Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim A. Emiri: ÇMIMI I KURAJËS

Pjesa e parë

Përkushtim

Ia kushtoj jetës së vështirë të paraardhësve në vitet e diktaturës, ringritjes me dinjitet në këmbë mbas çdo goditjeje shkaktuar nga injoranca dhe ligësia e pushtetshme, dashurisë së tyre për dije, mirësisë e sidomos shpërfilljes me armën e pamposhtur, të qeshurën e mençur, të shëndetshme!

Ia kushtoj jetës së tyre buzëplasur buzagaz!

Autori.

PARATHËNIE

-Një libër me humorin gurgullues për vendlindjen

Ymer Çiraku 

Ky është libri i nëntë në radhën e librave në prozë e poezi satirike, të botuara nga Shpëtim Emiri. Ajo që të bie në sy, nuk është vetëm vëllimi i konsiderueshëm i prurjeve letrare brenda një kohe relativisht të shkurtër. Para së gjithash, si tipar i kësaj krijimtarie është qëndrimi konsenguent ndaj lëvrimit të humorit e satirës në krijimtarinë e tij. Autori ka dëshmuar se di që t`i qëmtojë me mençuri situatat dhe sjelljet njerëzore, pikërisht nga ato, që e mbartin natyrshëm dhe bukur tharmin e atyre gjetjeve, herë groteske e herë komike, që përcjellin sipas rastit tek lexuesi: të qeshurën, shpotinë apo sarkazmën e përbuzjen, ndaj mbartësve të veseve e dobësive.

Pra, edhe në këtë përmbledhje të re tregimesh, autori vazhdon të jetë besnik në lëvrimin e humorit, duke i përqendruar ngjarjet e pasqyruara kryesisht në mjediset e vendlindjes (Gjirokastrës). Madje të përcjella shpesh ato brenda rrethit të vet familjar. Në vetvete, kjo shfaq një tipar individualiteti artistik. Por që duhet theksuar se ky pikëvështrim mund të sillte edhe rrezikun e monotonisë, pikërisht prej rimarrjes së fabulave brenda këtyre mjediseve tashmë të njohura për lexuesin edhe në libra të tjerë. Veçse duhet theksuar se autori arrin me mjeshtëri që ta kapërcejë këtë situatë, sepse vërtet ato ngjarje dhe episode vendosen brenda një sfondi të njohur, por që ai arrin të zbulojë e të përcjellë përmes tyre, variacione emocionesh të reja dhe çka është më e rëndësishme, në një regjistër estetik të papërsëritshëm, pra, origjinal.

Në tregimet e këtij libri, ndihet dukshëm të derdhet gazi dhe e qeshura, por nuk mungon edhe “hosteni” i goditjes të së keqes: mashtrimit, servilizmit, veseve e dhunës së pushtetit, i cili, ka ndodhur në historinë tonë, që në mënyrën më cinike, ta trumbetojë skamjen për parajsë. Por vërehet se gjithsesi, ka një qëndrim të përmbajtur nga autori në këto krijime, për ta ruajtur statusin e vet sa më objektiv e sa më human, për të mos u përzier në ligjërimin e ngarkuar me politizime deklarative. Duket se autori është ndjekës i asaj që ka shkruar dikur DritëroAgolli (mik i njohur i të atit të tij,Alizot Emirit), kur shkrimtari theksonte në sentencat e tij se “e vërteta noton kundër rrjedhës së përroit të gënjeshtrave dhe se për të parë të nesërmen, duhet të jetosh të sotmen dhe të kujtosh të djeshmen”.

Brenda humorit të goditur e spontan, që gurgullon aq natyrshëm e hareshëm nëpër tregimet e këtij libri, nuk mungojnë edhe skenat prekëse të dramave e heqjeve të njeriut të kohës. Këto dy dimensione emocionale nuk shihen të izoluara, por janë shoqëruese dhe të shkrira mes tyre. Mund të thuhet se janë pra, një lloj “gazavaji”, gjendjet dhe situatat e pasqyruara nëpër faqet e librit, çka krijon emocion jo të pakët dhe e shtie në mendime të thella lexuesin. Është tronditëse, përshembull, ai çast, kur babai, i sapo kthyer nga puna, shfaqet me gjendjen e tij të traumatizuar. Njofton zëulët të shoqen se mund që të arrestohet sërish. Se dihej që ai ishte i njohur për batutat dhe humorin e shpenguar dhe jo rrallë herë i regjistruar dhe vlerësuar nga veshët vigjilentë si fort me “zarar”. Ishte e zakonshme për të që të thoshte para të tjerëve, përshembull, batuta të tilla si: “Mendja në botë paguhet dhe nuk është si këtu tek ne, që i zoti edhe mund ta paguajë keq për mendjen.”(!)

Shkrimet e këtij libri sjellin më së shumti përjetime nga jeta e autorit, mbresa të fëmijërisë e rinisë, të familjes e të qytetit të lindjes, Gjirokastrës. Por duhet thënë se këto përjetime, të përcjella në një filtër refleksionesh prej viteve të mëvonshme, në fakt arrijnë që t`i kapërcejnë ata kufij lokalë. Kësisoj ato përftojnë vlera dhe emocione për çdo lexues, kudo qoftë ai. Kjo sepse autori ka ditur që të mos mbetet rob, por t`u largohet mbresave skajshmërisht periferike, episodike, duke zbuluar e vlerësuar edhe tek një ambient i caktuar, apo edhe sado i kufizuar, nga ato dukuri që janë ndeshur dhe shfaqur kudo  në realitetin shqiptar të kohës.

Libri ka një vëllim të caktuar tekstesh në prozë. Por në fakt, pas leximit të tij deri në faqen e fundit, ndihet se ke lexuar shumë më tepër. Këtë e krijon denduria e episodeve të përshkruara, larmia e portreteve të njerëzve të përmendur, vërshimi i humorit dhe intensiteti emocional që krijojnë ngjarjet dhe sjelljet dramatike brenda dhe përtej vatrës familjare shqiptare. Janë të njohura për këdo sfidat e kohës, kur ishin aq pranë paradokse të tilla si: kulaçi dhe kërbaçi, “thika” në gjoksin e njeriut nga armiqtë dhe nga “miqtë”, përndjekja e përzishme në jetën tonë e baladës së Rozafës me ndërtim e shkatërrim… .

Autori ka preferuar që ta vështrojë realitetin e përshkruar sa më realisht: me vështirësitë, me sfidat, por edhe me gëzimet, me ëndrrat dhe besimin e njerëzve për ta parë dhe për ta bërë më të bukur jetën e tyre. Në këto krijime, ndihet se ai udhëhiqet nga mendimi konstruktiv se kushdo ka rolin dhe misionin e vet në shoqëri. Që do të thotë se zgjidhjen e sfidave dhe problemeve të tij, mos ta shohë dhe mos ta kërkojë kurrsesi vetëm prej të tjerëve, pra, jashtë vetes. Prandaj humori dhe ironia në këto shkrime të librit, ndërthuret shpesh edhe me autoironinë. Kjo autoironi, transmeton emancipimin, mençurinë, fisnikërinë dhe gatishmërinë që duhet të karakterizojë njeriun për të njohur e marrë përgjegjësi ndaj vetes.

Lënda e librit përfshihet në një zhanër që shpesh përcaktohet si letërsi ememuaristikës. Kjo është një letërsi që përgjithësisht ka fituar dhe vazhdon të ketë interes dhe popullaritet për lexuesin. Kjo, sepse në të fiksohet kujtesa e popullit në shtrirje të formateve të ndryshme hapësinore dhe kohore. Dhe autori i kësaj përmbledhjeje është përpjekur që t`i risjellë në mënyrë sa më të gjallë e sa më të vërtetë këto mbresa dhe kujtime të kohëve të jetuara. Të spërkatura plot përkujdesje e dashuri edhe me një gjuhë të zhdërvjellët letrare.

Është pra një libër që lexohet me kërshëri, me një frymë, që të mbush me humorin gurgullues, me nostalgjinë dhe mallin e kohëve të shkuara. Të asaj kohe, kur jeta kishte sigurisht vështirësitë e veta jo të pakta, por i kishte të pranishme edhe gëzimet, që vinin prej shpresës dhe prej atyre lidhjeve e atij komunikimi e solidariteti aq të afërt e aq mbresëlënës mes njerëzve.

Shpëtim A. Emiri: ÇMIMI I KURAJËS (1)

Shpëtim A. Emiri: ÇMIMI I KURAJËS (2)

Shpëtim A. Emiri: ÇMIMI I KURAJËS (3)

 

Please follow and like us: