Sadik Bejko: Psenë nuk e ka gjetur as Sterio Spasse
Në ditën e inagurimit të bustit të Sterio Spases, 14 gusht 2014, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në fshatin e lindjes në Gollomboç, në breg të liqenit të Prespës
Sot është 109-vjetori i lindjes së Sterio Spases (1914-1989).
Sterjo Spasse është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve ’30, me kontribute të spikatura.
Romani “Pse?”, i shkruar prej tij në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri. Roman filozofik i shkruar në gjuhën shqipe
Duke u larguar nga tematika e zakonshme romanore e kohës për të shenjuar dhe një tipologji të re të rrëfimit në historinë e prozës, të romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit, Spasse mbetet një prozator emblematik i atyre viteve. Edhe për sot.
Por njëherësh ai është dhe tipi i autorëve, i shkrimtarëve të viteve 1930, që me ndërrimet politike iu përshtatën kërkesave estetike të realizmit socialist, u konformuan politikisht me klimën letrare të pas vitit 1944, shkruan, por pa e humbur cilësinë dhe forcën e artit të prozës.
Në kujtimet e Ismail Kadaresë ai është shkrimtari tipik dekadent i viteve ’30. Kadareja 22 vjeç, Spasseja 44 vjeç janë për studime në Moskë. Për cilindo të këtij hendeku moshor, kolegu yt në dyfishin e moshës tënde, mund të quhet plak..
Në Moskë nga Shqipëria u vjen telegrami se “plakut” Sterio në Tiranë i ka lindur një vajzë. Ah ah… më 1958.
Më tej.
Një shkrimtare, studente e Institutit Gorki, një bukuroshe nga Ukraina me emrin Vera, ka rënë në dashuri me Sterio shqiptarin e Institutit.. Me Plakun. Me burrin 44 vjeç. Burrë i veshur me të zeza, kostum i modës së vjetër, i zi, dopjopetë, Një korb i vonuar, i trishtuar, arratisur që larg, që nga vitet ‘ 30.
Kadareja, gati çunak 22 vjeç, i ulërin Sterios: ç’ bëhet kështu me ty, more plak? Në Tiranë të ka lindur vajzë, në Moskë na paske dashnore?
Më vonë, shumë më vonë do ta kuptonte se një 44-vjeçar nuk është dhe aq plak. Siç e thotë Kadareja vetë. Në kujtimet e tij tani.
Spassja me kryeromanin e tij “Pse?” dhe proza të tjera të kohës, përfaqësonte tek ne llojin e shkrimtarëve të brezit të humbur, ata shkrimtarë që në librat e tyre jepnin personazhe pa rrugëdalje, karaktere që vdesin a vetëvriten që në rini, romane ku përshkruhen gjendje me psikologji të rënduar e me frymë pesimiste… Ndaj dhe këta shkrimtarë në botë u quajtën dekadentë.
Ky “dekadent” shqiptar ishte një kuriozitet ekzotik midis kolegëve të tij komunistë në Institutin e Shkrimtarëve Maksim Gorki, në Moskën e viteve 1958 – ’61 . Midis shkrimtarësh në moshë më të re sesa ai, midis komunistësh me tesër partie, aty ai po mësonte si të linte pesimizmin filozofik ala shopenhauer, për t’u bërë politikisht, estetikisht optimist, optimist revolucionar dhe predikues marksist…
Shumë nga shkrimtarët e institutit Gorki, dhe shkrimtaret femra, thotë Kadareja, habiteshin që kishin dhe një dekadent midis tyre, S. Spassen. Disa prej tyre në heshtje, nga larg e adhuronin dekadentin … pesimistin tonë Spasse.
Më pas, në pejsazhin kulturor të Tiranës së kohës komuniste, Spasseja do të mbahet mend si njeri shumë miqësor. Shtëpia e tij te Rruga e Kavajës, aty pas Kishës Katolike, ishte vendi ku gjeje shkrimtarë nga të gjitha moshat, nga gjithë drejtimet dhe brezat. Mikpritja, stili i thjeshtë pa distancë i Spasseve afronte dhe shkrimtarë si Mitrush Kuteli, Mustafa Greblleshi, Nonda Bulkën e Petro Marko,, gjuhëtar si prof. Mahir Domi… që vinin nga vitet ’30. Me nje kafe, raki a një gotë verë, cironka të thara Prespe… gjeje aty Fatmir Gjatën, Llazar Siliqin, Nasho Jorgaqin, Dhimitër Xhuvanin, I. Kadarenë, prof. Ziahudin Kodrën, por dhe të tjerë të moshës së fëmijve të tij.
Me korpusin e romaneve të tij të fundmë, romane me temë nga historia e Rilindjes shqiptare, Sterio Spasse e përtëriu poetikën e prozës së tij, duke mbetur një prozator me kreativitet të spikatur.
Një shkrimtar dhe… njeri ky Spassja .
Shënim:
Në Tiranën e viteve ’40-’50 ai mbahej si një shkrimtar i mbijetuar i dy kohëve. Autoriteti i tij dhe më tej rritej. Mbase nga mbijetesa dhe në ato kohë e një shkrimtari me emër që vinte nga regjimi i “kaluar”. Shkrimtarët e tjerë në zë të “regjimit të kaluar, ata të kohës së Zogut, të mbretërisë”, ishin në arrati, të rrasur në burg, në miniera a në këneta.
STERJUA prapë mbetej mësues, shkrimtar.
E adhuronin dhe pa e lexuar.
Ndokujt që i hidhëruar mundohej të gjente “Pse-në” e enigmave të jetës, atij që pyeste i tronditur “”pse e pse mua më ndodhi kështu e ashtu?”, tiranasit e kohës ia kthenin me një batutë: Ti kërkon Psenë?
– Pse-në nuk e ka gjetur as Sterio Spassja.
Mundohesh kot, nuk mund ta gjesh Psenë.
Me një roman Sterio Spasse hodhi një pyetje nëpër botë, nëpër jetë, nëpër letra. Nuk dha përgjigje për pyetjen.
Por mbase për këtë mbeti i famshëm.
14 gusht 2023.
Please follow and like us: