesisë, i dënonin me vdekje, i izolonin ndër të mnershmet biruca, i torturonin prap mbas dhanjes së vëndimit dhe kur, kishte raste dobësimi ose frike nga vdekja dhe i “pranonin” akuzat që deri atëherë nuk i kishin pranue, i premtonin se do t’i falnin jetën po kje se ata pohojnë para “gjyqit të popullit”. Bahej edhe një “gjyq publik” dhe në fund përfundonte më dënim me vdekje, sa me i tregue popullit se ti “ishe fajtor dhe nuk je dënue i pafajshëm“, mbasi kur të bahet kërkesa “për falje jete” nga ana yte në Kuvendin Popullor, atëherë, të vjen “falja e jetës”. Kjo lojë u asht ba shumë vetëve dhe pikërisht Imzot Gjergj Volaj asht pushkatue në këtë mënyrë. Janë të shumtë njerëzit e pushkatuem  kështu, veç, kur janë ndodhë para brigadës së pushkatimit e kanë besue se të gjitha “premtimet”, ishin vetëm rrêna.  Mbas pak ditësh, pikërisht, më 9 mars 1998 u gjeta në një tavolinë të arkivit, para një aparati zmadhues ku, një zonjushë shumë e njerzishme më solli një zarf me filma, më shpjegoi si shihën në aparat, më solli edhe një letër për shënime me vulën e arkivit dhe më ftoi me fillue punën. Kur ajo fliste dhe mundohej me më shpjegue kjartë mënyrën e leximit të materialit, unë i pohoja me kokë se kam kuptue gjithshka thonte vetëm me fillue shpejt e me pa dosjën, më dukej se po hapej dera e dikush po më thonte: “Çou shpejt se kemi gabuar që t’i kemi dhenë”!

Faqja e parë… ”Frano Pjetër Gjini me shokë”… O Zot a thue jam në andërr? – Fillova me prekë tavolinën, veten, se nuk i besova syve… Vëreja përreth nëse ata njerëz që vinin e shkonin për punët e tyne me zonjushën, janë me të vërtetë njerëz, apo më duken mue!?… Vazhdova me lexue: …“1. Frano Pjetër Gjini, 2. Nikoll Zef Deda, 3. Mati Kol Prennushi, 4. Tom Palok Laca, 5. Zef Kol Haxhija, 6. Ndoc Rrok Sahatçija, 7. Gjon Frano Karma, 8. Nikoll Hil Shelqeti, 9. Mëhill Pjetër Miraj, 10. Zef Gjeto Pëllumbi. Nalt në fletë futej në rreth: Nr.1302/I Arkivi. Vazhdon në një rreth tjetër ma poshtë: Nr.1302/II-A, ma poshtë e nënvizueme: Fletë 156, prap ma poshtë: Nr.gj.858, 1948. Në cepin sipër, majtas, kishte dishka të fshime. Nuk kishe ke me pyet, pse?

Sigurisht, dosja duhet të ishte ajo e përpunuemja për me u dhanë me u shikue, mbasi kuptohet, origjinali i vërtetë nuk mund të përfshinte 10 përsona në 156 fletë. Menjëherë më ra në sy vetëm emni i At Mati Prennushit, ishte i nënvizuem. Shumë kohë mbrapa pata marrë vesh se çdo emën i nënvizuem kishte dosje në vazhdim edhe mbas pushkatimi, ose edhe mbas vdekjës në burg. Ka rasë që nga deponimet e tjetër njeriu nënvizohet një person i përmendun nga ai, nëse ai asht i nënvizuem menjëherë i asht hapë dosja, p.sh. Në deponimet e Prof. Pashko Gjeçit, nënvizohet emni i Prof. Kol Ashtës, etj. Kjo nuk do të thotë se asht arrestue përsoni i nënvizuem por sigurisht asht kenë në listat e survejimit.

Në kopertinën e dosjes mbrendë asht një skicë ku janë shënue studjuesit e dosjes: Rakip Beqja, Xheudet Miloti, Pashko Picoku, Foto Prifti, Hysen Gora, Edmond Cakaj. Këta përsona kanë pasë mundësi me e lexue dosjen dhe me e studjue.

Shpesh studimi asht lidhë me vëprimet e ndonjenit prej tyne, që nëpërmjet atij studimi ka krijue lidhje me proçese të tjera, p.sh. Xheudet Miloti atë vit që ka studjue këtë dosje arreston At Rrok Gurashin, dhe hap dosje të re për këtë përson në vitin 1957, pra, gati 10 vjet mbrapa mbas dëshmive të At Rrokut në këtë dosje. Në ndonjë rasë ka përson që ka mujtë me botue edhe libra, tue i ndihmue Sigurimit për publikimin e “veprimeve” të tija shpifse, p.sh. Rakip Beqja. Rakipi ka ndihmue edhe Jup Kastratin nëpërmjet të parathanjes së librit të tij, tue tregue vnerin që ka në shpirt Jupi për Klerin Katolik, që i vlente edhe si “garanci” për titujt “shkencorë”. Ajo parathanje nuk asht shkrue kur Jup Kastrati ka fillue me u angazhue me organët e Sigurimit, kur shkruen parathanjen ai asht ndër “veteranët” e Sigurimit. Jupi spijunazhin e fillon ma herët, kur punonte si sekretar në Gjimnaz të Shtetit dhe pa dhanë provime merr dëftesën e “pjekurisë”, dhe pa dhanë provime merr universitetin dhe privilegje deri në titujt “docent, Prof. Dr. etj.”.

E, sa si Jupi?… kështu veproi Skënder Drini, Viron Koka, etj.

  • PJESA E PARË

Do të filloj, pra, me “Dosjen 1302/II-A”:

“Faqe nr.1: Republika Popullore e Shqipërisë, Ushtrija Kombëtare Shqiptare, Gjykata Ushtarake e Shkodrës, Vdekje Fashizmit Liri Popullit, Nr. i Akteve: 17, Nr. i vendimit 2.

Proçes-verbal” (një vulë e palexueshme), dhe fillon akt-akuza: “Prokuroria  Ushtarake e Zonës Ushtarake të Shkodrës, me akt-akuzën e saj me Nr. 2, datë 2-I-1948, i solli kësaj gjykatë aktet hetimore të rrjedhura kundra të pandehurve: Monsinjor Gjini, Dom Nikoll Deda, Padër Mati Prennushi, Dom Tom Laca, Zef Haxija, Dom Ndoc Sahatçija, Padër Gjon Karma, Padër Mëhill Miri, Xhakoj Zef Pëllumbi dhe Dom Shelqeti, për fajin se: Kanë punuar për ardhjen e fashizmit dhe për okupimin e vendit t’onë nga imperializmi Italjan…

Qysh para okupacionit kanë qenë agjenta politikë dhe spijunazhi t’imperializmit… Gjatë okupacionit… Kanë punuar për ta legalizuar…

Kanë qenë pengesë serioze e L.N.Çl… kanë punuar për eleminimin e kësaj lëvizje… me organizata kriminale… kanë përkrahur tërë qeveritë kuislinge… kanë penguar rezistencën e popullit… janë qenë agjenta të Gestapos duke denoncuar në zyrat sekrete të saj militantët e Luftës N.Çl. Mbas çlirimit hidhen me egërsi e tërbim që të godasin Pushtetin, nën kryesinë e Monsinjor Gjinit… Gjithë klerin katolik e transformojnë në një organizatë fashiste Demo-kristjane. Zgjedhin Komitetin Qendror… me Monsinjor Gjinin… komitete, nënkomitete, lidhje me të arratisur… Lidhen me të huaj… përgatisin kryengritje të armatosur… përpjekjen e 9 shtatorit 1946… faje këto të parashikuara prej neneve 2,3, (pikat 1, 2, 4, 6, 7, 8, e 14) dhe nenit 4 të ligjes 372 mbi fajet penale kundër Shtetit dhe Popullit. Këto akte mbasi u rregjistruan në Nr.17 të Radhorit Themelor për ditë gjyqi u caktua data 6 janar 1948, ditë e martë, ora 10 para dreke. Shkodër më 2 janar 1948. Sekretari: Sh.Dautaj d.v. Kryetari: M.Bllaci d.v”.

“Ditën dhe orën e sipërme trupi gjykues u formua si vijon: Kryetar Kapiten i I-rë Misto Bllaci, Anëtar N/Toger Anastas Koroveshi, anëtar N/Toger Xhemal Bejtja, duke qenë gati prokurori Kapiten Namik Qemali dhe sekretari i Gjykatës Shaban Qamil Dautaj.  U suallën të pandehurit nga burgu. U pyet identiteti i tyre dhe thanë se quhen:

  1. Imzot Frano Pjetër Gjini, i biri i Pjetrit dhe i Drandës, vjeç 62, shqiptar, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë, me profesion Ipeshkëv, lindur në Shkodër dhe banues në Shkodër, i rreshtuar (i arrestuem) me datën 15 nandor 1946.
  2. Don Nikoll Zef Deda, i biri i Zefit dhe i Agës, vjeç 58, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë, famullitar, ka vëllaun në burg, një vëlla të ekzekutuar, lindur në Shkodër dhe banues në Hajmel, i rreshtuar me datën 13 tetor 1946.
  3. Padër Mati Prennushi, i biri i Kolës dhe i Drandës, vjeç 66, i pa martuar, i pa dënuar, shqiptar, i varfër, prift, ka mbaruar Theollogjinë në Austri, në burg ka nipin e tij Paulin Prennushin, i lindur në Shkodër, i rreshtuar me datën 15 nandor 1946.
  4. Don Tom Laca, i biri i Palokës dhe i Drandës, vjeç 51, i pa martuar, i pa dënuar, me gjendje ekonomike të mesme, ka mbaruar Theollogjinë në Romë, me profesion prift, në burg ka djalin e motrës Zef Palin, nga Shkodra, i rreshtuar me datën 14 tetor 1946.
  5. Zef Kol Haxhija, i biri i Kolës dhe i Gjystës, vjeç 58, i martuar me 8 fëmijë, i varfër, ka mbaruar shkollën teknike tregtare mandej ka vazhduar Gjimnazin Ushtarak turqisht, nga Shkodra, i pa prekur nga reforma, ish deputet, i rreshtuar me datën 20 nandor 1946.
  6. Don Ndoc Sahatçija, i biri Rrokut dhe i Nushës, vjeç 41, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë, me profesion Ipeshkëv, lindur në Breg të Matës, i rreshtuar me datën 26 qershor 1947.
  7. Padër Gjon Karma, i biri i Franos dhe i Dilës, vjeç 52, ka mbaruar Theollogjinë në Austri dhe në Romë, i pa martuar, i pa dënuar, shqiptar, me profesion famullitar, lindur në Gur të Zi, i rreshtuar më 10 nandor 1946.-vdekë 1975 (e shtueme me shkrim dorë data e vdekjes).
  8. Don Nikoll Shelqeti, i biri i Hilës dhe i Dilës, vjeç 55, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë dhe Fillozofinë në Austri, me profesion prift e famullitar, lindur në Shelqet, i rreshtuar me datën 20 dhetor 1946.
  9. Padër Mëhill Miraj, i biri i Pjetrit dhe i Prendës, vjeç 39, shqiptar, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë në Romë, ish profesor e zëvendës famullitar, nga Shkodra, i rreshtuar me datën 20 tetor 1946.
  10. Zef Gjeto Pëllumbi, i biri i Gjetos dhe i Lukes, vjeç 22, i pa martuar, i pa dënuar, lindur në Bogë të Koplikut dhe banues në Mal të Rrencit të Lezhës, me profesion xhaku, ka krye të tretin kurs Theollogjik, ka të ekzekutuar dajat, Mark Mirin e Zef Mirin, dhe të arratisur djalin e dajës, i varfër, i rreshtuar me datën 15 nandor 1946. U këndua akt-akuza e Prokurorisë, përmbajtja e së cilës është përshkruar në parathënjen e këtij proçesi. Prokurori përsëriti akt-akuzën. U pyet i pandehuri Don Ndoc Sahatçija dhe tha: Pjesërisht akuza është e vërtetë dhe pjesërisht jo. Unë çka kam dijtë dhe çka kam ba i kam thanë në proçes dhe jam dakord me te. Unë kam mbarue theollogjinë e fillozofinë në vitin 1932 në Jezuit… këta edhe si italian punonin edhe në këtë drejtim në favor të Italisë… kemi ba hartime krejt në frymë fashiste… Kolegji merrte … subvensione nga Roma, Ipeshkvija e Vatikani… Ma parë merrte nga Austria… kleri donte influencën e Italisë, dhe kohën e Zogut filloi aktivitet në favor të përgatitjes së terrenit për ardhjen e fashizmit. Nga Papa ka pas ardhë enciklika që fliste për komunizmin ateist… Në Rusi klasat e ulta e donin këtë regjim… propaganda që bahej kundër Rusisë nuk ishte e vërtetë. Papa mundohej të shuante komunizmin por kundër fashizmit nuk ishte… kleri rronte mirë kurse populli vuante… Ne kemi ndjekur rrugën me luftuar pushtetin… Enciklika i ka ardhur Imzot Bumçit, Imzot Gjini ishte zëvendës dhe Imzot Prennushi që mbanin lidhje me Jakomonin, Melonin etj… me këta lidhej edhe Çiprian Nika, Pal Doda, Anton Harapi… që kishin qëllime politike… asht ba mbledhje si me pritë Italinë… me Thaçin, Laca, Koliqi, Shestani, Pici, Nika, Zojzi etj… kemi përkrahur karabinjerinë… Ne e pritëm mirë Gjermaninë, se kështu na tha Imzot Bumçi… Kleri ka ndihmuar organizatën trathtare të Ballit Kombëtar, Legalitetin dhe Nacional Indipendentët dhe ka luftuar Lëvizjen N.Çl… që luftonte okupatorin… kështu kemi vazhdue edhe mbas çlirimit… dhe kemi punue me zbatue direktivat e Komitetit Demokristjan që asht formue para çlirimit në Shkodër, kjo ka dalë prej Kryesisë së klerit Thaçit e Imzot Gjinit me pjestarë At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Çiprian Nika, Palaj, Laca, etj… asht formue në kohë të Gjermanisë… ka ba mbledhje me civila si Serreqi, Mjeda, Doda… janë krijue komitete e nën/komitete, në Lezhë ka ardhë At Mati Prennushi, Çiprian Nika, etj…

Bashkimi Shqiptar ka dalë prej Demokristjanës dhe Fausti e Dajani kanë qenë udhëheqës… në Lezhë e ka formue Nën/komitetin Mati Prennushi me antarë Padër Rrok Gurashin, Mëhill Çunin, Ndre Lufin, Koda, Don Lekë Dredhaj etj. …mbasi do të zbarkojnë Anglo-Amerikanët. Padër Mati Prennushi ka ardhur në Rubik… ku kemi biseduar për të arratisur me Padër Rrokun, Arta, Serreqin, Palaj etj. ku ishte edhe nipi em Zef Mikeli, edhe ky foli kundër Pushtetit… Për në Orosh më ka tregue se kanë ba mbledhje Prenk Lezaj… Në mbledhje në Troshan ka ardhë Imzot Volaj, Nikoll Shelqeti, Gurashi, Dredhaj, Serafin Koda etj… Dul Rrjolli na ka propozue me u marrë me politikë… na ishim kundër Pushtetit… Kishim takime me të arratisun, që ishin mbrapavija e Demokristjanës… Në Orosh më ka thanë Prenk Lezaj se Imzot Gjini ka pasë takime me Mark Gjon Markun… At Mati Prennushi më ka thanë se Shkodra asht e pregatitun… dhe të arratisunit janë ushtri… Në Tiranë kam takue disa herë Don Shtjefën Kurtin… për armët në Kuvend e kam marrë vesh se u gjetën… veprimtarinë teme e quaj trathti, ashtu edhe kleri ka bërë trathti… jam fajtor se jam edukuar kështu. Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.

