Brunilda Spiro: Mosmirënjohja…
Brunilda Spiro
Apel për mosmirënjohjen e njeriut!
Mamaja ime apo mamaja e shumë shqiptarëve në Michigan?
Ajo është vetëm 73 vjeç dhe tashmë e lodhur nga gjithçka dhe të gjithë po zhytet në harresën e gjithçkaje dhe të gjithëve.
Unë rri e pyes veten, nëse harresa është një lehtësim apo një tjetër tragjedi, e cila pa u lodhur duke ndjekur të njëjtin njeri po na torturon akoma?
Do ishte lehtësim nëse Dementia do ishte një sëmundje e humbjes së kujtesës afatgjatë dhe jo atë afatshkurtër, sepse kjo grua do jetonte të paktën në paqen e harruar dhe të kërkuar kaq gjatë.
Brenda një muaji është shtruar dy herë në spital. Herën e parë i mori të gjithë në telefon dhe u tha që është shumë sëmurë. Priti me sytë nga dera e dhomës së spitalit të vinin të gjithë ata që ndihmoi për vite me radhë…
Priti më kot, sepse erdhi vetëm një grua, të cilën nuk e ka ndihmuar si të tjerët, por është njeriu më i mirë dhe që ndihmon njësoj si mamaja ime gjithkënd që ka nevojë!
Herën e dytë më porositi mos i them askujt.
Në Amerikën e saj, siç e quan dhe mos guxo t’ia shash se të bën armik, erdhi shumë herët, qysh në 1995, kur akoma kishin ardhur shumë pak shqiptarë.
E etur për dashurinë e njerëzve dhe vëmendjen e tyre, altruiste nga natyra, por dhe e mësuar me shumë njerëz pranë, ajo vraponte për të ndihmuar çdo bashkëpatriot apo të afërm që shkelte për herë të parë “Tokën e Premtuar”.
Vraponte edhe në mes të natës të ndihmonte çdo bashkëpatriot që kishte nevojë për ndihmën e saj, i shoqëronte tek doktorët, u siguronte ilaçe që nuk i merrnin dot pasi nuk kishin siguracion mjekësor, i shoqëronte të merrnin kartat, u jepte makinën, të cilën ia kthenin edhe të prishur, u gjente punë, u hapte derën e shtëpisë, i priste me dashuri dhe buzëqeshje, i mbante në shtëpi për një shumë simbolike për vite të tëra.
Shtëpia shpesh për ne fëmijët e saj dukej jo e sigurt, pasi një shtëpi do privatësi për hallet dhe problemet, por mamaja jonë ishte mama që shpesh dukej se dhimbja e bënte të mos na tregonte ne vëmendjen, por të tjerëve dhe bëhej mamaja e tyre ose ashtu besonte ajo vetë, pasi ata merrnin çfarë kishin nevojë dhe kur rehatoheshin e harronin. Por, fjalët dhe informacionet e shtëpisë së saj nuk i harronin, i shtonin, e i shpërndanin, shpesh i rregullonin sipas dëshirës. Mirënjohja kthehej në formën më të keqe, në pazarin e llafeve dhe intrigave.
Disa i kujtonin dhe “ bujarinë” e çastit, 10 apo 20 dollarë apo një paketë cigare, por harronin që koha e saj, dashuria dhe vëmendja e vjedhur nga ne, ishte më e çmuar!
Edhe unë, vajza e saj, që kisha rehatinë të ikja në atdhe e të kthehesha e ta gjeja përsëri shtruar, megjithë kujdesin dhe shërbimet që i bëja, shpesh e kam harruar që ishte ajo që paguante billat. Billat nuk janë vetëm vlerë monetare, por kohë dhe kokëçarje e madhe. Kush nuk e dinte e mësoi tani…
Jam mërzitur shpesh, sepse edhe më ka rënduar, por sot e kuptoj si transformohet një njeri nga dhimbja dhe depresioni. Nuk po zgjatem sepse të gjithë e kuptoni. Unë e kam ndier në lëkurën time.
Jeta e saj ishte e thyer, qëkur prindërit menduan të shpëtojnë fëmijën e parë nga jetesa e vështirë e çifteve të sistemit socialist, (bënin një tufë me fëmijë për të kënaqur partinë) duke e martuar akoma pa mbushur moshën për martesë.
Ndarja në atë kohë për një vajzë vetëm 19 vjeçe ishte një damkosje që do e ndiqte gjithë jetën. Dikush e sulmonte, dikush e ironizonte apo shumë e largonin me përbuzje, prandaj ajo kishte vetëm një dëshirë të ikte. Po ku?
Unë e di, ajo iku, por askund në të vërtetë, vetëm në lirinë e veprimeve të saj, u iku rregullave dhe nuk pyeti më për atë shumicë gjykuese, duke i shpërfillur gjoja vlerat e tyre me armën më të rrezikshme, mospërfilljen. Vetëm se e vuante brenda vetes dhe askush nuk e pyeti kurrë, se si e qysh ndihej. Njerëzit shohin vetëm dukjen e veprimeve dhe aspak shkakun.
Edhe mua më mori një jetë që të pranoj që mamaja ime nuk ka asnjë faj edhe për faktin që mua më la të më rrisnin prindërit e saj (jam rritur shumë mirë, e lumtur dhe mbase më mirë sesa shumë bashkëmoshatarë të mi, që u rritën nga prindërit e tyre), të njëjtët prindër që nxituan ta martonin shpejt e shpejt, në kohën kur ajo donte akoma të njihte veten dhe botën përreth. Mua më rritën me shumë dashuri, sepse ishin më të pjekur dhe më dhanë gjithçka që nuk ia dhanë vajzës së tyre. Mirënjohëse deri në pafundësi! Mall për të dy prindërit e mi, nëna Ijen e gjysh Faikun!
Unë kam katër prindër, shumë motra dhe vëllezër, sepse dy tezet dhe dy dajat e mi janë motra dhe vëllezërit e mëdhenj. Nuk dua t’i numëroj, pasi dikur e bëja shpesh dhe ndodhi që humba dy prej tyre dhe frika më ka bërë mos mburrem më që kam kaq e aq.
Por i dua shumë të gjithë!
Tragjedia nuk është sëmundje ngjitëse, por krijon kushte dhe rrethana që të thellohet tek personi që ka nisur dhe pasardhësit, pasi hallkat e zinxhirit janë holluar. Gjykimet dhe paragjykimet e njerëzve vazhdojnë të shkaktojne çekuilibrim dhe depresione. Depresioni sjell humbje të përgjegjshmërisë dhe gabimet thellohen e kështu kalvari vazhdon…
M’u desh shumë kohë ta pranoj që mamaja ime është e sëmurë fizikisht dhe mendërisht, prandaj e kishte më të lehtë të mohonte bijat që ka gjallë dhe të jetonte vetëm me dhimbjen për dy fëmijët e tjerë, vajzen dhe djalin që ikën nga kjo jetë në moshën më të bukur.
Ku janë të gjithë? Më keni lënë krejt vetëm! Dje humbi dhe telefonin, por unë u kujdesa që në telefonin e ri të ketë vetëm numërin e tre vajzave që e ndihmojnë dhe gjenden përsëri, sepse janë vajza me vlera dhe me taban, ndërsa ju që edhe keni paturpësinë të gjykoni, ktheni pasqyrën nga vetja dhe thyheni! Ju siguroj që do ju duhet ta thyheni, sepse ju sheh.
Unë nuk shaj askënd, jam më lart se sa sharja, e vërtetë si gjithmonë ju them që jeta është shumë e shkurtër, por e gjatë për të vënë në vend drejtësinë!
Të gabosh është njerëzore dhe fatet dhe rrethanat e favorizojne, sepse keni fat më shumë nuk do të thotë se jeni imunë…e kam provuar edhe këtë tek vetja…
Unë po luftoj akoma që emrin e vëllait të vogël, Gjelosh Vata, ta marrë një rrugë apo rrugicë në qytetin ku u rrit, Pogradecin e bukur. E meriton, sepse pati guximin të shkojë në misionin më të vështirë, të luftojë për shtetin që e mirëpriti dhe për një të ardhme më të mirë për familjen dhe vendin! Nuk mundi dot, por punoi fort, u stërvit fort, fitoi shumë grada dhe në fund humbi jetën duke u bërë Hero i Amerikës dhe nëna ime, Mother of Amerika. Gruaja më e fortë që njoh dhe gruja më tragjike, që e sëmurë punoi natë e ditë t’i rriste vetëm, sot vuan vetëm!
Vëllezërit dhe motrat janë larg, por edhe zemrën po e largojnë, sepse vuajtjet e jeta e saj i bën të harrojnë që nuk janë më të mirë, sepse shkelin mbi veten kur shkelin mbi gjakun e tyre! Të ulesh dikë të vuajtur, nuk ngre veten! Veten e tregon me veten jo duke mohuar motrën e madhe, mamanë se motra e madhe është mamaja.
Tani rrini aty ku jeni, asnjë nuk duam të ndihmojë apo të vijë, por edhe nëse i ndodh gjë kurrë mos hajdeni, sepse ua thyej ato syzet e zeza që vendosni në sy dhe gjoja keqardhjen!
Falemnderit Zane Xhaji, Rudina Collaku dhe Vida!