Sadik Bejko: A KA KOD ETIK AKADEMIA SHQIPTARE E SHKENCAVE?
A ka kod etik në një institucion të rëndësishëm si Akademia Shtetërore e Shkencave e Shqipërisë?
Ismail Kadare është një akademik nderi i AShSh, busti i tij është në korridoret e godinës së këtij institucioni. Nuk po them dhe çmimet e nderimet këtu e në vende të tjera të Kadaresë.
Por një kolege e re e tij, akademikja prof. Kristina Jorgaqi ka një mendim tjetër për Ismail Kadarenë. Në intervistën në gazetën “Dita” të datës 25 gusht me titull “Rrëfim i veçantë i K. Jorgaqit për të atin, për Kadarenë…” autorja me një shpërthim helmi të pakontrolluar dhe me gjuhë të denjë për ata që quhen llumi i rrugës, e denoncon Kadarenë për shpifje të ulëta, e cilëson si një njeri që sajon deri romane të paqenë për të baltosur atin e saj, e akuzon si njeri që fabrikon e falsifikon të kaluarën e tij për t’u shitur si njeri i ndryshëm nga ç’është.
Epitetet fyese e tejkalojnë çdo normë të etikës, ato e cënojnë aq keq personalitetin e Kadaresë sa së paku zonja Jorgaqi duhet të kërkonte dorëheqjen nga insitucioni i AShSh, të largohej me neveri nga ai institucion ku Kadareja është anëtar nderi, ku busti i tij zbukuron mjediset e asaj godine të nderuar. Njëri nga të dy, o Kadareja, o K. Jorgaqi duhet të jenë të denjë për atë institucion. O Kadareja i përkthyer në 40 gjuhë të botës, o kjo akademike që më “shkencën”, zërin e saj të ngjyrur, nuk ka kapërcyer as përroin e ndotur të Lanës.
K. Jorgaqi me cilësime turpi, me sharje të paskrupullta rreh ta cënojë rëndë personalitetin e Kadaresë. Këto veçse të dënuara në aspektin penal si fyerje e nderit dhe e dinjitetit të personit, duhet të jenë dhe objekt i kodit etik të marrëdhënieve midis kolegëve të një institucioni. Fyerjet e padenja denigruese shkaktojnë zemërim dhe indinjatë për ndërgjegjen qytetare. Ato njëherësh fyejnë e marrin nëpër këmbë gjithë ata që ndryshe nga Kristina Jorgaqi, kanë një mendim të lartë për figura të tilla ikonografike të kulturës sonë, për një shkrimtar me vlera ndërkombëtare që vetë AShSh e njeh si shkrimtarin shqipatar më të madh të të gjitha kohërave.
Por kjo K. Jorgaqi veç di ta poshtërojë kolegun e lartë që aty quhet akademik nderi. Sipas saj, Kadareja karakterizohet nga: egocentrizmi, cinizmi, arroganca, zemërngushtësia, natyra hakmarrëse. I obseduar pas idesë së marrjes së çmimit Nobel. Mendje e sëmurë dhe diabolike, karakter pervers, fabrikues shpifjesh. Trillues në kurriz të miqve, i baltos miqtë. Diabolizmi e manjiliteti i tij nuk njohin kufij. Karakter i tij demoniak…
Këto fyerje renditen në trup të intervistës.
Në historinë e shtypit shqiptar sa e njoh unë, nuk kam hasur një koleksion kaq të pasur fyerjesh në drejtim të ndokujt, as të personazheve më negative më të zinj që njohim.
Të jetë kaq e aftë në shkencë saç është e aftë në urrejtje të tërbuar ndaj personaliteteve tona më rëndësi kjo akademikja pa zë K. Jorgaqi?
Nuk mendoj se në Akademi janë të denjë dy lloj Kadaresh. Ose ai Kadare që ka aty bustin si i nderuar, ose ky Kadare i shfytyruar e i poshtëruar si mos më keq nga pena më vrer nepërke e zonjës K Jorgaqi! Njëri duhet flakur.
Vetë K. Jorgaqi pas shfrimesh të tillë monstruoze duhet ta rishikojë pozicionin e saj. Është në nderin e saj të distancohet nga figurat si ai që ajo e cilëson aq të ulët. Të largohet nga Akademia që u jep vend nderi atyre që ajo i neverit.
Nëse nuk e bën ajo, ne të tjerëve na lind e drejta që nga dikush duhet të distancohemi: o nga Kadareja, o nga K. Jorgaqi.
Në dimë se kë zgjedhim. Me zemërim e indinjatë denoncojmë si të ulët e të pafre në urrejtje një akademike kaq të pakontrolluar mendërisht e moralisht në prononcimet e saj publike.
Figurë publike e padenjë.
Nga pikëpamja etike administrative për këtë vendos Akademia jonë e Shkencave, nëse vërtet ka një kod etike për akademikët, e nëse detyrimisht vihet në zbatim etika e nderit në atë Akademi.
Post Scriptum: Janulla tjetër… Kristina Jorgaqi