Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Spartanët

Sparta e lashtë shpesh është romantizuar si një shoqëri luftëtarësh trima dhe qytetarë të disiplinuar. Megjithatë, si në çdo gjë, nën fasadën e lavdisë fshihen disa aspekte shqetësuese. Si Aleksandri, që u mundua dhe nuk e zgjidhi dot dhe me nervozizëm e preu nyjen gordiane.
Praktika famëkeqe e “ekspozimit” të foshnjave në Spartë kryhej nëse i porsalinduri konsiderohej fizikisht i dobët ose i deformuar. Foshnjat që nuk plotësonin standardet e rrepta të qëndrueshmërisë liheshin të vdisnin në kodra të largëta. Kjo vrasje e pamëshirshme e të dobëtve shihej si një mënyrë për të mbajtur një popullsi të fortë dhe të fuqishme.
Ndërsa trajnimi i luftëtarëve i njohur si “agoge” shpesh glorifikohej, ai kishte një anë të errët: Djemtë merreshin nga familjet e tyre në moshën shtatë vjeçare dhe u nënshtroheshin stërvitjes së ashpër ushtarake, e cila përfshinte ushtrime të rrepta fizike, disiplinë të pamëshirshme, madje edhe rrahje brutale. Qëllimi ishte t’i formonte ata në ushtarë të patrembur, por ky sistem mund të ishte traumatizues mendor dhe emocional.
Helotët ishin një popullsi e nënshtruar e skllevërve shtetërorë në Spartë. Ata  trajtoheshin me mizori ekstreme dhe kryengritjet e tyre periodike përballeshin me shtypje të ashpër. Kjo frikë nga kryengritjet ndikoi në shumë aspekte të shoqërisë spartane, duke nxitur një gjendje të vazhdueshme gatishmërie ushtarake.
Ndërsa gratë në Spartë gëzonin më shumë liri dhe arsim, në krahasim me qytet-shtete të tjera, roli i tyre ishte i kufizuar në prodhimin e pasardhësve të fortë për ushtrinë. Jeta e tyre përqëndrohej rreth amësisë dhe mbështetjes së kulturës së luftëtarëve spartanë.
Shoqëria spartane i kushtonte pak vlerë jetës intelektuale dhe artistike. Ata ishin të dekurajuar nga përfshirja në filozofi, arte dhe letërsi, gjë që rezultoi në një shoqëri të cilës i mungonte përparimi intelektual dhe arritjet kulturore në krahasim me qytet-shtetet e tjera. Apo vepronin si dhelra më rrushin në përrallën e Ezopit?
Spartanët dihej se merreshin me një sport shqetësues gjaku të quajtur “Crypteia”. Të rinjtë spartanë, afër fundit të stërvitjes së tyre, dërgoheshin në fshatra me urdhër të vrisnin çdo helot që takonin. Kjo praktikë synonte të terrorizonte popullsinë helot dhe të parandalonte kryengritjet e mundshme.
Për të siguruar vazhdimësinë e linjave më të forta të gjakut, Sparta praktikonte mbarështimin selektiv. Shteti inkurajonte ushtarët më të mirë që të shkonin me gratë më të forta, ndërkohë, martesat rregulloheshin shpesh për qëllime mbarështimi dhe jo për dashuri.
Please follow and like us: