Albspirit

Media/News/Publishing

Eva Vatoci: Emisione që bëhen jo vetëm pis, po bien erë kënete

 

Duke ndjekur emisionin “Ftesë në 5” me gjithë respektin që kam për median si pjesë shpesh herë e saj dhe si aktiviste, ndjehem e neveritur teksa flitet pikërisht për vajzat dhe gratë e Tropojës. Por neveria deri në protestë më inkludohet si vajzë tropojane e lindur dhe e rritur në atë trevë të bekuar nga Perënditë. Është e turpshme të etiketosh burrat e Tropojës si pijanecë e gratë e tyre si robina sepse një Kamile anonime paska bërë një reportazh në “Financial Times”. E për hir të realitetit pa dashur të filloj që nga lashtësia ku në Tropojë kishte Ajkunë që qante Omerin, po i qasem epokës sonë. Nuk e di ku e gjen guximin një mediokre që flet për Tropojën teksa paska parë burra të pirë dhe në Dibër… as dhe një eunuku që mban mbiemër të nderuar në Tropojë, por që duke mos u përfillur nga burrat jep nominacione për gratë dhe liritë e tyre.

Tropoja o miq mund të ketë kaluar mijëra situata të pakënaqshme si rezultat i politikave të gabuara, por nuk gjen raste ku gratë të jenë vrarë, të jenë therur apo goditur si në vendlindjen e “analistëve” fake, me sopata e lopata. Pa e zgjatur i them Kamilës së huaj e kamile-xhemileve të emisionit se kur në Tiranë nuk ishin hequr akoma perçet, valltarja magjike e mahnitëse Xhevahire Gashi, kërcente për spektatorët në “Balshoi Teatër” të Moskës! Kur Artistja e Popullit Fatime Sokoli ngrinte në këmbë Kosovën e okupuar me zërin dhe çiftelinë e saj, gjyshet e nënat e “analistëve” mbillnin qepujka e mbidhin caraca me shami mbi sy…! Kam shumë për të thënë, por po ju kujtoj ditën e sotme kur mbi 78% e administratës në Tropojë janë vajza e zonja si askund në Europë dhe drejtoritë qendrore në rreth drejtohen nga zonja. Ndaj mos gaboni me mjeranë që me padijen e tyre gabojnë duke fyer ndërgjegjen dhe fisnikërinë e një komuniteti si Tropoja. Pa dashur ta zgjas jo vetëm përsëris neverinë time për të pavërtetat rreth Vendlindjes ku gra e burra, vajza e djem më bëjnë krenarë, por më kujton batuten e filmit të realizmit socialist “Po me urën ç’patën gjermanët”.

Emisione që bëhen jo vetëm pis, po bien erë kënete.

Eva Vatoci: Jo vetëm turp jo, por neveri!

Please follow and like us: