Helene dhe Eugene Pittard në një botim dinjitoz, siç e meritojnë
Nga Rrapo Zguri
Ftesën për të qenë i pranishëm në promovimin e librit “Udhëtimi i mbramë i Helene dhe Eugene Pittard në Shqipëri” e prita me një kënaqësi të veçantë. Dhe kjo për dy arsye:
Arsyeja e parë kishte të bënte me kërshërinë dhe interesin për të njohur një pjesë të pandriçuar por tepër të rëndësishme të historisë sonë, siç është historia e kontributit të jashtëzakonshëm të zviceranëve Eugene dhe Helene Pittard për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Arsyeja e dytë lidhej me dëshirën dhe mallin për të takuar një mik të vjetër dhe të çmuar, autorin e librit Kudret Isai, i cili vinte këtë radhë mes nesh me punën e tij të jetës, së cilës i kushtoi rreth 16 vjet që nga koha kur trokiti me ndrojtje në Gjenevë tek dera e Jean-Clode Pittard, nipit të Eugene dhe Helene Pittard, të cilit i komunikoi vendimin për të shkruar një monografi për gjyshin dhe gjyshen e tij. Nëse do të më pyesnin se çfarë përfaqëson ky botim që ne tashmë e kemi në duar dhe që sipas meje do të zërë një vend të merituar në raftet e historiografisë sonë dhe në bibliotekën e çdo
familjeje shqiptare, unë do të thosha se:
Së pari, ky libër përfaqëson një ringritje të institucionit tonë të harruar apo të braktisur të mirënjohjes kombëtare për miqtë tanë të huaj të cilët na janë gjendur pranë në momentet më kritike të historisë, kur vihej në diskutim vetë ekzistenca e shtetit shqiptar.
Kjo monografi shkencore përfaqëson një homazh dhe nje gjest sublim mirënjohjeje ndaj kontributit të Eugene dhe Helene Pittard për Shqipërinë. Çifti Pittard i takon asaj plejade miqsh të Shqipërisë, si Edith Durham, Justin Godart, Aubrey Herbert, Henri Spiess dhe shumë të tjerë të cilëve iu ka dhembur ky vend ndoshta shumë më shumë se një pjese të elitave shqiptare të kohës. Dhe këtë dhembshuri dhe simpati Pittardët ashtu si edhe të miqtë e tjerë të vërtetë, nuk e kanë dëshmuar me fjalë por me vepra.
Puna e Eugene dhe Helene Pittard në ndihmë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve është shtrirë që nga përpjekjet diplomatike deri tek lobimet pragmatiste ndërkombëtare, që nga themelimi i dhomës së tregtisë apo të Kryqit të Kuq Shqiptar, deri tek furnizimi dhe shpërndarja e misrit apo e ndihmave humanitare në çdo derë familjeje shqiptare..
Siç dinë të bëjnë vetëm miqtë e mirë, Pittardët kanë qëmtuar në peisazhin e vrazhdë të shoqërisë shqiptare dhe kanë gjetur gjithçka që është pozitive, për të na paraqitur tek të tjerët shpesh edhe më të mirë se sa jemi, me dëshirën që të përmirësojnë imazhin e vendit tonë dhe të kontribuojnë në njohjen ndërkombëtare të tij. Rrallë njeri, i huaj apo shqiptar mund ta portretizonte me nota kaq pozitive Shqipërinë, siç ka bërë Eugen Pittard tek eseja – poezi, siç e quan Kudreti, “Për Shqipërinë”, të cilën ai e botoi pikërisht në ditën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. “Shqipëria, apo Zvicra e Lindjes, thotë Pittard, është në të drejtën e saj që të njihet nga Lidhja e Kombeve: ka kufij, ka qeveri të qëndrueshme, të votuar lirisht, administrim të pavarur, unitet të jashtëzakonshëm gjuhësor dhe etnik dhe një mirëkuptim fetar thellësisht të admirueshëm”. Dhe bëhet fjalë për Shqipërinë e fillim-viteve 1920.
Nuk është rastësi që në shprehjen e mirënjohjes së tij ndaj Pittardëve, autori, ekzaltohet në dy-tre raste, pak më shumë se sa do të ekzaltohej një historian
gjakftohtë. Në një farë mënyre, ky është një kthim nderi me të njejtën lartësi ndjesie dhe emocioni.
Së dyti, ky botim që ne kemi në duar sot, është një kontribut origjinal dhe dinjitoz për historiografinë e re shqiptare, të konceptuar dhe të shkruar larg ndikimeve ideologjike dhe larg “izmave” të tjera. Ne që jemi ushqyer me histori të ideologjizuar apo të parë sipas syzeve të fitimtarëve, nuk mund të mos suprizohemi kur fakte apo personazhe të rëndësishëm të historisë sonë vijnë në këtë vepër nën një këndvështrim objektiv, me shumësinë e ngjyrave, virtyteve, dobësive apo dimensioneve që i karakterizojnë, duke shmangur kështu paqyrimin apo portretizimin bardh e zi të historiografisë tradicionale. Ne njihemi në këtë vepër me Mithat Frashërin real, ashtu siç nuk e kemi njohur dhe me mjaft emra të njohur të kohës, për të cilët kësaj radhe flasin dokumentat historike dhe dëshmitë autentike që nuk lënë vend për spekulime dhe abuzim.
Rrëfimi historik i Kudret Isait mbizotërohet nga narracioni i arsyeshëm dhe përshkrimi objektiv duke i kundruar ngjarjet dhe personazhet që përfshihen në to brenda optikës së kontekstit të kohës, duke shmangur kështu rrezikun e rikontekstualizimit të historisë dhe të të shkruarit të saj sipas të menduarit apo interesave të sotme.
Analiza e autorit ëshë një rezume e dalë nga faktet dhe dokumentet historike dhe jo nga gjykimet apo interpretimet subjektiviste. Moria e panumërt e dokumentave dhe e kërkimit të kryer në arkivat e institucioneve zvicerane dhe më gjerë, kombinuar me ato të arkivave shqiptare, mundësojnë një substrat të bollshëm për të arritur në përfundime shkencore të mirëfillta.
Gjithashtu mbështetja në faktet historike dhe jo në sentimentet subjektive, ka bërë që ky tekst t’i rezistojë tundimit që vjen prej egos nacionaliste. Në këtë
këndvështrim, Kudreti teksa mban pranë vetes gjithmonë patriotin e mirë dhe të racional, ia mbyll derën njëherë e mirë nacionalistit dhe gjuhës së pasionit dhe të urrejtjes.
Së treti, ky libër përfaqëson zërin dhe zjarrin e pashuar të diasporës sonë, e cila, ashtu si në kohën e çiftit Pittard, vijon të mbetet e lidhur dhe e përkushtuar ndaj vendit të vet të origjinës. Ndër të tjera në libër na bëhet e ditur se shumë prej veprave apo punëve të mira për çështjen shqiptare kanë zënë fill në diasporë. Prej andej ka fryrë dhe po vijon të fryjë era e idealizmit dhe e dashurisë pa kushte për mëmëdheun. Të cilat i kemi kaq shumë të pranishme në këtë libër të mikut tim Kudret.
Dhe së fundi, ky libër përfaqëson edhe një titull pronësie intelektuale, e cila për shumë prej intelektualëve të mirëfilltë shqiptarë është lloji kryesor i pronës apo e vetmja pronë që kanë, në ndryshim nga pehlivanët e politikës, administratës apo të ekonomisë.
Kur brezat e ardhshëm do të pyesin se ç’prona ka lënë pas Kudret Isai në Shqipëri, historia do t’u flasë për këtë libër dinjitoz prej 946 faqesh, si formën më të lartë, më prestigjioze dhe më jetëgjatë të pronësisë. Dhe si kontribut i vyer një shqiptari të mirë për vendin e vet. Ta gëzosh këtë libër-pasuri miku im Kudret Isai. Dhe presim edhe të tjerë si ky në vitet që vijnë.