U pyet i pandehuri Padër Mëhill Miraj dhe tha: Akuza për mue ka gabime… Nuk kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, mbasi këto janë bërë sekrete… Unë kam bisedue me Padër Gjon Shllakun në fillim të 1945, për me formue një parti Demokristjane… për me marrë pjesë mbrenda Frontit… Kam bisedue edhe me Padër Leon Kabashin për këtë… me Padër Prennushin nuk kam bisedue… Asht ba një mbledhje me Gac Lecin, Rrok Zojzin, Mark Lecin, Lin Çiurçija e Zef Haxhija, i cili tha, se orthodhoksët dhe myslimanët janë bashkue, dhe se juve jeni tue na ngatrrue… Në Vërmosh kam ba dy mbledhje në vitin 1944, pro Prenk Calit… në shtator jam takue me Padër Antonin… çlirimi më pëlqeu, por si pushtet jo… Nush Radovani më ka thanë se asht antar i Demokristjanës… Padër Gjoni më ka caktue propagandist mue, Padër Frano Kirin dhe avokat Paulin Palin… ndërsa, prej Paulin Kel Palit mora vesht se asht ba mbledhje tek ai me Nino Kurtin etj… me demokristjanën asht kenë kryetar Padër Gjoni…kam bisedue për këtë edhe me Padër Donat Kurtin… Me Pashuk Bibën asht takue Padër Leoni dhe Filip Mazrreku… Muharrem Bajraktari ka emnue komandanta për çdo krahinë… Nik Sokoli ka shkrue katër letra… lidhjet me të i kam pasë prej Kadri Cacës… kam ndi se Frano Kiri ka pasë lidhje me të arratisun… Jam takue me Pal Thanin… Padër Antoni më ka thanë pse nuk më bini mbrapa me më dorëzue se më shpëtojnë anglo-amerikanët, unë i thashë rueju mos të diktojnë se të mbysin… Jam takue me Kol Ashikun… edhe ky i arratisun … gjithashtu, punët e klerit janë punë të këqija… Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi. U pyet i pandehuri Don Nikoll Shelqeti dhe tha: Akuza nuk më duket e përshtateshme se nuk kam punue për ardhjen e imperializmit italian… nuk kam punue për ardhjen e të huajve… nuk dij të kemi faj politik… edukata që kam marrë asht kenë thjeshtë fetare dhe me politikë nuk jam marrë kurrë… kur Italia zaptoi tokën shqiptare ishte okupatore… por kleri nuk dij se e ka pritur Italinë… me gjerman nuk kisha lidhje, ato rrinin në pyll… aty kishin komandën… unë nuk u trembja nga gjermanët, se nuk kishin çka të më banin mue, vetëm se do të më interrnonin fundi në Gjermani… për çlirimin e kam pritë mirë, edhe reformat… Kanë ardhë priftën në qelë dhe kemi biseduar si do të vijnë puna me qeveri në të ardhmen por kundër jo… kam bisedue me Don Nikoll Dedën, se po thonë se Gjon Marka Gjoni ka një radio transmetuese…e, se nuk më kanë ardhur të arratisur, e kam pyet për Pjetër Shan Dedën, por nuk dinte gja…

Me Mark Gjon Markun dhe Lleshin nuk jam takue qysh se kanë dalë në mal… Qelës seme i janë marrë tokat… Nuk jam kenë në lidhje me kërkend kundër pushtetit. Unë kam qenë klerik, por, dukët, se nuk më ka besue kush. Unë kundër Pushtetit nuk kam bisedue as kam punue për kontra tij…Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi. U pyet i pandehuri Zef Gjeto Pëllumbi dhe tha: Sa për akuzat që më bëhen për mua nuk më përshtaten aspak… kur isha 6 vjeç erdha në Shkodër… me u ba frat… Unë në klasë jam qenë me tre vetë të Lëvizjes N.Çl… Partinë Komuniste e urrenim… Në shkollë na jepnin edukatë nacionaliste… Aty vinte Ernest Koliqi etj… simpatizojshe Ballin… pushteti më pëlqeu, por si Parti Komuniste jo, se kisha fitue urrejtje sidoemos kur më grinë (pushkatuan) dajën Mark Mirin, pa të drejtë mbasi u pushkatue pa gjyq. Kur u gjetën armët në kuvend më vinte keq se u shkatrrua… Me Padër Aleks Baqlin kam biseduar, vetëm ai thoshte ndonjë fjalë kundër pushtetit… edhe me Padër Filip Mazrrekun… kur u vra daja vetë i dheti kam shkrue në ditar kundër pushtetit… në 1945 kam shkrue “Në qytet bleron pranvera”… jo politik… Kur u arrestue Padër Donati, më ka thanë Padër Baqli se asht arrestue se ka grisë një gazetë muri… Padër Aleksi e Filipi thonin fjalë kundër oficerava, se janë pa shkollë… Padër Augustini fliste kundër pushtetit dhe punës vullnetare… kur asht ekzekutuar Padër Gjoni mua më asht dhimtë… kur asht arrestue Padër Leon Kabashi, padër Baqli, më tha se ka takuar Pashuk Bibën… Zarfin me dokumenta që më kishte dhanë Padër Palaj e mëshefa dhe kur erdhi Dul Rrjolli i kam treguar të gjitha vendet… Dhomën e At Bernardin Demës e ka çelur Ndoc Vasili… për me marrë libra… Armët nuk i kam mëshehur unë, por fretnit i kishin mëshefur, gjithashtu dhe dokumentet, dhe përgjegjës ka qenë Çiprian Nika. Dokumentët e Gjonit të Marka Gjonit ishin mëshef në mes të Kishës, dhe këto dokumente i donin për histori. Në Kuvend kam ndigjue se Padër Gjoni ka shkue me një Anglez tek Nigris. Veprimtarinë teme, nji këto gabime të vogla të pa çfaqura, këto janë faje, por Padër Donat Kurti dhe Padër Baqli na epnin edukatë kundra Lëvizjes N.Çl.

Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.

U pyet i pandehuri Padër Gjon Karma dhe tha: Për sa dij unë akuza nuk asht e vërtetë. Unë nuk kam pasë dijeni as që kam punue për ardhjen e fashizmit, por e kam urrejtur dhe kur ka ardhur e kam pritur me keqardhje…

Isha misionar shëtitës nga 1930 deri në vitin 1943… kam dalë me folë për Fenë e Krishtit. Padër Anton Harapi nxori leje të posaçme nga Vatikani dhe u fut në Regjencë… në kuvend ka ardhë një kapiten Anticho, por nuk dij se kush kishte lidhje me té… Enciklikën nuk e kam punue se atëherë në Shqipni komunizmit nuk i ndihej era… tek Lëvizja nuk kam parë rrezik as që kam predikuar kundër sajë, as kundër Partisë Komuniste. Në mbarim të 1943 më ngarkuan detyrën e Rektorit, i pari kolegjit për shkak se kisha treguar aktivitet fetar… Unë kam mësue edukatën fashiste… tek Hausdingu s’ kam shkuar asnjëherë përkthyes me Nigris. Asht e vërtetë se vetëm në kuvendin tonë dhe të fretënve hynë ushtritë gjermane. Nga detyra e Rektorit u pushova kur erdhi Padër Fausti, se kisha disiplinë të rrebtë me xhakoj… unë lidhje me Misionet nuk kam pasë… tek Padër Fausti nuk i kam parë ndonjë shenj kundër Pushtetit dhe nuk dij gja… nuk kam propaganduar ndër xhakoj… ne na ishte prishë qejfi pak se shkruanin në dyert e kishave drapër e çekanin… edhe në Itali kam parë të shkruar në Kisha sopatën e Duçes…

Për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” nuk kam pasë dijeni përveç se kur doli në gjyq. Përsa thonë xhakojt Gjon Shllaku, Preng Lezaj etj. që unë kam qenë inspirues dhe organizator i “Bashkimit Shqiptar”, nuk asht e vërtetë. Votimet e 2 dhetorit nuk i kemi sabotuar… ka ardhë Dom Shtjefën Kurti me rregullue çështjet e klerikëve për votime, me lanë çdo njeri të lirë por, jo, nga pjestarët e klerit ose, për me votue në kutinë boshe… Për organizatën Demokristjane e kam dëgjuar në gazetë por nuk kam qenë antar. Nuk asht e vërtetë që të kem pasë lidhje me Misionet e huaja dhe as kemi punuar për kryengritje dhe as për lidhje me të arratisurit. Për ngjarjen e 9 shtatorit nuk kam dijtë kurrgja. Me Mark Gjon Markun nuk kam pasë lidhje as i kam dërgue letra, si thotë Preng Lezaj, mbasi unë nuk i kam dashtë ata si familje. Nuk asht e vërtetë që të kem qenë aktiv kundra Pushtetit dhe kundra interesave të popullit.

Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.

U pyet i pandehuri Don Nikoll Deda dhe tha: Në atë formë që asht trajtue akuza nuk asht e vërtetë. Nuk asht asgja e vërtetë… qysh në 1930 jam kenë famullitar në Hajmel. Meshtar jam qysh në vitin 1914… kleri ka marrë subvencione nga Austria, nga Zogu dhe Italia… unë kam marrë nga Zogu, Jugosllavia, por spijun nuk kam qenë por zogist kam qenë. Nuk kam qenë agjent i imperializmit jugosllav dhe as kam punuar për ardhjen e fashizmit… akomonin etj. i kam njohur se u kam kërkuar subvencion për të rregulluar ndërtesat e Kishës… me Zogun më mori rryma se desht me më zanë Mustafa Kruja… tek Zogu shkoja se isha i partisë së tij… kur u ba lëvizja e Dukagjinit…organizator ishte Don Loro Caka… ardhjen e fashizmit e kam quejt si akrobaci të Musolinit dhe m’u duk i keq… në karabinjeri shkoja se hajnat filluan me vjellë famullitë…

Unë nuk dij se ka punuar për fashizmin kleri katolik… 30 e sa armë i janë dhanë popullit për me i përdorë kundër hajnave… por jo kundër Lëvizjes N.Çl. Armët ia kam dorëzue Bib Rrokut… më kanë ardhë në qelë oficera gjerman e italian, por i kam pritë e përcjellë si shqiptar… Kam takue Padër Antonin në Regjencë për sulmin që më bëri Myslim Bejgora me kosovarë. Padër Antoni nuk dij në se ka qenë kriminel i popullit, por mbas proçeseve ashtu kemi ndigjue, dhe proçeset janë simbas punës që ka bërë. Pëlqimi i Padër Antonit për në Regjencë ka ardhur nga Selia Shenjte dhe eprorët e tij, me ndërmjetësinë e Gjermanit dhe të Mehdi Frashërit… Mbas çlirimit takime përsonale nuk kam bërë me njeri… nuk kam kenë fashist këmishzi… Kam kenë shumë herë tek Pjetër Deda, i cili asht arratisë se ishte fajtor… kam qenë dy herë në mbledhje… ka qenë Simon Darragjati, Karlo Pistulli dhe ca Vukatanas, dhe Pjetri fliste me i ra burgut e me nxjerrë të burgosunit dhe me nisë lëvizje kundër Qeverisë. Në mbledhjen e dytë që asht ba në shtëpinë e Cin Serreqit kanë ndodhur Gjoni e Cin Serreqi, Caf Dragusha, Guljelm Suma, dhe do elementa të tjerë që nuk i njoha. Në këtë mbledhje u bisedue me formue një organizatë kundër Qeverisë, por mbështetjen se ku e kishin nuk e dij. Unë kam marrë pjesë rastësisht në këto mbledhje mbasi shkova në shtëpi të Pjetrit dhe, familja më tha se asht tek Cin Serreqi dhe kështu shkova fill atje … nuk dij për sektor pune dhe për të arratisur… Për sulmin e 9 shtatorit nuk kam bisedue as kam qenë i deleguem nga kleri për të marrë pjesë ndër këto mbledhje.

Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë qenë në mbledhje. Unë nuk e dija se asht formuar demokristjania dhe kam shkue vetë tek Pjetri e Cini, pa më thirrë njeri. Unë këto mbledhje i quaja  fantazira dhe se janë me rrezik se nuk bahët kurrgja, nuk ma priste mendja. Nuk lajmërova qeverinë se nuk kam qenë hafieja e kurrkujt, se mejtova se nuk bëhët gjë. Për përpjekjen e 9 shtatorit nuk kam dijt kurrgja, por kur u ba e mora vesh se e kish bërë Kazazi. Unë veprimtarinë teme nuk e quaj  trathti, nuk kam qenë armik i popullit, as vegël e të huajt.

U pyet i pandehuri Padër Mati Prennushi dhe tha: Akuza nuk është e vërtetë. Jam meshtar qysh në vitin 1904… famullitar në Kastrat jam qenë 15 vjet rresht… ndihmat nga Austria dhe Italia jepëshin për ndihmën e kultit dhe shkojshin në favor të kuvendit dhe të përsonit… nuk kam qenë në shërbim të fashizmit as kam punuar për të, dhe nuk kam dijtë kurrgjë. Më 14 qershor 1944 jam emruar Provinçial në vend të Padër Antonit. Kur erdhi Italia sikur na ra rrëfeja dhe kam kja me lot por unë nuk kam ba kurrgja. Meloni dhe Jachomoni kanë ardhë kur jam ba Provinçial, mbasi kam qenë qysh në 1941 në Tiranë me shërbim e më ka takue rasti të takohesha me ta. Subvencion më kanë dhënë po pa kurrnjë konditë… kam njohur gjeneral Nuçin por mardhënje politike nuk kam pasë. Kol Bibën e kam njohur më parë por nuk kam punuar me te për ardhjen e fashizmit, gjithashtu edhe Ernest Koliqin, por çështje politike nuk kam fjalosur me to. Tek Jakomoni kam shkuar për vizitë në Pallat se na grishte, kam shkuar si superior i kuvendit e i bënim urime për Shqipni. Me Melonin jam njohur por takime nuk kam pasur. Iljaz Agushin, Papa Lilon e të tjerë i kam njohur në Tiranë, megjithatë Papa Lilon e kam njohur dhe më parë, kam pasë shkuarje por mardhënje politike jo. Ai ishte në shërbim të italianëve.

Unë nuk dij se kush ka punuar nga kleri për okupimin e Shqipnisë. Padër Palaj e Padër Gjergj Fishta kanë qenë italo-fila. Në kohën e Italisë kemi punuar për të këthyer orthodoksët në katolikë… por unë nuk dij se ka pasë qëllime politike, për këtë ka qenë i ngarkuar Delegati Apostolik, në vende të ndryshme shkonte ai vetë. Padër Karma shkonte për predikime ku kanë qenë katolik. Na kishim përfitim shpirtnor… Në Tiranë kam qenë në 1941, përpara kësaj datë kam qenë në Gomsiqe dhe në Bërdicë. Nuk kam predikuar për të shtuar radhët e fashizmit, në Tiranë kam qëndruar deri në vitin 1944. Nuk më ka ardhë keq për kapitullimin e Italisë. Mbas kapitullimit të Italisë ka hy Gjermania dhe ma vonë kam njohur gjeneralin Vistull në Tiranë, këtu kam njohur Hausdingun, tek i cili kam shkuar 4-5 herë për të shpëtuar njerëz, por nuk kam shkuar për spijunllëqe dhe nuk kam marrë pare nga Gjenerali Vistull… Me majorin gjerman që asht vra e që ka qenë tek Hausdingu jam njohur por mardhënje politike nuk kam pasur me té. Lëvizjen Nacional Çliririmtare e doja se luftonin kundër okupatorit. Komunizmin e kam urryer… Ball e Legalitet kishte por nuk jam marrë me to…

Kleri, unë e dij se nuk ka punuar me okupatorin. Padër Anton Harapi ish Regjent Shqiptar dhe njëfarë Shqipnije ishte sa me i thanë Shqipni. Unë nuk dij se shka ka punuar ai me okupatorin dhe as më bie ndër mend, por Padër Antoni është munduar shka ka muejt me ba e ka ba. Me Padër Antonin politikisht nuk kam punuar… kur u ba Regjent ka ardhë në një mbledhje në Shkodër, në “Rozafat” për mos me hy komunistat në qytet… unë nuk kam folë, as kam aprovue as disaprovue…

Aty vetëm Prenkë Cali me disa malësorë të tjerë tha hapët se ju qytetarët kini vetëm fjalë, dhe nga ne kërkoni gjithnji punën. Ne na kini lanë mbas dore, ne na thirrni kur keni punë me ba. Çfarë vëndimesh u morën aty nuk më kujtohet… Me Padër Antonin nuk kam bërë mbledhje. Nuk dij që kleri të ketë punuar për të organizue forca kundër L.N.Çl. pse unë vetë nuk kam punue. Për armën e gjatë që është gjetur në tavanin e kishës në një birë murit unë nuk di gja fare se kush e ka mëshef, kurse librat që janë gjetur në tavanin e korit të kishës si dhe nën elterin e Shna Ndout, janë futur prej shumë pjestarëve të këtij kuvendi, përposë meje që nuk kam dijtë se janë…

Me Mehdi Frasherin, Lef Nosin, Brahim Biçakun jam njohur dhe kanë ardhë në kuvend… këta ishin Regjenta… Lef Nosi shkoi në Dukagjin e Mehdi Frashëri në Gjermani, kurse Ibrahim Biçaku nuk dij gja. Tek Mato Murati kam shkuar një herë, por ai nuk ka ardhë në kuvend. Nuk asht e vërtetë që i kam çuar informata. Me Javer Rushitin jam njohur ma parë e Nën/Kolonel Garxholen jam njohur si shkodranë… Kur ishte në arrati Kol Ashiku më kërkonte lajme, por nuk i kam çue…  një plakë që kishte djalin me Kol Ashikun më ka ardhë e i kam dhanë 4 napolona letër… mbas çlirimit nuk kam treguar aktivitet kundër Pushtetit.

Mbledhje në Kuvend me karakter politik nuk kam bërë… Provokacionet greke i kam quajtur të rrezikshme… Padrejtësitë e Konferencës së Paqës i kam pritur keq. Nuk asht e vërtetë se kam sabotuar votat e dhjetorit 1945, unë nuk kam votuar… Kemi bërë mbledhje në Argjipeshkvi ku ka marrë pjesë Monsinjor Thaçi, Gjini, Volaj, Pal Doda, Fausti, Dajani dhe unë, biseduam për punë të xhakojve nëse duhej të votonin dhe vendosëm të mos votonin, se disiplina e mbrendëshme nuk i lejonte… Në Seminar ka qenë Padër Gjon Shllaku, Padër Nika… etj. por nuk dij se jepnin edukate fashiste. Tjetër mbledhje nuk kemi bërë. Në Tiranë kam shkue me kontrollue Ipeshkvinë, por mbledhje nuk kemi bërë.

Në Durrës nuk kam shkue por në Tiranë jemi kenë në qelë ku lypëm takim me Kryetarin e Qeverisë, por nuk na pranoi. Memorandum bamë por nuk e çuam, as që dij në se e ka çuar Don Shtjefën Kurti, por mbi qeverinë nuk dij gja se asht shkrue, por për çështje të shkollave që na u mbyllën asht ba memorandumi.

Delegat Apostolik ka qenë Monsinjor Nigris, zëvendës më vonë ka qenë Monsinjor Gjini, por nuk dij se si korespondonin  me Vatikanin, por në kjoftëse nëpërmjet Misjoneve të hueja… Me Loro Kurbinin nuk kam biseduar çështje politike… Më 12 tetor 1945 kam shkuar në Lezhë, … kam qenë edhe në Troshan, por nuk kam dhënë instruksione për mos me marrë pjesë në qeveri. Për organizatën Demokristjane nuk dij kurrgja. Nuk kemi formuar Komitete e N/Komitete, as kemi bërë mbledhje dhe as që asht përmendur.

I pandehuri Ndoc Sahatçija tha: Ky ka mbajtë fjalim për sabotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit dhe për me kundërshtuar Reformat e me krijuar Komitete.

I pandehuri Padër Mati Prennushi tha: Kjo asht nji shpifje, unë nuk dij gja… Dokumentat e municioni që janë gjetë në Kuvend i kam parë kur i kanë gjetë dhe kanë qenë katër pesë pushkë, do gypa me maskë, revolver, pushka automatike, fishekë dhe të tjera, edhe disa bombe të çartuna. Për dokumentat më kanë kallxue, se këto i ka pasë marrë Padër Pal Doda e Padër Çiprian Nika, këto vareshin prej meje, por unë e mora vesht kur ka ndodhë kjo, nuk ma priste mendja se janë ruajtur, i dija të djeguna… Koresponendencë me të arratisur nuk kam pasë dhe nuk i kam konsideruar si ushtri të Demokristjanës të arratisurit. Me Anglo-Amerikan nuk kam pasur lidhje. Në Komitetin e Përbashkët nuk kam qenë antar as kam ftuar njëri për të marrë pjesë. Kur është bërë ngjarja e 9 shtatorit kam ndodhur në Troshan dhe atje e mora vesh. Veprimtarinë time nuk e konsideroj kurrë trathti.

Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.

U pyet i pandehuri Monsinjor Frano Gjini dhe tha: Akuza ka disa të teprueme, por ka disa që i kemi ba. Se kam marrë pare asht e vërtetë, se kam propaganduar për fashizmin jo. Para çlirimit nuk kam punuar për pergatitjen e terrenit për ardhjen e fashizmit… kam qenë me shërbim në Kurbin, Derven, Durrës, Shna Premte, Perlat, dhe qysh prej 1930 jam Ipeshkëv i Mirditës. Regjent i Delegacionit Apostolik jam emruar në nandor të vitit 1945.

Miqësi personale me Zogun nuk kam pasë… Subvencion nga Austria kemi marrë, pastaj u shkëputëm mbasi ajo humbi luftën dhe u lidhëm me Italinë. Për ardhjen e Italisë nuk kam dijtë gja, as që kam punuar… ardhjen e fashizmit e kam marrë vesh më 5 prill 1939, por më parë nuk dija. Me datën 6 prill në Kishë i kam thënë popullit se kush trathton Atdheun trathton vedin. Ditën që erdhi Italia isha në Shkodër… Me Melonin jam njohur qysh në vitin 1920, por nuk kam pasë lidhje politike me té. Enciklika e Papës ka ardhë në 1936, Ipeshkëv ka qenë Thaçi. Unë varësha nga Delegati Apostolik, ai ma dërgoi për ta punuar por unë nuk urdhërova ta punonin se atje atëherë nuk ndihësh fare komunizmi. Marksizmi nuk njeh gjë tjetër përveç çfarë sheh e prekë me dorë, Zot e Fé nuk njeh. Ne luftojmë ateizmin…

Nuk është e vërtetë që të kem qenë agjent i Zogut dhe i Jukës… Don Lazër Shantoja dhe Padër Bernardin Palaj kanë simpatizuar Italinë… gjatë kohës së fashizmit nuk kam dhënë asnjë kontribut në favor të tyre. Unë popullit i kam treguar se nuk jam i kënaqur dhe nuk kam punuar për fashizmin, as për Ballin as për Legalitetin… Nuk kam pasur lidhje me Mark Gjon Markun dhe me as njeri tjetër. Gjatë okupacionit italian kemi bërë mbledhje në Argjipeshkvi dhe Thaçi tha, të bënim telegram dhe i dërguam dhe një delegacion në Tiranë për t’i shfaqur urimet Luogotenencës dhe në këtë komisjon isha dhe unë. Kjo ka ngjarë mbas 22 ditësh që kish hyrë Italia. Në komisjon kanë qenë përsonat që shënohen në proçesin hetimor. Kemi bërë edhe mbledhje tjera, por vëndime politike nuk kemi marrë. Padër Fausti tha të ja dorëzojmë administratën shqiptarëve dhe e mori Padër Karma… Unë shpirtnisht e urreja Italinë fashiste. Italia më ka dhënë dekoratën e Urdhërit të Skënderbeut… dhe Thaçit e Volaj. Kapitullimin e Italisë nuk e pritëm me keqardhje, por ardhjën e Italisë e Gjermanisë e pritëm keq.

Kleri sipas mendimit tem nuk ka punuar me Gjermanët. Padër Antoni bashkëpunonte me okupatorë… Unë nuk kam qenë i lidhur me Gjermanët as me Anglezët… Një kolonel anglez i plagosur në dorë ka pas ardhur në qelë dhe e kishte pritë prifti, se unë isha në Lezhë dhe i kish thënë për zbarkimin Anglo-Amerikan në Francë, por jo në Shqipëri… Lëvizjen N.Çl. për nxjerrjen e okupatorit jashtë e pëlqeja, por dija se mbrenda kish edhe komunista dhe si doktrinë e urreja komunizmin si ateiste. Në Orosh kam qëndruar deri në dhjetor 1945 kur u bëra Regjent. Thaçi vdiq më 26 maj 1946, kur unë isha Regjent Apostolik.

Organizatën Demokristjane e kam ndier me anë të radios, por unë nuk kam bërë pjesë, as kam bërë mbledhje për Demokristjane, mbasi unë nuk dij gjë fare. Nuk kam krijuar Komitete e N/Komitete të Demokristjanës. Në Rubik kam shkuar tre herë, në mbarim të frorit 1946, në maji 1946 dhe 27 gusht 1946, ka qenë dhe Bernardin Palaj dhe Gurashi, por bisedime politike nuk kemi bërë. Zef Haxhinë nuk e njoh. Në lidhje me çështjet politike i kam biseduar unë Gurashit për disa fshatarë e puntorë se, pse punojnë ditën e diele, dhe ai më tha se janë fukara. Për zbarkim të Anglo-Amerikanëve kemi folë mbasi më ka pyetur ai, por me kriminela jo. Ballafaqim me Gurashin kam bërë, por nuk janë të vërteta. Prenk Lezajn e kam pasë në famulli dhe mbas këtij kam pasë Gjon Hotin. Ata që thotë Prenk Lezaj nuk janë të vërteta, ky asht kundërshtar i yni. Mbledhje nuk kemi bërë kundër Pushtetit. Më 25 shkurt 1946, i kam dërguar një letër me postë Nuncit të Parisit në Francë dhe ai me e dërguar në Romë (mbasi ne nuk kishim lidhje postare me Italinë) ku, kam kërkuar zëvendsimin tim nga Vatikani, se nuk isha për këtë punë mbasi nuk më ka pranuar Pushteti. E kam pyetur Vatikanin, se a doni ti qëndroni kanunit të Kishës, artikullit 432, si dhe për meshët e të vdekurve. Nuk asht e vërtetë se kam shkrue gjëra politike. Këtë kërkesë ia kam paraqitur vetëm Vatikanit dhe jo Anglo-Amerikanëve. U kam shkruar famullitarëve të mos përzihën me politikë. Në Kallmet ka ardhur Dul Rrjolli dhe kam qenë me famullitarë dhe u kam thënë të mos marrin pjesë në Pushtet pa lejën teme.

Për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” nuk kam dijeni. Nuk dij gjë për Komitetet e Demokristjanes, as për Komitetin e Përbashkët. … Prenk Lezaj ka qëndruar 15 ditë dhe takim me të arratisur nuk kam bërë. Nuk kam punuar kundër Pushtetit as kam përmend zbarkim Anglo-Amerikan. Për votimet e 2 dhjetorit kam thënë, atje ku ësht populli jam edhe unë, por, nuk kam votuar. Ngjarjën e 9 shtatorit nuk dij gjë.

I pandehuri Ndoc Sahatçija tha: Prenk Lezaj më ka thënë se është takuar me të arratisur dhe kishin bërë mbledhje në Mal të Oroshit.

I pandehuri Monsinjor Frano Gjini tha: Unë nuk dij gja as kam marrë pjesë. Padër Karma më ka thanë a don me qitë xhakoj për verim dhe i kam thënë mbaji aty. Frrok Dedën nga Fani e kam pasur shërbëtor. Dom Mark Xhanin nuk e kam çuar gjëkundi.

Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.

Ju kënduan ballafaqimët dhe i mohoi.

U pyet i pandehuri Don Tom Laca dhe tha: Unë nuk jam përzier kurrë me politikë. Organizatën Demokristjane së pari e kam ndier kur është bërë gjyqi. Fakultetin e Teologjisë e kam mbaruar në Romë. Me qeverinë e Zogut nuk kam pasë bashkëpunim… unë nuk kam punuar për fashizmin as për gjermanët. Për klerin nuk dij gja. Unë kur ka takue rasti kam ndihmue Lëvizjen N.Çl. si Gac Mazin etj. Shoqnitë Antonjane e të tjera kanë qenë fetare, por ndonjëra prej këtyre ka punuar për punë politike por unë vetë, jo. Unë kam qenë sekretar i Argjipeshkvit në vitin 1945, … ësht bërë një mbledhje në Argjipeshkvi (unë nuk kam qenë), kishte marrë pjesë Thaçi me disa civilë, Guljelm Suma, Cin Serreqi etj. për të mbrojtur kufijt e Jugosllavisë. Nuk kemi bërë mbledhje kundra L.N.Çl. unë dij se asht bërë edhe një mbledhje tjetër për çështje të Prefektit të Shkodrës por, për Komitet nuk dij gjë.

Me gjerman nuk kam bashkpunuar dhe Organizatën “Bashkimi Shqiptar”e kam marrë vesh në radio. Kur asht ba mbledhja për dërgimin e Padër Antonit në Regjencë nuk kam qenë dhe as më ka pyetur njeri. Nuk kam bërë propagandë as kam shkruar për fashizmin. Çlirimi i Shqipërisë më pëlqeu. Mbledhje për Organizatën Demokristjane nuk kemi bërë, dhe në shtëpi të Pjetër Shan Dedës nuk kam qenë, përveç se kur i ka vdekur i vëllai kam shkuar me Monsinjor Thaçin. Nuk kam qenë armik i Pushtetit dhe i popullit, as kam organizuar organizata kundër Pushtetit, nuk kam folur për zbarkim as kam komentuar radiot e huaja. Nuk asht e vërtetë që të kemi pregatitur 9 shtatorin me Riza Danin e Paulin Palin. Letra Vatikanit me anën time nuk i është dërguar asnjë, mbasi unë nuk dij gjë. Nuk i kemi dhënë Don Shtjefën Kurtit letra për Misionët e huaja. Jam ballafaquar me Cin Serreqin, por ndonjë mbledhje nuk kam ba, kjo nuk asht e vërtetë, mbasi unë mbledhjen e kam gjetë të kryeme. Për kundra L.N.Çl. nuk kemi biseduar dhe as që kemi vëndosur që ta luftojmë deri në fund. Mbas çlirimit nuk jam takuar me njeri, as me Abdyl Kokoshin as me Uan Filipin, gjithashtu nuk kam takuar as Kolec Dedën, dhe as që kam biseduar gjë me té. Asnjë mbledhje nuk kam bërë dhe as më ka thirrur njeri. Me Pal Dodën jam ballafaquar por nuk është e vërtetë, nuk dij pse thotë ai, sëpse unë nuk kam folë çeshtje politike me té. Për Sadik Ramën nuk kam folur gjë. Për Delegatin Apostolik, se do të vinte nga Amerika e kam ndigjue nga radio Vatikani. Për çështje të votimeve nuk kemi bërë mbledhje as që kemi vendos ti sabotonim.

Me Dom Mark Hasin jam ballafaquar dhe i kam treguar për një letër të Monsinjor Gjinit, por jo për gjëra të tjera. Nuk kam qenë armik i Pushtetit dhe nuk kam bërë gjë.

Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.

U pyet i pandehuri Zef Haxhija dhe tha: Jam i pafajshëm… Jam qenë Konsull Nderi i Çekosllovakisë pa rrogë… Kam qenë Konsull Nderi dhe jo agjent. Dragoman kam qenë në Konsullaten Hungareze por jo spijun. Fashizmin e kam pritur keq… Në aksionin katolik kam qenë Kryetar i grupit të burrave. Veprimi Katolik ishte thjesht fetar dhe drejtimin e kishte Don Mikeli dhe Don Zef Shestani që sot njeri është në burg dhe tjetri i arratisur. Luftën N.Çl. gjatë okupacionit e kam pritur shumë mirë dhe kam aderuar, kam mbledhur ndihma për té. Gjermaninë e kam pritur keq. Melonin e kam njohur si koleg konsull… dij se kleri merrte subvencion nga Austria dhe se ka pasë punë drejt për drejt me konsullin. Nuk kam qenë antar i Demokristjanës as ma ka përmend kush dhe as që kemi bërë mbledhje. Fill mbas çlirimit jam emruar antar i Komitetit të Qarkut dhe në Front të Qarkut dhe ma në fund në Asamble… se jam i sëmurë i kam thënë Zija Dibrës, por nuk u muar para sysh…

Mbasi u sëmura u këtheva në Shkodër dhe menjëherë dhashë dorëheqjën… Unë nuk kam marrë pjesë në mbledhje që janë bërë. Me Volaj jam ballafaquar, por nuk kam qenë antar i Demokristjanës, por ata që kanë thënë për mua e kanë gabim. Nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Enciklikën e Papës ma ka kënduar Don Mikeli, por nuk e kemi punuar… Me Kol Prelën nuk kam pasë lidhje. Për ngjarjen e 9 shtatorit e kam marrë vesh në nesre si gjithë bota.

Ju kënduan thënjet që ka bërë në Seksion dhe i vërtetoi.

Vendim: Tue marrë parasysh kërkesën e Prokurorit u vëndos referimi i aktëve të Prokurorisë për shqyrtim dhe për të bërë pretencën e fundit gjyqi u la për datën 8 janar 1948, ditën e enjte, ora 9 para dreke.

Shkodër, më 7 janar 1948.

Sekretari d.v.   Antar d.v.   Antar d.v.   Kryetari d.v. (firmat)”.

***

Deri këtu vazhdon dosja faqe nr. 25.

Vendet ku shihni pika (…) nuk kam shkrue përsëritjet e thanjëve që më janë dukë pa rëndësi për çështjen, mbasi si duket, trupi gjykues për me mujtë me zanë në gabim të pandehurin ka përsëritë një pyetje disa herë. Nuk kam përsëritë edhe shpjegimet biografike.

 

  • PJESA E DYTË

Pretenca e Prokurorit: 8 janar 1946, ditë e enjte, në ora  9.00 para dreke u sollën të pandehurit nga burgu, u formua trupi gjykues si më parë duke qenë gati: Prokurori Kapiten Namik Qemali dhe sekretari Shaban Dautaj. Prokurori bëri pretencën me shkrim dhe përfundimisht kërkoi që të pandehurit të cilësohën fajtor si mbas nenit 2, 3 të pikës 1, 2, 7, 8, 14, të ligjës Nr. 372 dhe në bazë të  nenit 4 po të kësaj ligje kërkoi dënimin e të pandehurve si vijon:

  1. Për Monsinjor Frano Gjinin, Don Nikoll Dedën, Padër Mati Prennushin  dhe  Don Tom  Lacën,  me vdekje.
  2. Për Padër Gjon Karmën me 20 vjet privim lirije e punë të detyrueshme.
  3. Për Don Ndoc Sahatçinë me 15 vjet privim lirije e punë të detyrueshme.
  4. Për Padër Mëhill Miraj me 10 vjet privim lirije e punë të detyrueshme.
  5. Për të pandehurin Zef Haxhija dhe Don Nikoll Shelqeti, me nga 5 vjet privim lirije e punë të detyrueshme.
  6. Për të pandehurin Zef Pëllumbi me 3 vjet privim lirije e punë të detyruar.

U pyetën të pandehurit për herën e fundit me radhë:

I pandehuri Padër Mëhill Miraj tha: Unë e kam thënë në proçes. Vendimit i rrij por kam ndihmuar partizanët jugosllavë e shqiptarë dhe ndër shumë raste të tjera kam dhënë ndihma njerëzve të Lëvizjes N.Çl. tjetër nuk kam për të thënë.

I pandehuri Don Nikoll Shelqeti tha: Para Perëndisë e robit nuk jam për një dënim të tillë se nuk kam, se nuk kam ba gja, por përkundrazi njerëzve të Lëvizjes N.Çl. i kam udhëheqë e ndihmue dhe kam predikue në favor të qeverisë.

I pandehuri Zef Pëllumbi tha: Njato shkrime që kam ba, por jo për propagandë dhe nuk i kam sjellë dëm as pushtetit dhe lypi mëshirë.

I pandehuri Zef Haxhija tha: Më vjen shumë keq të pësoj një të vogël dënim për një akuzë të Demokristjanës, që unë nuk kam qënë, por vetëm jam viktimë e Gjergj Volajt, por nuk kam pasë pjesë, prandaj kërkoj pafajsinë.

I pandehuri Don Ndoc Sahatçija tha: Vendimi i drejtë dhe i lehtë, se ndoshta është marrë parasyshë edhe sinqeriteti im para gjyqit, por shumë partizanë si Ndoc Mazi e Gjulbegu kanë pasë bazat tek mua, dhe mbas çlirimit kam inkurajuar punët vullnetare e parimët e sistemit të rij, me gjithë se neve kemi bërë edhe agjitacion të kundërt. I kam ofrue oficerave të Lëvizjes strehim e ushqim e pritje. Kërkoj mëshirë dhe lehtësim me qenë e mundur.

I pandehuri Padër Gjon Karma tha: Sikur kam diftue edhe në proçes dhe para gjyqit nuk dij se kam ba veprim kundra Pushtetit. Kur më ka rënë rasti për të folur për pushtet kam folur në favor, (kam predikuar për té). Nuk kam sabotuar reformat, përkundrazi e kam këshillue popullin të shkojë në punën e vetë. Tash gjyqi rroftë e vendimit duhet me i ndejë.

I pandehuri Don Tom Laca tha: Unë nuk jam përzier kurrë në politikë. Unë jam tepër i befasuem që të kem qenë në Demokristjane. Unë së pari e kam ndier atë emër kur u bë gjyqi. Unë nuk kam ba gja kundra Shtetit e popullit. Kur me ka rënë rasti kemi ndihmuar njerëzit e Lëvizjes N.Çl. Unë nuk kam dijtë kurrgjë për Komitet se nuk kam pasë as prirje dhe ky ndëshkim asht i tepërt, lyp mëshirë.

I pandehuri Don Nikoll Deda tha: Më duket mue ndëshkimi i prokurorit i rëndë, përveç mbledhjes rastësisht tek Pjetër Deda e Cin Serreqi tjetër nuk kam bërë, thashë këto kanë qenë të rastit. Subvencionët i kam marrë me titullin “Ndihmë”. Pregatitja e terrenit për ardhjen e Italisë nga unë ose nga kleri nuk është e vërtetë, as për fashistizimin e popullit. Unë kam shkue tek Jakomoni e të tjetrë me lyp ndihma për ngritjen e Kishës. Nuk kam qenë i lidhur me gjermanë, por u kam dhënë bukë e streh njerëzve të Lëvizjës N.Çl. por edhe gjermanëve për hospitalitet si shqiptar. Unë nuk e konsideroj vetën fajtor. Rroftë Shqipëria. Me dashtë Zotin mbi gjithshka dhe shokun si vedin.

I pandehuri Padër Mati Prennushi tha: Unë nuk kam pasë dijeni për Parti Demokristjane. Sa për kundra Pushtetit jam krejt i bindur se nuk kam bërë asgjë, por ndihma i kam dhënë njerëzve të Lëvizjes N.Çl. dhe i kam strehue si: Injac Ndojën e Çesk  Kabashin, i kam mbajtë një muej në Kuvend, po të isha kundra nuk e çaja kokën kurrë. Nuk kam dhënë asnjë direktivë ose udhëzim kundra Pushtetit, po të dalë një jam gati. E ndiej vetën të pafajshëm. Rroftë Shqipnia e Shqiptarët! Dhe në deksha unë nuk prishë punë. E dij se jam i pafajshëm.

I pandehuri Monsinjor Frano Gjini tha: Dëshmia e Preng Lezajt asht falso se nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë edhe ajo e Padër Gurashit që ti kem thënë unë me ba sabotime në punëtori, por vetëm i kam thënë se pse punojnë të dielat që janë ditë feste. Për Demokristjanën nuk dij gjë për té, as për program as që kam qenë pjestar i sajë. Sa për ndihmën e luftës N.Çl. është e vërtetë se nuk kam ndihmue, se kam pasë mbi krye Gjon Markagjonin. Mbas shlirimit kam strehue dhe ushqyer tre batalione ushtarë të luftës N.Çl. përveç, ekipeve të ndryshme.

Nuk kuptoj kërkesën e prokurorit, sikurse unë kam kenë krejt organizator. Sa për Don Sahatçinë që thotë për mue, ky thotë kot. Katundarin e kam mallkuar në bazë të Statutit Kishtar se kishte marrë tokën e Kishës dhe kur është bërë ligja nuk kam folë por i kam denoncuar të gjitha, edhe ullinjtë. Nuk kam sabotuar Pushtetin.

  • Gjykata deklaroi këtë:

NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR:

Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës i formuar me: Kryetar Kapiten i I-rë  Misto Bllaci, Anëtar  N/Toger Anastas Koroveshi, Anëtar    N/Toger Xhemal Bejtja, Duke qenë gati Prokurori, Kapiten Namik Qemali dhe Sekretari, Shaban Qamil Dautaj. Në audiencën publike me datën 8 janar 1948, ka dhënë këtë:

V E N D I M

Në çështjen penale të rregjistruar nën Nr. 17 të Radhorit Themelor për vitin 1948, kundra:

  1. Monsinjor Frano Pjetër Gjini, 2. Don Nikoll Zef Deda, 3. Padër Mati Prennushi, 4. Don Tom Laca, 5. Zef Kol Haxhija, 6. Don Ndoc Sahatçija, 7. Padër Gjon Karma, 8. Don Nikoll Shelqeti, 9. Padër Mëhill Miraj dhe 10. Zef Gjeto Pëllumbi …”. Për secilin Kryetari i trupit Gjykues përsëritë ato pak rreshta të fillimit me të dhanat e shkurta biografike. Mandej vazhdon me shpjegimin e “faktëve” mbi të cilat asht bazue me dhanë vendimin. Si pretenca ashtu edhe vëndimi kanë një përmbajtje, veç me një ndryshim, se pretenca asht tri faqe e gjysëm e vëndimi ka afër dhetë faqe. Unë do të nxjerri vetëm konkluzionet, mbasi për lexuesin do të ishte një mërzi e madhe me lexue dhetë faqe pa asnjë bazë të vërtetë, mbasi pikërisht për këtë arësye e kam fillue shkrimin aty ku fillon dosja. Më asht dukë me vend me hy në faqen e parë të dosjes pa ndikue tek lexuesi me mendimet e mija, ose me shpjegime që do t’i lexoni ma poshtë dhe, besoj, nuk kam gabue tue ju paraqitë secilin përson me thanjet e kundërthanjet e tij. Kryetari Misto Bllaci tha: “Të akuzuar me akt-akuzën e Prokurorisë Ushtarake me Nr. 2, datë 2 janar 1948 për fajin se:

Kanë punuar për ardhjen e fashizmit dhe okupimin e vendit tonë nga imperializmi italian. Qysh para okupacionit kanë qenë agjent politik dhe spijunazhi të imperializmit italian… kanë punuar për fashistizimin e vendit… janë përpjekë të shuajnë ndjesitë patriotike dhe nacionaliste të popullit … kanë qenë pengesa serioze e Lëvizjës N.Çl… janë bërë agjentë të Italisë e Gestapos… fillojnë organizimin që të godasin Pushtetin me forcë… Organizimin e tyre e fillojnë duke e transformuar gjithë klerin katolik në një organizatë fashiste të quajtur Demokristjane. Zgjedhin Komitetin Qendror me elementët e sipërpërmendur… Pregatisin kryengritje imediate të armatosur… duke u lidhur me të arratisurit dhe duke dërguar memorandume imperialistëve të huaj. Formuan Komitetin e Përbashkët të organizatës terroriste të Shkodrës… duke u përfaqesuar nga Don Nikoll Deda… kanë zhvilluar propagandë të gjerë për formimin e kryengritjës së 9 shtatorit 1946. Nga të pandehurit, Zef Haxhija ka qenë antar i Komitetit Qendror të Demokristjanës, që ka trathtuar besimin e popullit… Kleri katolik që në kohën e Turqisë është munduar të përçajnë popullin… Në kohën e Austro-Hungarëve kanë qenë të lidhur ngusht me to… kanë lënë popullin shqiptar në injorancë… mbanin lidhje me imperializmin jugosllav… këta të pandehur janë vënë në shërbim të imperializmit italian… përveç lidhjeve me Vatikanin… këta ishin të parët që pritën trupat italiane kur zbarkuan në Shqipëri… kleri ishte i pari për mobilizimin e popullit në milicinë fashiste, karabinjerinë etj…. këta thonin se komunistët janë të pa fe, të pa nderë etj… këto kishin krijuar që në kohën e Zogut, Partinë Demokristjane… e cila do të kishte pozita kyçe me shkuarjen e Padër Anton Harapit në Regjencë… këta kanë bashkëpunuar me Ballin, Legalitetin, Nacinal Indipendentët, etj…. demokristjania gjeti  si agjentë adapt Kol Prelën, Zef Haxhinë, Riza Danin të cilët ishin futur kontrabandë në front dhe ishin zgjedhur… Demokristjania mbante lidhje me Komitetin Qendror të Ballit e Legalitetit në Tiranë… me Abdyl Kokoshin… menduan për kryengritjen e përgjithëshme të 14-15 shtatorit 1946, që u bë më 9 shtator, por kjo trathëti e poshtër nuk pat sukses…  Trathëtia e tyre u provua nga ballafaqimët e bëra këtu dhe në hetuesi, si dhe nga thënjet e të pandehurve të tjerë si Monsinjor Volaj, e Padër Rrok Gurashi, nga armët e gjetura, nga opinjoni publik, dhe nga krejt vazhda e trathtisë së tyre, duke qenë kryesor të trathtisë në çdo rregjim, si shkaktar për çdo poshtërsi është qenë kleri katolik reaksionar… si të tillë, fajet e tyre penale parashikohen nga nenët 2, 3, pikes 1, 2, 3, 4, 7,  8, 9, 10, dhe nenët 7, 8, të ligjës Nr. 372 mbi fajet penale kundër Shtetit dhe Popullit… dhe, gjykata mbasi shikoi të kaluarën, të ardhshmën dhe rrezikshmërinë që i paraqesin shoqërisë, me vota të përbashkëta, pjesërisht në kundërshtim me kërkesën e Prokurorit,

  • Vendosi dënimin e tyre si vijon:
  1. Për të pandehurit: Monsinjor Frano Gjini, Padër Mati Prennushi dhe Don Nikoll Deda nga Shkodra me Vdekje, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile përgjithmonë dhe, me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme.
  2. Për të pandehurin: Don Tom Laca nga Shkodra me privim lirije e punë të detyruar për jetë, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile përgjithmonë, dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme.
  3. Për të pandehurit: Padër Gjon Karma e Don Ndoc Sahatçija me 15 vjet privim lirije e punë të detyruar, dhe me humbjen e të drejtave politike e civile për 5 vjet kohë, dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme.
  4. Për të pandehurin: Padër Mëhill Miraj me 7 vjet privim lirije e punë të detyruar, dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile për 5 vjet kohë, dhe me konfiskimin e pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme.
  5. Për të pandehurin: Zef Haxhija nga Shkodra me 5 vjet privim lirije e punë të detyruar.
  6. Për të pandehurit: Don Nikoll Shelqeti dhe Zef Gjeto Pëllumbi nga 3 vjet privim lirije dhe punë të detyruar.

Të dënuarve u ngarkohen 162 lekë shpenzime gjyqi.

Ky vendim i referohët Gjykatës Naltë Ushtarake për aprovim përsa u përket të dënuarve me vdekje, kurse për të tjerët mundet të bëhet ankim po në Gjykatën e Naltë Ushtarake, mbrenda tetë ditëve nga datë 8 janar 1948 që u çpall vendimi.

Shkodër, më 8 janar 1948.

Sekretari d.v.    Antari d.v.     Antari d.v.    Kryetari d.v.  (Vetëm firmat)”

  • Në dosje ndodhet vetëm kërkesa e Imzot Frano Gjinit, që i ka dërgue Gjykatës së Naltë në Tiranë (e shkrueme prej dorës së tij), të cilën po e shkruej të plotë pa asnjë mangësi ashtu si mbas origjinalit, si edhe vëndimin e Gjykatës së Naltë Ushtarake të Tiranës:

“V. F . L. P.

Të Ndertit Gjygjit të Naltë Ushtarak, Tiranë

Un i nënshkruemi Mons. Frano Gjini, Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni, kam nderën të njoftoj atë P. T. Gjykatë të Naltë se e ndiej për detyrë të Shejtë të kundërshtoj vendimin e Gjygjit Ushtarak të Shkodrës dhanë më 8-I-1948, me kenë se ky vendim asht dhanë në bazë të akt-akuzës lshue prej Prokurorit Ushtarak të Z. U. të Shkodrës me 2 – I -1948, e cila, si asht formulue nuk asht konform me të vërtetën për sa i përket personit t’im:

1). Se nuk kam punue për ardhjen e fashizmit italian në Shqipni,

2). Se nuk kam kenë spijue i imperializmit nazi-fashist,

3). Se s’kam punue për fashistizimin e vendit;

4). Se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italjan me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italjan, bashkë me Kolegët të tjerë t’ Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç të nji formaliteti konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjith përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit t’onë;

5). Se nuk kam shue ndjesit patriotike nacjonale të popullit;

6). Se nuk kam vue kurrnji pengesë serioze për liminimin e Lëvizjës N.Çl.

7). Se nuk kam ndihmue n’asnji mënyrë Qeverit Quislinge;

8). Se nuk kam ndihmue kurrkend për të pengue resistencën e popullit kundra okupatorit, prandej as formacjonin e bashibuzukve kundra L.N.Çl.

9). Se mbas çlirimit nuk kam organizue, marrë pjesë, a kryesue ndonji grup politik antipopullorë, me qëllim për të përmysë Pushtetin me vjolencë; as nuk kam ngarkue ndonji person klerik a civil për të më përfaqsue ndër grupe të tilla, në se kanë eksistue;

10). Se nuk i kam drejtue kurr memorandume çëdo karakteri imperialistave të huej;

11). Se nuk kam pasë kurrnji përpjekje as me ilegal, as me reakcjonin e mrendshëm e të jashtëm.

Prandej në lidhje me sa sipri e ndiej për detyrë ndërgjegje kombtare, shoqnore, profesionare ti kërkoj në bazë të drejtsisë prej asajë të Ndertës Gjykatë rishikimin e gjygjit, prishjen e vendimit të tij e njoftjen e pafajsis s’eme.

N’uzdajë se kërkesa e eme ka m’u pranue, nënshkruhem me nderime,

Shkodër, 10-I-1948                          +Frano M-a  Gjini

Regjent’i Delegacjonit Apostolik në Shqipni”

  • Nr.88/I Tiranë, 24 shkurt 1948

Ministrisë Mbrojtjes Kombëtare

Për t’ia përcjellë Presidiumit Kuvendit Popullor

Refuzuar.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake

Major Niko Çeta d.v.

Për këto arësye kjo Gjykatë është e mendimit që të mos i akordohet asnjë konçesion faljeje ose lehtësimi në dënimin e tij.

  • Shënimi i em: Kjo shkresë u dërgue bashkë me dorëshkrimin e Imzot Frano Gjinit në Presidiumin e Kuvendit Popullor, sigurisht, duhet të kenë pasë edhe arësyet e refuzimit, por në dosje nuk janë.

“Republika Popullore e Shqipërisë

Vdekje Fashizmit                                                             Liri Popullit

  • Gjykata e Lartë Ushtarake

Nr.67 i Regj. Them. Nr. 114 i Vendimit.

  • PROCES – VERBAL

Sot me datën 6 mars 1948, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake i formuar prej:

Major  Niko Çetës, Kryetar,

Kapiten i I-rë Nexhat Hysenit, Antar,

Kapiten i II-të Mystafa Iljazit, Antar,

I asistuar nga Kryesekretari Aspirant Thoma Rino, dhe në prezencën e Prokurorit Ushtarak t’Ushtrisë K. Shqiptare Kapiten i I-rë Nevzat Haznedarit, mori në shqyrtim akt-gjykimin Nr. 2, datë  8 janar 1948, të Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me të cilën në bazë të nenëve 2, 3, 7 e 8 të ligjit nr. 372 datë 12 dhetor 1946, mbi fajet penale kundra Popullit e shtetit, është vëndosur ndëshkimi me VDEKJE, humbjen e të drejtave civile e politike të përherëshme si dhe konfiskimin e pasurisë së luajtëshme dhe të paluajtëshme, kundra të pandehurve:

  1. MONSINJOR FRANO GJINI, i biri i Pjetrit dhe i Drandës, vjeç 62, lindur dhe banues në Shkodër, 2. PADËR MATI PRENNUSHI, i biri i Kolës dhe i Drandës, vjeç 66, lindur dhe banues në Shkodër, dhe 3. DON NIKOLL DEDA, i biri i Zefit dhe i Agës, vjeç 58, lindur dhe banues në Shkodër, të akuzuar se: kanë punuar për ardhjen e Fashizmit Italian dhe okupimin e vendit tonë, qysh para okupacionit kanë qenë agjenta politikë dhe spijun te Imperializmit Italian. Gjatë okupacionit Gjerman, janë bërë agjentë të Gestapos duke denoncuar në zyrat sekrete të sajë, militantët e L.N.Çl. Kanë ndihmuar repartët dhe formacionet armike dhe bashibozukë kur shkonin për të luftuar kundra partizanëve. Mbas çlirimit të Shqipërisë fillojnë organizimin e tyre për brenda klerit katolik me qëllim që të godasin Pushtetin Popullor, organizatë e cila drejtohej prej Monsinjor Gjinit, Don Nikoll Dedës dhe Padër Mati Prennushit, të cilët më vonë e këthyen gjithë klerin katolik në një organizatë fashiste të quajtur Demokristjane. Prokurori kërkon të vëndoset aprovimi i vëndimit të sipërm, si me vend dhe i bazuar në ligj.
  • K ë s h i l l i:

Mbasi shqyrtoi një nga një të gjitha aktet e dosjes, bisedoi dhe studjoi çështjen nga pikpamja e fakteve dhe të ligjit, dha këtë, vendim: Nga shqyrtimi i akteve rezulton se të pandehurit Monsinjor Frano Gjini, Padër Mati Kol Prennushi dhe Don Nikoll Zef Deda, kanë pregatitur terrenin për ardhjen e fashizmit dhe të okupimit të vendit tonë nga Imperializmi Italian, për këtë punë kanë marrë dhe shpërblime të konsiderueshme në të holla. Gjatë okupacionit kanë punuar për fashistizimin e Popullit Shqiptar. Me çdo mënyrë janë munduar të shuajnë ndjenjat nacionale të Popullit. Janë munduar të përçajnë popullin shqiptar; kanë luftuar nën petkun fetar kundra luftës së popullit për liri, kanë ndihmuar dhe kanë bashkëpunuar me të gjitha organizatat kriminale për të shuar Lëvizjën N.Çlirimtare; kanë përkrahur dhe ndihmuar me shkrime dhe agjitacion në popull që të gjitha Qeveritë kuislinge të kohës  së okupacionit si dhe politikën e tyre reaksionare. Gjithashtu dhe gjatë okupacionit Gjerman janë bërë agjenta të Gestapos, duke denoncuar në zyrat e saj sekrete të gjithë elementët e L.N.Çl. Janë munduar me çdo metodë ndër besimtarët duke helmatosur ndjenjën nacionale. Çlirimi i Shqipërisë dhe marrja e Pushtetit në duart e popullit bënë që këta të vazhdojnë luftën më më tërbim. Për këtë arësye fillojnë një agjitacion në stil të gjerë për të sabotuar të gjitha reformat e Pushtetit Popullor, si reformën agrare, arësimore, tatim fitimet, zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 etj. Me ardhjën e Misioneve të huaja krijuan lidhjet dhe raportojnë dhe marrin direktiva sesi duhet të punonin.

Me anë të Misioneve Anglo-Amerikane komunikonin dhe me Vatikanin, dhe merrnin direktiva herë pas herë sesi duhet të punonin. Të pandehurit kanë qenë ndër udhëheqësit e organizatës trathtare Demo-Kristjane, kanë marrë vëndime dhe kanë krijuar nën Komitete të kësaj organizate, duke caktuar si Kryetar të këtyre N/Komiteteve Klerikalët.

Më vonë Komiteti Qendror i Demo-Kristjanëve për të zgjeruar organizatën dhe ndër elemente muhamedan, studenta dhe intelektualë të mykur e ndrron emrin, duke e quajtur partia Social-Demokrate. Të pandehurit kanë ndihmuar dhe pregatitur kryengritjen e Llesh Marashit; kanë krijuar lidhje e bashkëpunim me organizatën e Ballit. Kanë nxitur dhe pregatitur kryengritjën e 9 shtatorit 1946. Nëpër Kisha dhe seminaret e tyre janë gjetur depo armësh; municionesh dhe shumë dokumenta të trathtarëve Gjon Markagjonit, Papa Lilos dhe Padër Anton Harapit. Të pandehurit kanë udhëzuar rininë femnore që t’iu afrohen njerëzve të Pushtetit, kanë nxitur dhe të çnderohën kundër vullnetit të tyre, mjafton që të vjedhin dokumente sekrete. Përsa u tha më nalt konstatohet se trathtia e tyre ndaj popullit dhe Atdheut është e vjetër dhe tepër e rëndë. P r a n d a j :

Për këto arësye Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në bazë të Nenëve 10 dhe 17 Nr. 2 të Ligjit Nr. 368 datë 5 dhjetor 1946, mbi organizimin dhe kompetencat e Gjykatave Ushtarake, duke pranuar dhe kërkimin e Prokurorit, vendosi: Aprovimin e vendimit Nr. 2 datë 8 janar 1948, të Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, që përmban dënimin dhënë kundra të dënuarve:

  1. MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI, nga Shkodra,
  2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, nga Shkodra dhe
  3. DON NIKOLL ZEF DEDA, nga Shkodra, ME VDEKJE, me humbje të drejtave civile e politike të përherëshme, si dhe konfiskimin e pasurisë së tyre të luajtëshme dhe të paluajtëshme.

Ky vendim është i  p r e m ë. Tiranë më 6 mars 1948.

KRYESEKRETARI: d.v. ANTARI: d.v.  ANTARI: d.v. KRYETARI: d.v.” (vetëm firmat)

Republika Popullore e Shqipërisë                                             V.F.L.P.

Gjykata Ushtarake Shkodër, Shkodër, më 12 mars 1948,  Shkresë Nr. 64/III Prot.

  • GJYKATËS SË NALTË USHTARAKE, Tiranë

Përgjigje e shkresës Nr. 88 datë 8 mars 1948:

Ju njoftojmë se të dënuarit ME VDEKJE:

  1. MONSINJOR FRANO PJETËR  GJINI,
  2. PADËR MATI KOL  PRENNUSHI, dhe
  3. DON NIKOLL ZEF DEDA, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan me datën 11 mars 1948, ora 5.00 para dite dhe fjala e fundit ka qenë:
  4. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!
  5. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija! U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!
  6. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!
  7. Kryetar i Gjykatës

67 Rregj./1948                                   Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”

  • Ky ishte vetëm fundi i Kalvarit që nuk ka mujtë me e mëshef as Sigurimi i Shtetit as Partia Komuniste terroriste Shqiptare.

 

  • PJESA E TRETË

H.Uajzberg thotë se “Vrasësi tipik e shikon vetveten si ndonjë hero”. P. K. që duhet të lexohet nga ne Partia e Katilëve dhe jo Partia Komuniste, kishte grumbullue në gjiun e sajë llomin e shoqnisë njerëzore dhe, llomi i këtij llomi terrorist ishte Sigurimi i Shtetit Shqiptar.  Këta ishin qen që kanë prejardhje prej ujku por, sidukët, nuk janë në gjendje të harrojnë atë që trashëgojnë, kështu, thotë Tilman.

  • “Filmi jugosllav” në Shkodër, kishte fillue prej shumë kohe.

“Në vitin 1920, konsulli i parë jugosllav në Shkodër Aleks Martinoviq, nga Cetina, kishte vue gurin e themelit të asaj makabre që do të ndërtohet mbi vorret e shkodranëve. Shtihej mik i klerit katolik  shqiptar. Shumë shpejt, në 1921 vjen Lubo Neshiq, që ruan lidhjet e të parit. Në vitin 1922 e deri në 1927, vjen Ivan Vukotiq, edhe ky nga Cetina. Lidhet me përkrahësit e Zogut si Maliq Bushatin, Gjon Markagjonin, Lin Gilen, Alush Lohën, Don Nikoll Dedën, Pop Jefton, Hasan Beg Bushatin, etj. Në vitin 1927 vjen Trajan Zhivkoviq, nga Shkupi, thohet se kishte “vetëm një mik”, Hasan Efendi Bekteshin. Mbas këtij erdhi Dragan Bozhoviq nga Shumadija, që pa mbushë as dy vjet zëvendsohët në 1929, nga Milivoja Milçiç, që ka ndejë deri në 1935. Lidhjet kryesore i rujati me Maliq Begun, ndërsa mendohet se ky formoi një rrjetë spijunazhi të gjanë me Hysen Sumën, Bec Osin, Ali Taipin, Jakup Ganjollën, Xhel Ferhatin, Can Memën, Ymer Lutfinë, të gjithë nga Shkodra. Pak kohë vjen një Sebriq (mbiemni asht i palexueshëm) dhe shpejt edhe ky zëvendsohët me Dusho Stojakoviq, nga Zemuni. Ky qëndroi 2 vjet e gjasht muej, largohet në muejn gusht 1939. Vjen Stojanoviq nga Beogradi, i cili kishte relata të mira me italian, kryesisht me konsullin Meloni. Sekretar nga Shkodra punonin, Jasho Beroviq, Danjel Gjurgjoviq dhe Mitër Kërsniq”,

Me datën 6 prill 1940 fillon lufta Italo-Jugosllave, mbas së cilës siduket nuk vazhdojnë mardhanjet normale. Kështu deponon z. Isuf Sokoli, para hetuesit Dul Rrjolli, i arrëstuem më 20 tetor 1946, tue theksue se ai vetë nuk ka kenë asnjëherë spijun. Dënohet 2 vjet burg si përkthyes i asaj konsullate. Në janarin e 1945 asht Sheuqet Peçi, i pari që viziton Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Ai shoqnohej nga Kol Jakova (shkrimtari) dhe Çiril Pistoli, të dy vegla të komunistëve deri në vdekje. Vizitojnë muzeun dhe bibliotekën, me këtë rasë fillojnë edhe plaçkitjet, marrin dy-tri pushkë muzeale të gjetuna nga At Gjeçovi. Kjo ishte sa me fillue.

Në takimin e parë që ban me At Mati Prennushin, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, Sheuqeti i paraqet mendimet e autoritetëve të nalta komuniste për mardhanjet me Françeskanët, tue u nënkuptue që këto mardhanje do të ishin me krejt klerin katolik shqiptar. Mbas kryengritjes së Prenk Calit dhe asaj të Koplikut me Llesh Marashin, ku janë pushkatue ma shumë se 118 burra të malësisë pa gjyq, në datat 14 e 15 janar 1945, nën drejtimin e kriminelit Mehmet Shehu, ky terrorist i pashoq, që ishte komandant i operacionit në Veri, i drejtohet Kuvendit Françeskan, se gjoja kishte kënaqësi me vizitue qendren e patriotizmit shqiptar, tue i këthye edhe vlerat muzeale të plaçkituna pak ditë maparë nga shokët e tij,  si “vëprim i nxituem”. Me një servilizëm dhe hipokrizi komunisti u flet edhe studentëve për vlerat patriotike të asaj shkollë.

Edhe ky si paraardhësi i tij në takim me At Matinë, paraqet kërkesat e bashkëpunimit me klerin, tue i shpjegue se keni informacione të gabueme për komunistët shqiptar dhe njëkohësisht ne do të tregojmë me vepra se nuk jemi si na paraqesin armiqtë tanë. Gjatë bisedës, ai tregohet mirënjohës për ndihmën e klerit katolik në shpëtimin e shumë shokëve të L.N.Çl. nga gjermanët. Ajo që mbetët me u diskutue ma vonë do të jetë çështja e Vatikanit mbasi Papa i Romës, asht armiku  ma i  vendosun i internacionalizmit proletar dhe i komunizmit.

Përgjegja e preme dhe e shkurtë e At Matisë, se Françeskanët nuk do të përzihen në politikë dhe se nuk do të pranojnë me diskutue premjen e mardhanjëve me Vatikanin, mbasi nuk kemi ndër mend me u këthye Orthodoks si Kishat Autoçefale të Lindjës, përcakton kjartë rrugën që do të vazhdojnë të dy palët, që tashti mund të konsiderohën kundërshtare të hapta.

Në të njajtën kohë në Tiranë bahët përpjekja me Imzot Prennushin, Bumçin dhe At Pjetër Meshkallën, tue marrë po atë përgjegje si në Shkodër. Pushkatimi i atdhetarëve Don Lazër Shantoja e Don Ndre Zadeja, në mars të 1945, tregon dhambët e vërtetë të komunistëve të Tiranës, që fillojnë me zbulue qëndrimin jugosllav nën lëvozhgën e komunistëve “shqiptarë”. Nxjerrja jashtë Shqipnisë e Delegatit Apostolik të Vatikanit më 5 maj 1945, Imzot L. Nigris dhe mos njohja zyrtare nga Qeveria Komuniste e Regjentit shqiptar Imzot Frano Gjinit, ishte pasqyra ma e kjartë e politikës së ardhëshme në Shqipninë e mbikqyrun nga Jugosllavia. Gabimi i organizatës “Bashkimi Shqiptar”, drejtue nga atdhetari Mark Çuni, mbrenda seminarit jezuit i kushtoi shumë shtrejtë atij vetë dhe klerikëve të pafajshëm që u pushkatuen për atë çështje, tue u dhanë komunistëve në dorë mundësinë e mbylljes së shkollave fetare. Fatkeqësisht, ky grup xhakojsh dhe laikësh të etshëm për një demokraci të vërtetë, u mpleks me disa elementë shumë të damshëm dhe të rrezikshëm që kanë provue me jetën e tyne, se qyshë në atë kohë ata u vunë në shërbim të lojës së komunistëve, dhe mbetën besnikë përjetë në poshtërsitë e Sigurimit të Shtetit. Këtë e vërtetojnë edhe me deklaratat që kanë ba në gjyqin e kohëve të fundit me Imzot Ernesto Çobën, gati mbas 30 vjetësh nga 1945-46, kur gjoja u angazhuan me Organizatën “Bashkimi Shqiptar”. Lëvizja e Postribës, edhe kjo viktimë e injorantëve fanatikë anadollakë solli pushkatimin e mashumëse 35 atdhetarëve, të cilët u masakruen në mënyrë çnjerëzore për me pranue lidhjet me kryengritësit. Vetëm ajo që i asht ba atdhetarit Dulo Kali, mjafton me tregue kush ishte Sigurimi. Kur Duli ishte në qeli i kishin prishë të ndigjuemit me korrent elektrik. Në një dhomë pranë kishin sjellë disa vajza që qeshnin e bërtitnin. E kërcnojnë Dulin tue i thanë, firmo proçesin ose tashti do të sjellim vajzat tueja këtu dhe do t’i përdhunojmë … dhe Duli, pranon gjithshka flitët në proçes …

Pushkatimet pagjyq të Don Nikoll Gazullit, Don Liugj Picit, Don Pjetër Çunit, Don Aleksandër Sirdanit etj. ishin treguesi ma i saktë se komunistët kishin vendosë zhdukjen në masë të klerit. Pushkatimet për strehim të arratisunish vazhdonin… Ekonomia po shkatrrohej, kamjonët e ngarkuem ndër magazinat e tregëtarëve të pazarit të vjeter të Shkodrës shkarkoheshin në Beograd. Malli i magazinës “Ulqinaku” shitej në Moskë. Çdo ditë mbyllej një dyqan, pronarët torturoheshin me dorëzue teneqet e arit. Kundrabandistët hynin e delnin nga burgu të gjymtuem nga trupi e ndërgjegja. Shumica nënshkruenin bashkëpunimin ose me vdekë në tortura. Vetëm tregëtarit Man Tepelia i kanë marrë 13 teneqe të mëdha të vojit gurit të mbushuna me ar që kishte të mëshefun në pemishtat e tija në Vukatanë, tregonte ish oficeri i Sigurimit të asaj kohë Nazif Pira. Grupe studentësh arrëstoheshin për me shue protestën e heshtun që vlonte në bankat e shkollave, shoqnue me ndonjë trakt ose ndotje fotografije të diktatorëve. U ndalonin vajzat në dyert e shkollava me u heq Kryqët nga qafa me dhunë, tue i pështy në fëtyrë anë e kand qytetit…

Shkodra, syni i Principatës, siç e quen Barleti, ishte këthye në kshnillën që del në sy dhe i pengon pamjen sistemit të rij. Kryetar i Komitetit Ekzekutiv ishte Riza Dani. Emni i tij lakohej në të gjitha gjyqet. Asnjë prokuror nuk i ndalonte fjalën e të pandehurit kur zënte në gojë emnin e tij. Një farë Gjin Marku, kapardisej si Qark komandant. Sekretar i Partisë në ilegalitet ishte Spiro Pano, një kriminel që vriste shokët e vet si të gjithë komunistët me vulën e Frontit, maskës së Partisë. Furrtari Zoi Themeli, mbante furrën ndezë tue shkri pezhgëve në Degën e Punëve të Mbrendshme, ndërsa zv. shef ishte samarxhiu Zoi Shkurti, torturues katil, bashkëpuntorë i kriminelit Petrit Dume në Korçë, kur u mbërthenin njerëzve ndër thembra patkoj. Komisari politik i tyne ishte krimineli Nesti Kopali, i sëmurë patologjik për krime, imoral ashtu si prokurori Aranit Çela. Ligji zbatohej nga Esat Ndreu, Tonin Miloti, Nestan Ujaniku, Misto Bllaci etj. vëlleh endacakë e mushkarë, barijë analfabet, që ua dhanë rasa me pushkatue filozofë, profesorë e ingjenjerë. Asnjeni nuk dijnë me shpjegue se cilës rracë i përkasin, të gjithë kujtojnë se Tito, Stalini dhe Enveri janë kafshë të përjetëshme. Secili në kurset e analfabetëve mendon me vra mësuesin e vet, si Juda. Këtij grupi të etshëm për gjak i shërben Arif Gjyli, Qamil Gavoçi, Qazim e Fadil Kapisyzi, Rahman Perllaku, Toger Baba, Zija Dibra, Ali Qorri (Bushati), Kasem Troshani, Lilo Zeneli, Thoma Karamello, Mentor Xhemali, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi, Vaskë Koleci, Ali Xhunga, Ndrek Nallbani, Jonuz Dini, Pal Mëlyshi, Xhemal Selimi, Hysni Ndoja, Asllan Lici, Bilo Bregu etj. që pasohej nga grupi i të rinjve Pjerin Kçira, Nush Baba, Lin Çollaku, Alush Bakalli, Gjovalin Mazrreku, Shyqyri Qoku, etj.

Të gjithë bashkë këta tradhëtarë, drejtohen nga oficerët jugosllavë të Titos dhe zbatojnë urdhnat e tyne antishqiptare.

Ajet Shahu shkruen: “Në aksionin antikatolik u aktivizuan si asnjëherë besnikët e partisë në baze” (“Shteti komunist dhe Kisha Katolike, fq 364, Krishterimi ndër Shqiptarë, Shkodër, 2000)

Bardhok Biba, i pari kryen porosinë e Partisë Komuniste dhe futë armë në Kishën e Oroshit, tue akuzue Imzot Frano Gjinin dhe Dom Mark Xhanin (sekretar i Abatit të Mirditës), për mëshefje armësh. Në Shkodër, drejtojnë operacionin e futjes së armëve në Kishën Françeskane të Gjuhadolit Zoi Themeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku që ngordhën me spaletat e Ministrisë së Mbrendshme të ndihmuem nga Pjerin Kçira, Lin Çollaku, Nush Baba, Gjovalin Mazrreku, etj. Me datën 17 nandor 1946, rreth orës 02.00 të mëngjezit, në një natë me shi, ndalojnë makinën tek dera e kuvendit ngjitë me Kishë, e hapin me çelsat e marrun me zori prej kuzhinjerit Martin Tarri, kalojnë nëpër mencë dhe futen në Kishë nëpër derë të kompanjëlit, rrugë e tregueme nga tradhëtari Ndoc Vasili (Antoni Kapaj në Amerikë). Shkarkojnë armë e municione mbrenda Kishës tek Elteri i Shna Ndout, i Zemrës së Krishtit etj, dhe rreth orës 04.00 e rrëthojnë Kishën me ushtarë të Ndjekjës, tue mos lanë asnjë njeri me u afrue në ora 05.00 kur thohej mesha e mëngjezit. Atë kohë rrëthohet edhe kuvendi me të gjithë françeskanët e xhakojt që ishin aty. Ditën bahen vizita nga autoritetët e organizatat e ndryshme për me pa armët e mëshefuna nga “fretnit”.

Merrën në mbramje rreth orës 20.00 nga hetuesia (shtëpia P. Çiurçisë), At Mati Prennushi, At Donat Kurti, At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Aleks Baqli, të gjithë fretën të arrestuem, sillën me pranga në Kishë, ku mbasi vëndosen ndër vendet ku janë “gjetë” armët, (të vueme nga vetë Sigurimi) afër Eltërit të Shna Ndout dhe të Zemrës së Krishtit, xhirohën në film nga operatorët jugosllavë…

Ky film jugosllav asht “Dosja 1302/II-A”.

I vetmi njeri i penduem që kam njohtë në vitin 1982, pjesëmarrës i Sigurimit të Shtetit në këtë vepër të shemtueme asht kenë Zef Bardhoku, i cili më ka tregue krejt mënyrën si kanë hy në Kishë me armë dhe, si i kanë vendosë arkat aty. Tregonte se Fra Ndue Vila, nuk i kishte dhanë çelsat dhe ishte torturue mizorisht. Ai pohonte se dyshohej për armë përsonale ndër fretën, mbasi kishin informata nga xhakoni Ndoc Vasili. Në fund të bisedës, thonte: “Nuk dij sesi, Zoti nuk ka premtue për të gjithë ne që kemi futë armët në Kishë, me na varë populli katolik në traun e sipërm të derës së Kishës së Shna Ndout, për atë vepër të ultë që kemi ba, tue çue në plumb At Mati Prennushin e At Çiprian Nikën krejt të pafajshëm, e sa të tjerë, me vite të tana në kampet e burgjet e mnershme të shfarosjës ku edhe kanë vdekë. Kur rashë në burg vetë, kishte edhe priftën që më njifnin mirë, e dinin se shka i kam ba klerit dhe më jepnin cingare e bukë që ma shumë më mungonin, pa ua kërkue …” Kuvendi i Françeskanëve në Gjuhadol u kthye në burg dhe thirrej Burgu i Kishës së Fretënve, burgu ma i mnershëm i komunizmit në Shqipni, e pse jo, i krejt Lindjës komuniste. Porosia jugosllave ishte: “të shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye FRANÇESKANËT”!…

Dhe… porosia e mësuesëve po kryhej…

Përballë të arrestuemve do të shënoj disa nga bishat hetues: Imzot Frano Gjini ishte përballë kasap kap. Lilo Zenelit e aspirant Ali Xhungës, At Mati Prennushi, përballë kap. Nesti Kopalit, At Çiprian Nika përballë kap. Nesti Kopalit, Don Nikoll Deda përballë kap. Fadil Kapisyzit, Don Tom Laca përballë aspirant Ali Xhungës e kap. Fadil Kapisyzit, At Donat Kurti përballë kap. Zoi Shkurtit, At Frano Kiri përballë major Zoi Themelit e kap. Zoi Shkurtit, Don Nikoll Shelqeti përballë kap. Zoi Shkurtit, At Gjon Karma S.J. përballë aspirant Pjerin Kçirës, Don Ndoc Sahatçija përballë toger Bilo Bregut, xhakoni Zef Pëllumbi përballë kap. N. Kopalit, At Mëhill Miraj përballë aspirant Pjerin Kçirës (nëpunës në Sigurim, që mbante edhe rrjetin e spijunëve) dhe Ali Xhungës etj…

Kishe me thanë se sa me vlerë do të ishte me pasë në dorë proçesin e plotë të kësaj ngjarje të mnerëshme që u zhvillue ata vite në Shkodër. Arrestimet u banë në muejt tetor e nandor të 1946, ndërsa dokumentacioni flet për muejt e fundit të 1947, pra, mbas një viti nuk asht e mujtun me pas fillue hetimet. Praktikisht: Imzot Frano Gjini, më 14 shtator 1947 pyetet nga Lilo Zeneli; Don Nikoll Deda, më 30 tetor 1947 pyetet nga Fadil Kapisyzi; At Mati Prennushi, pyetet më 26 shkurt 1947 nga Nesti Kopali etj. Ballafaqimet bahën pothuej të gjitha në dhetor 1947, pak ditë para gjyqit. Në këta dokumente përmblidhen në 5-6 faqe krejt hetimet e bame në një vit të plotë, me përjashtim të Don Ndoc Sahatçisë dhe At Mëhill Miraj, që kanë edhe 40 – 45 faqe të daktilografueme, mbasi mbi bazën e thanjëve të tyne për fat të keq, atëherë, ndërsa tashti për fat të mirë që janë ruajtë… janë thurë lloj-lloj lëgjendash të projektueme nga Sigurimi i Shtetit dhe të daluna nga goja e këtyne njerëzve të dobët në qëndresën para torturës, që mbasi hodhën firmat e tyne në këto proçes-verbale përfundimisht ishin vetëm kenje mbasi ndërgjegja dhe karakteri humbën përjetësisht. At Rrok Gurashi, asht gati me i kujtue hetuesit ndonjë rresht që ai e ka harrue, flet pa pikë mëshire për kedo, veç me dalë nga dhoma ku bahën ballafaqimet. Akuzon “fajtorë” cilindo të pafajshëm që i kërkohet: “për derisa unë jam këtu, le të vijnë të gjithë mbas meje!”. At Mati Prennushi i kujton: “Të gjitha këto që thue këtu Padër Rrok, janë vetëm shpifje që nuk i kam pritë kurrë prej teje por, mos harro, se kemi edhe një gjyq tjetër e, atje, nuk ka ma rrena e shpifje!”.

Me të vërtetë kur At Rroku ishte në çastet e fundit të jetës, në një kamp pune thërret At Konrrad Gjolaj, dhe i thotë: “At Konrrad, po vdes, po, a thue  Zoti ka me mi falë ato tmere fajesh e shpifjesh që kam ba unë, vetëm tue mendue sa vetë janë pushkatue me rrenat e mija!?”, dhe At Konrradi, i thotë: “Padër Rrok, eja të rrëfej, se mëshira e Zotit i kalon kufijt e arësyes sonë, ti nëse je pendue fol se edhe ata për të cilët ti je shpifë, jam i sigurt se sot lutën për shpirtin tand …”, dhe ishte rrëfye … Po, At Rrok Vata, sa ditë ndej ndër gjunjë para Kryqit kur e pau se i kishte ardhë fundi? Po, Don Nikoll Troshani, pse thonte: “Si do të shihëm andej me Don Dedë Malaj”?!…

Nder dosje ruhët një proçes-verbal i ballafaqimit të Imzot Frano Gjinit me At Rrok Gurashin, Don Ndoc Sahatçinë dhe Prenkë Lezaj. Ballafaqimi asht ba me datën 28 dhjetor 1947 pra, një javë para gjyqit. Aspirant Ali Xhunga shkruan: “…i pandehuri Monsinjor Frano Gjini nuk atribon thanjet e Padër Rrok Gurashit, Don Ndoc Sahatçisë dhe Prenk Lezajt, prandaj u pa e nëvojshme të kompozohet ky proçes ballafaqimi… dhe flet Padër Rroku, 5 faqe e gjysëm proçes, mbas tij flet Don Ndoci, 2 faqe të tjera dhe 3 faqe, flet edhe Prenk Lezaj. Të gjithë plotësojnë edhe ndonjë mangësi që ka pretenca e prokurorit, mbasi ai asht edhe qëllimi i “kompozimit” të ballafaqimit.

Cila asht përgjigja e Imzot Gjinit?

“Monsinjor Gjini, mbasi ndigjoi thanjet që iu banë para fëtyrës së tij nga Padër Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija, dhe nga Prenk Lezaj, merrët në pyetje dhe deklaron sa ma poshtë vijon: P. P. (Përgjegjet i pandehuri), Përsa thonë para meje Padër Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija dhe Prenk Lezaj, i dëgjova të gjitha, por vetëm dua të them se për posë atyre që kam deklarue në proçes, nuk asht asnjë e vërtetë, që të kem patur lidhje direkt me Mark Gjon Markun, ose me ndonjë të arratisur tjetër dhe se kam patur dijeni xxxxxxxx (prishë njaqë) ma të vogël për këto organizata kundërshtare të Pushtetit Popullor.”(faqe 1-11 Proces-ballafaqimi Nr.rend. 12 )

I pandehuri (Monsinjor Gjinaj) d.v.

Oficeri pyetës: Aspirant Ali Xhunga d.v.

Të gjitha ballafaqimet marrin përgjegje të përafërt me përmbajtjen e deklaratës Imzot Gjinit, me përjashtim të Don Nikoll Dedës dhe At Mati Prennushit, që nuk janë në dosje.  Gjithashtu, në dosje nuk ka edhe torturat që i janë ba të pandehurit për me pranue shpifjet e dëshmitarit të rremë por, mos harroni se edhe ato dihën. Po thuej të gjithë të arrestuemit e këtij grupi kanë ba nga 14 muej hetuesi, janë mbajtë edhe dy muej të dënuem me vdekje pra, koha e vuajtjes deri ditën e pushkatimit asht 16 muej për  Imzot Gjinin e At Prennushin, ndërsa 17 muej për Don Nikoll Dedën.

***

Nuk do të flas për zbatimin e ligjit, mbasi duhët të kishte ligjë për me dashtë me diftue si zbatohej. Do të paraqes vetëm një dokument që ka dosja. Kur Imzot Gjini ban kërkesën për pafajsi, në letrën e dërgueme Gjykatës së Naltë të shkrueme me dorën e tij, gja që tregon se kur asht zhvillue gjyqi ndër tavolinat e mencës se Kuvendit të Fretënve, asnjeni nuk ka pasë “avokat”, mbasi nuk ka asnjë dokument të kenjes së avokatit, të paktën si ka ndodhë shpesh, kenja e një oficeri të Sigurimit i veshun me emnin “avokat”, e vuna ndër thojza mbasi ky lloj “avokati”, ka pasë rasë që habitej e fillonte me sha e fye klientin “e pandehur”, tue kujtue se asht në zyrat e hetuesisë ose ma keq, me ju drejtue prokurorit, “pse ore, vetëm kaq meriton ky… ky, është për t’u varë”!…

Aty në atë kërkesë të Imzot Gjinit, sipër mbi fjalët “Të Ndertës Gjykatës…” asht ba një shënim me penë: “Të bashkohet me akte, në rast të kundërt të njoftohët se asht dhanë jasht afatit -(firma)-“.

Në fund të letrës shënohet data e marrjes në dorëzim : “Nr.15. U muer më 14 janar 1948- (firma), Sh. Dautaj”, pikërisht asht marrë në dorëzim nga Sekretari i Gjyqit dy ditë para afatit, veç mbetët me mendue rasën e kundërt të justifikimit të dhanjes kësaj letre, gjoja jashta afatit. Përgjegja asht shumë e shkurtë. – “Kush ma nalt dinte dhe donte me ju përgjegjë PAFAJSISË së tij”?…

***

  • Bashvuejtesit flasin me dhimbje, ofshamje, por edhe me krenari për kohën që kanë kalue me këta heronj.

Mendohen e mendohen ku me fillue, tek nata e parë e takimit apo tek mëngjezi i fundit i ndarjës së përjetëshme…

Njësoj, aty, ata të gjithë ishin si dy kufoma të shtrime në çimento të birucës Nr… Burgu…

Se çfarë bahej në zyret e hetuesisë mbi trupat e këtyne Martirëve atdhetarë do të flasin vetem dishmitarët që mbijetuen: Zonja Terezina Pali (Zorba), po më tregonte sesi e kishin torturue për vdekje At Mati Prennushin, kur gjironin filmin jugosllavët tek Elteri me armë në dorë. Mbasi e sollën në qeli e pashë se çalonte, e pyeta: “Shka të banë Padër Mati?” – Ai u përgjegj me za të ultë – mos pyet… por, për mos me i kënaqë këta qej, eja të këndojmë… dhe filloi ai vetë i pari kangën “Në Shkodër tonë ka ra nji dritë”… Shpesh këndonte me za të ultë për mos me na lanë me u ligështue para torturave, ai na epte zemër edhe né që aso kohe ishim shumë të reja e shpesh dëshproheshim shumë. Njëditë erdhi i lamë në gjak se i kishte ra ballit Nesti Kopali…

At Çiprian Nika ishte me të vërtetë si Shenjt, vazhdonte Terezina, vuante shumë prej kambëve se ia kishin djegë damarët me hekur të skuqun ndërsa, çorapët iu ngjiteshin për mish nga plagët e peshgvës, kësi plagësh kishte edhe në shpinë, këmisha ju shkapte prej plagëve vetëm… kur e thërriste hetuesi që ma shpesh e siellte pandjenja se me kambët e veta, megjithatë, edhe ashtu gjente forca me qëndrue … forca e tyne ishin vetëm urata e lutjet e vazhdueshme…

Prof. Adem Bazhdari, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira, monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha t’a pijë Monsinjorit, që kishte mashumë se dy ditë pa pi ujë. I shkreti Monsinjor, piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë… mendueme se e mbytën por, jo, ishte gjallë i gjakosun fëtyrët, – E shihni? -Na pyeti Zoi, – kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!… Kur na çuan në dhomë Monsinjori tha vetëm kaq: ”Për hatër të Zotit!….” dhe fshani… Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme, ia mjekonin vetëm me krypë dhe ja lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i venin gjithnjë.

Ndërsa, për Imzot Nikoll Dedën tregonte se nuk njifej ma, ishte ba sa një fëmijë, gjithë plagë, i moçatun fëtyre dhe i pazoti me ecë, kambët i kishte të qelbëzueme… Një bashkëvuejtës e kishte pyet njëherë, kur e gjet të shtrimë në dysheme: “Kush je ti?” – Ai i kishte përgjegjë:  -Kam pas kenë Don Nikoll Deda”, se me të vërtetë “nuk ishte ma ai”!

I ndjeri Caf Dragusha, që asht pushkatue me këtë grup i tregonte një bashkëvuejtësi ndër ato ditë mjerimi kur ishin në një qeli se, një natë i kishin shkue tek biruca e tij katër oficera të naltë, si dukej nga Tirana, njeni nga veshja dukej jugosllav. E kishin pyetë me kambngulje; – janë ba ose jo, mbledhjet për të cilat bahet fjalë në proçes të Don Nikoll Dedës, në shtëpinë e Cin Serreqit dhe të Pjetër Dedës? – Cafi u ishte përgjegjë: – A janë ba, a nuk janë ba mbledhjet unë nuk e dij, por, derisa më keni përzi edhe mue e thoni, se ke kenë edhe ti e, mbasi unë nuk kam kenë aty, edhe mbledhjet nuk duhët të jenë ba! Përfundonte bisedën tue thanë: “Ah, këta komunistët, janë derbedera! Nuk i njeh kush…” Në darkë i kishte hapë sportelin Fadil Kapisyzi, dhe i kishte thanë: “Po ti Caf, na ishe kenë ba edhe avokati i Cin Serreqit, dije mirë se njëqind krena me pasë, një nuk të shpëton as ty as atij, a more vesh?” Me të vërtetë e kishte mbajtë fjalën tregonte bashvuejtësi, mbas pak ditësh u pushkatuen të dy.

Një zonjë (V. K.) tregon: “… na rrahnin, na shanin me fjalët ku ishin ma të ndytat. Ishim të rëja 18 vjeçe, nuk i kishim ndigjue kurrë ato flligështina, na torturonin dhe mandej na çvishnin vetëm ndër këmisha në pikën e dimnit na hidhnin ndër dhomat e priftënve… por, ata menjëherë na mbulonin me pelerinat e tyne, e vetë mërdhitnin të shkretët gjithë natën. Kur na dilte gjumi i ndigjonim tue thanë uratë. Na u thonim: “Merre tash pelerinën dhe flej pak edhe ti, se nuk ke mbyllë sy gjithë natën! – Jo, jo, vazhdo e flej ti, – na thonin ata, – flej edhe pak se je e re, na jemi mësue e durojmë…” Porosia e tyne ishte: “Mundohuni me durue për hatër të Zotit!…”

  1. Ragip Meta, atëherë i dënuem me vdekje, tregon se ishin kenë në një dhomë 25 vetë të gjithë të dënuem me vdekje. “Kur hapej dera, u çonim në kambë ashtu si ishim të lidhun dhe donim me shkue të parët, me kenë e mujtun të gjithë me u pushkatue. Na vinte keq kur nuk na merrnin, kaq na ishte mërzitë jeta prej torturave, urisë, etjës dhe pagjumësisë”
  2. Drita Kosturi më tregonte, sesi e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nevojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, shpesh humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën lart… Disa ditë e kishte pa ajo vetë me sytë e saj derisa ishte ba që nuk njifëj ma cili ishte…
  3. Ana Daja, tronditej sot kur shpjegonte sësi ka pa Don Anton Muzaj, në hollin e Kuvendit të zhytun deri në bel në një ujë të qelbun të përzimë me pisllëkun e pusave të zezë, në të ftohtin e dimnit të Shkodrës, dhe kur, e merrte kolli skuqej ai vend nga gjaku që nxirte përgoje… E torturonte, tregon ajo i pashpirti Pjerin Kçira.
  4. Tom Leci, pyet Hafiz Dërgutin se cila asht arësyeja që e torturonin aq shumë, ai i përgjegjet: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun”.
  5. Viktore Kuka, tregonte sesi njëditë i ndjeri Dulo Kali i kishte kërkue pak ujë me pi Dulaçit, dhe ky i thotë Elez Mesit me i sjellë një safë me ujë Dulit. Elezi ia sjellë dhe Duli e pin atë ujë që mbas pak minutash i shkreti Dulo Kali, rropatej në birucë nga tmeri, mbasi uji ishte kenë i krypun… Elezi tallej në korridor, “lypë ujë, ta sollëm, po bërtite po të japim edhe hû…”.

Motër Gjyzepina Radovani, infermjere në spitalin e burgut, tregonte sësi kishte mjekue me duert e saja disa nga këta martirë. Ajo, fliste me dhimbje të madhe për At Çiprian Nikën dhe At Donat Kurtin, të parit i kishin thye kambën dhe nuk i ngjitej se kishte fillue kalbëzimi, ndërsa, At Donatit, me që e dinin se asht i sëmurë me stomak i epnin ushqime që i ngacmonin dhimbjet, për mos me kenë kurrë i qetë.

Me shumë kujdes Dr. Federik Shiroka, i bante ingjeksione qetësuese po, mbas pak ditësh e merrnin pa u shërue ashtu si Monsinjor Gjinin, që tue e marrë me shkalc plehu policët i kishin thanë: “Doktor, mos harxho ilaçe kot se për t’a pushkatuar kemi!”, – ai u ishte përgjigjë: “Unë jam mjek, sa të jenë të gjallë dhe në duert e mija unë do të baj detyrën teme, ndër duert tueja, dini ju shka bani!”. Njeni nga xhelatët kishte murmuritë: “Hajt, hajt, se as ti nuk e ke të gjatë!…”

  1. Loro Vata më tregonte se, në “Burgun e Kishës së Fretënve”, ka pasë njerëz që prej ditës së arrestimit e deri mbas një viti që janë pushkatue, ose dënue e nisë ndër burgje të tjera e kampe, nuk janë la me ujë asnjëherë… se, ma, vendi i ushkurit të mbathjeve apo ndër vendët e tegelave ishin të bamë zi prej morrave.
  2. Ragip Meta më tregonte, sesi një ditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rijë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut.

Në dorë kishin nga një kamxhik dhe i binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah. Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pre mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë…

  1. Elez Troshani thonte: “Lum ata që kanë kenë në një dhomë me Monsinjor Gjinin dhe At Mati Prennushin, ndër ata dy muej para se me u ekzekutue se, asnjeni, nuk e kuptonte ku po i çojnë, a po i çonin në piknik, apo me u pushkatue. Biseda dhe humori i tyne të largonte frikën e vdekjes…mënyra sesi shpjegonin vdekjen ata, e bante të riun dhe plakun mos me u tutë nga plumbi.”

Dr. Papavrami shpjegonte se, atë ditë më 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit, kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për t’ i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhë ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç djalë. At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjës sate!” – Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi em ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy shejtënve, për çfarë me u tremb?” Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml. E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Përëndim,” shpjegonte, doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve. “Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargoj me drynjë aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”. Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë. Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjet e tyre që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohen as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ato gjokse burrash që dukeshin si lisa… Ranë andej stomit… kur u afrova me vërtetuar vdekjën… nuk arrijta të vizitoj asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre. Nuk dukëj se jetonte ndonjëri … asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé. …Atëherë, nuk dija me kuptuar si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm … Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin Ideali i tyre…”. (Shpjegim gojor në vitin 1993, në Shkodër).

 

Secili shkodran ka se shka me tregue për atë burg në zemrën e qytetit. Kur binte muzgu e afrohej nata shtëpijat përreth prisnin fillimin e virrmave të burrave, të vëllazënve, të baballarëve, të djelmëve, të miqve e dashamirëve rrezikzez që torturonin xhelatët. Shpesh, ato zane të daluna nga dhimbjet e shpirtit ndërpriteshin nga virrma e ndonjë vajzës së mjerë që donin ta përdhunonin oficerët, kafshët e harrlisuna si udhëheqësi i Partisë së tyne. Zonja Maria Deda, e shoqja e Ndrekës së Dedjakupëve priste me ndigjue zanin e burrit të sajë, para se me ra me fjetë. Kishte frikë e trishtim kur nuk e torturonin, atë natë nuk e zënte gjumi kur nuk i ndigjonte zanin, mbasi të nesërmen mendonte e shkreta  se po i thonë: “Mos i sjell gjë, se është duke u qelbur në Zallin e Kirit!”, mbasi kështu i kishte ndodhë edhe kunatës së sajë Katrinës, me të shkretin Kolec Deda. Po kështu edhe zonjës Simon Darragjatit….Virrmat e mnerëshme ia sillte nata sikur ishin mbas murit. Deri në të dalun të dritës, kishte rasë që nuk i mbyllej syni një minut…

***

Vetëm në muejt fundit të vitit 1946 Sigurimi i Shtetit i drejtuem nga Partia Komuniste, tue krijue proçese false gjoja për futje të armëve në Kishë, për formim te Partisë Demokristjane të pakenun kurrë dhe për organizim të kryengritjes së armatosun të Postribës, më 9 shtator 1946, kur asnjë klerik nuk dinte asgja për këtë kryengritje, u arrestuen: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikoll Deda, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Doda, Don Tomë Laca, At Karlo Serreqi, At Çiril Cani, At Filip Mazrreku, Don Pjetër Gruda, Don Mark Xhani, At Augustin Ashiku, At Bernardin Palaj, Don Ndoc Nikaj, Don Ndue Suma, Don Nikoll Mazrreku, Don Jak Zekaj, Don Ded Plani, Don Pal Gjini, Don Ejëll Deda, Don Luigj Prendushi, At Serafin Koda, Don Nikoll Shelqeti, At Gjon Karma S.J. At Mark Harapi S.J. At Florian Berisha S.J. Fratel Gjon Pantalia S.J. Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikoll Laskaj, Don Pashko Muzhani, At Gaspër Suma, At Aleks Baqli, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, At Mëhill Miraj, At Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija etj.

Këtu nuk përfshihen arrestimet e bame në fillim të vitit 1947 në Shkodër, si dhe arrestimet e bame në atë vit në Tiranë, Durrës, Vlonë etj.

  • PJESA E FUNDIT
  • “Të tërbuem djallëzisht, e nxorën jashtë prej asaj gjykatorje dhe e ngrehën rrëshqanë tue iu kërcnue me shpatë në dorë se do ta vrisnin nëse nuk i binte mboh Fesë menjëherë… (omissis).

Ai u qëndroi kërcnimëve, anmiqtë e therën për vdekje dhe e çuan në breg të Bunës me e qitë në ujë, por disa të krishtenë e blenë me pare dhe e varrosën në Kishën e Shën’Mërisë Magdalenë”, Lezhë, vjeti 1624. Ipeshkvi Benedikt Orsini

(Relacione Vol. I-rë, fq. 349. Ark. Prop. Fide, SRCG, v, 262, fl. 177.)

“Një kalvar vuajtjesh dhe përsekutimesh pësoi Imzot Pjetër Bogdani, i cili u burgos tri herë, i dogjën rezidencën, u rrah, u kërcënua se do ta varin në derën e kishës, e shëtitën nëpër qytet të zhveshur lakuriq dhe pas vdekjës u zhvarros dhe kufoma e tij iu hodh qenve”, Petrika Thëngjilli “Krishtërimi ndër Shqiptarë”, fq.230. Shkodër, 2000.

  • “Don Andre Kalamashi, prift i Gjakovës, kishte kundërshtuar fenë Islame. Osmanët, më 1687 e torturuan të lidhur duar dhe këmbë. Duke menduar se kish vdekur, ia zgjidhën duart dhe e varën në sheshin e qytetit. Pas njëfarë kohe prifti u çua në këmbë, largoi litarin nga fyti dhe bërtiti: “Qëndresë, qëndresë të krishterë, Jezu Krishti është më i fuqishmi”. Porsa tha këto fjalë, ra i vdekur përpara turmës së tmerruar. Xhelati ia preu kokën dhe ia dërgoi bashkë me lëkurën e kokës Vezirit të Madh” Petrika Thengjilli (po aty).
  • “Don Mark Xhanin, në vitin 1946, mbasi e torturuan në qelitë e Sigurimit të Mirditës, Bardhok Biba e vari për shpatulla ndër trena, mbasi vdiq ia hodhën me e ngranë qenve të fshatit Shpal, mbeturinat e tretuna i mori prroni … vetëm, pse ishte sekretar besnik i Imzot Frano Gjinit”.

“MARTIRIZIMI I KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE 1944-1990”,  fq. 125, Shkodër, 1993.

  • Vetëm, historia vazhdon…

Atëherë, Kleri Katolik Shqiptar, tue i ditë të gjitha këto që ua kanë ba ndër shekuj, pse nuk zgjodhi rrugën e bashkëpunimit me shtetin komunist, me u shkëputë edhe nga Papa e Vatikani dhe me hangër një kafshatë bukë rahat në qelat e tij?…

Kështu, mund të pyesin dikush!…

Provoni me mbyllë kapakët e syve deri sa gati mos me pa! Çoni kryet nalt dhe ashtu me sy gati të mbyllun, shikoni diellin! Keni me pa një Kryq!  Këtë nuk e kam shpikë unë, kjo njihej që në kohën e paganëve.

E, pra, edhe pse ndoshta nuk ju pëlqen, AI ASHT!….AI ASHT DRITA!

Kleri Katolik tue njohtë Dritën pse me marrë rrugën e errësinës? Asht me të vërtetë rrugë e vështirë por jo, e panjoftun, jo me të paprituna, jo e pa shkelun, jo e shtrueme me kalldram e me lule por, shumë, shumë e vështirë aqsa, as nuk dijmë me e kuptue si këta njerëz zgjedhin këtë rrugë plot vuejtje dhe rreziqe të vazhdueshme ndër shekuj? Këta zgjedhin këtë rrugë dhe janë të vetëdijshëm se njëditë mbas të gjitha këtyne vuejtjeve mund të jenë edhe Martirë, sëpse janë betue mbi Elterë, që po kje nevoja për Fè e Atdhé do të japin edhe jetën. Qè, këtë na thërrasim vetsakrifikim për një Ideal. Kryqi me të vërtetë asht Drita, por asht edhe dashtnia, asht sakrifica, asht flijimi, asht mëshira, asht mundimi i tejskajshëm, asht dhimbja e thellë e gozhdave që të mbërthejnë për drû, asht lavdia e tokës në Kunorën e ferrave, që të shpon ndër trû, asht dhimbja e çpimit të heshtës, që me një të fshame fryme jé ngallnjyes, jé fitues, jé i pavdekshëm, jé besnik i Idealit tand, se jé flijue për Kryqin! Qé, kjo asht rruga e martirizimit që të çon drejtë ringjalljës dhe, të ngritë në Elterin e Atdheut, të çon larg e shumë larg vdekjës së përjetëshme, që për disa ka fillue që në atë çast kur drejtimi i rrugës zgjedhun i shërben egoizmit.

Të gjithë papërjashtim ata që mendojnë për një kolltuk e, vetëm për vedi, janë hakmarrës, e kur, nuk kanë shkak për shka të hakmerrën, bahën vëllavrasës. Të gjithë, me mërrijtë qëllimet urrejnë deri në mëni, aqsa harrojnë se kanë me vdekë njëditë…Bahën mashtrues, vrasës, torturues, rrënues të shoqnisë njerzore, padijtë ku shkojnë dhe mendojnë se tue gënjye veten “se ishim të rinjë, atëherë, nuk e kemi kuptuar…”, mbyllet kapitulli. Po, Atdheu, shka u ba? Po, viktimat, ku janë? Po, lotët e Nanave që kanë la Zallin e Kirit, ku shkuen? A po, “i mori lumi, vatën, nuk kemi ç’tu bëjmë!…”. E vetmja gja që ata kujtojnë e nuk e harrojnë kurrë asht falja e Atyne Martirëve para togave të pushkatimit.

Po, ashtu asht, aftësia me falë i përket vetëm atij që di me dashtë. Nuk mundesh me falë pa kenë i drejtë dhe i dashtun. Ata ditën me falë se shihnin fundin e kobshëm të Atdheut të vet, për të cilin po jepnin jetën. Ata ditën me falë se ishin të drejtë, ishin të pastër, ishin të pafajshëm.

Ju, o spijunë të Sigurimit, futët natën armët ndër Kisha si hajdutët, tue mendue se nata e terri do të mëshehin veprën tuej, o kriminelë katilë!

Ju gënjyet, ju shpifët, ju torturuet, ju gjykuet të pafajshmit, ju i mbytët, ju i dhunuet edhe për së vdekuni, ju i tretët kufomat, ju i mashtruet familjet e Tyne, ju i përdhunuet ndjenjat e atdhedashunisë por,…keni harrue, se Ata, ishin e mbetën Martirë të Atdheut, dëshmitarë të së vërtetës së Fesë dhe padashje, ju forcuet thëmelët e Krishtënimit në Shqipni. Për 50 vjet vetëm keni mëshefë padijtë se njëditë populli shqiptarë do të vërtetojnë me dokumentët tuaja, atë që ka besue tash 50 vjet me sy të mbyllun. A e kuptoni arësyen e besimit të popullit pa i pas pa ndër bankat e gjyqit, pa i pas ndigjue zanin për ma shumë se 16 muej, pa mujtë me i dhanë një lamtumirë asnjëherë, pa mujtë me i pyetë sësa vuajtët o rrezikzezë, pa dijtë ku asht ajo gropë e zezë që përpini një lum atdhetarësh, pa mujtë me vue një gur tek kryet e Tyne, i bamë thërmija nga pushka e hasmit shekullor, sherbëtorët e të cilit u batë ju, o tradhëtarë komunistë e agjentë e, në fund, pa mujtë askush me vue atë Shenjë për të cilin ATA kanë dhanë edhe jetën e kanë derdhë gjakun e pastër të Tyne, per Fe e Atdhe: KRYQIN. Shpesh, flitët e shkruhët se Shqiptarët nuk tregojnë ma interes për vrasjët e 50 vjetëve maparë, për rrëthanat që janë krye këto vrasje, për hetimet e shpifjet e zhvillueme në drejtim të këtyne viktimave, si e si me realizue këto vepra të shëmtueme. Asht e kuptueshme se këto subjekte nuk ju pëlqejnë autorëve të këtyne krimëve, por këto, nuk ju pëlqejnë as edhe atyne, që në një mënyrë ose në një tjetër janë bashfajtorë të asaj epoke të zezë historike të Shqipnisë. Nuk duhet me kenë dhe nuk besoj se asht ashtu! Ky do të ishte arësyetimi ma poshtnues ndaj vetvetës për Popullin Shqiptar! Këto vrasje nuk janë krye nga një njeri përbindsh i vetëm, por nga një grup i madh terroristësh që kanë mendue e veprue me zhdukë Burrat e shtetit e Atdhetarët e divoçëm, me vrasjet e vazhdueshme politike, që nuk mund të kryhën kurrë vetëm. Edhe me dashtë me i lanë në njëanë ose ma keq me i harrue, janë pasojat politike të Atdheut tonë, që nuk varrosën me viktimat e Martirët e Tij.

  • Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm historik i këtyne Burrave të pastër, lyp drejtësi, paqë dhe shpagim, gjana pa të cilat asnjëherë Shqiptarët, kurrë nuk kanë me mërrijtë në një Pajtim Kombëtar!
  • Idriz Ajeti shkruen: “Shqiptarët mund të krenohën që ndër popujt e Ballkanit ishin ata që të parët përqafuan fenë e krishterë.”
  • Atenagora thotë: “Populli shqiptar asht një ndër popujt që ka vuajt ma shumë në Evropë, ka vuajt gjatë shumë shekujve, mbasi mbrojti në mënyrë të mrekullueshme krishtërimin”.
  • At Pjetër Meshkalla thotë: “Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me përcaktue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pesëqind vjetë robnije nën Turqi po të merrët historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri më 1944 që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë me një anë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsësi), janë vetëm 30 vjetë mundësi për me formue një kler shqiptar e, për 30 vjetë me nxjerrë aq heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në botë”.
  • At Giacomo Gardin S.J. në librin e tij “DHJETË VJET BURG NË SHQIPNI (1945-1955)”, shkruen: “Kujtimi i përmallshëm i faktëve të Shqipnisë ma ka mbushë shpirtin e më bahet edhe mue si Shën Gjonit n’Apokalips, se po shoh rrasën e Elterit të kësaj Kishë tue u zgjanue e tue marrë trajtat e tokës shqiptare; më bahet, se, po shoh nën rrasë fëtyrat e atyne që i kam njoftë e që mandej kanë dhanë jetën për Fenë e vet e po i ndiej kah bërtasin: “Deri kur, o Zot, ti që jé i drejtë e i shenjtë, po vonon pa e marrë hakun e gjakun tonë?”. E, një za kah u përgjigjët: “Sabër e durim, edhe pak sa të mbushet ma parë numri i vëllazënve tuej.” A keni ndie? Sabër … me u mësue me pritë. E, deri kur? Derisa të bjerë sahati i Perëndisë. Ai ka në dorë ndodhjet e kohës që tjerrin historinë e kombëve…”. (faqe 100).
  • Nanë Tereza, thotë:

“Kudo që të jetë urrejtja, unë do të sjellë dashtninë,

Kudo që të jetë padrejtësia, unë do të sjellë faljen,

Kudo që të jetë ngatrresa, unë do të sjellë pajtimin,

Kudo që të jetë gabimi, unë do të sjellë të vërtetën,

Kudo që të jetë dyshimi, unë do të sjellë besimin,

Kudo që të jetë disprimi, unë do të sjellë shpnesën,

Kudo që të jetë terri, unë do të sjellë dritën,

Kudo që të jetë pikllimi, unë do të sjellë gëzimin”.

 

Please follow and like us: