Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Mosko: JETË MËRGIMTARËSH

Mbresa nga libri me tregime e novela “SHTEGTIMI I FUNDIT” i Avdulla Kënaçit.
Në kutinë time postare në Boston, këto ditë të nxehta vere më erdhi libri me tregime e novela “Shtegëtimi i fundit” i mikut dhe patriotit tim gjirokastrit, Avdulla Kënaçi. Penën e tij, qysh herët, e kam ndjekur në vazhdimësi me shkrimet e tij gazetareske, sidomos me reportazhet dhe përshkrimet nga Jugu i Shqipërisë.. Idetë, mendimet dhe problematikat që shpaloste në shtypin e shkruar ishin shprehur me një eleganncë të veçantë. Ai ka qenë një gazetar i shquar e më vonë një realizues televiziv i sukseshëm i filmave dokumentarë në RTSH, sidomos nga diaspora shqiptare pas ardhjes së demokracisë. Avdullai ka një dekadë e gjysmë që jeton pranë fëmijëve të tij në Mississauga, një qytet modern, i ngritur pas viteve 1975 në Kanada, me gati një milion banorë, në vazhdimësi të Torontos. Këtë periudhë emigrimi ai e ka shfrytëzuar duke realizuar katër vëllime me tregime e novela të spikatura që lenë gjurmë tek lexuesi.
Dua të ndalem tek libri i fundit i cili sa ka filluar të shpërndahet në Shqipëri dhe këtu në mërgim. Variante të disa prej këtyre krijimeve, ai i ka publikuar në llogarinë e tij në facebuk, duke ia nënshtruar opinionit të miqve të tij të shumtë. Avdullai si karakter është njeri modest dhe komunikues që ka pritur me durim e kulturë vërejtje e mendime lexuesish nga më të ndryshmit. Aty ku e ka parë të arsyeshme ka bërë çvendosje, shtesa e përsosje, pra, tregimet dhe novelat, jo vetëm që janë lëmuar e gdhendur më bukur, por në këtë botim janë rritur edhe si nivel artistik.
Po rrekem të shpreh disa nga mendimet e mia, jo vetëm si lexues, po edhe si dashamirës e mik i tij me të cilin komunikoj vazhdimisht.
Titulli i librit për mua është shumë domethënës dhe duke e lexuar, ai përnjëhershi të zhyt thellë në mendime. Ne shqiptarët, historikisht, kemi qenë njerëz të emigrimeve e të shtegtimeve. Për mua këto dy fjalët e fundit kanë një kuptim të përafërt, në mos të njëjtë. Autori jo pa qëllim i ka vendosur librit këtë titull goditës, “Shtegtimi i fundit”. Ai të josh dhe të bën kurioz të dish se çfarë fshihet brenda tij. Çdo lexues kujton emigrimet e shtegtimet e shumta në jetën e tij. Të gjithve na shkojnë ndërmend edhe peripecitë e të parëve tanë. Përmbajtjen e novelës “Shtegtimi i Fundit”, prej nga ka marrë titullin libri, personalisht e njoh mirë, sepse i jam kthyer disa herë nga që më kujtonte shtegtimet e kopeve të deleve në fshatin tim malor Selckë. Gryka e Selckes në vjeshtë dhe pranverë gjëmonte nga zilet e këmborët kur bagëtia bënte shtegëtimet. Pa pikë dyshimi mund të them se është novela më tërheqëse, shkruar shumë bukur dhe shtjelluar në një gjuhë mjaltë të ëmbël.
Ky titull i librit më sjell ndërmend edhe diçka tjetër; bisedën me një zonjë amerikane që kemi bërë shumë kohë të shkuara, pasi kishim mbërritur në Amerikë. Në vitet e para të emigrimit bëja punë të ndryshme. Gjatë pushimeve, rrija i vetmuar, por edhe i lodhur e i mërzitur. Amerikania, një mesogrua, lindur e rritur këtu, punëtore e fjalëpaktë, ndoshta duke më parë në atë gjendje shpirtërore të rrëzuar, duhet t’i ketë ardhur keq. M’u afrua ngadalë dhe me një zë të ëmbël më tha:
– Zoti Kostandin, ti duhet të jesh njeri me karakter të fortë, ke kapërcyer një oqean të madh, ke udhëtuar mijëra milje dhe unë vë re se ti sakrifikon, por bën edhe një jetë normale. Në pamjen e parë dukesh sikur nuk të bën përshtypje ky emigrimi. Për ne vendasit është shumë e vështirë, kur çdo gjë nis nga e para e jo më për ju. Unë me familjen time kemi pesëdhjetë vjet që jetojmë në Dedham dhe prapseprap, na duket shumë e vështirë të shpërngulemi dhjetë apo njezetë milje më tutje, në një qytet tjetër, jo më ju që vini nga një kontinent i largët, me gjuhë të ndyshme dhe zakone të tjera. Unë marr me mend që është tepër e vështirë, por ju ia delni më së miri, prandaj të them që je njeri shumë i fortë.
Nuk i ktheva përgjigje, sepse ajo kishte qëllim të mirë, deshi të më ngushëllonte e të më jepte kurajo. Ndjeva se kisha nevojë të shpërtheja, të mallkoja mërgimin, por kafshova gjuhën dhe u përmbajta. Unë e dija se sa më brengosnin këto emigrime dhe shpërngulje që i kisha bërë disa herë, i detyruar për të përmirësuar sadopak jetesën time, dhe te familjes.
Të kthehemi tek vëllimi i mikut tim, Avdulla Kënaçi, “Shtegëtimi i fundit”. Rresht pas rreshti, kapitull pas kapitulli, në çdo faqe libri, fryn e zhurmon emigrimi. Mërgimtari, por sidomos çdo shqiptar, gjen këtu diçka nga jeta dhe përvoja e tij. Kujton vështirësitë e para kur la atdheun, vështirësi të cilat në shumë tregime janë përshkruar me realizëm dhe shpesh me nota dramatike. Këtu nuk i thuren lavde botës së re, perëndimit, pavarësisht se ikëm prej një diktature çnjerëzore, por rrëfehen ngjarje dhe situata delikate, vështirësi nga më të ndryshmet, disa herë rrënqethëse, por edhe qesharake. Vende-vende shpërthen humor i këndshëm, i cili buron vetvetiu, në mënyrë të natyrshme, ashtu siç është vetë jeta, qesh e qaj.
Vërehet se fraza është e shqipes letrare, rrjedh pastër e bukur, të mos them është gjuhë brilante. Herë herë duket si një këngë, por aty ku ka të bëjë me gdhëndje karakteresh e zakonesh, sidomos në Labëri, zbulohet një fjalor i rrallë dialektor. Janë shprehje e fjalë të hershme, disa shumë të moçme që e pasurojnë leksikun tonë dhe i bëjnë nder gjuhës shqipe. Pena e Avdulla Kënaçit e stërvitur edhe në gazetari nëpërmjet përshkrimeve e reportazheve, rrëshket nëpër rreshta si ujëvarë, të bën për vete që në frazat e para të tekstit dhe të detyron ta shpiesh leximin deri në fund të ngjarjes apo subjektit.
Në tregimet e këtij vëllimi flitet për vështirësitë e kohës që po kalojnë sot shqiptarët, sidomos të viteve kur për ta u hapën portat e botës perëndimore. Autori, duke qenë vetë një nga radhët e emigrantëve, i jepet e drejta dhe indicja për të përshkruar realisht peripecitë e jetës, të të gjitha shtresave të emigrantëve, shpesh shumë të vështira dhe me pasoja tragjike. Përpjekjet e tyre për t’u integruar në një jetë të re dhe shkrirja me komunitetin vendas janë përshkruar me detaje dhe hollësira artistike që të lënë përshtypje të thella. Në tregimet si “Qilimi persjan me thekë”, “Kozmos”, “Cathinka”, “Mumuja”, “Kujdestarja e kojotave”, etj, natyrshëm dhe bukur shpalosen ngjarje e personazhe që nuk i harron kurrë. Po ashtu autori fishkëllen zakonet jo të mira të mëmëdheut tonë si në tregimin “Hija e gjakmarrjes”, etj.
Theksoj, tregimet dhe novelat janë të pasura në fjalë të reja e të veçanta krahinore të zonës së jugut. Me këto fjalë ai kontribuon e pasuron me tej edhe gjuhën shqipe. Libri është shkruar me stil letrar të pasur e të bukur duke ecur në gjurmët krijuesave artistike të trevës jonë si: Çajupit, Naimit, Ismail Kadaresë, Agim Shehut, Jorgo Bllacit, etj. Libri është shtypur bukur, ka lidhje të fortë dhe një paraqitje fine, moderne. Mund të them se ky vëllim na nderon dhe qëndron shumë mirë edhe në shtetet e zhvilluara të këtij kontinenti ku ne jetojmë. E falënderoj zotin Avdulla për këtë dhuratë të veçantë me të cilën zbukuroj e pasuroj bibliotekën time modeste, këtu në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku unë jetoj familjarisht. Urime e suksese pastë gjithmonë pena e tij e ëmëbl dhe e feksur!
Boston, SHBA – Gusht 2023.
(Publikuar ne Blogun “Bota Bujqesore”).
Please follow and like us: