Camillo Libardi (1863-1943) dhe dokumente për historinë e Shqipërisë
Camillo Libardi
Kastriot Marku, Albert Ramaj dhe Cezarin Toma.
Me pushtimin osman, benediktinët dhe domenikanët e lëshuan vendin dhe veprimtaria misionare mbeti në duart e françeskanëve, të cilët deri me mbërritjen e jezuitëve në fund të gjysmës së parë të shekullit XIX, ishin pothuajse të vetmit që mbajtën mbi shpatulla barrën e vështirë të veprimtarisë misionare. Një ndër misionarët françeskanë i cili jetoi për 45 vjet radhazi në Shqipëri ishte edhe P. Camillo Libardi, i cili ka shkruar disa vepra për historinë shqiptare, por ka lënë në dorëshkrim Sylva documentorum et Albaniam pertinentium. I-III, vepër e cila humbi gjurmët pas Luftës së Dytë Botërore dhe për pasojë mbeti e panjohur, përkatësisht e pabotuar. Gjatë hulumtimeve tona u verifikua në arkivin e bibliotekës në Trento dhe u konfirmua prania e dorëshkrimit ‘Sylva documentorum spectantium ad missionem Pulatensem’ [Albania], që po e botojmë për herë të parë, të cilin e transkriptoi Cezarin Toma.
Camillo Libardi (1863-1943) dhe dokumente për historinë e Shqipërisë
Shqipëria, veçanërisht pjesa veriore e vendit, ka qenë vijimësisht një tokë misionare dhe posaçërisht këtë veprimtari e kanë mbajtur gjallë në krye të herës përgjatë mesjetës murgjit benediktinë, që u pasuan mandej nga etërit domenikanë dhe ata françeskanë e që ishin kryesisht italianë. Me pushtimin osman, benediktinët dhe domenikanët e lëshuan vendin dhe veprimtaria misionare mbeti në duart e françeskanëve, të cilët deri me mbërritjen e jezuitëve në fund të gjysmës së parë të shekullit XIX, ishin pothuajse të vetmit që mbajtën mbi shpatulla barrën e vështirë të veprimtarisë misionare. Pikërisht për këtë fakt, një histori misioneve françeskane këndej Adriatikut, do të kishte qenë tejet interesante në shumë apekte, qoftë në pikëpamje historike, sociale, fetare por edhe ndërkulturore.
Një ndër misionarët françeskanë i cili jetoi për 45 vjet radhazi në Shqipëri, ishte edhe P. Camillo Libardi O.F.M. Ai lindi në Levico (Trento), më 7 dhjetor të vitit 1863. Veshi petkun françeskan më 5 mars 1880 dhe u shugurua meshtar më 2 janar të vitit 1887. Më 5 prill 1888 u paraqit në Romë nën thirrjen e Kongregatës së Propagandës Fide, e cila e dërgoi misionar në Shqipëri. Shërbeu gjatë gjithë kohës në dioqezën e Pultit deri në vitin 1932. Kjo veprimtari misionare baritore ka qenë për të e për shumë kënd si ai, një jetë e vështirë për shkak se i duheshin orë të tëra për të mbërritur tek familjet të cilat jetonin pothuajse në një gjendje primitive e të shpërndara anë e kënd grykave të humbura të luginës së Drinit poshtë kreshtave të Bjeshkëve të Nemuna, mes izolimit total prej qytetërimit dhe për më tepër nën persekutimin e ashpër të sundimit osman. Njëzetë e tetë katunde me rreth 400 shtëpi e rreth 3500 shpirtra, të Dioqezës së Pultit, të gjithë katolikë, jetonin në pavarësinë e ruajtur përmes institucionit juridik dokësor vendor të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Personaliteti i tij i fortë, inteligjenca e spikatur dhe mbi të gjitha energjia dhe vullneti i tij i jashtëzakonshëm për t’iu gjendur pranë besimtarëve të grigjës që i ishte besuar, qe mbi të gjitha shtysa e jashtëzakoshme e karizmës françeskane që përcolli frati françeskan përgjatë gjithë misionit të tij. Libardi do të vërente se natyra e egër e shqiptarit të këtyre anëve ishte e tillë jo aq prej karakterit të tij, sa prej mungesës së thuajse të plotë të institucioneve të qeverimit. Shala, Shoshi, Thethi e Nikaj ishin zhytur në gjakmarrje. Vetëm në vitin e parë të apostullimit të P. Libardit, pati 43 vrasje. Bash për këtë arsye ai mori nismën për të mbledhur e bërë bashkë krerët e fiseve për tre ditë radhazi dhe me 5 qershor u 1890 u arrit një marrëveshje mes tyre që të kishte besë mes sosh, së paku për të mbajtur të sigurt rrugëkalimin mes këtyre zonave që shkonte për në Fushë Kosovë, marrëveshje e cila mbeti në fuqi deri në vitin 1894.
Shpërthimi i kryengritjes në Veri të vendit gjatë vitit 1911 dhe sidomos ofensiva e Shefqet Turgut Pashës mbi Malësinë e Madhe, Dukagjinin dhe Mirditën si dhe sjellja e dyfishtë e Kral Nikollës, bëri që me nismën e P. Libardi-t më 17 korrik 1911 të arrihej një marrëveshtje tjetër mes krerëve të dy besimeve në kështjellën e Drishtit, marrëveshje e cila iu konfirmua edhe Valiut të Shkodrës, i cili madje i ofroi P. Camillos, Zyrën e Mydyrrit të Dukagjinit si dhe dekorimin prej qeverisë osmane, zyrë dhe nderim të cilat frati i përvujtë i refuzoi. Shfaqja e një personaliteti të tillë do të ishte edhe një arsye e fortë që ai të propozohej edhe si një ndër tre kandidatët e mundshëm për fronin ipeshkvor të dioqezës së Pultit, detyrë të cilën ai e refuzoi duke gjetur si shkak moshën e tij të re.
Në vitin 1907 Shenjtëria e tij Papa Piu X e dekoroi me medaljen e mirënjohjes për veprën e tij misionare. Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ai qe zgjedhur drejtor i Kryqit të Kuq Shqiptar në nënprekefturën e Dukagjinit ku pat hapur në vitin 1926 edhe një qendër ambulante misionare në famullinë e Shoshit. Pas kryengritjes së Dukagjinit dhe përgjakjes që i bëri Ahmet Zogu kësaj krahine, me këshillimin e dikasterit roman për veprimtarinë misionare: Propagandës Fide, P. Libardi në vitin 1932 e lëshoi misionin e tij aq shumë të dashur në Shqipëri, mbas plot 45 vjetësh dhe u rikthye në vendlindjen e tij në Trento në Itali.
Duhet thënë se P. Libardi përjetoi konkretish ngjarjet e rëndësishme që rrodhën në Shqipëri në kapërcyll të shekujve XIX-XX, duke i ndjekur me kujdes e vëmendje ato, si dhe duke mbështetur me të gjitha format dhe mënyrat patriotët shqiptarë gjatë dhe pas Shpalljes së Pavarësisë. Në atë kontekst historik ai njohu nga afër Luigj Gurakuqin, At Gjergj Fishtën O.F.M., Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktarin, Gjon Marka Gjonin, Dom Lazër Shantojën, Rexhep Shalën, Imzot Luigj Bumçin, At Bernardin Shllakun O.F.M., Imzot Lazër Mjedën, Musa Juka, Gjon Gazullin etj.
Dëshmia më e mirë e kësaj pamjeje do të ishte libri i tij në dy pjesë ‘I primi moti patriottici albanesi nel 1910 – 1911 – 1912: specie nei Dukagini’ (1935), vepër të cilën Albanisches Institut e ka përgatitur në gjuhën shqipe dhe pret ta botojë së shpejti. Në vitet e fundit të jetës Libardi qe emëruar “Cavalliere della Corona d’Italia” si dhe anëtar i Komisionit Adriatik për Studimet Shqiptare [Commissione Adriatica per gli Studi Albanesi]. Më 22 dhjetor 1942 u shtrua në infermieri në Trento ku edhe ndërroi jetë më 26 shkurt 1943. Camillo Libardi botoi tri vepra: I primi moti patriottici albanesi nel 1910-1911-1912: specie nei Dukagini. (1935); Il missionario Albanese sul campo di battaglia, ovvero ricordi della vita di p. Alberto Cracchi O. M. vescovo di Pulati in Albania. (1935); Come si è fatto re d’Albania Ahmet Zogu (1940); Si u bë mbret u Shqipërisë Ahmet Zogu. Tiranë, 2012. Pikërisht në kohën e pushtimit Italian (1939-1943), studiuesi dalmato-italian Giuseppe Praga, kishte ideuar dhe përshkruar “projektin” e mundshëm të botimit të serisë “Monumenta Albaniae Historica”, pjesë e së cilës me sa shihet do të ishte edhe vepra e Libardi-t e lënë dorëshkrim Sylva documentorum et Albaniam pertinentium. IIII, frut i një punë të madhe e të lodhshme e plot durim në arkivat dhe bibliotekat e ndryshme italiane si në Arkivin e Shtetit në Venezia, bibliotekën “Lucca” të Napolit etj. Njoftimin e pare tërthorazi lidhur me këtë vepër e marrim në vitin 1942 nga revista “Hylli i dritës”, në një artikull të At Bernardin Palaj dhe të At Rrok Gurashit, të cilët theksojnë se “…po paraqesim gjygjin e koleksionistit mà të madhit t’akteve të këtij Djoçezi (Pultit, shënimi ynë), P. Kamil Libardit i cili pështetë në dorëshkrime të pabotuem qi aj e quen Sylva documentorum spectantium.” Në vitin 1942, në një artikull me titull: “L’Albania e le missioni italiane nella prima metà del secolo XVII in base a documenti ineditti”, të botuar në; Rivista d’Albania, Anno 3. Fasc. IV. XXI, Roma, Dicembre 1942, f. 226 – 248., studiuesja italiane Ferdinanda Granata theksonte se për misionet italiane në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit të XVII, ajo ishte bazuar në pjesën më të madhe mbi burimet e mbledhura nga P. Libardi, vepër të cilën e citon vazhdimisht përgjatë studimit të saj, nga dy vëllimet përkatëse dorëshkrim. Periudha e Luftës së Dytë Botërore solli peripeci të shumta që njihen tashmë, të cilat sikurse dihet patën pasojat e veta dhe dorëshkrimi i P. Camillo-s humbi gjurmët dhe për pasojë mbeti i panjohur, përkatësisht i pabotuar. Prej vitit të largët 1942, çështjen në fjalë e rimerr kalimthi edhe studiuesi diplomatisti i mirënjohur i dokumenteve për Shqipërinë Injac Zamputti, i cili u mjaftua vetëm me citimet dhe përkthimin e një dokumenti të transkriptuar, bazuar në artikullin e Granata-s, ngaqë atij për fat të keq nuk i jepej e drejta e kërkimeve jashtë vendit (shih: Relacione e dokumente për historinë e Shqipërisë 1610- 1650, St. Gallen-Prishtinë 2018. f. 12. Mbas tij Dom Gjergj Gjergji-Gashi në bibliografinë që i paraprin hyrjes së librit të tij (Vatikani dhe Arbëria: (Acta Albaniae vaticana) 1700-1922. Tiranë, Onufri, 1998. f. 44) dhe disa autorë të tjerë të parëndësishëm. Është interesant të cekim se citimi i Gjergj Gjergj-Gashit është i ndryshëm nga ai që citon Granata, Zamputti: Sylva Documentorum I-III (Storia della Mirdita Catolia e l`attività dei misionari italiani in questa Provincia albanese, martiri…). Arsyen e citimit të ndryshëm ende nuk dimë. Një gjë që duhet cekur është se ky është citimi i fundit nga aspekti kohor që u bë për dorëshkrimin e Sylva-s të Camillo Libardi-t. Edhe Hans Krahe e përmend këtë dorëshkrim në “Bibliographie der Jahre 1947 und 1948“, duke iu referuar Fernanda Granata-s, por me këtë emër: L`Albania e la Missioni italiani nella prima meta des secole XVII in base a documenti inediti, RivAlb 1942, Dokumentation des P. Camillo Libardi da Levico in drei Bänden, por sipas nesh duhet gjurmuar më gjërësisht lidhur me argumentin në fjalë. Por duke qenë këtu nuk do të mund të anashkalonim një tjetër argument shtesë i cili mendojmë se nuk duhet anashkaluar. Bëhet fjalë për veprën Orbis Seraphicus, përgatitur nga Dominicus de Gubernatis e cila është një vepër tejet interesante për historinë shqiptare, vëllimit i parë i së cilës u botua në vitin 1682 në Romë, e që i kushtohet gjërësisht historinë së misioneve françeskane dhe veçmas natyrisht edhe atyre në trojet shqiptare.
Këtë vepër tashmë Albanisches Institut e ka gati për shtyp, ngjizur që në krye të herës si një project editorial i përzgjedhur me pjesë nga ato vëllime që kanë të bëjnë me historinë shqiptare. Nga ky botim i Orbis, do të shihet shumë qartë se shumë gjëra aty janë tejet të rëndësishme për historinë shqiptare por që janë publikuara më parë në Itali, e që për fat të keq vetëm një pjesë tejet e vogël e botës shqiptare i ka njohur ato. Disa prej këtyre publikimeve pretendohen si risi të “zbuluara”, sikurse kjo ka ndodhur tash së fundmi me një botim të Giancinto da Sospello, ndërkohë që relacioni i sipërpërmendur është botuar prej më shumë se një shekulli, madje pjesërisht e kishte publikuar atë edhe studiuesi ynë i vyer Injac Zamputti.
Do të rikthehemi sërish tek P. Camillo Libardi dhe vepra Orbis Seraphicus, që deri më tani nuk ishin të njohur, me rastin e botimit të pritshëm sikurse e përmendëm. Vëllimi i fundit i Orbis Seraphicus ishte bërë gati për shtyp nga P. Antonio Maria De Turre, por mbeti në dorëshkrim i pabotuar. Këtë dorëshkrim e gjeti P. Aniceto Chiappini më 1941, i cili mbasi e përgatiti vyeshëm për shtyp e botoi në vitin 1945. Është pikërisht ky vëllim i Orbis Seraphicus, i cili të dhëna mjaft interesante për Camillo Libardin dhe Sylvan. Sylva, sikurse dihet, ishte dorëzuar për shtyp në vitin 1939 në “Centro di Studi per l’Albania”, ndërkohë Orbis (vëllimi i fundit), u zbulua në vitin 1941 dhe u deshën katër vjet deri sa u botua më 1945. Përgatitësi i tekstit të faqeve që i kushtohen misioneve françeskane në Shqipëri duhet ta ketë pasur në dorë dorëshkrimin e Libardit, për arsye sepse e citon plot pesë herë veprën në fjalë të Libardi-t Sylva. Mënyra se si bëhet citimi në Orbis na bind në mënyrë të padyshimtë se Chiappini i kishte në dorë së paku dy vëllimet e Sylva-s të Libardit edhe pas vdekjes së Libardi-t. Marrim si shembull faqen 40, citimin me numer 3 të Orbis, citim në të cilin shkruhet kështu: Camillus Libardi O.F.M., Sylva documentorum spectantium ad Albaniam, Burgi Ausurgi 1939, Vol. I, fol. 623. Pra, vëllimi i parë dhe folja apo dokumenti 623 nga dorëshkrimi i Libardit. Burgi Aussurgi është Borgo Valsugana në Trento dhe më këtë na bën me dije se prej Trentos Libardi i dërgoi këto dorëshkrime për shtyp më 1939. Në citimin e sipërpërmendur flitet edhe për dorëshkrimet e marra nga kuvendi i Shën Mëhillit (St. Michaelis) në Venedik sikurse ai i P. Angeli de Bergamo (fol. 3-55), Secunda relatio, usque ad an. 1646 est anonyma, i treti P. Cherubini de Vallebona (fol. 87-209) i katërti P. Leonis a Cittadella, ku flitet gjërësisht për meshtarin D. Georgio Jurich (fol. 211-349). Sequitur (fol. 35 etj., e që janë marrë po ashtu nga Sylva. Në faqen 40 gjejmë po ashtu të dhëna interesante për P. Josephum Ubeveteri, ku shkruhet kështu sikurse shihet nga shënimi në fudfaqe me numër 6 në këtë faqe e që janë të dhëna të marra nga Sylva documentorum I. Kur shkruhet për P. Francesco Mª. da Lecce në faqet 42-43, sidomos fusnota numër 5 është interesante se këtu është shënuar vëllimi II i Sylva-s: Ex C. Libardi, Sylva documentorum, II, fol. 630 et 651-651. Janë këto fakte të sjella drejpërdrejt e që i bje se Chiappini kishte në dorë të dy vëllimet dorëshkrim të veprës, madje ky është edhe vendi ku shënohen për herë të parë dhe në mënyrë shumë të saktë dokumentet e Sylva-s së Libardit.
Donato Martucci në artikullin: «Il sogno di un’opera monumentale: Fonti per la storia d’Albania”, ka provuar që të gjejë veprat e Libardi-t dhe ka hulumtuar në arkivin në “Centro di Studi per l’Albania”, ku edhe ka hasur vetëm në letërkëmbimin shumë interesant mes p. Camillo LibardiBenini-Pellati, pa mundur dot të gjejë edhe ai dorëshkrimet e vëllimeve të shumëpërfolura. Nga letërkëmbimin mes Camillo Libardi me Cancelliere Francesco Pellati dhe Zenone Benini nga “Centro di Studi per l`Albania” të cilin më parë e kishte publikuar Donato Martucci, vërehet shumë qartë se Libardi kishte dërguar për botim tri vepra voluminoze më datën 1.09.1939 në “Centro di Studi per l’Albania” dhe nga kjo ditë, kanë humbur të gjitha gjurmët e këtyre dorëshkrimeve.
Dëshminë e mbërritjes së veprave në këtë adresë e pohon vetë Pellati më 23.11.1939. Ndonjëherë është menduar se vëllimet e “Sylva documentorum” të Libardit mund të jenë botuar pjesërisht me shkurtime edhe në veprën e tij “Il missionario Albanese sul campo di battaglia”, por ky hamendësim nuk qëndron, sepse letërkëmbimi Libardi-Pellati dëshmon se këto vepra volumonize me dokumente arkivore ishin krejt tjetër punë, sepse është fjala për një periudhë kohore prej pesë vitesh më vonë nga botimit të këtij libri.
Kishim dijeni se këtë dorëshkrim e kishte kërkuar shumë edhe P. Daniel Gjeçaj O.F.M. dhe P. Zef Pllumi O.F.M. Kërkimet në ish-Centri Studi per l’Albania në Romë qenë edhe ato pa rezultat. Kërkimeve tona të shumta të bëra në Shqipëri; në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Institutit të Historisë dhe Bibliotekën Kombëtare në Tiranë; Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër dhe Bibliotekën Françeskane po në Shkodër nuk dhanë rezultat. Në vitin 2016, në Milano në një takim mes Albert Ramajt e Kastriot Markut, gjatë bisedës ra fjala edhe për Camillo Libardin dhe odisenë e dorëshkrimeve të e tij, përçka ishim të mirëinformuar. Duhej bërë diçka. Këtë hap mori Albert Ramaj dhe me sukses gjeti në Trento manuskriptin e panjohur deri më tani. Më në fund u drejtuam në Trento, vendlindja dhe njëkohësisht vendpushimi në amshim i fratit françeskan. Pas konsultimit të “Catalogo dei manoscritti della Fondazione “Biblioteca San Bernardino” dei Padri Francescani di Trento” përgatitur nga P. Remo Stenico O.F.M, në të cilin në mes 1389 dorëshkimeve u gjetën edhe tre dorëshkrimet e P. Libardi-t (nr. 386-389), prej të cilave vëllimi i dytë i I primi moti patriottici albanesi nel 1910-1911-1912 dhe Il missionario Albanese sul campo di battaglia, ovvero ricordi della vita di p. Alberto Cracchi O. M. vescovo di Pulati in Albania. Mbas komunikimit me p. Gian Carlo Colombo O.F.M. dhe Italo Franceschini-n, drejtorin e arkivit trentin të Fondazione della “Biblioteca San Bernardino”, në muajin korrik 2016, pasi u verifikua në arkivin e bibliotekës na u konfirmua prania e tre dorëshkrimeve të P. Libardi-t, dy prej të cilave tashmë ishin botuar në të gjallë të P. Camillo-s dhe një vëllim i Sylva documentorum spectantium ad missionem Pulatensem [Albania] me numër vendi MS 386. Vëllimi i mësipërm përmban 257 faqe gjithsej, në format të madh shkruar me shkrim dore të lexueshëm qartë. Vëllimi i kushtohet Zojës Rruzare dhe Shën Antonit të Padovës.
Më pas autori ia kushton sërish vëllimin si mirënjohje P. Lovro Mihačević, asokohe Provincial i Provincës Françeskane të Shqipërisë, kushtim i cili shënohet në Shosh më 8. 1. 1908. Pra me gjasë ky është caku i kufirit kohor kur duhet të ketë përfunduar trankriptimi i dokumenteve të këtij vëllimi. Përmbajtja e lëndës së vëllimit është e ndarë në 6 kapituj. Punën e transkriptimit të mundimshëm të dorëshkrimit e bëri me shumë përkushtim dhe kompetencë Cezarin Toma, ndërsa fazën e redaktimit përfundimtar e realizoi Donato Martucci. Në këtë libër lexuesit dhe studiuesit do të gjejnë shkrimin bashkangjitur të përgatitur nga Donato Martucci i cili na paraqet edhe letërkëmbimin e C. Libardit. Këto letra sjellin të dhëna tejet domethënëse, të cilat përplotësojnë mjaft mirë kuadrin e përgjithët të punës së bërë prej p. Libardit.
Nisur nga përmbajtja e vëllimit si dhe nga historiku i veprës së dorëshkruar që përshkruam më sipër, çështja që shtrohet tani është nëse ky vëllim ka qenë vëllim i vetëm, apo kanë qenë edhe 2 vëllime të tjera sikurse na thotë vetë Libardi përmes korespondencës së tij, e mbas tij Ferdinada Granata dhe Gjergj Gashi? Nga ana tjetër a mos është ngatërruar qënia e dy dorëshkrimeve të botuara në të njëjtin fond dhe ato janë marrë si tre vëllime me dokumente? Fakti që ajo (Granata) citon edhe një vëllim tjetër, do të thotë se duhet të kenë ekzistuar 3 vëllime. Pse janë ndarë dy vëllimet e tjera nga ky të cilin e gjetëm? Mos përfaqëson ky vëllim një fazë fillestare të punës apo mos është një vëllim krejt tjetër i ndryshëm nga 3-vëllimshi tjetër? Nga të dhëna të tjera, krejt të reja që së fundmi na kanë rënë në duar përgjatë kërkimeve sistematike lidhur me argumentin në fjalë, jemi entuziastë se do e njoftojmë së shpejti lexuesin me lajme të mira. Bazuar në përmbajtjen e këtij vëllimi mendojmë se çështja mbetet ende e hapur për kërkime të metejshme, deri në gjetjen e tre vëllimeve të tjera tashmë të konfirmuara si të tilla. Gjetja e tyre është në udhë të mbarë, gjë që do të përbënte pa dyshim një ngjarje e cila do të duhej të pasohej me botimin sa më parë të tyre, me të gjithë elementët e duhur diplomatikë dhe filologjikë të tekstit sikurse e meriton një botim i tillë.
Me shpresën se edhe vëllimet e tjera të (pjesa I dhe II e “Sylva-s”), punë jetësore kjo e p. Libardit, e cila urojmë të mos ketë humbur, ftojmë studiuesit dhe lexuesit specialistë dhe jo vetëm, që ta bëjnë pjesë të fondit të tyre kulturor këtë vepër të çmuar, duke u premtuar se me të shtënë në dorë vëllimet e munguara do i nxjerrim në dritë pa humbur kohë. Ndërkohë menjëherë pas botimit të traskribimit të këtij dorëshkrimi, do të vijohet puna me botimin e përkthimi të tij në gjuhën shqipe, i cili tanimë është pothuajse i gatshëm në fazën redaktoriale. Në fund po shtojmë se financimin e këtij projekti e botimi e ka bërë Albert Ramaj