Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare, 60 vjet nga botimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

 

Studio Kadare e Tiranës, Shtëpia muze Kadare dhe Katedra e Gjuhë – Letërsisë e Universitetit “Eqrem Cabej” në Gjirokastër, organizuan takimin përkujtues të 60 vjetorit të botimit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Pedagogë, studiues, studentë, shkrimtarë e gazetarë të pranishëm përcollën ide dhe opinione rreth vlerave të romanit dhe argumentit se përse ky roman që e bëri menjëherë të njohur shkrimtarin, vijon të lexohet me të njëjtin adhurim e kërshëri nga mijëra lexues në të gjithë botën. I ftuar në takim shkrimtari Odise Kote vlerësoi aspekte të strukturës ndërtimore të romanit, stilin unik, si një mjeshtër i madh i ironisë, sarkazmës e groteskut, pasurinë e jashtëzakonshme gjuhësore. Duke ndjekur linjën e preferuar të mitologjizimit: histori, filozofi, antropologji, të një strukture mitizuese e çmitizuese njëherësh, Kadare i dha letërsisë shqipe modelin e parë të një letërsie që e kapërcente kufirin kulturor lokal e kombëtar, letërsinë e krahasuar me veprat më të mira europiane e botërore. Pas këtij romani, i gjithë Teksti Letrar me nënshkrimin Kadare, pra gjithë vepra e tij u ngjit në një tjetër Ligë letrare të epërme, atë të klasikëve të letërsisë botërore. Kësisoj u shpreh shkrimtari Kote, letërsia e Kadaresë u bë formësuese për gjithë shkrimtarët shqiptarë brenda e jashtë kufijve shtetërorë e jo vetëm, njëherësh edhe fushnaja e sendërtimit të vetëdijës kombëtare. Në takim, organizuar në formën e dialogut, shfaqën opnionet e tyre edhe pedagoget L.Konomi, V. Taçi si dhe rrëfyen kujtimet e tyre miq të shkrimtarit Thanas Dino e Odise Çerkezi.

Please follow and like us: