Prof. dr. Rami Memushaj: Sharlatanët që hiqen si gjuhëtarë e si historianë
Në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji, kampi i patriotëve folklorikë shpërtheu si lavë vullkani, duke derdhur pa hesap sharje, fyerje e anatemime mbi prof. Eqrem Çabejn, një prej figurave më përfaqësuese të gjuhësisë shqiptare. Shkak për këtë u bë një video me fjalën e tij, e hedhur në internet me rastin e 115-vjetorit të lindjes. Njerëz që s’kanë haber nga shkenca e gjuhësisë dhe urithë pa emër të rrjeteve sociale, që s’dinë të shkruajnë shqip, hodhën baltë mbi veprën dhe kontributet e mëdha të prof. Çabejt në fushën e leksikologjisë historike të shqipes, duke e akuzuar se 93% (për disa të tjerë 97%) të fjalëve të shqipes i nxjerr me prejardhje të huaj.
Kjo akuzë nuk është e re. Ajo është shqiptuar së pari nga Agron Dalipaj, i diplomuar për ekonomi agrare, të cilin televizionet tona ua paraqesin shikuesve si “gjuhëtar”, si “profesor”. Në artikullin e tij “Eqrem Çabej, shenjtori apo djalli i gjuhës shqipe”, të botuar aty nga mesi i vitit 2012, ky ngre akuza ndaj prof. Çabejt dhe gjuhësisë shqiptare, që nuk kanë thënë se “gjuha jonë ka pjellë greqishten e latinishten” dhe kanë bërë të kundërtën e asaj që thonin rilindësit se “gjuha jonë është më e vjetra nga gjithë gjuhët europiane”. Për Dalipajn, “Studime etimologjike në fushë të shqipes” është “vepra më joshkencore” dhe “më djallëzore”, “qëllimi final” i autorit të së cilës “ka qenë që t’u imponojë shqipfolësve se gjuha që flasin ata, në masën më të madhe të leksikut, nuk është e tyre por e serbëve, bullgarëve, grekërve, latinëve etj., etj. dhe këtë e ka mbështetur në pseudoshkencë”. Çabej, thotë Dalipaj në artikullin e tij, “është Djalli i gjuhës shqipe, që na e shfaqin si engjëll”, “kryedhunuesi i shqipes”, “zjarrvënësi i gjuhës shqipe” etj.
Ky vlerësim paraqet në formën më agresive thelbin e anatemimeve që i bëhen prof. Çabejt dhe veprës së tij nga etimologët popullorë, numri dhe egërsia e të cilëve është shtuar ndjeshëm. Jo më pak agresive ndaj Akademisë sonë të Shkencave dhe ndaj profesorëve Çabej e Demiraj, që janë dy studiuesit kryesorë në fushën e historisë së gjuhës shqipe, është edhe Shoqata e pellazgologëve. Nga këta “etimologë” janë botuar lloj-lloj librash, në të cilat fjalë të gjuhëve të huaja, përfshirë edhe gjuhë të largëta si japonishtja e kinezishtja, shpjegohen si fjalë të ardhura nga shqipja; fjalorë “etimologjikë” që zbërthejnë fjalët e shqipes ose që greqishten e vjetër e shpjegojnë me gegërishten. Sepse, një nga tezat themelore të tyre është se gegërishtja është dialekti më i vjetër i shqipes, nga i cili ka rrjedhur greqishtja e Homerit! Për ironi, ndonjë nga këta libra është paraqitur edhe në sallën e konferencave të Akademisë sonë të Shkencave!
Gjuha si mjet themelor komunikimi ka qenë që në krye të herës edhe objekt soditjeje. Gjetja e etimologjive të fjalëve është një punë tërheqëse edhe për njerëz që nuk janë specialistë të gjuhës, që shtyhen nga kërshëria për të ditur se nga rrjedh kjo apo ajo fjalë. Duke hamendësuar rreth prejardhjes së fjalëve, folësit e thjeshtë interpretojnë fjalë të gjuhës së tyre, po sidomos fjalë të huaja, duke u nisur nga ngjashmëria fonetike e tyre apo e pjesëve të tyre me fjalë të gjuhës së vet. Dhe jo rrallë ndodh që fjala e përftuar në këtë mënyrë të bëhet pjesë e fjalorit të gjuhës. Si shembuj mund të sjellim fjalën krahathatë nga krahathadër “zog grabitqar si skifteri”, e përftuar nëpërmjet interpretimit të pjesës së dytë thadër si “thatë”. Të vjetrit dallëndyshes i thoshin edhe dredhan(d)yshe, duke e interpretuar pjesën pa kuptim dalla si “dredhë”, ngaqë dallëndyshja, kur fluturon, bën dredha. Në raste të tjera, një fjalë e gjuhës përftohet nga shqiptimi i gabuar i një fjale të huaj. P.sh., fjala gringo “amerikan”, që fillimisht ka pasur kuptimin “i huaj”, është përftuar nga shqiptimi i shtrembëruar i fjalës spanjolle griego “grek”. Në shqipe, fjala turke tërbzan është bërë trapazan, ku rrokja tërb me etimologji popullore është zëvendësuar nga fjala shqipe trap. Fjala rifuxho “ngarkesë rifuxho” është përftuar me etimologji popullore nga fjala italiane rinfusa (carico alla rinfusa), duke e shqiptuar “rifuxho”. Po në italishte rifugio ka kuptimet “strehë, strehim, bunker”, pra është tjetër gjë nga rifuxho e shqipes. Ky riinterpretim i pavetëdijshëm, i paqëllimshëm i fjalëve quhet etimologji e rreme.
Po etimologjia popullore për të cilën po flasim, është tjetër gjë. Ajo është përpjekje e qëllimshme për të shpjeguar fjalët. Praktikuesit e saj janë inxhinierë, ekonomistë, mekanikë etj., përgjithësisht njerëz pa formim linguistik, të cilët i vënë vetes si qëllim të shpjegojnë prejardhjen e fjalëve të shqipes ose të ndonjë gjuhe të huaj. Këta flasin për teknologji e metoda bashkëkohore që përdorin në analizën e gjuhës, kanë shpikur edhe terma, si “operator i lirë” i P. Zhejit ose “embriomorfemë” (morfemë embrionale) e Dalipajt, por të gjitha janë pseudoshkencë. Operatorët e lirë dhe embriomorfemat nuk janë morfema, po tinguj, grupe tingujsh ose pjesë të fjalës të prera sipas dëshirës. P.sh., Zheji fjalën latine grembus e nxjerr nga bashkimi i “operatorëve” shqip gr + em + b + us “gur jam bë âsh(t)”. Kështu edhe Dalipaj, nga i cili po marrim vetëm dy shembuj: Dardani dhe gegërisht. Fjalën Dardani ky nuk e lidh me dardhë si Çabej, po e zbërthen si (n)dar-dy-ani (e ndarë në dy anë, në dy pjesë) dhe këtë sipas tij e tregon folja nda = n-d-a, ku n është parafjala në, d është numërori dy dhe a folja asht. Fjalën gegërisht e ndan në g-egër-isht, ku g është gj, pra gj-egër-isht “ku egër tregon se bëhet fjala për gjuhën e egër ose e thënë ndryshe të parën… dhe pikërisht prej g-egër-ishtes kanë marrë jetë shumë gjuhë të kultivuara”. Të gjitha këto copëza fjalësh në këta dy shembuj quhen prej tij “morfema embrionale”, po vetëm egër dhe isht janë morfema, veç jo të fjalës gegërisht.
Në librat dhe në fjalorët e botuar prej këtyre “etimologëve” gjen marrëzira pa fund, po këtu, për arsye vendi, po përmendim vetëm disa. Kështu, në një libër që mban titullin “Tanagra”, fjalën Tanagra (emri i një qyteze në Beoti të Greqisë), autori e nxjerr nga shqipja “tana gra”, dmth. të tëra gra (!). Po këtu, emri i masivit malor Durmitor në Mal të zi shpjegohet si “dur mi dor”, duke e argumentuar se në kuvende betoheshin duke “vënë durt mi dorë”, dhe emri grek Omfalos shpjegohet si i ardhur nga fjalia shqipe “O m’fal”(!). Në një libër tjetër faraon zbërthehet në “fara jon”. Te Dalipaj kemi Dardanele “(n)dar d(y) (a)n e le”, dmth. që të le (të lejon) të kalosh; ibrik (fjalë turke) “(nj)i bri ka”, një bri ka; manastir “më-an-shtir”, i lënë mënjanë; kolose “ku-o los-e”, ku është lozur etj. Të tilla budallallëqe vetëm një mendje e çakërdisur mund t’i pjellë!
Fatkeqësisht, edhe në doktorata të mbrojtura në universitetet tona, madje dhe në shkrime të botuara në revista të huaja, gjejmë me shumicë etimologji të gabuara. P.sh., në një shkrim të dr. Marina Kaishit, të botuar në revistën me ISSN “Academic Journal of Business, Administration, Law and Social Sciences” IIPCCL Publishing, Graz-Austria, Vol. 4, No. 1, March, 2018, autorja i nxjerr me origjinë greke fjalë të shqipes, si: doke e gorromiset (formime brenda shqipes), qersë (fjalë e trashëguar), kumbari e lavosje, të formuara me prapashtesa shqipe, e para nga kumbar (latino-romane) dhe e dyta nga greqishtja lavos; ose fjalë që shqipja i ka huazuar prej gjuhësh të tjera, si kaish (nga turqishtja), davet (nga arabishtja në turq.), hatër (nga arab. në turq.), porot e porotnik (nga serbishtja), pretor (nga latinishtja), pusullë (nga serbishtja), sepet (nga persishtja në turq.), tagar e takat (nga turq.).
Broçkullat etimologjike, që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën e etimologjisë dhe që autorët e tyre rreken t’i shesin si shkencë moderne, kanë pushtuar mendjet e patriotëve folklorikë anembanë hapësirave shqipfolëse. Ato jo vetëm që janë tërësisht pseudoshkencore, po janë edhe shumë të dëmshme në rrafshin kombëtar. Për të kuptuar falsitetin e tyre, mjafton të kujtojmë se që në klasë të pestë nxënësit mësojnë të bëjnë analiza fjalëformuese të fjalëve të prejardhura të shqipes. P.sh., gegërisht e nxjerrin nga tema Gegëri me prapashtesën -sht, ashtu si toskërisht, çamërisht, labërisht nga temat Toskëri, Çamëri dhe Labëri me të njëjtën prapashtesë dhe, më tej, të gjitha këto fjalë i zbërthejnë si formime me prapashtesën -(ë)ri nga temat gegë, toskë, çam, lab. Këtu analiza fjalëformuese ndalet, ngaqë këto fjalë-rrënjë nga pikëpamja e sotme janë të pazbërthyeshme. Prej këtu fillon analiza etimologjike, e cila ka si objekt pikërisht morfemat e pazbërthyeshme: rrënjët e fjalëve dhe ndajshtesat. Pra, etimologu merret me fjalët gegë, toskë, lab e çam dhe me prapashtesat -(ë)ri e -sht. Kurse “etimologët” e vetëshpallur e shpërfillin këtë, madje e quajnë të vjetruar, antishkencore. Pikërisht, në moskuptimin e objektit të etimologjisë e gjen shpjegimin edhe akuza që i bëhet prof. Çabejt se 93–97% të fjalëve të shqipes i ka nxjerrë të huaja. Ai është marrë me fjalët rrënjë dhe dihet se numri i këtyre nuk e arrin shifrën dhjetë mijë as në gjuhët me fjalor shumë të pasur. Pra, akuza e patriotëve folklorikë për përqindjet bazohet në një llogaritje të gabuar.
Etimologjitë që mbështeten vetëm në ngjashmërinë tingullore të fjalëve, nuk janë shkencore dhe autorët e tyre nuk janë etimologë. Sepse mund të gjenden fjalë të shqipes të ngjashme fonetikisht me fjalë të japonishtes apo të gjuhëve të aborigjenëve të Australisë a të Brazilit, po këto janë përputhje të rastit. Përndryshe, do t’u mohonim shqiptarëve autoktoninë dhe do t’i nxirrnim të ardhur nga Japonia, nga Kina apo nga xhunglat e Amazonës, çka u shkon pas midesë atyre që na mohojnë prejardhjen ilire dhe autoktoninë.
Etimologu i vërtetë e sheh fjalën që merr në shqyrtim nga tri anë: nga ana fonetike, nga ana morfologjike dhe nga kuptimi. Ai nuk kënaqet me konstatimin se një fjalë rrënjë e shqipes ngjan nga ana fonetike me një fjalë tjetër brenda gjuhës ose me një fjalë të një gjuhe me të cilën shqipja ka pasur kontakte historike, po sheh edhe a janë të lidhura këto morfologjikisht dhe kuptimisht.
Që të bëhesh etimolog, duhet njohja e gjuhëve klasike, greqishtes së vjetër, latinishtes e sanskritishtes, sllavishtes së vjetër, gjermanikishtes, keltishtes, armenishtes, gjuhëve balte etj. Po kjo premisë është e pamjaftueshme. Duhet edhe një formim linguistik solid, që nënkupton njohjen e fonetikës historike dhe të gramatikës historike të gjuhës tënde dhe të gjuhëve të cilave u referohesh. Pikërisht, një formim të tillë e pati prof. Çabej, që e mori në universitetet e Gracit e të Vjenës me profesorë gjuhëtarë me emër si Norbert Jokli, Paul Kreçmeri etj.
Prof. Çabej nuk e gjeti të palëvruar fushën e etimologjisë së shqipes. Me të ishin marrë të huajt, duke nisur që nga mesi i shek. XIX e deri në kohën e tij. Është një listë e gjatë gjuhëtarësh pararendës, ndër të cilët shquhen për ndihmesat e tyre Franc Mikloshiçi, Gustav Majeri, Holger Pederseni, Norbert Jokli, Karlo Taliavini etj. Nga shqiptarët, me etimologji janë marrë Dh. Kamarda, Marko la Piana, Petro Furiqi e A. Xhuvani, të cilët sollën ndihmesa të pjesshme në këtë fushë, edhe sepse nuk e patën etimologjinë objekt të vetëm të punës së tyre.
Ndryshe nga paraardhësit, prof. Çabej e bëri etimologjinë objekt kryesor të punës së vet, duke e sjellë etimologjinë e shqipes, ashtu si dhe historinë e saj, në truallin e saj amtar. Rezultatet e punës së tij ai i botoi në revistat tona gjuhësore nga viti 1960 deri më 1980, kur mbylli sytë. Ai i pasuroi e i thelloi arritjet e veta në këtë fushë në veprën 7-vëllimëshe “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, të botuar nga Akademia jonë e Shkencave. Duke vlerësuar punën e bërë nga të huajt, prof. Çabej vuri në dukje edhe mangësitë e tyre: njohjen e kufizuar të leksikut të shqipes dhe të botës shqiptare; mbiçmimin e rolit dhënës të gjuhëve të huaja, sidomos të latinishtes, dhe të rolit marrës të shqipes; të meta të metodave të përdorura dhe të parimeve të ndjekura prej tyre etj. Kështu, në kërkimet etimologjike të të huajve përgjithësisht kemi vetëm krahasimin e fjalëve të shqipes me fjalë të huaja, po mungon krahasimi i fjalëve brenda shqipes; mungojnë të dhënat nga dialektet dhe onomastika, sepse dialektologjia është një shkencë gjuhësore e lëvruar tek ne vetëm nga vitet ’50 të shekullit të kaluar e këndej dhe onomastika e shqipes nuk ishte mbledhur.
Kërkimet e prof. Çabej mbështeten në parime të rrepta shkencore dhe në një metodë të re, në metodën e fjalëve dhe të sendeve, të përvijuar nga Hugo Shuhardi, e cila e lidh jetën e fjalës me objektin që emërton, duke e ndjekur shtrirjen e saj në hapësirë dhe në kohë. Përveç kësaj, rezultatet e arritura prej tij mbështeten në një material shumë më të pasur leksikor, në të dhënat e studimeve dialektore dhe në onomastikën e shqipes; në të dhëna historike, gjeografike, të kulturës materiale e shpirtërore të popullit tonë.
Si rrjedhim, ai arriti të bëjë etimologjinë e shumë fjalëve të pashpjeguara më parë ose të shpjeguara në mënyrë të gabuar dhe shumë fjalë që mbaheshin si huazime, ia ktheu shqipes, duke e rritur fondin autokton të saj. Për këtë mjafton të krahasojmë fjalorin etimologjik të G. Majerit me përfundimet e pjesshme të prof. Çabejt. Majeri, nga 5140 fjalë që ka fjalori i tij, 3980 i nxjerr të huazuara, 400-410 të trashëguara nga gjuha mëmë indoeuropiane dhe 730 të pazbërthyeshme. Pra, Majeri vetëm 8 për qind të fjalorit e nxjerr si autokton. Kurse prof. Çabej, në përpjekjen për të dhënë një statistikë të raportit fjalë shqipe – fjalë e huaj, provoi se leksiku vendës mbizotëron në atë pjesë të tij që ka lidhje me natyrën dhe me një ekonomi e kulturë baritore e agrare, ndërsa leksiku i huazuar vërehet në fushat e kulturës materiale e morale dhe të leksikut abstrakt. Dhe nga shqyrtimi i 1424 fjalëve të këtyre fushave ai arrin në përfundimin se 667 fjalë vendi qëndrojnë përballë 757 huazimeve. Pra, rreth 48% të fjalëve rrënjë në këto fusha janë të shqipes. Këtë statistikë, që e quan të paplotë dhe jopërfundimtare, profesori nuk arriti ta plotësonte edhe për fushat e tjera të fjalorit të shqipes. Por edhe kaq mjafton për të treguar se ai provoi që pesha e elementit shqip në leksikun e përgjithshëm të saj është e madhe. Siç shihet, edhe në këtë pikë duket se sa pa baza janë akuzat e këtyre “etimologëve”.
Me punën e tij në këtë fushë, prof. Çabej hodhi poshtë mendimin që mbivlerëson peshën e elementit të huaj në fjalorin e shqipes. Veç kësaj, ai vuri në dukje edhe rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve të tjera, gjë që nuk e gjejmë tek studiuesit e mëparshëm. Sigurisht, këto gjëra nuk mund t’i dinë “etimologët” tanë, të cilët nuk janë në gjendje ta lexojnë dhe ta kuptojnë veprën e tij.
Rrufetë e tyre mbi emrin dhe veprën e prof. Çabejt të kujtojnë atë fjalën e urtë popullore që thotë: “Pemën me kokrra e gjuajnë me gurë.” Kurse komentet në rrjetet sociale, ku përfshihen kryesisht të rinj pa nivel kulturor, që shkojnë pas berihasë dhe që ekzaltohen me etimologjizimet e fandaksura, janë tregues i injorancës në rritje në radhët e brezit të ri.
Për ta tejkaluar këtë gjendje, shkollës, në radhë të parë, i takon të bëjë më shumë në lëndën e gjuhës shqipe për ta formuar më mirë gjuhësisht brezin e ri dhe për ta njohur me arritjet e shkencës sonë gjuhësore. Po edhe media, sidomos ajo televizive, ka rolin e saj edukues. Gazetarët, para se të ftojnë për të trajtuar tema gjuhe, duhet të ndriçohen vetë për temën dhe të kërkojnë mendimin e specialistëve, me qëllim që t’u mbyllin dyert sharlatanëve që hiqen si gjuhëtarë e si historianë.
Mendojmë se është koha që Akademia jonë e Shkencave të ribotojë vëllimin e parë të “Studimeve etimologjike…” (vetëm pjesën shqip), në të cilin profesori parashtron objektin e etimologjisë, parimet e saj e metodën e ndjekur dhe jep përmbledhtas rezultatet e arritura prej tij. Do t’u vinte në ndihmë njerëzve normalë për të kuptuar kontributet e prof. Çabejt dhe për të shpërndarë mjegullën e krijuar nga kritikët e tij, “etimologë” pa kurrfarë përgatitjeje gjuhësore e komentues pa tru.