Sami Repishti: HOMAZH PATRIOTIZMIT TË POPULLIT UKRAINAS
“Ukraina ashtë në vijën e parë të mbrojtjes së gjithçkaje që ne, europianët, e kemi të shenjtë, lirinë tonë, demokracinë tonë, lirinë e mendimit dhe të fjalës. Me guxim, Ukraina po lufton për idealet e Europës që na nderojmë sot” (Znja Ursula van der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.”VoA 9.V.2023)
Ridgefield, CT.- Me 24 shkurt 2022, bota u zgjue nga zhurma e randë e armëve sulmuese ruse, në nji luftë të pa shpallun kundër fqiut shekullor, Ukrainës heroike e paqësore. Ky sulm i pa parapamë, i paprovokuem, i pamerituem kundër nji shteti fqinj kalon kufinjtë e fantazisë normale në lamin ndërkombëtar. Ajo që rezultoi, ka qenë dhe vazhdon të jetë nji rezistencë luaniane e nji populli, viktimë e plotë e agresionit, dhe nji falimentim i vajtueshëm për agresorin.
Ish Bashkimi Sovjetik, sot Republika e Federatës Ruse gjindet në nji pozitë shumë të vështirë politike-ushtarake – Presidenti aktiv i saj ashtë i akuzuem nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime kundër Njerëzimit, (e OKB-së). Historikisht, personat politikë të këtij rrangu, të akuzuem nga kjo Organizatë, nuk i kanë shpëtue denimit, me përjashtim të atyne që eliminoi vdekja e parakohëshme.
Bota e qytetnueme gjindet para nji dileme etike nga ma të randësishmet: duhet të denohet përgjegjsi i krimit? Tragjedia ukrainase deri sot ka kushtue qindra mijëra viktima të rij, sot ushtarë- pa numrue jetët civile në luftën e përgjakëshme për 16 muej me rradhë….Deri tashti, përgjigja ka qenë pozitive: Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, akuzohet për krime masive në Ukrainë!
Invazioni rus në Ukrainë më solli kujtimet e rinisë sime kur A. Hitleri sulmoi Poloninë, 1939, dhe fotografitë e J.V.Stalinit dhe ministrit nazist von Ribbentrop që coptuen viktimën polake me “marrëveshje”.(Të gjetun në nji pozitë turpnuese, ish-kolegët komunistë të Liceut të Shkodrës u përgjigjen: “Ashtë bashkue ‘puna’ kunder ‘kapitalit’’; kryesisht Anglia dhe Franca. Verbëria e viktimave të indoktrinueme, nuk njeh kufi… !)
Filloi L2B! U hap kasaphania pa kufinj që konsumoi rreth 50 miljonë viktima. Personalisht, gjatë asaj lufte humba babën, viktimë e terrorit fashist, dhe kushërinin 17 vjeçar viktimë e terrorit nazist. Nazistët fajtorë u denuen nga Gjykata Speciale Gjermane, “fajtorë” të krimeve, dhe u varën në litar. As edhe nji zyrtar kriminel rus doli para gjyqit për krimet e kryeme. Kështu sot, ballafaqohemi me të njajtën dilemë morale: A duhet të dalë para Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës së OKB-së Presidenti Putin i Federatës Ruse? Përgjigja ime: PO!
Shkatërrimi i diktaturave fashiste, naziste, e militariste japoneze dhe traktatet e paqës që u nënshkruen me këte event historik, nuk sollën paqen e dëshirueme. Ndryshime të imponueme karakterizuen atmosferën politike në Europë dhe Azi. Ambiciet e udhëheqësve komunistë në Moskë ma parë, dhe në Peking pesë vjet ma vonë, 1949, inzistuen me tezën e karakterit botënor të marksizmit. Nga lufta e ngrohët pa vite paqësore kaluem në “luftën e ftohët”. U zhvillue “globalizmi” dhe viktima e parë u ba “fryma kombëtare”, identiteti i veçantë i çdo kombi. Konfliktet që vijuen, krysisht në Kore dhe në Vietman mbrojshin dy ideologji në dyluftim për dominimin botënor.
Në këte gjendje fluide, propaganda komuniste gjeti shesh të përshtatshëm për indoktrinim, dhe për imponim me dhunë të nji identiteti të ri ideologjik, komunizmin stalinian. U formuen “kampet” e mëdha ideologjike. “Kombi” humbi randësinë e vet si elementi i parë dhe i domosdoshëm për “qenjen” e shtetit kombëtar, dhe rinia, sidomos rinia, humbi objektin kryesor të “identitetit”, vlerat kombëtare. Forca brute e irracionale e “diktaturës së proletariatit” dhe propaganda intensive marksiste në sherbim të ekspansionizmit stalinist u banë aleatët e parë.
Me shembjen e “rregimit të kuq”, në Shqipëri, filloi përshkallëzimi i largimit të elementit të edukuem dhe profesionist nga vendlindja, dhe masave të përndjekuna që kerkuen lirinë e mohueme në vendlindje. Skenat televizive te botes, si ato të 2 prilit 1990, dhe ikja e turmave të papërgatituna për emigrim tronditën ndërgjegjet e miljonave., dhe morën tiparet e asaj që sot quhet “rrjedhja e trurit”.
Sot, vetë mbijetesa e nji kombi shqiptar të lirë po rrezikohet! Gjendja e sotme në Shqipëri, ku 28 përqind e popullsisë konfirmohet të ketë abandonue vendlindjen, e cilësueme si “periudha transitore në demokraci”, reflekton këte rrezik, dhe më frikëson pa kufi….!
Vlerësime nga bota e jashtëme për Shqipërinë janë shqetësuese. Organizata “Freedom House”(April 2022) shkruen:“Shumica e udhëheqsive politike shqiptare mbeten armiqsore ndaj vlerave liberale demokratike, dhe kanë treguar pak vlerësim për faktin se barazia nën ligj dhe respektimi i shtetit të së drejtës janë vlera të randësishme demokratike”.
Aspekti i dytë i patriotizmit ukrainas ashtë me karakter civil, dhe në frymën mbizotnuese të ndihmës reciproke në mes të popullsisë civile të pa angazhueme në luftime -solidaritet i bashkësisë. Nga 9 miljonë plus ukrainas të spostuem dhe të ndjekun nga agresori rus, mbas shumë muejve të gjatë të konfliktit të pa justifikuem, ma shumë se 5.5 miljonë ish refugjatë janë kthye në votrat e tyne tue rifillue nji jetë të vështirë dhe plot rreziqe. Për meriten e naltë të kësaj popullsie fryma e rindertimit ashtë kudo ku ka shkelë dhe ka shkatërrue agresioni rus. Grupe të rinjsh që nuk kanë arrijtë moshën e rekrutimit japin shembullin e shkelqyeshëm për të gjithë botën: “Ashtë toka e jonë” thonë ata; janë “Votrat tona” “kemi shtëpitë gjysëm të djeguna, por ata na mbajnë me shpresë se …do të fitojmë!”
Në fshatin Pokrovski, raportojnë gazetat amerikane, ndigjohen krizmat çmendse të artilerisë ruse-dhe pergjigjet ukrainase. Në këte atmosferë zanet e fëmijve ukrainas ndigjohen që lozin -në mënyren e tyne-në orët e natës, sepse dita asht e rrezikshme nga artileria e aviacioni i agresorit barbar rus, që mbushin ajrin e fshatit. Tregu ka mjaft mallna për shitje. Dyqanet për lule, shesin për kunorat që familjet vejnë në vorrezat e të sakrifikuemëve për lirinë e pavarësinë e atdheut. Qyteti ashte ba”… i panjofshëm” nga jeta e rifillueme. Nuk ka ma dritore të mbylluna me drrasa dhe kopshte ku bari rritet nga pakujdesia. Banorët qarkullojnë tue mos perfillë bombardimet. Kambëngulja në vendlindje ka zevendsue frikën e invazionit, megjithëse Rusia agresore bombardon pa pushim.
Kthimi në atdhe ka ndryshue gjithçka! Jeta adaptohet simbas ditës. Të gjithë së bashku, rreth 5.5 miljonë “ish-emigrantë” janë kthye në votrat e tyne me nji kambëngulje kundër “fatit” dhe me ballafaqim të tij. Lufta vazhdon dhe nuk ka vend të sigurtë. Por votra familjare ashtë në Ukrainë, “në fshatin tim”, dhe shpresa e gjallë ashtë “në shtëpinë stërgjyshore”… deklarojnë ata. Nji patriotizëm i cilësisë ma të naltë!
Me 17 maj, gazeta The New York Times botoi nji raport me titull: “Ri-ndertimi i fshateve, dhe bashkëpunimi në mes të rinjve dhe pleqve në Ukrainë”. Åshtë nji raport frymëzues!
Në fshatin Lukashivka, Ukrainë, të rinjtë, shumica qytetarë nga qytetet për rreth, vullnetarisht vijnë e pastrojnë grumbujt e rrenimeve të mbetuna nga bombardimet ruse, e rindertojnë. Në fshate ka vetëm pleq, 70 dhe 80 vjeçarë që mirëpresin “vullnetarët” me gjellë të përgadituna për ata. Quhen “Ndertojmë të gjithë së bashku!”, organizatë vullnetare që ndihmon civilët me ndertime në rrethet e Kievit dhe Çernikhovit, zona të rimarruna nga okupatori rus vitin e kaluem. Grupi ka rindertue 120 shtëpi në nji duzinë fshatesh, ka pastrue mbeturinat e ndertesave të damtueme, dhe pritet në verë ritmi i punës të shpejtohet.
‘Perpjekja e përbashkët na ka afrue, dy breznitë që zakonisht kanë kontakte të pakëta. Eksperienca e luftës na ka afrue” tregojnë vendësit
Tani, organizojnë Çfaqje muzikore (DJ’s) si dhe veprimtari kulturore për banorët e fshatrave për rreth….’ Zonja Mezin ka qenë e strehueme në podrumin e shtëpisë bashkë me burrin e saj. Marsin e kaluem, kur nji predhë shkatërroi shtëpinë… çatia u dogj dhe gjithçka tjetër që kishte në shtëpi. “Jam shumë mirënjohëse për këta të rinj; punojnë kaq shumë e në punë të randa….” tregon ajo.
Heroj të rezistencës kambëngulëse ukrainase: “Rrofshi ! Kurr mos u harrofshi; me kangë e valle për jetë u kujtofshi” uronte At Gjergj Fishta!
Po ky poet që i këndoi lavdisë kombëtare gjeti mjaft kurajo me vajtue tragjedinë që mbuloi kombin tonë shqiptar, kur invazionet e hueja, në Veri e në Jug, detyruen qindëra mijëra shqiptarë me u shperngulë me forcë tue përfundue në zona ma miqsore, ose në vende te hueja:
“Mbaroi Malësia/Lekë ma sot nuk ka/… Murojë me i ndejë Shqipnisë…/Malësori ashtë thye/ E i dëbuem ai me trathëti/ Pa Atme sot ka mbetë/Pa plang, pa shtëpi”. Kakteristike kanë qenë ¨Üllishtat e Vlorës dhe emigrimi i viktimave në Ameriken mirëpritëse, si dhe kampet e refugjatëve shqiptarë në Veri dhe emigrimi në tokët mikpritëse të Shqipërisë së paokupueme, dhe Turqisë jo aq mikpritëse…!
Emigracioni nuk ashtë nji fatkeqsi e panjohun nga shqiptarët e merguem ose të përndjekun. Në Mesjetë, pothuejse e gjithë popullsia arvanitase e Moresë emigroi në Italinë e Jugut, ku formoi dhe mbajti të gjallë sentimentin për origjinën dhe shpresën e ri-atdhesimit… nji ditë, shpresë që tradhëtoi. I njajti fat ndoqi kosovarët nga terroti serb. Gjatë viteve të terrorit komunist (1944-1990) mijëra shqiptarë, të përbuzun e të përndjekun, rrezikuen jetën për nji vend ma të sigurtë se ajo “gropë e zezë si ferri” që u ba Shqipëria: me arrestime, tortura, dhe sidomos pushkatime…! Dhe kjo ikje spjegohet e kuptohet. Ka qenë dëshira me jetue në liri ashtë e pa përmbajtun. Pse kjo ikje sot?
Rregjimi i kuq duket se ka degjenerue shoqëninë tonë pa reparim…!
Ajo që ngjau mbas përmbysjes së diktaturës ma të randë që ka pa vendi i jonë në historinë e tij -diktatura e proletariatit -ashtë shumë e trishtë, brengosëse, dhe potencialisht fatale për kombin tonë: shqiptarët largohen nga vendlindja dhe kerkojnë strehim në vende mikpritës dhe jo aq të dëshirueshëm, me rrezikun e jetës ose me dokumentacione falso, dhe nuk e kthejnë kokën mbrapa, as tregojnë dëshiren për kthim në votrat stërgjyshore. Patriotizmi shqiptar përballon nji krizë ekzistenciale!
Ky problem madhor kerkon nji kujdes dhe nji studim të veçantë, të thellë dhe serioz, përtej suazave të partive politike të vendit: ku ashtë atdhedashunia e këndueme në kangët tona dhe e përsëritun mijëra herë në fjalët e fjalimet tona?
Cila ashtë përgjigja e jonë pyetjeve të herojve dhe deshmorëve që dhanë jetën për shekuj me rradhë, e të gjithë atyne që “deshën Shqipërinë për nji stan në Trebeshinë”?
Kur do të dalë edhe për ty Pranvera, o Shqipëria e ime?
P.S.: Autori është ish i burgosur politik – u arratis në gusht të vitit 1959.