Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: SARANDA E DASHURISË

 

Tregim i jetuar

 

Ajo ditë e nxehtë korriku  e mbushur me njerëzit, që kalonin mbi digë kishte sjellë një hare në shpirtin e tij. Prej disa vitesh nuk kishte shkelur aty, që kur ishte larguar për emigrim. Thinjat i kishin dalë në flokë dhe një pjesë e mirë e tyre kishin rënë tutje nga vitet. Ishte në prag të pensionit të pleqërisë dhe për këtë gjë kishte ardhur nga larg për të bërë dokumentat.

Ndërkohë, që shikonte kaltërsinë e liqenit pamja e saj ndërpritej nga të rinjtë, që i fluturonin me skuterat  e tyre sa majtas dhe djathtas. Ishte pikërisht ajo orë e pasdites, kur dielli në uljen e përflakur do të prekte edhe pak kodrat përreth liqenit dhe freskia, në atë ditë të nxehtë korriku, do të pritej me aq dëshirë nga njerëzit e shumtë, që po pushtonin shëtitoren mbi digë. Stolat do të mbusheshin me burra e gra të moshuar, për të shijuar flladin e freskët të liqenit deri në mbrëmje vonë.

Ai  vështroi në drejtim të diellit dhe nxori celularin duke marrë një pozicion sa më të përshtashëm në drejtim të kodrave, ku një pjesë e tyre ishin bllokuar nga një kompleks i ndërtesave shumëkatëshe aty pranë digës. Ai shtyu me një lëvizje të papritur trupin majtas për të kuadruar më mirë perëndimin e diellit, por një vajze rreth 14-15 vjeçe, që po kalonte me skuterin e saj e goditi në shpinë dhe atij i ra celulari nga dora. Vajza u afrua dhe i vuri dorën e saj mbi shpinë pikërisht aty ku e kishte goditur.

– Xhaxhi më fal, ju vrava? Si jeni?….- tha ajo e shqetësuar.

Ai ktheu kokën majtas dhe dalloi sytë e saj blu që shikonin plot shqetësim. Ai kishte ulur njerin gju dhe u përpoq të kapte celularin, që i kishte rrëshqitur mbi tapetin e pistës, ku kalonin skutersat, biçikletat apo karrocat me rrota si të shekullit të 18.

– Jo, jo asgjë, – tha ai dhe vështrimi i mbeti tek sytë blu të shqetësuar, të cilët filluan të ndryshonin formën dhe mollëzat e faqeve të bardha filluan të ngriheshin pak duke ç’tendosur pamjen e  frikësuar. Sytë e saj u bënë të qetë si ujrat e liqenit aty pranë.

Vajza vuri re se asgjë serioze nuk kishte ndodhur nga përplasja. Ajo  buzëqeshi dhe pasi u sigurua që çdo gjë ishte në rregull, u largua si era me skuterin e saj të zi. Nga pas një djalë i ri dhe i gjatë, po me scuter, po e shoqëronte në rrugëtimin e saj.  Ai kishte mbetur gjysëm i kërrusur dhe pasi pa flokët e saj bishtkali të verdhë, që u tundeshin duke u larguar nga vrapimi, uli sytë tek celulari i tij.

Pak më tutje u dëgjua çanga e trenit që shëtiste përreth liqenit fëmijët kureshtarë me prindërit e tyre.  U mundua të ngrihej, por një hije bojë njeriu, koka e të cilit po afrohej dhe ishte pranë tij,sikur po e pengonte. Ai ngriti kokën, por rrezet e diellit nuk e linin ta shikonte qartë atë. Ai dalloi vetëm se dikush, me flokë kaçurrel  të dendur dhe mjekër të gjatë e të thinjur, po e shikonte me vëmendje. Ai ishte elegant, i veshur me një këmishë ngjyrë ulliri dhe pantallona doku bezhë, treçerekshe, i cili po qëndronte një hap larg tij. Fytyra e tij iu afrua pranë e ai dalloi rrudha në ballin e rreshkur dhe sytë që vështronin me vëmendjen e një të interesuari.

– Je mirë?- foli hija, që kishte zënë diellin dhe ai dëgjoi papritur se silueta hije iu duk se i përmendi

emrin, por , zhurma e trenit shëtitës me fëmijët, që kaloi aty pranë e shurdhoi pikërisht në momentin që ai i përmendi emrin e tij. Ai u trondit dhe harroi fare, se çfarë i kishte ndodhur pak çaste më parë me vajzën me bishtkali të verdhë dhe kapelen sportive të zezë hypur mbi skuter. “ Kush ishte ky njeri, që papritur e kishte ndaluar, apo kishte shfrytëzuar pozicionimin e gjunjëzuar, që ti afrohej dhe ta pyeste,  dhe më e papritura, ta thërriste me emër aq saktë?” Ai u trondit, por edhe nuk po e kuptonte se me kë po fliste ashtu?!.

Hija kaçurrelse me mjekrën e thinjur u afrua edhe më pranë, ajo preku celularin e burrit  të tronditur. Ai sapo e kishte kapur atë me gishtat e tij.

– Arian si je ? – përsëriti emrin e tij, hija kaçurrelse, i cili tashmë i ishte afruar mjaft pranë duke i ndjerë edhe frymëmarrjen. Ariani ishte ngritur në këmbë dhe ndërkohë që lëmonte celularin, po mundohej të njihte këtë person të çuditshëm. Ata u panë në sy për disa çaste, por burri i celularit nuk e kujtonte këtë fytyrë. Ajo nuk po i sillte në mendje askënd. Për të ishte e paparë ai portret,  ato ditë nëpër Tiranë, ku kishte takuar mjaft persona që të mund të kujtonte dikë të ngjashëm.

– Jam Gjini, – tha kaçurrelsi dhe u përpoq të buzëqeshte.

Burri në prag pensioni,  po e shihte me shumë kujdes, por mjekrra e gjatë, flokët e paqethur, atij iu duk shumë i çuditshëm dhe i veçantë, krejtësisht i panjohur. Ai nuk kishte patur shoqëri apo shok, të cilët të kishin patur mjekër, gjë që nuk bëhej fjalë në rininë e tij të paraqiteshe në këtë formë.

– Lushka,… ime shoqe ka vdekur,- tha ai papritur. Dhe kapi me dy duart fytyrën e tij duke larguar flokët mbi ballë.

Burri i celularit vuri re tiparet e fytyrës dhe filloi që ti përvijohej tashmë në kujtesë, më qartë, se personi ishte ishstudenti i Arteve. Ishte ai, pikërisht që e kishte njohur 40 vjet më parë në Sarandë?? Ai, i cili  ishte njohur dhe dashuruar me të…?

– Si thatë, ju lutem?… Engjëllushja?… – belbëzoi burri i tronditur,- shoqja ime e fakultetit, të cilën e thërrisnim shkurt Lushka, nga Durrësi?

– Po, – u përgjigj Gjini duke tundur kokën lehtë.

– Ti je Gjin?… Saranda e vitit 1984, kur u takuam për herë të parë? – shpërtheu Ariani dhe gati sa nuk i ra celulari përsëri nga duart që filluan ti dridheshin…

– Po, po – përsëriti ai gjysëm i qeshur dhe gjysëm i trazuar duke vështruar reagimin befasues mjaft tronditës të Arianit. Ata po vështroheshin gjatë duke marrë frymëmarrjen e nevojshme, për të qenë realisht të sinkronizuar me kohën e vendin e njohjes, si për të mbushur gjithë atë hapësirë moskontaktesh, shkëputjeje  të gjatë, tepër të gjatë, në kohë e në hapësirë. Madje, ata po përpiqeshin të kujtonin takimin e fundit me njeri-tjetrin, por vështirë… shumë vështirë për ta kujtuar. Vetëm deti dhe brigjet e bukura të Sarandës ishin futur në ato momente midis tyre dhe… dhe  ajo… ajo Lushka, studentja e talentuar e gjuhë-letërsisë, që po qëndronte tashmë midis këtyre dy burrave, si pika e lidhjes dhe e miqësisë, që ata do të kishin dyzetvjet më parë.

Sirena e trenit të fëmijëve që lajmeronte se po niste xhiro e radhës rreth liqenit, do ti përmendte ata të dy në ato momente takimi.

– Po si ndodhi?- pyeti padashur Ariani, nga kureshtja që e mbërtheu në atë moment. Dhe burri me flokët e gjatë si të hipive të viteve 70, ku kaçurrelat dallonin qartë, e kuptoi përmbajtjen e pyetjes.

– Një vit më parë,- vazhdoi duke e imagjinuar pyetjen e dytë të radhës. – Nga kanceri.

Ra heshtje, por një tërheqje gati magnetike i afroi pranë njeri-tjetrit dhe të dy po qëndronin në këmbë mbi digë kokëulur, duke mos ndjerë zhdukjen e diellit pas kodrave dhe një fllad i lehtë freskues, kaloi pranë tyre si një stuhizë e vogël tropikale……

– Jeni i mundshëm të ulemi diku?- propozoi Ariani i pari dhe shtriu krahun në drejtim të bar-kafesë buzë liqenit.

– Po, – u përgjigj në moment Gjini.

*  *  *

Sytë e tij ishin ulur dhe vështronin mbi tavolinë një lule e me tej ai vështronte valëzat e lehta të liqenit që pëplaseshin  duke trokitur pa u ndjere pranë njerëzve, në breg. Ai ktheu vështrimin, apo më mirë ata kryqëzuan vështrimet dhe në heshtje po përpiqeshin të kujtonin bashkëkohën, kur ata u njohën, krijuan miqësinë…

…E gjitha ndodhi në qytetin e Sarandës. Ariani me grupin e studentëve të gjuhë-letërsisë ishin përqëndruar në Sarandë dhe fshatrat përreth në muajin e praktikës, për mbledhjen vlerave folkorike të zonës. Ndërsa ai, Gjini ishte aty i pranishëm si student i Arteve në degën e skulpturës. Ishte viti 1984. Aty ne Hotel Turizmin e qytetit u takuan, në pjesën e restorantit në mëngjeset e bukura të atij qershori……… Ajo ishte imët dhe e kujdesshme në komunikim me të panjohurit. Ajo vinte nga Durrësi çdo ditë dhe kthehej po në Durrës pas leksioneve. Ishte mjaft aktive brenda qetësisë së karakterit të saj femëror. Bisedat për letërsinë dhe filozofinë në mëngjeset në hotelin e vetëm të turizmit  në Sarande, i lidhi të tre ata në komunikim që zgjati për aq kohë sa ishin bashkë në atë qershor. Ishin këto episode që kujtoi Ariani, por ndoshta edhe Gjini i sillte ndërmend.

Kamarieri solli kafet dhe ujin. Një fllad i lehtë përshkoi këmbët e tyre të zhveshura. Muzgu po kthehej në ngjyrën më të errët, ku nata do të zinte ngadalë vendin dhe dritat e Bar-kafesë do të ndizeshin të tëra. Tashmë liqeni dallohej vetëm në breg dhe me ato dritat që krijonin yjet ujore.

– Unë ika mësues në Fushë Arrëz në gusht të 1984,- tha papritur Ariani.

– Po e di, – u përgjegj Gjini. – Lushka, iku në një fshat në kufi me Kosovën, në Kukës. – pshehrëtiu ai. Ditën e parë e shoqëroi edhe ëma.

– Librezën e notave e kishte vetëm me dhjeta,- e ndërpreu Ariani.

– Po nuk pinte ujë. E emëruan drejtoreshë, të një shkolle fillore, me katër klasa ku nuk kishte as banka e tavolina. – vazhdoi Gjini.

– Më kujtohet kur mbrrinin autobuzët e Kukësit, pasagjerët zbrisnin për një pushim. Në një ditë të bukur me diell, dikush hapi xhamin e autobuzit dhe e kishte thërritur me emër. – vazhdoi bisedën Ariani.- Unë pash Lushkën. Folëm shkurt, ajo më tregoi me pak fjalë emërimin. Kjo ishte dita e fundit që e kam takuar. Pastaj jo më, …vitet ikën shpejt dhe ndryshimet e pas 90-s, sollën rrethana të reja…. – dhe ai heshti.

– Ajo pas disa viteve, – vazhdoi Gjini,- filloi punë në redaksinë e revistës Nëntori. Dhe aty e mbylli. Redaktimi i mjaft krijimeve dhe shkrimeve kulturore e kishte ngacmuar ëndrrën e saj rinore… ajo kishte hedhur vargje, kishte krijuar poezi, tregime dhe jo pak por shumë vëllime dhe tre romane…- ai heshti.

Në bar-kafenë e liqenit njerëzit ishin rralluar. Ata vazhduan gjatë të kujtonin dhe të vizatonin portretin e saj. I shoqi heshti përsëri pasi tregoi shumë. Fjalët e tij ishin penelata të shkathta, të treguar me ritmin e shpirtit të vrarë, të tronditur për ikjen e saj të beftë. Ai u përlot dhe me zërin që i dridhej,shtoi:

– Edhe kur e zinin dhimbjet,… ajo shkonte pas tufës së mendimeve që materializoheshin me fjalët. Ajo harronte gjithçka. Ajo ndjente, se gjithçka po shuhej në qënien e saj, por dëshira për të shkruar për të hedhur mendimet e saja nuk u shua deri në ditën e fundit.

Celulari befas leshoi zile. Ai heshti një moment, por sytë nuk i hodhi mbi ekran. Sytë i kishte tek dritat mbi ujin e liqenit, dhe vazhdoi:

– Ajo, iku e qetë dhe ëmbël pa shqetësuar njeri. Ajo mbajti çdo gjë rreth vetes pa shkaktuar dhimbje dhe turbullira. Dy djemtë i qëndruan pranë. Ajo bëri jetën që kishte ëndërruar….

Ai tërhoqi gotën e ujit dhe e ktheu bashkë me një curril të njomtë që kishte rreshqitur  mbi mustaqet e dendura. Fërrkoi mjekrën dhe e pa Arianin në sy i heshtur.

Ndërsa Arianit ju kujtua ajo ditë, kur buzë detit të Sarandës ata ishin të tre bashkë. Gjini vizatonte me pasion duke bërë bocete portretesh të saj. Në sfond qëndronte deti i kaltërt i Sarandës. Ajo dhe ai kishin pranuar shpirtrat e tyre krijuese, për të qenë bashkë deri në ditën e fundit. Ata u njohën dhe u lidhën në Sarandën e bukur ndërsa ai ishte dëshmitari fatlum, që njohu nga afër këto dy botë që kishin lindur për njeri-tjerin…….

Ata u ndanë vonë atë natë,duke dalë të fundit nga Kafe-bari, për t’u takuar e ritakuar në ditë të tjera, pasi kishin shumë për të treguar për atë kohë, për Lushkën… Por në sfond do të mbetej kurdoherë në çdo rast Saranda e dashurisë së dy ishstudentëve të vitit 1984.

Tiranë, më 30 korrik 2023.

Please follow and like us: