Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim A. Emiri: ÇMIMI I KURAJËS (2)

Pjesa e tretë

DHURATË NGA S’TA PRET MENDJA!

Ç’ta zgjasim?! Paraardhësit, qytetarë qofshin apo fshatarë, mund të të ngrinin vlerat, por mund edhe të të fundosnin. Çdo lloj pune e tyre në administratën e mbretërisë deri më ‘39-ën, mos o Zot gjatë pushtimit, natyrshëm mund të të nxirrte “me ftomë”, ose siç cilësohej, “të deklasuar”, pa lere të kishin pasur shkollim e ku e ku të kishin fituar ndonjë ofiq, sado të vogël, se i plotësoje kushtet për t’u shpallur “armik”, sapo t’i lypsej pushtetit të ri. Belanë gjeje edhe po të kishin qenë fshatarë. Varej në kishin qenë të zotë të punës, apo të mbaruar! Madje as fshatarë të mesëm! Edhe ata të fusnin në telashe, paçka se mund të ishin bërë zengjinë vetëm nga krahët e tyre!

Fatkeqësi e madhe pra, po të mos i kishe paraardhësit të varfër e mundësisht të këputur. Vetëm ata, vulëhumburit, të nderonin në regjimin komunist! Varfëria ishte krenari e ligjshme e lum kush kish të drejtë të mburrej me të!

Dhe të vinte plasja me të parët e tu. Si dreqin, xhanëm, s’qenë të zotë të mos pasuroheshin?! Ç’kishte më të thjeshtë se aq?! Mjafton të mos punonin si të marrë, po, sa duket, tamahqarë, lakmitarë brez pas brezi…

Ky hall i prejardhjes u takoi dy brezave të plota njerëzore përgjatë 45 viteve të socializmit. Kohë e shkurtër, e papërfillshme për historinë, por jo për brezat që e jetuan. Dashuria e çmendur e atij sistemi për varfërinë, duke ëndërruar mirëqenien, të cilën guxoi ta premtonte, e morri më së fundi më qafë, gjersa, sikundër dihet, përfundoi në… vetëflijim!

Gjysh Ibrahimin asnjeri nga ne, nipa e mbesa, nuk pati fatin ta njihte. XhaBraçja, sikundër e thërrisnin të moshuar, u largua natyrshëm nga kjo botë në vitin 1942, para se të vinim ne në jetë. Pra për gjyshin nuk mbajmë ndonjë “përgjegjësi” të madhe…Por, si për të mos u harruar nga ne, na kish lënë në shtëpi një relike të rrallë, objekt artistik; i çuditshëm jo vetëm për pamjen e rrallë estetike, por sidomos për ç’përfaqësonte.

***

– Uaaa! – bërtitëm ne, fëmijë, kur gjyshja padashur e ngriti lart para syve tanë.

– Shshsht! – na e preu nëna hovin e këtij zbulimi. – Është bastuni i gjyshit! – foli zëulët, të ndihmonte vjehrrën, Anenë, mos detyrohej t’i përmendte emrin të shoqit.

– Sa i buukuuuur! – nuk pushonim ne së shprehuri lirshëm ndjesinë. – Nëma mua! – Jooo, mua! – bërtisnim të lumtur e të etur të bridhnim me të… – Do shkojmë të lozim tek Sheshi i Shtinos! – e dhamë dhe adresën se ku do ngrefoseshim, të çudisnim lagjen. Na xixëllonin sytë!

Hareja festive na përfshinte në çast! Lojërat tona, me sajesa primitive, na i njihte gjithë lagjja, sidomos “kut e pingël”- in, që ishte lojë e preferuar për ne dhe pa zarare për kalimtarët, krahasuar me lojën me pllaka guri, vendosur njera mbas tjetrës vertikalisht, në këmbë, të cilat i qëllonim nga distanca për t’i rrëzuar po me gurë, veç të përzgjedhur për duart tona.

Ama, sikur të përdornim këtë bastun të shkëlqyer në vend të ‘kut’-it, do të ishte e ç’do të ishte…! Një mrekulli!

Ne nuk dinim hiç se ç’do të ishte, nuk bënim fare llogari se bastuni mund edhe të thyhej e se do ktheheshim duke qarë në shtëpi, duke i hedhur fajin atij që do t’i mbetej gjysma në dorë…

– Nuse, lerjua një dakike (copë herë) nëpër duar fëmilës dhe vure prapë te vëndi! – porositi Aneja e na la të gëzonim në korridorin qendror të shtëpisë që nuk e di pse i pat mbetur “sokak”. Pra, ai bastun i bukur nuk do të shikonte dritën e diellit. Duhet të fshihej përsëri në qilarin e shtëpisë.

Ne luajtëm pak me të… Luajtëm! Ç’luajtëm?! Nuk luajtëm fare, vetëm sa e përkëdhelëmdhe po e zvarrisnim dorëzimin e tij me pyetjet që na zgjonte pamja e çuditshme dhe prekja e bastunit.

***

Në moshë të njomë fëminore nuk na bënte përshtypje kuptimi i vërtetë i atyre çfarë dëgjonim nga bisedat e të rriturve, të cilët mes psherëtimash rikujtonin ngjarjen se si mundi të shpëtonte bastuni…

Pasmesnatën e asaj dite të tmerrshme (viti 1947) për familjen, kur tetë burra, disa të armatosur, kryen procesin e konfiskimit të plotë të pasurisë, vajza njëzetvjeçare, halla jonë, pati kurajon të rrezikonte … Në mesnatë, në errësirë të plotë, e vetme, nga brenda shtëpisë zbriti fshehtas në katoq dhe pa zhurmë, pa ndezur asnjë shkrepëse apo kandil, e orientuar nga regjistrimi pamor gjatë gjithë procesit të sekuestrimit, diti të kryejë atë që kish bluar në kokë përgjatë ditës.

Nga thasët e mbushur dhe dyllosur, bërë gati të transportoheshin me kuaj ndaj të gdhirë, “vodhi” fshehurazi një pjesëz të pasurisë së saj të rrëmbyer haptazi nga pushteti, sidomos mjaft kujtime të çmuara të jetës, por pa iu lënë asnjë gjurmë përveç kurajës së madhe dhe zgjuarsisë.

Pjesë e trofeut me simbolet shpirtërore familjare të shpëtuara ishte edhe bastuni me rremba. Ishte vërtet i jashtëzakonshëm, por sakrifica për të nuk ia vlente hiç, paçka se “historia” e tij të lë gojëhapur!

Bastuni ishte dhuratë që Enver Hoxha ia kishtesjellë nga Franca personalisht gjyshit tonë, xha Braçes!

– Jooooo!

– Po or, poooo! Është më se e vërtetë!

Siç duket, xha Braçja, si bashkëlagjas në Palorto, ka pas një lloj muhabeti apo miqësie me familjen e Enverit, por më së shumti, besoj, nga detyra që kryente si punonjës poste. Në atë kohë, kur i vetmi mjet komunikimi ishin letrat, shpërndarësi i postës merrte një pozitë të veçantë shoqërore, lartësia e së cilës varej nga cilësitë vetjake.

 

“Vjedhja” e bastunit nga thasët e plaçkitjes, padashur i shpëtoi namusin vetë udhëheqësit që dukej sikur lëshonte ushtarët t’ua rimerrte miqve dhuratat, çuar me dorën e tij. Merita e mosturpërimit të komandantit i takon hallës, guerilases tonë! Ama, po të ishte nuhatur dot, mund të paguhej me çmim aq të kripur saaa…Për dënime, diktatura jonë, shoqe veten kish!

Më kot mund të mendohet se sapo të deklaronte në gjyq emrin e dhuruesit, shokun Enver, do t’i kërkonin falje e do ta lironin me nderime. Dëshmitarin e vetëm, E. H., nuk e çonin dot në sallën e gjyqit…!

***

– Po këto gjembat me majë përse i ka? – pyesnim ne, ndërsa shikonim të shastisurato rrembat e dala përreth bastunit në tërë lartësinë, përjashtuar kreun, dorakun.

Përdorimi i bastunëve në Gjirokastër ishte një zgjidhje praktike e përhapur për moshat e kapërcyera, ama nuk kishte një të dytë si ai. Dhe në mos ishte, or ti,… i zi pis, me shkëlqim që reflektonte. Kurse në krye dorakun nuk e kishte të harkuar gjysmërrethor, por të drejtë e më të plotë. Fiks bastun aristokratësh, më shumë për t’u dukur se për t’u mbajtur!

Hej Zot, sikur nuk e kish haberin Enveri 25 vjeçar (viti 1933) se ku do të përdorej ky i zi bastun! Nëpër ato rrugë të përpjeta e tatëpjeta plot me gurë e guriçka, apo edhe kalldrëme të atij qyteti. Por, me sa duket, ia ka përshtatur më së miri natyrës sqimatare të mikut që, siç përmendej në qytet, “nuk i ngjiste qimja në trup”!

***

Ç’vlerë të pamatë mund të merrte ajo dhuratë në një familje tjetër?! Më shumë se bastun i artë, … thuajse magjik! Dhuratë nga Njëshi i Shqipërisë, jo shaka! Ç’e do, në konakun tonë po shkonte dëm! Vërtet nuk i kish shërbyer gjyshit tonë për tu mbajtur, por kish fuqinë magjike të na mbante më këmbë ne, pasardhësve. Nuk do na kish hyrë gjemb në këmbë, aq sa të mos na hynte në sy as tesera e partisë, kur të na luteshin të hynim në radhët e saj. Do na qepeshin, sipas rregullit tre komunistë nga më të flaktët, me deklarata garancie e rekomandimi dhe lum organizata që do na kishte anëtarë!

Anëtarë?! Ç’anëtarë, or lumë?! Po kush do na linte ne anëtarë të thjeshtë, sado modestë të tregoheshim?! Sekretar organizate do ta kishim pak, do të ishte minimumi! Do zbardheshim forumeve e do na shkonte jeta nëpër presidiume!

***

Po militantë, mor aman, a do bëheshim dot?!… Fanatikë e kishim thuajse të pamundur! Nuk plotësonim dot as kushtin më elementar. Tek ne ishin dëmtuar rëndë themelet e mosdijes dhe fajin kryesor për këtë nuk na e pati bota, por na e pati koka! Thjesht libraria! Libraria “Dante Alighieri” e vëllezërve Emiri. Po, po! Prej saj na erdhën të këqijat…

Se ç’e patën atë mendje që në moshë të re të dy vëllezërit Emiri, Alizoti dhe Mufiti, një Zot e di! Në kohën e tyre qyteti kishte plot mundësi me zanate të nderuara gjithfarë llojesh. Veç administratorëve me nam, që patën “pushtuar” gjithë Perandorinë Otomane, apo ushtarakëve të lartë e kadilerëve (juristë), në qytet ushtroheshin lloj lloj profesionesh, që nga tregtarë, furrxhinj, mademxhinj, muratorë, suvaxhinj, marangozë e deri tek berberët, pa harruar teneqexhinjtë,  kovaçët, samarxhinjtë, nallbanët e hamejtë që mbanin gjallë jetën në atë qytet.

Mirëpo ç’ne?! Jo që jo ata të dy! Të lexuar që fëmijë, ëndërronin të hapnin një mesazheri me gazeta e libra… Përgjegjësia për këtë ëndërr shkon gjer tek gjyshi, pikërisht xhaBraçia, që falë profesionit në postë u çonte fëmijëve libra, gazeta e revista shqip, të përkthyera apo dhe në origjinal, frëngjisht e italisht…, të cilat bijtë ia përpinin.

“Çdo libër është një dritare në jetë”! Por kur hap shumë dritare, varet ç’zgjedh për të hedhur shikimin… Aty jo, nuk gabuan. Ata, antifashistë të flaktë, sytë i patën mbërthyer nga dritarja e ndritur e diellit të lirisë … Veçse tamaqarë për liri! Njeri nga vëllezërit derdhi gjakun për lirinë nga pushtuesit e huaj, tjetri e lakmoi lirinë edhe pas ç’lirimit, kur u ndërruan pushtuesit e huaj me të vendit, me diktaturën alla “bjeri t’i biem”!

***

Por, le t’i kthehemi peshqesh-bastunit…! U përtyp shumë gjyshi para se të dilte në pazar me atë në dorë. Vallë si do ta priste Gjirokastra sqimatare buzëhollë dhuratën allasoj që, me sa dukej, i shkonte për shtat vetëm fisnikërisë europiane?! Eeh ç’do t’i hapte punë qytetit ndonjë javë, të merrej me të!

Të parën ditë iu desh të sqaronte cilindo që e ndaloi rrugës me sytë ngulur tek bastuni i çuditshëm e dyshues për atë vetë. Kuptohet, të parën gjë që mendonin gjirokastritët ishte shpenzimi, por jo vetëm… “Ka shturë lekët dëm”! “Gjinah nga Zoti”! “Kot, për hiçëgjë. Bastun vetëm për t’u dukur, jo për t’u mbajtur”! “Uuu, birko”! – e qesëndisnin. “Këtë kish mangut xha Braçia! Tani, lemë o Zot, të rroj”! “Ama, tani vetëm një dorë i mbetet për punë, tjetrën ia zaptoi bastuni, ta dini”! “Eeh, ç’do na rrallohen ato të shkreta letra, që mezi i presëm”! “Vanë letra zezat! Do humbasin nëpër thasët e postës”!…

– E kam peshqesh nga një student, që studion në Montpelie të Francës. – sqaronte këdo që e pyeste…

Kur u afrua tek kafja, shokët, bërë merak për mbodhisjen (vonesën), nuk i kërkuan llogari sapo u shfaq. Dhe ai nuk priti fare që ta pyesnin, por ua tha pa u ulur, se ç’qe ajo që mbante në dorë…

“Uaa, bravo! Na çili djalë, i kutja”? “Nga djali i xhaHalilit, Enveri!” “Uuu, takanda (ta ka ënda)”?! “Goxha djalë, pse s’thua”?! “Mashalla, t’ju rrojë e ta kenë me imër (ymër)”! “T’u kthenet me shëndet na Franca dhe faqebardhë e me dipdhomë…”. “Uuuu, të bukur urim që i bëre! S’na është kthier njeri pa dipdhomë na jashtë, që të kthenet ai”…

Siç pritej, bastuni tjetër-lloj mbeti temë e ditës për ca kohë, njëherësh edhe “skanimi” që në Gjirokastër vazhdonte edhe pas “çdoganimit”… ! Ustallarët e vjetër do ta celfisnin mirë muhabetin e bastunit… “More, more! Në tërë këtë kasabanë tonë, pse pikërisht xha Braçes dhe vetëm atij një dhuratë e tillë që bie në si? Ç’qe ata”?! – pëshpërisnin teksa Gjirokastra kishte plot të tjerë që kishin miqësi më të madhe me Hoxhatë! Dhe pa shumë sëkëlldi e pa e tororisur gjatë, dhuratës, dërguar pikërish shpërndarësit të postës, iu gjet vegja!

“Veç dajllëkut (respektit) për xha Braçen, që ia bëjmë kabull, përzgjedhja gjan e bënë me shejtanllëk nga i biri i Gjulos. Gjetkë rreh çekani, ta thom u! E ka bënë për t’i rënë kambanës rrufjani. Në dorën e shpërndarësit të postës bastuni do gjezdisë dhe do ta shikojë e do habitet i madh e i vogël, gjithë Gjirokastra: “Uaaa! Ç’është ki bastun?! Kush ta ka prurë, mo”?! E do molloiset, siç po përflitet, se ç’hovardar e ç’sojli është ki, studenti i Hoxhate… Uaaa?! Zengjin i madh na mëndja! E, kutja do t’jahedhi ai? Neve?! Hi sive, mo?! Uuu, bashtua! Dhe me se? Me një copë shkop”!

Qerrata Enver! Ku i kish vajtur mendja!

***

Ideja se shpallja e kësaj lidhjeje miqësore, që na pat lënë si pasuri gjyshi, do të na ndihmonte shumë në jetë ne nipat e mbesat, cekej sa herë “prishej koha” mbi kokat tona. Por nuk kish asnjë siguri, nëse do të mirëpritej…

Dhurata e famshme ishte bërë në vitet kur i zoti, 25 vjeçar, i quajtur thjesht Enver, jetonte kohën e qokave, teksa endej nëpër Francë tre vjet me bursë nga mbretëria, paçka se nuk jepte asnjë provim … Ama, vetëm disa vite më vonë, kur ai, thuajse pa qenë komunist, u vu në krye të tyre e më pas në krye të shtetit, ndryshoi aq shumë sa nuk e njihte më veten as vetë! Madje kish dhënë shenjat se nuk donte t’ia kujtonte askush atë kohë – “kohën e bastunit”. Bashkëkombasit, bashkëmoshatarë apo bashkëkohës me atë në Francë, po syrgjinoseshin nën dhe e mbi dhe…

Alizoti, afërsisht në moshë me Enverin, vetëm gjashtë vite më i vogël se ai, pati rastin në burg të kuptonte arsyet e vërteta të eliminimit të intelektualëve. Sidomos të atyre që kishin njohje personale me kreun e shtetit dhe konkluzionin se ajo dhuratë duhej harruar e kishte të vulosur, teksa “bastunin” regjimi ia kish thyer në kokë!

Ishte i vetmi qar i burgut, liria e madhe e të dënuarve për të menduar, analizuar e debatuar! E kundërta ndodhte jashtë. “Të lirët” nuk qenë të lirë të mendonin, pa lere të debatonin…!

***

Si për të hequr çdo dyshim, nëse ishte apo jo pikërisht Enver Hoxha ai që kishte sajdisur gjyshin tonë, këtë e la të kuptohet ai vetë gjatë vizitës së famshme në vendlindje, në vitin 1968, në të ngjitur të kalldrëmit për tek Qafa e Pazarit. I ndodhur para librarisë, ndërsa në të dy anët e rrugës, në trotuare, duartrokisnin e brohorisnin me entuziazëm banorët, kur thirri me zë të lartë: “Alizoti i xha Braçes”![12]

Alizoti i emocionuar u shkëput nga turma në trotuarin tek dera e librarisë dhe iu afrua, ndërsa ai i hodhi krahun…

– Si je? – i tha.

– Tani jam mirë! – iu përgjigj Alizoti, që për momentin, nën krahun e shqiponjës, ishte njeriu më i mbrojtur në botë. Aparatet u shkrehën me breshëri, por nuk u publikua askund dhe më pas, pavarësisht interesimit, Alizotit nuk i dhanë asnjë foto.

Sa shumë do t’iu vlente ajo foto fëmijëve të tij kudo ku ndodheshin me punë! Shumë më tepër se bastuni, po s’qe e thënë…

Edhe vetë dhurata kish qenë me rremba!

——————–

[12] Interesant si e pikasi në portret, pa u parë prej katër dekadash, qyshkur Enveri, në moshën 20 vjeçare, iku nga Liceu i Gjirokastrës për në Korçë, viti 1928 dhe Alizoti ishte 14 vjeç, ndërsa xha Braçja 48?!

 

VETARRESTIMI – KOMODITET PËR DIKTATURËN!

“Provimet e Shtetit” të maturës në vitet ‘60 ishin një ngjarje e madhe për jetën! Qe ëndërr për të gjithë gjimnazistët, emocionet e të cilëve rriteshin kur afronte koha për t’iu nënshtruar kontrollit dhe vlerësimit përfundimtar të dijeve të formimit.

Emri mjaft i mirë që kishte gjimnazi, sidomos për kërkesë të lartë, krenonte gjithë qytetin, por jo të gjithë ne, nxënësit, që mbanim në “kurriz” atë lloj kërkese! Veç kjo, deri sa të jepnim me sukses provimet e pjekurisë…

Qershori i vitit ‘65 ishte muaji i përballjes së maturës tonë. Sezoni hapej me lëndën Gjuhë-Letërsi. Së pari – provimi me shkrim, hartimi, që do të zhvillohej tek palestra e gjimnazit; sallë e madhe pa dritare, por me ndriçim natyror nga mbulesa, ndërtim italian i realizuar në vitet ‘40, në të cilën kishte sipërfaqe të mjaftueshme të vendoseshin shtatëdhjetë tavolina e karrige të largvendosura mes tyre.

E veçanta në provimin me shkrim ishte koha e limituar, vetëm tri orë, që kërkonte vëmendje për ta administruar sa më mirë. Në përfundim drejtuesitmblidhnin hartimet, duke i lëshuar pakëz “pe”vetëm për shkrimin e emër-mbiemrit ndokujt që kish harruar…

Tërheqja e vëmendjes “Kujdes, mos bëni gabim, të shkoni pa orë dore në provim!” kishte qarkulluar gojë më gojë qysh nga paraardhësit. Matësja e kohës ishte e domosdoshme! Normalisht i takonte institucionit shkollor të vendoste një orë muri në krye të sallës dhe nuk kishte nevojë të hynin në telashe shtatëdhjetë nxënës të dy maturave, por nuk ishte kollaj për atë kohë të sigurohej ky “komoditet”, qoftë dhe sa për një paradite. Ora e vetme e shkollës, orë muri, me të cilën orientohej xha Dauti t’i binte ziles për fillimin dhe përfundimin e orës së mësimit, e ndodhur në korridorin e katit të sipërm, përballë sallës së mësuesve, lypsej aty pavarësisht provimit të maturës. Në klasat e tjera mësimi vazhdonte…

Ai gjimnaz e kishte edhe një tjetër orë muri, me lavjerrës dhe kurdisje, të vendosur në “klasën muze”, ku kish mësuar “shoku Enver”. Ishte ora që e ëma e udhëheqësit ia dhuroi shkollës ku kishte mësuar i biri. Por kuptohet, ajo orë ishte e paprekshme! As nëpër mend nuk mund ta shkoje! Mund të lypsej miratim…!

 

Nuk më kujtohet të kishte kush nga nxënësit orë dore personale. Do ta mbaja mend, sado i pavëmendshëm kam qenë! Mundet, ndonjë nga vajzat, e porsa fejuar, por jo, jo; në përgjithësi ato synonin shkollën e lartë. Me një fjalë, kush nuk kishte orë dore brenda familjes do çatiste jashtë saj. Orë tavoline shtëpiake nuk lejohej nga frika e shpërqendrimit prej rënies, qoftë dhe të paqëllimshme, të zileve gjatë provimit. Shkurt muhabeti, qytetit atë ditë do t’i hiqeshin shtatëdhjetë orë! Nuk ishte pak, por në ambientin tejet arsimdashës të Gjirokastrës dhënia e orës një maturanti për provim ishte një mundësi të shfaqej natyrshëm respekti për dijen. Orëdhënësve u kish lezet edhe mburrja më pas, sidomos kur merrnin vesh notat e larta, ku ora ishte pjesë e kontributit.

– Ti, të lumtë! Ke orën e babait! – më përgëzonin. Kjo ishte e vërtetë. Por shokët e shoqet e mi nuk e dinin se çfarë sikleti i krijonte tim ati heqja e orës së dorës. Urimet e shokëve më kujtonin pikërisht atë moment që më shkurajonte t’i drejtohesha prindit. Gjithë shpresat i kisha varur tek  Fetja, nëna, tek mishërimi i urtësisë, mirësisë e sakrificës gjer në vetëmohim në shtëpinë tonë.

– Do t’i thom u, të keqen! Shiqir që ia arritëm kësaj dite! Ju na u rritët e po mbaroni shkollën. Lum ne të lumurit!

Dita e provimit afroi dhe nuk po merrja përgjigje. Isha gjithë siklet, por e ndava mendjen! Ishte e pamundur, nuk do t’ia kërkoja atij orën! Do bëja, si do bëja! Ndofta mund të orientohesha me shenja me shokët, a shoqet që do kisha në krah të tavolinës time. Nuk ishte provim matematike, dreqi e mori. Nuk kishe çfarë të kopjoje në hartim, edhe pse tema ishte e njëjtë për të gjithë! Por ndofta nuk e vlente të dramatizohej kaq. Nuk do të qe mëkat të pyesja pedagogët e komisionit, kur të kalonin pranë. Qoftë dhe të deleguarit e seksionit të arsimit që asistonin mbarëvajtjen e procesit. Po ndihesha krejtësisht i lirshëm ta bëja këtë “shkelje”: “Sa është ora, ju lutem”?! Gjë që nuk kish të krahasuar me heqjen e orës nga dora e prindit.

Kur e rikujtoja atë skenë, më mbërthente ankthi!

***

Atë mëngjes, si zakonisht, dera e jashtme e shtëpisë ishte hapur. Nëna, e ngritur pa gdhirë, kishte bërë gjithë punët që ne të shkonim në shkollë të pastër, të ngrënë, të veshur e të arnuar… Ishim bërë gati njëkohësisht, por babai nuk po lëvizte. Tejet i mërzitur qëndronte më këmbë… Mezi qëndronte! Unë, me çantën me libra e fletore për gjashtë orët e mësimit të ditës, prisja si zakonisht të dilnim së bashku. Nëna dëgjonte me vëmendje të shoqin, që nuk mbaronte së dhëni porosi me zë të ulët, të mekur. Sa më i ulët zëri i tyre, aq më larg shtyhesha në sallon. Sy më sy ata me njeri-tjetrin! Sy të kuq, të lodhur, të pagjumë të asaj nate. Sado e gjatë, nata nuk kish mjaftuar ta pëshpëritnin të plotë hallin që i mundonte. Mua më përfshiu sikleti i orarit. Po bëhej vonë. A do arrinte dot të hapte librarinë e Qafës së Pazarit pak para orës tetë?

Më në fund zbërtheu orën e dorës dhe ia dorëzoi së shoqes. Hera e parë që e shikoja këtë veprim, por veshi ma kish kapur… Im atë priste të arrestohej sërish! Ai po ndahej dhimbshëm me familjen. Ishin porositë e fundit. Sa shumë porosi! Për çfarë? Nuk di ç’këshilla mund të linte për mbijetesën, kur gjithë familja, shtatë frymë, hante vetëm me rrogën e tij mjaft të ulët. Hante, po them kot. Folja gjerbte do t’i shkonte më tepër atij realiteti dhe pikërisht ajo rrogë nuk do të vinte më në shtëpi.

Ishim në prag katastrofe. Vonë do mësoja se, ndryshe nga ne, në botë quhej “humanitare”, domethënë “njerëzore”. Teksa jona do të ishte thjeshtë çnjerëzore! Do të ndërpritej, pra, burimi i vetëm i mbijetesës dhe, si për ta shtrënguar edhe më litarin në qafën e të varurit, që të shpejtohej sa të mundte dalja e shpirtit, do të na shtohej një i burgosur që do kishte nevojë ta ndihmonim ne, të uriturit…

O Zot, çfarë mund të bisedonin, kur nuk mund të parashikohej asnjë zgjidhje?! Ata vetëm mund të qanin për fatkeqësinë e radhës që po iu ngarkonin poshtërsisht e tinëzisht vendorë të pushtetshëm. Injoranca e këtyre ndihej e sfiduar, mjafton të këmbeheshin rrugës me Alizotin. Librarinë e kishin në dorë vetë, nuk shkelnin në të, por problem kishin libràrin! Në pamundësi për ta hequr qafe, nuk reshtën me prapaskena, së paku ta hiqnin sysh! Mundësisht në burg!

Çfarë porosish po linte?! A mund të linte? Ndofta fjalë pa kuptim, apo halucinacione që veç mund ta trondisnin edhe më nënën, të cilën vetëm trumpirja mund ta mbante më këmbë, të mos këputej…

Ndofta përsëritnin ato që kishin pëshpëritur tërë atë të zezë natë me kokët mbi jastëkun njomur. Lotët çurg të asaj nate i nderuan në të gdhirë në sy të fëmijëve. Nuk kishin më! Ishin shterur dhe buza nuk iu qeshi atë mëngjes, si asnjëherë…

Zbërthimi i rripit dhe dorëzimi i orës në pëllëmbët e duarve të nderura të nënës nuk do më shkulej nga kujtesa. Ajo skenë ishte si një ceremoni mortore!

Përse dy krahë të nderura vetëm për një orë me rripin e zi? Dy pëllëmbët, bërë bashkë, të ndihmonin njëra-tjetrën mos dridheshin… Ai dukej sikur lironte kyçin e dorës për t′i hapur vendin që iu takonte vetëm prangave. Dorëzonte arkëmortin e gllënjkëssë fundit të lirisë, matësin e pavarur të kohës, të orëve të ditënatës.

Vallë ku e dinte im atë, se do ta arrestonin?… E kishin njoftuar?

Pavarësisht ironisë, madje cinizmit që mund të përmbajë kjo pyetje, përgjigja është gati e pabesueshme: “Pothuajse po, e kishin njoftuar”! Kishte marrë një njoftim të koduar… Ishte kjo një “arritje” nga më të mëdhatë e diktaturës.

Njerëzit kishin filluar ta ndienin, nëse ishin bërë për t’u arrestuar, apo jo. Po, po! Sidomos ata që nuk e kishin për herë të parë! Nuk është aspak për të qeshur! Komoditet i madh për pushtetin. Një lloj vetëqeverisjeje individuale juridike, referuar ligjeve të shkruara, por sidomos ligjeve të pashkruara të diktaturës, arbitraritetit të saj! Këtu mund ta ketë marrë shtysën udhëheqja e parti-shtetit, kur në vitet ‘60 hoqi me ligj avokaturën. Nga kush do t’i mbronte avokati fajtorët, “nga shteti i tire, mo”?! Çudira! Dhe burgjet plot! Pikërisht këtë rrezik po përjetonte im atë atë ditë-natë.

U kuptua me kohë, qysh mbas çlirimit, se jorgani i lirisë në diktaturë ishte prerë aq i ngushtë sa më shumë mbeteshe zbuluar se mbuluar… Ditës me diell, ashiqare, po i shitej popullit diktatura për demokraci. Dhe jo me drojë, por ballas, në parulla e banderola gjigante, si “Sa më e fortë diktatura, aq më e madhe demokracia!” Doje s’doje, do t’i lexoje ngado që ta ktheje kokën. Nuk mund t’i bëje bisht leximit, veç të ecje symbyllur…!

Qari i qorrave! Fiks, ligji i kompensimit në natyrë, që të shton një fatkeqësi, por të shpëton nga një tjetër…

Libràri, që vazhdonte mes librash ta dashuronte si i marrë demokracinë, i bënte naze këtij ‘djathë-sapuni’ shtruar për të ngrënë. Kjo mungesë oreksi, që kuptohej sapo të prishje pak buzët, konsiderohej kolerë ideologjike dhe bartësit pushteti i karantinonte me syrgjinosje.

Eeh! Ato ditë gjurmuesit përplaseshin me njëri-tjetrin në librari e, teksa silleshin kot si mish i huaj, i lëshonin si lopa bajgën provokimet e ngrohta që kutërbonin injorancë e ligësi zier dy herë, epror e shërbëtor.

Mjaft qesharakë për të pranishmit e rastësishëm këta tipa, por nuk mund të ishin të tillë për libràrin, që tek “bajga” lexonte frikshëm se emri i tij paskësh dalë në krye të listës së kandidaturave për burgosje…  Do të ishte naivitet të mos bëhej gati për arrestim! Ç’të priste tjetër ai?!… Ftesë?!

Ama, shumë më ndryshe kishte qenë arrestimi i mëhershëm nga i njëjti pushtet, në vitin 1947, kur fëmija i parë i tij ishte vetëm tre vjeç. I llahtarshëm priste të ishte ky, në prani të katër fëmijëve të rritur e nëpër shkolla… Një goditje shkatërrimtare!

***

E paimagjinueshme si arrinin t’i përballonin familjet fatkeqësitë politike në atë kohë?! Çfarë lemerie! Ku e gjente tërë atë forcë nëna, dy fill shpirt, t’i jepte kurajë pa fund të shoqit me shprehje të shkurtra, telegrafike, kuptimplote: “Ti mos e lësho veten, shiko shëndetin! Për fëmijët mos u bën hiç merak! I kam u”!

O Zot! “I kam u”! Si të ishte mbinatyrore, e plotfuqishme!

Po pse jo?! Çdo grua, mbetur vetëm, kthehet në shqiponjë për fëmijët e vet! Çfarë energjie, ndonëse mjaft e dobët. Por çfarë shpirti!… Shpirt NËNE!… Shpirt nëne, po ku i qëndronte, xhanëm, ai çikë shpirt?!

Eeh! Shpirti i saj me çika!

Rritur mes përpjekjesh mbijetese, nuk i trembeshin varfërisë. I thoshin fukarallëkut: “Mirë se erdhe”!

***

I ngrirë më këmbë, me çantën me libra në duar, ndiqja i pikëlluar, kokëvarur, këtë skenë dramatike në familjen tonë. Unë do shkoja vrap në shkollë, ndërsa im atë… këmbëzvarrë, ndofta për në burg.

– Pse nuk ikën djali në shkollë? – u kujtua se dhe unë po bëhesha vonë.

– Këto ditë fëmijëve u është prerë koka, mo Zote! Ata janë rritur, kuptojnë tani… Venë e vinë kokëvarur… – belbëzoi nëna.

 

U kthye nga unë. Nuk foli! Ç’të më thoshte?! Mosha dymbëdhjetëvjeçare. Vështrimi mjaft serioz dhe krejt i ndryshëm ishte kundrim burrëror mbi mua, ndërsa në brazdat e thella të ballit i lexoheshin pasojat rraskapitëse që do na prisnin ne fëmijëve, ku kufizimi i arsimimit vlerësohej më i rëndi. Shikimi i tij kishte dritë. Ai nuk ndihej përgjegjës! E shumta kish shprehur mendime për jetën që mund të ishte edhe më e mirë; më e mirë për të gjithë, përfshirë edhe fëmijët e tij.

Vetëm kaq, ose ndonjë opinion mund të shprehnin, madje me shumë kurajë, nën terrorin e pareshtur të diktaturës. Kurrizi i tij e kish njohur brutalitetin deri në sadizmin e xhelatëve për të nënshkruante skenarë të sajuar… Por, ç’e do, dukej gati e paimagjinueshme, se si nuk i paskëshin mjaftuar ato që hoqi për ta mbyllur një herë e mirë me kyç gojën! Përse vazhdonte të bënte shaka me zjarrin?! Kaq e pamundur ishte për të të heshtte?!

Mor, ju lutem shumë, si të bënte Alizoti, kur u pyet nga bashkëlagjari, nëse e kishte blerë, apo jo, frigoriferin për shtëpinë, kur tregu, bërë me tollona, u boshatis nga ushqimet dhe xhepat e qytetarëve ishin shkundur…? Të mos i përgjigjej?

– Ç’të fusim brenda, – i tha, – këpucët?!

E, ja pra, kjo përgjigje “allaAlizot Emiri” edhe pse mjaft e saktë për realitetin, mori rrugë përmes strukturave të errëta dhe kish mbërritur tek titullari më i lartë, sekretari i parë i rrethit në Gjirokastër, për t’i dhënë miratim arrestimit.[13]

——————-

[13]Në librin “Një kohë tjetër” (refleksione), në shkrimin “Lufta e klasave” ish sek. parë, zoti E. Puto, e ka përshkruar këtë ngjarje.

 

***

Të “vetarrestuarin” nuk e arrestuan atë ditë.

Ndofta ishte gabuar im atë në parashikimin e tij ogurzi. Ndofta ishte loja që ushtrohej mbi individët e klasifikuar “të pakënaqur”, “armiq potencialë”, të tulateshin të trembur nga mundësia e riburgosjeve. Ndofta nuk është miratuar lart në Tiranë nisma e organeve vendore, siç pati ndodhur herë të tjera… Ndofta refuzimi i sekretarit të parë, që, për fat, kish rastisur të kishte formim qytetarie më shumë se partiak.

Ndofta e shtynë për më vonë… Ku i dihej?! Kandidatura për ta viktimizuar ishte mbi tavolinë, e përjetshme!

***

Ime më e mbajti llafin për orën e dorës! Si mbërtheva mirë rripin në dorën e majtë, një më dy dhe e shikoja! M’u bë si fiksim! Kjo ndofta mund t’i ndodhte kujtdo, kur vendoste sefte orë në dorë. Sidomos ta arrije këtë në moshën 18 vjeçare! Nëna, që nuk m’i ndante sytë, më tërhoqi “veshin”: “Mos e mba mënden tek ora, hap sitë për hartimin ti”!

Në provimin me shkrim në letërsi ora e dorës të bëhej mike për kokë! E heshtur por e saktë! Vëmendja mbi akrepat e saj ishte e domosdoshme, por, ndryshe nga shokët dhe shoqet, unë nuk e shihja orën e tim ati thjesht si një mjet i çmuar. Madje as vetëm si simbol të saktësisë. Ajo orë, tek humbisja toruan, më turbullonte…

 

ANDRALLOSJA E ‘ANE’- ve TË BLLOKUT![14]

Nuk patën të sosur brez pas brezi andrallat e Aneve!

Halle të mëdha kishin kaluar në luftërat e përgjakshme një pas një në trojet tona. Sidomos brenda një tridhjetëvjeçari, nga 1912-a, më 1914-ën, 1920-ën, 1924-ën, më 1939-ën, 1940-41-shn. E së fundi, në luftën për çlirim – 1941-44. Po edhe midis viteve në regjime antipopullore… Ç’nuk provuan të gjorat ato?! Që nga djegiet barbare të shtëpive në qindra fshatra e krimet e llahtarshme, humbjet e dhimbshme njerëzore, uria e skajshme me viktima e deri tek të rënët e luftës çlirimtare.

Dhe thanë mbas çlirimit se e mblodhën më në fund mendjen nga të këqijat e do rronin vitet e pleqërisë në paqe. Të lumtura! Por nuk qe e thënë! Halle mbijetese “Anetë e popullit”, kur gjithë vendi luftonte të rimëkëmbej, por s’ mbetën pa telashe as ato të “Bllokut”…

– Uaaaa?! Po të bllokut ç’ne?! Ç’i gjeti mes të mirave?! – dhe ua numëronin favoret e jashtëzakonshme për atë kohë: – Me vila po. Me të ngrëna e të pira sa t’i mirr malli për urinë. Me ushtar tek dera, se mos iu binte ndonjë gjethe peme mbi flokë, po. Me ilaçe e doktor te koka natë e ditë, sa s’guxonin as të teshtinin, po. Me vetura e me xhipsa, paçka se pak të larta e mezi hypin plakat në to, po. Me vilat e pushimit nëpër plazhe, ku nuk ju hyn as miza, pa le njerëz, po. Me, me, me … me ç’të duash, po!

– Eeee, … po të jenë ankuar edhe ato, dije, kanë qarë pa “rrahur”! Jooooo! Nuk iu kanë lezet aneve të bllokut përkëdhelitë! – ky ishte opinioni i përgjithshëm jashtë bllokut.

Veç, për t’u habitur, gjithë ato të mira nuk iu hynin fare në sy. Nuk ndiheshin aq të kënaqura, sa ç’i gjykonin së jashtmi. S’e honepsnin dot atë, izolimin. Të mos ishin të lira të lëviznin vetë e as t’u vinin për vizitë moshataret e tyre të jetës. Iu ndalua rreptësisht lirshmëria, shkujdesja të llafosnin mbarë e prapë, pa i vënë zigjin çdo fjale, nga frika mos vinin njerëzillëkun e tyre të jetës mbi partishmërinë. Ja, si pa të keq: “Uu, korba! Edhe filanin e pushkatuan?! Po me të ç’patën”?!…

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto kufizime, si lëvizja e kontrolluar plus mosliria e fjalës, apo dhe kontakti me botën, që realisht përbënin një lloj burgosjeje, paçka se në kushte komode, na, së fundmi, dhe mandatin tjetër: “Ane, duart lart. Dorëzoni emrin”!

Do të ndalohej në lagjen e re të udhëheqjes së lartë të vendit përdorimi i nofkës aq shumë të dashur “Ane”. Secila flokëbardhë duhet të rimerrte emrin e vajzërisë. Atë që kishin të regjistruar në kartën e kokës.[15] Emër që nga mospërdorimi për kohë të gjatë, në më të shumtën e jetës, do të dukej tashmë si i huaj, fallco. Si emër i tjetërkujt…

————————-

[14]Dëgjuar në vitet 1965-70 nga studentë, banorë të Bllokut. Kam pas në kurs, në fakultet, përgjatë pesë viteve, 1965-70, fëmijë të shkëlqyer të bllokut, të cilëve iu desh të provojnë edhe tmerret, ekzekutimet e internimet prej diktatorit në diktaturë edhe vuajtjet e post diktaturës. Fëmijët nuk i meritonin! Absolutisht, absolutisht jo!

[15]Kështu quhej dokumenti i identifikimit të personit.

 

***

Falë kontributit të shquar të fëmijëve të tyre iu takoi të pleqërojnë në “Bllok” disa Ane njëherësh. Aneja e shokut Enver dhe mjaft Ane të tjera, të shumtat nga Gjirokastra… Rastësisht, ose jo, pati një përqendrim “Ane”-sh aty. Fat i madh për secilën, – në ç’nivele të larta arritën bijtë dhe bijat e tyre në krye të shtetit të ri pa pushtues, pa bejlerë e çifligarë, në vilat e të cilëve jetonin e mbretëronin vetë.

Dhe në atë lagje, që më pas do të quhej “Bllok”, dalëngadalë, përditë e më shumë, po dëgjoheshin thirrjet “Aneee”! Fëmijët, që u lindën e u shtuan aty pas çlirimit, po rriteshin dhe në lodrimet e tyre të zhurmshme “Ane”-ja ishte kryefjalë. Por edhe në bisedat zëulët. Sidomos ato gazmore, ku tregoheshin thëniet e tyre, shprehjet dialektore dhe shkriheshin në të qeshura…

Po kërciste “Ane”- ja në Bllok!

– Kush e tha këtë xhevahir? – pyesnin, pa ditur hiç se po respektonin të drejtën e autorit.

– Aneja, Aneja! – dhe po bëheshin lëmsh muhabetet, kur kërkohej identifikimi i Ane-ve: “Cila Ane”? e më pas përgjigjet: “Aneja ime! Aneja jote? Aneja e…”.

Ama, të pyeturit me kërshëri të madhe: “Cila, mo? Aneja e shokut Enveeer?!” po bëhej gjithnjë e më shpesh mes çamarrokësh, ngaqë ishte përhapur dhe dihej se “teto Gjylua” i kish të vetat romuzet e për nga mençuria ishte “për të nxjerrë sytë!”

“Ohuhaa! Këtë nam ajo e kish marrë me vete qysh se u shkulën na Gjirokastra. Por dhe po ta kish lënë pas nam-ziun, o ta fitonte kudo që të vin ajo”! “Qe buz’eprroit, ëmërshuara”! – do thoshnin më pas në lagjen Palorto.

Aneja e shokut Enver kish dalë në krye të gjithë Ane-ve, jo nga mosha, as nga i biri. Meritë e saj dhe aq! Edhe po të mos ishte fare i biri Njëshi i Shqipërisë, teto Gjylua do qe shpallur Njësh-aneja e Bllokut!

Aq shumë u familjarizuan me gazmoret e shpeshta të saj, sa që vetiu po humbiste distanca në etikën e komunikimit dhe, si pa gjë të keq, thirrjet u tkurrën nga “Ane”-ja e xhaxhit Enver, apo e shokut Enver, thjesht në “Aneja e Enverit”.

Thirrja “Aneja e Enverit!” ishte një blasfemi! Jo ta thoshe, por dhe ta dëgjoje ishte faj i rëndë! Të vegjëlve nuk iu vihej re, por të rriturit drithëronin ta dëgjonin prej fëmijëve të tyre emrin e udhëheqësit. Si të ishte një Enver e aq, dokushdo.

U mblodhën kryefamiljarët – ndjesë: anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë – të zgjidhnin këtë problem. Si të vareshin në të fatet e atdheut. I duhej prerë nxitimthi rruga ndonjë incidenti, apo qoftë edhe një keqkuptimi, sado të vogël. U mblodh pra gjithë byroja politike. Ama, siç nuk kishte bërë vaki kurrë, pa praninë e shokut Enver. (Më bëhet mishi miza-miza tani që e shkruaj!) Ngjarje e jashtëzakonshme! E ngjashme vetëm me një grusht shteti. Me atë që, nuk dihet, a guxonin ta shkonin dot nëpër mend byroistët. Sikur vetëm njeri xhanëm?!

Shqetësimi, në dukje i vogël, u çmua mjaft i madh. Mund të merreshin më qafë, krejt pa dashur. Siii?! As fëmijët e tyre nuk ishin ata të zotë t’i edukonin me dashurinë e pamasë për udhëheqësin? Kjo ishte e pafalshme! Ç’prisnin pastaj nga populli? Se armiqtë, po, diheshin!

Por nuk ishte kollaj të frenoje kalamajtë, sepse fëmijët mbeteshin përsëri fëmijë edhe mbasi të këshilloheshin e të porositeshin!

Ndër alternativat, më e sigurta u konsiderua eliminimi i gjithë Ane-ve. Me përjashtim të kryeanesë – asaj të shokut Enver! Të kuptohemi! Nofka “Ane” shpallej e paligjshme për gjithë Ane-të e Bllokut, përveç teto Gjylos! Boll e kishte Blloku një Ane! Se ndryshe, do të quhej edhe “Blloku i Ane-ve”! Eeeh, anezezat! Lerë për kusure. Nuk e dinin se u kishin hapur punë evlatëve të tyre…

***

– E dashur Ane, do të të jap një sihariq të pakëndshëm, që duhet ta mirëkuptosh e ta pranosh si një gjë krejt të parëndësishme! – iu drejtuan, pak a shumë njëlloj, sekush Anesë së vet.

– Mirë se më erdhe, mo djalë (moj bijë)! Ç’të jetë kjo?! Ja, u bëra vesh e tëra, u e zeza! Folë! Të dëgjoj!

– Këtej e tutje nuk do t’ju thërresim më Ane!

– Korba! Psee?! – u tromaks, iu tha gjaku të moshuarës.

– Këtu në Bllok “Ane” do t’i thërrasim vetëm Anesë së shokut Enver!

– Uuuu, birko, po mua si do më thërritni? – shtrembëroi jo vetëm buzët, por gjithë fytyrën ish Aneja, tashmë.

– Zgjidhe vetë emrin tënd. Si të duash, vetëm “Ane” jo!

– Mua, mo djalë, nuk më duhet hiç emri im, se unë nuk i thërres kurrë vetes! Në ju dashtë juve, zgjidheni si t’ju vijë për mbarë! Sido që të më thrritni, unë kokën do kthej… Vetëm pa emër mos më lini. Hë, të keqen! Mos na bëni “ëmërshuara” për së gjalli!

– Shi kjo, qejfmbetura! Po jo, moj Ane, jo!

– Uaaa?! Po ç’ke që ma zë prapë n’gole emrin “Ane”?! Ma hoqe, vate! – nuk i bënin përshtypje nënës postet e larta në parti dhe pushtet të të birit, portreti i të cilit sa një faqe muri gjezdisej në krahë në parakalimet festive nëpër bulevard.

– Mirë moj nënë, mirë! Kësaj here qesëndinë tuaj e kemi hak. Zaten atë kemi mangët, se të tëra në terezi i kemi … ! Po duhej bërë, moj e uruar. Duhej bërë. E kemi pleqëruar të gjithë…, – dhe si ndenji pak, me ton mjaft serioz vazhdoi: – Taniii … u tha, u vendos! Mbaroi! …Nga sot nuk ka më Ane! Do të të thërresim me emrin e vërtetë, të shkruarin në letra, ose “Nëno”, a ndonjë paranom tjetër. Mjafton mos të dëgjohet më “Ane” në shtëpinë tonë, sidomos përjashta, oborreve, nga fëmijët!

– Kush e nxori këtë avaz? Ajo vetë, apo Ai? – aludoi për analogen, Gjylon, dhe Enverin.

– Jo, jo! Këtë e vendosëm ne, pa i thënë gjë atij. Se e menduam që nuk do na linte. Do ta bëjmë fakt të kryer! – thamë. – Po ta marrë vesh, do na kritikojë!

– E po, shiqir, thuaj, gjism’ e së keqes!

– Pseee? Pse gjysma?!

– Nuk do t’ua ndërrojnë emrat gjithë Enverëve që janë gjallë në Shqipëri, më thotë mëndia. E se mos janë pak?! Milërafrimë! Ndaja, ndaja thaç’u “gjism’e së keqes”. Po edhe kjo, gjisma tonë, në mos është që… ! Uaaa! Si ndrishoi kjo e zezë kohë, mo djalë?! Mos guxoç të mbaç dot as emrin tënd?! Pika që s’na bie! – nuk mblidhte dot veten, ardhur rrotull nëpër shtëpi, Aneja e sapo ç’emërtuar. Por e qepi sa dalloi t’i bënin shënjënsyshqyer me dy gishtat e dorës që shtrëngonin fort lart-poshtë buzët e nderura para.[16]

Shenja “Qepe gojën!” ishte bërë universale pas çlirimit. Nuk kish njeri mbi këtë tokë të shenjtë që nuk ia dinte kuptimin: “Shshshsht! Mos e tremb frikën! Lere të të shkojë në palcë! Ndryshe…”! Ashtu, e heshtur, erdhi rrotull brenda sa në një derë nëpër dritare dhe nuk po e ndalonte dot mendjen të kuvendonte e të kundërshtonte për shkakun e çuditshëm të frikësimit brenda shtëpisë në mes të Bllokut. Frika u qe ulur këmbëkryq aty: “Mos kjo, mos ajo”! Dhe sa vente, rritej!

– Na rruaçin rojet përjashta, kur frika na ka hyrë brënda! – silloiseshin plakat e jetës në vilat e Bllokut. – Armiqtë i thiem, iu dhamë dërmën, kurse frikën jo!… Moooj, frika nga armiqtë na i mori të keqen, vate, po një lloj frike tjetër na ka mbirë në derë… S’qenë gjë fare armiqtë! Ta thom u! Ju zije pritë, i godisje, o i vritje, o të vritnin dhe shko tutje, përpara! Ama kjo?!… Vuri emër, po qe e zonja, kësaja sot! Pik’ e zezë! Nuk guxon im bir, xheneral, mbuluar me grada e shirita, sa të verboneç, t’i flasë nënës së tia në ëmër! – dhe nuk pushonin ecejaket e saj nëpër shtëpi. Hip e zbrit shkallët brenda vilës dykatëshe.

– Pa lere që e kanë shpallur edhe “Hero të Popullit”! Ha-ha-ha! – qeshte përbrenda. Pa zë! Zotëronte veten, por sytë i shkëlqenin nga gazi i qesëndisë. – Po kjo hata e madhe?! Në luftë, pa qenë hero, djali la nam për trimëri. I thosh plumbit “Ku je?!” Tani, në paqe, e shpallin hero e, mender teje, dhitet në brekë! Kush është armiku që nuk duket sheshit, xhanëm?! – jepte e merrte me veten e thinjura. – Kësaj, moj e shkretë, i thonë: Na një anë u çliruam, na ana tjetër u pushtuam! – dhe ndukte faqet me duar. – U, e zeza, ç’na gjeti! Më duket, kanë frikë na njëri-jatri, moj motrani. Po ishalla mos qoftë e vërtetë, se ki imi është drejt e drejt…! – llafoste me vete plaka, plasur për të dalë jashtë kuvlisë, vilë qosurës, të fjaloste me shoqet moshatare. Por me kë? Iu kujtua shenja e qepjes së buzëve…

Ato që mërmëriste, nuk mund t’i bënte muhabet me asnjë nga anetë e bllokut, edhe pse bluanin njëkohshëm të njëjtin drithë. Në takimet e tyre secila luante teatër me tekste bisede të llustruara. Sikur shkonin në mbledhje partie. “Na u mblodh gjuha, na u bë brobollaqe, burgosur brenda në golë”. – qante hallin me vete. “Kur o vijë dita ta zgjidhim të shkretën”?! – dhe e pashpresë ngushëllohej: “Shyqyr që llafosim pa teklif me të vogjëlit! Aaah, me ata po, me ata jemi vërtet të çliruara. Njëlloj si në kohën e Zogut. Makar dhe të pushtimit…”!

————————

[16]Brenda çdo vile të Bllokut, një dhomë ishte për oficerin e sigurimit, që ishte i pranishëm 24 orë.

 

 

FAT, APO FATKEQËSI?!

Vendimi për ndërtimin e objektit “Shtëpia muze e shokut Enver” në Gjirokastër, në fillim të viteve ‘60-të, nuk mund të mos zgjonte interesin e projektuesve më të njohur të vendit për të qenë sekush autor i këtij ekstra-projekti. Por njëherësh edhe drojën, madje ekstra-drojën, se si do ta vlerësonte i zoti, udhëheqësi absolut i vendit, njëherësh dhe i vetë shtëpisë, gërmadhës së saj…

Bën përshtypje pse projektimi iu ngarkua arkitektit GjovalinKroqi dhe jo ndonjë arkitekti nga Gjirokastra apo krahina që i kishin “në thua” veçoritë e ndërtimit karakteristik të qytetit, me të gjitha detajet e lloj-lloj ‘marifetet’ e brendshme, të çuditshme, si sterrat e ujit të shiut, puset e ujërave të pijshëm nëntokësorë dhe gjer tek “burgjet” familjare, që opinioni më së shumti i njeh nga përshkrimet e Kadaresë.

T’i jenë shmangur vallë arkitektët e njohur vendas kësaj ndërmarrjeje?!… Ndofta! Cilitdo projektuesi do t’i qëndronte përpara syve e strukur, e kruspulluar, vetëm rrënoja e shtëpisë së hershme, kthyer në një pirg shumë të madh gurësh të mureve e çative të shembura pas djegies totale të saj në vitin nëntëqind e trembëdhjetë dhe asnjë e dhënë tjetër për ta rikonceptuar projektin e saj fillestar.

Ne, të moshuarit, e risjellim ndërmend imazhin e atij masivi gurësh e mbetjesh ndërtimore në mes të Palortosë, paksa poshtë sheshit të xhamisë, ku kishim foshnjoren (kopështin e fëmijëve deri 6 vjeç). Ama, aq të vegjël, nuk na linte ndonjë mbresë, nuk na nxiste, sepse mbi atë kapicë gurësh nuk mund të luanim… Edhe pamjen e plotë të atij shkatërrimi e kemi regjistruar më vonë, kur na ka çuar shkolla në aktivitete edukative, sidomos ceremoni për pranimin e nxënësve në organizatën e pionierit, apo në atë të rinisë, të cilat realizoheshin me mjaft solemnitet.

Si fëmijë të asaj lagjeje shkonim më herët në këto takime e na dilte koha për të gjezdisur mbi atëkarakatinë, ku binin në sy edhe copa muresh origjinalë tejet të gjerë, ndonjë qemer, apo skarë hekuri dritareje, që i kishin shpëtuar shkatërrimit dhe dilnin të çrregullta mbi grumbullin e lartë të gurëve si për të treguar se sa e madhe mund të kishte qenë ajo bina. Këto fragmente muresh të paprishura, që ne fëmijëve na prishnin punë, patën rëndësi të madhe për projektuesit. Ishin ato që zbuluan planimetrinë e objektit. Ndihmë të madhe mund t’u jepnin fotot e vjetra të shtëpisë, por me sa është folur nuk u gjetën dot. Shtëpia e ndërtuar me dysheme, tavane e strukturë mbajtëse të çatisë prej druri, të tharë ndërkohë, bërë trokë, ishte djegur shumë shpejt, sa nuk arritën të shpëtojnë asgjë. Madje edhe vetë Enverin e vogël e kishin nxjerrë nën sqetull.

Sa herë që dëgjohej ky detaj, gjindja në ato mitingje lëvizte vendit dhe oratorit i lypsej të priste të qetësohej situata. Një zhurmim shushuritës ofshante gjithë ambientin. Askush nuk mund ta përfytyronte udhëheqësin e vendit si një bohçe mbajtur nën sqetull! Absolutisht jo! Ç’u dëgjonin befas veshët, nuk mund të përjetohej thjesht si kuriozitet, apo habi. Një tronditje rrëqethëse përshkonte tejpërtej të pranishmit… Të rriturve nuk iu rrihej pa folur mbas asaj dridhërime.

– Çfarë fati për Shqipërinë që arritën të nxjerrin të gjallë e të padëmtuar shokun Enver!

E thoshin të mrekulluar, pa u kujtuar hiç se shoku Enver, kur ishte vetëm pesë vjeç, ishte thjesht vogëlushi Enver! Duke iu kthyer imagjinatës popullore të atyre viteve (1950-60) për udhëheqësin e lavdishëm, shumë syresh nuk mund ta përfytyronin kurrsesi të vogël! E kishin krejtësisht të pamundur, madje ndiheshin në faj ta mendonin foshnje, apo, ca më keq, duke qarë uaaauaaauaaa…

Në fantazinë e tyre komandanti ishte lindur jo vetëm i madh, por edhe me spaletat e kryegjeneralit! Dhe gjithë kjo imagjinatë lëshohej e shfrenuar pa i qarë fare hallin e sikletit të lindjes prej të ëmës! Të paktën, të paktën, të mendonin se u lind… pa spaleta!

Në këtë atmosferë himnizimi, a mund të kishte dot ndonjë burrë që t’ia shqiptonte emrin shqeto “Enver”?! Pa lere t’i vinin para epitetet që i takonin, për shembull: bebe, foshnje, evlat, apo fëmijë… Jooo, kurrën e kurrës! Vetëm dhe vetëm “Shoku Enver”! Nuk u bënte zemra, pavarësisht se atë epitetin “shoku” përpara emrit të vet, i zoti e kish dëgjuar pas vitit 1941, pra, kur ishte mbi 33 vjeç. Deri atëherë mund ta kenë thirrur më së shumti “Enver” ose edhe “zoti Enver” dhe kushedi çfarë epitetesh mund t’i kenë ngjitur…

Të gjithë të pranishmit, sekush sipas mënyrës së vet, rikrijonin skenën e fatkeqësisë së madhe, kur një grua e lebetitur, flokëlëshuar, me fëmijën pesëvjeçar nën sqetull nxitonte të dilte prej shtëpisë e rrethuar nga flakët e tërbuara që vërviteshin përpjetë e, e pafrymë, mes shtëllungash tymi të zi që dilnin ngjeshur nga dritaret bërë copë, e tmerruar prej oshtimës lemeritëse të zjarrmimit e shembjes së çatisë, dyshemeve e mureve, me çfarë zori arrinte të shkulej e harbuar nga lemeria e ferrit drejt humbjes së ndjenjave e alivanosur për vdekje, por me foshnjën gjallë!

– Po sikur…?! –  shpëtonte natyrshëm pyetja e cunguar e folësit, që e gëlltiste gjysmën tjetër të frazës, i penduar, gjuhëkafshuar…

– Vërtet, po sikur…?! – e përsërisnin një pas një të tjerë të njëjtën pyetje, me merakun që iu lindte njëherësh, dhe askush nuk e përfundonte fjalinë me vazhdimin “…të ishte djegur shoku Enver”! Nuk merrnin guximin ta shqiptonin. Nuk ua nxinte goja atë fjalë e për të hequr çdo dyshim të mundshëm shpërthenin në përfytyrime mistike…

– Fat i madh, ore, fat i madh për këtë vënd e këtë popull!

– Mbamë vesh e ta diç na u! – ndërhynin më të moshuarit. – Enverë e ruajti Zoti për ne fakirët, se kushedi ç’do qemë bënë?! – dhe vlerësohej fati i mbijetesës së udhëheqësit të ardhshëm si bekim hyjnor, si punë e paqme perëndie.

Ky ritual vazhdoi deri aty nga viti 1966, kur i shpëtuari në fije të perit nga perëndia e shfronësoi, si pa të keq, pikërisht atë, Perëndinë, madje dhe Zotin, Allahun dhe gjithë tarikatin mbinjerëzor të predikuar nga fetë e ua zuri vetë vendet atyre me hir e me pahir.[17]

—————–

[17]Në vitin 1966 Partia i shpalli luftë besimit fetar. U shkatërruan institucionet fetare, ose u kthyen në objekte ndihmëse, tip magazinash etj. dhe iu hoqën mjekrat e iu zhveshën uniformat fetare të gjithë predikuesve.

* * *

Detyra për të realizuar rindërtimin e shtëpisë i takoi ministrisë së ndërtimit. Arkitekti Eqerem Dobi, drejtor i drejtorisë së zbatimit në dikaster, si gjirokastrit rastisi më i përshtatshmi për ta drejtuar ai punën projektuese dhe atë zbatuese.

Me t’u bërë largimi i gjithë masivit të mbeturinave të binasë së madhe të shembur nga djegia, u krye rilevimi (matja) iplotë i themeleve dhe i çdo gjurme të banesës ekzistuese, të cilat ndihmuan të ripunohej mbi projektin fillestar teknik të arkitektKroqit. Rihartim ky që u krye në bashkëpunim të ngushtë me kuadrot e ndërmarrjes së ndërtimit Gjirokastër.

Më së fundi kishin në duar projektin e plotë arkitekturor e konstruktiv me planimetritë e çdo kati sipas funksionit, pamjet ballore dhe detajet kryesore, me ballinat e dala, me kamerjenë, çatinë, oxhaqet … . Por ama, thjesht si karabina. Sepse mungonin projektet për të gjitha punimet e drurit: dyer, dritare, dysheme, tavanet me zbukurimet karakteristike, dollapët, shkallët, parmakët, sergjene, korniza etj. Ky projekt i punimeve të drurit u realizua në Gjirokastër, i konceptuar nga një grup inxhiniero-teknik në bashkëpunim me mjeshtërit më të shquar të punimeve me dru, të cilët diktuan përzgjedhjen në disa krahina të llojeve të drurëve të domosdoshëm: pishë, lis, arrë, panjë, gështenjë.[18]

Projekti ishte mjaft i bukur, funksional. Por mbetej ende pezull përgjigja përfundimtare, nëse objekti i projektuar ishte vërtet i njëjtë me atë shtëpi që ishte djegur para pesëdhjetë vitesh, apo jo?! Me pak fjalë, mungonte “vula”!

Si të mos mjaftonin gjithë shpjegimet që iu pat dhënë vajza e madhe e shtëpisë, motra e Enverit, sqarime që ishin marrë në konsideratë nga arkitekti, vendosën që gjithçka në përfundim ta konsultonin edhe me teto Gjylon, nënën e Komandantit.

Me fletët kryesore të projektit në dorë shkoi në Bllok të konsultohej me Anenë vetë arkitekt Eqeremi. Pasi u pyetën, u molloisën e u çmallën dy bashkëlagjasit e kohëve të shkuara, ia vendosi përpara Anesë dhe filloi t’ia shpjegonte.

U habit e shkreta Ane, kërkoi dozduqet[19] dhe po i shikonte e hutuar fletët me vizatime teknike. Nuk po i ngjante me ato imazhe që ruante në kujtesë për shtëpinë ku u martua e u bë me një radhë fëmijë… Tundte kokën, duke dëgjuar arkitektin dhe mblidhte e prishte buzët, teksa pamja e fytyrës së rrudhosur, marrë seriozitet të madh, dukej e pakënaqur. Ndërsa pritej të jepte miratimin e shumëpritur, ajo i habiti të gjithë. E kurseu përgjigjen “Mirë” ose “Jo”, ngriti kokën nga fletët e projektit, u drejtua ngadalë me duart në mes e me ndonjë rënkim moshe nga dhimbjet që nuk pyesnin se nëna e kujt ishte, mori frymë thellë disi e çliruar nga sikleti dhe thirri:

– Bjemani këtu molivon![20]

Kaq mjaftoi të kuptohej se përfundimisht Aneja nuk po e pëlqente projektin. Me një fjalë, nuk kishte gatuar gjë Eqeremi! I rruatë shkolla! Rrëmbeu njërin nga lapsat që ia vunë përpara dhe pastaj … fol e hiq viza kuturu mbi fletën e projektit…

E gjora, si çdo Ane tjetër, nuk e kish të mundur të shprehte opinionet e veta me vizatime, ndaj “molivua” në dorën e saj nuk mund të bënte asgjë veç shkarravinave. Por halli ishte i arkitektëve të deshifronin çfarë duhej korrigjuar e modifikuar realisht në projekt.

Mysafirit, arkitekt Eqeremit, pinjollit të fisit mjaft të dëgjuar të Dobatëve, drejtues autoritar dhe emërshumë i dikasterit të ndërtimit, i mbeti të bënte rolin e përkthyesit nga e folmja e Gjirokastrës dhe, ndërsa qeshte me gjithë shpirt, i pataksur me “skicat” tip xivo-gavo të Anesë përpiqej të zbërthente thelbin e kahareve të saj.[21]

Pas “dëgjesës publike” me Anenë e Madhe projekti i plotësuar u dha për zbatim e u realizua me cilësi të lartë nga duarartët gurskalitës, muratorë, suvaxhinj, marangozë, drugdhendës, instalatorë etj., si dhe nga drejtuesit e talentuar të ndërmarrjes së ndërtimit Girokastër përgjatë periudhës prill 1963 – nëntor 1966, kur u inaugurua i kompletuar edhe si muze.

Pamja e shtëpisë së rikonstruktuar ishte mjaft mbresëlënëse. Jo vetëm nga përmasat, por edhe me paraqitjen e saj. Sidomos pamja ballore, ku shfaqen shumë elemente arkitektonike tejet të spikatur të traditës së ndërtimit të banesave në qytet, në Gjirokastër. Plotësimi brenda saj edhe me fondin e muzeut, stendat vertikale plot me foto e ato horizontalet me dokumente me vlera historike, sende personale të të rënëve, armë etj., e bënë atë ndër objektet kryesore të trashëgimisë, veçanërisht të luftës kundër pushtuesve nazifashistë deri në çlirimin e plotë të vendit.

Çdo grup turistësh “i lejuar” të vizitonte Shqipërinë (deri më 1990 ndalohej të hynin ‘derri e dosa’!), do të shkonte doemos në shtëpinë muze të lindjes së udhëheqësit. Ishte një kuriozitet i jashtëzakonshëm për ta. Ciceronët, të familjarizuar me përmbajtjen, ligjëronin natyrshëm para vizitorëve shqiptarë dhe të huaj.

Dhe thuhej se aty turistët mahniteshin me Gjirokastrën. Me të drejtë i shtohej krenaria, por vizitorët e huaj ishin të frikshëm. Jo pa qëllim shteti u bashkangjiste shoqërues, sepse ata e ato nuk mjaftoheshin me njohuritë që u transmetonte ligjëruesi gjatë vizitës në muze, por bënin pyetje shtesë. Po, po!… Dakord, normale, le të bënin, po jo pyetje me zarar, ama! Ato vinin era provokim, sapo hapnin gojën!

Ç’ta zgjas…! Nga pamja gjithë turistët dukeshin agjentë! Neve, gjithë popullit, nuk na e hante qeni shkopin për përgjigje. Por rrëfyesit e muzeut ishin ndier ngushtë nga pyetja, që në dukje bëhej si pa të keq:

– Rikonstruksioni, këtë shtëpi e ka sjellë në gjendjen e saj të mëparshme, origjinale, apo janë bërë shtesa?

– Jooo! Ç’shtesa?! Siç ka qenë, krejtësisht origjinale! – ishte përgjigja që jepnin … Or po, ç’e jepnin?! Shoqëruesit ua përplasnin të huajve, të palëkundur, madje e përforconin edhe me argumentin, se udhëheqësi ynë nuk pranon asnjë ndryshim nga të vërtetat historike…

– Jalla ore, çfarë pyetjesh?! – mirëpo interesimi i tyre e kishte bishtin mbrapa…

– Shtëpia e tij, kaq e madhe, tregon qartë se ai rrjedh nga një familje mjaft e pasur, apo jo?! – nxirrnin një rrjedhim logjik dhe, të habitur nga heshtja e papritur e rrëfyesit të muzeut që mund të binte në koma, shtonin: – Kjo duket! Shtëpia renditet me shtëpitë e mëdha të Gjirokastrës dhe doemos kanë qenë të pasur! – e kur shikonin se cicëroni sillej sikur nuk kishte dëgjuar asgjë, kuptonin se kjo pyetje i vinte ata në pozitë të vështirë.

Qëllimi i tyre ishte i qartë për ne shqiptarët e asaj kohe. Turistët armiq, siç i gjykonim, donin të na e nxirrnin me biografi të keqe shokun Enver! Domethënë, udhëheqësi i fukarenjve që përmbysën pushtetin e të pasurve, paskësh qenë vetë i pasur!… Pa pa, ç’rrufjanë?! Të verbuar nga sukseset e deklaruara të vendit tonë, mbështetur në forcat e veta, kërkonin shteg të na godisnin në pikën tonë më të dobët, Udhëheqësin, që realisht ishte pika më e fortë sa ç’ishte dobësia jonë për të.

Pyetja ishte me spec! Të vinte të haje veten me dhëmbë. Udhëheqësi na mbronte ne ditë e natë nga imperializmi dhe social-imperializmi, nga dy superfuqitë e armatosura deri në dhëmbë, kurse ne s’ishim të zotë ta mbronim atë në mes të ditës nga të huajt e paarmatosur! Veçse arsyeja dhe faji pse krijohej kjo situatë ishin tonat! Iu kishim dhënë vetë material qysh në fillim, kur mburreshim para botës se e përmbysëm klasën e pasanikëve. Ata e dinin se familjet e mëdha, të pasurit, pushteti komunist i Enver Hoxhës i kishte shpronësuar, vrarë, burgosur e persekutuar… Thuajse shfarosur, me një fjalë! Radio Tirana, zëri i pushtetit të ri, kish transmetuar gjyqet një pas një…

– Ç’masa mori pushteti kundrejt të pasurve të kësaj familjeje? – ishte pyetja e radhës e këtyre lloj turistësh, që nuk dëgjonin të ngopur me detaje që të mund të provonin dyfytyrësi të regjimit.

Aludimi i vizitorëve kureshtarë, zhbirues, të shtynte të mendoje se pas marrjes së pushtetit nga komunistët shoku Enver të parin duhej të kish vrarë babanë, siç u eliminuan pasanikët e tjerë! Dhe ky lloj përfundimi i stepi për një kohë të gjatë shoqëruesit, që i shmangeshin, qoftë edhe pa takt, përgjigjes, derisa një ditë të bukur kapakun e argjendtë ia gjeti një i  sojit të “sokakut të të marrëve”:

– Pasi iu dogj shtëpia, më 1913, prindërit e Enverit nuk ishin më të pasur, ata ranë nga vakti!

Kjo përgjigje mbiu si Veza e Kolombit. Familjen e udhëheqësit e kishte dënuar padrejtësisht Zoti e nuk i la radhë pushtetit të 44-ës t’i dënonte me të drejtën e të varfërve fitimtarë mbi të pasurit, kur para opinionit do të vihej në provë i pari i vendit se si do të gjykonte prindërit…

E parë në këtë këndvështrim, mund të mendohet se fatkeqësia e rëndë e djegies së sarajeve të Hoxhate, më trembëdhjetën, ishte fat i madh për të parët, prindërit e kreut të diktaturës komuniste, i cili për idealin komunist flijonte gjithçka binte ndesh me të. Madje mund të ketë qenë një shans i humbur për diktatorin, të tregonte troç se ç’do me thënë komunizëm…

E mblodhën mendjen të huajt nga ky merak që i pat zënë, po ku rrinin urtë ata?! Pa, ç’pa shteti ynë dhe ua mbylli thuajse plotësisht hyrjen e tyre në Shqipëri, ndonëse kjo u jepte të drejtë armiqve të na akuzonin si shtet totalitar dhe i izoluar nga bota. … Për të mos rënë shumë në sy e për të mos bërë bujë të madhe akti i ndalimit të të huajve ftoheshin përfaqësues të lartë të partive komuniste nga të gjitha kontinentet, të cilëve shteti ynë u siguronte kushte shembullore rezidenciale… Këta po! Kishe qejf t’i prisje në shtëpinë muze!

Me që ra llafi, mikpritja shqiptare për partitë motra komuniste mori dhenë. E më t’u shtuar të reja. Madje u fol që edhe pse nuk kishin anëtarë edhe pse nuk i njihte askush në shtetin e tyre, i njihte joni! Kryetarët e tyre, “të rrezikuar”(!) në vendet e veta, gjenin mbrojte, trajtim e ndihma në vendin tonë e këtë favor komunistët internacionalistë nuk e hanin thatë! Një herë në pesë vjet lexonin fjalime entuziaste në kongreset e partisë tonë, ngrinin në qiell vijën e saj marksiste-leniniste dhe vërtetonin pa mëdyshje atë që pretendonim ne, se ishim bërë fener ndriçues në botë.

Feneri ynë, me vajin në të sosur, fekste gjithë botën aq sa hëna verbonte diellin, po nejse!Partia jonë – fukareshë vërtet, por nuk i bëri hiç bisht barrës së rëndë të përgjegjësisë; e mori përsipër atë dhe u vu në krye të lëvizjes komuniste botërore për të shpëtuar njerëzimin.

Njerëzimin?!

Po çfarë njerëzimi or njerëz?! Çnjerëzimin thuaj! Bota për të q(!), nxjerrë sytë, po tregohej mosmirënjohëse për çka po bënte partia jonë. Po s’kishin faj ata, jooo! Donim një mender… ne që mendonim për ata më shumë se për veten!

Aaah! Mos më pyesni kot, se ç’u bë më pas. As për ‘90-91-shin e as për 97-ën! Ju lutem shumë! Do më duket si ato pyetjet provokuese të turistëve![22]

—————–

[18]Konsultuar në librin “Me ndërtuesit duarartë të qytetit tim” të Ing. Sotiraq Manthos, i cili së bashku me arkitekt Agron Doracin, inxhinierin universal Niko Panajotin e të tjerë vlerësohen si ikonat e ndërtimit në Gjirokastër.

[19] Syzat.

[20] Lapsin – “Bjemani këtu molivon!” ishte shprehja origjinale e Anesë që qarkulloi gojë më gojë deri në Universitetin Shtetëror të Tiranës nga banorët e bllokut, sidomos nga ata që vazhdonin inxhinierinë e ndërtimit.

[21]Kaharet e Anesë për projektin. Në se nuk e kishin shoqëruar projektin e shtëpisë edhe me një maket të saj, nuk ka patur hiç faj teto Gjylua të mos e kuptonte, por gjykoj se nuk mund ta bënin kurrsesi gabimin të shkonin pa maket! Mbetet të mendohet se në projektin e rikonstruksionit janë bërë vetëdijshëm shtesa e ndryshime, për t’i dhënë shtëpisë edhe vlera monumentale, të cilat Aneja nuk i kishte parë tek shtëpia ku kishte jetuar para se të digjej. Kjo është përfolur!

[22]Pas përmbysjes së sistemit, 1991 dhe shkatërrimeve të vitit ‘97 kjo shtëpi është kthyer në muze etnografik.

 

“PRODHIMET” E GJIMNAZIT ISHIN ME “KAULL”!

Lutja e tim ati për t’i marrë në punë të birin në dy muaj të verës, kur sapo kisha përfunduar provimet e maturës, jo vetëm u mirëprit, por mund të jetë konsideruar “fat” për NSHN.-në, ndërmarrjen e ndërtimit! “Është i dëgjuar e i papërtuar” – u kish lexuar edhe pjesën përkatëse biografike, formuluar dhembshurisht e me paanësi të dyshimtë nga familja.

Vlerësimin tjetër, që nëna jonë, duke e liruar jo pak dorën, e kishte si refren “Me të gjitha dhjeta”, ku përfshinte edhe tetat e nëntat, nuk e kish përmendur, jo se nuk i hynte në punë, por, ca më keq, mund të prishte punë. Sapo dëgjohej “Me të gjitha dhjeta”, bëheshe i dyshimtë për punë krahu!

Thela mbi bisht e kërkesës ishte që mundësisht t’ia punësonin tek objekti “Rindërtim i shtëpisë së djegur të shokut Enver”. Jo për ndonjë merak të kontribuonim edhe ne si familje në këtë objekt simbol, por sepse e kishim afër shtëpisë, në mes të lagjes Palorto. “Djali është i lodhur nga provimet plus na kurseni këpucët, të mos bëjë më shumë rrugë se punë”!

E vërteta është se në Gjirokastër për arsimimin sakrifikohej jo vetëm nga familjet, por edhe nga shoqëria. Gjatë muajve të pushimeve shkollore nxënës e studentë pranoheshin në punë në ndërmarrjet prodhuese për të plotësuar sadopak nevojat ekonomike më urgjente të jetës studentore. Kjo sidomos për familjet e këputura, por edhe për ato në gjendje që e çmonin punën si shkollë edukimi e formimi. Hapja e dyerve të punësimit të përkohshëm për nxënës e studentë nuk ishte as e lehtë as e lejuar për ndërmarrjet, por edhe shteti e bënte një sy qorr. Për të tilla shkelje qyteti i nderonte drejtuesit.

– Ik! – më tha babai. – Punën bëne mirë, po kujdes na rreziqet! Hap sytë!

Shkova të nesërmen pa gdhirë. Punimet në objekt kishin mbërritur në një fazë të rëndësishme. Karabinaja kishte përfunduar dhe vazhdonin punimet e brendshme të shumëllojshme ndërtimore. Drejtuesi më priti buzagaz. U ndjeva mirë. Duket ua mbusha synë që me pamjen time të parë. Por jo, shkaku ish gjetiu…

– Bravo! Qënke veshur tamam për punë! – më tha përzemërsisht. Unë buzagaz e gëlltita fyerjen bërë padashur. Nuk nxitova ta sqaroja se ishin rrobat e mia të përditshme me të cilat përfundova gjimnazin. Pra nuk kisha të tjera… S’dihej! Mund të mendonte se do t’i ruaja, do t’i mbroja në kurriz të punës, ndërsa mendja ndërkohë bënte llogaritë e mia. Sa mirë do të ishte të më aktivizonte me punë zyre, skica, dokumente, që mund t’ia qaja!… Po prisja.

– Do punosh tek grupi i përgatitjes së llaçit për suvatim, – më tha. – Do të ta shpjegojnë punëtorët e llaçit dozaturën. Ama përzierja do të bëhet aq uniforme, sa llaçi të bëhet gjalpë. Gjalp’ o, gjalpë! – më thirri fort. – Dakord?

– Po! Patjetër!

– Nuk dua që suvaxhinjtë të më ankohen, më kuptove?! – toni vazhdonte i njëjtë, gati-gati bërtitës, sikur të ishim në distancë e shiheshim me dylbi.

– Si urdhëron! – e shpreha me tundje koke, se nuk më delte dot zë i ngjashëm. Ky lloj komunikimi në kantjerndërtimi ishte krejtësisht i ndryshëm nga i shkollës. Nuk kisha me çfarë ta krahasoja, por ndofta si në ushtri!

– Na more, “filan”! – thirri fort drejtuesi, ta dëgjonin punëtorët jashtë, tek sheshi para objektit. – Mësojeni këtë djalin! Do furnizojë me llaç Bujarin! Zgjidhjani te magazina një lopatë me bisht të lëmuar, të mos i vrasë duart dhe një pale çizme llastiku sipas këmbës! – u kthye përsëri nga unë dhe: – I ke në ngarkim! Në fund do t’i dorëzosh, se të mbahen lekët nga rroga! Tani vazhdo e me krahë të lehta! – më dha dorën si panxhë.

Nuk e dija se përveç urimit “Puna mbarë” paskësh edhe urim “Me krahë të lehta”, ndaj u shushata! Mendova se e pat llafin për krahët e mia që nuk ma mbushnin syrin as mua vetë, pa lere punëdhënësit!

Shkova drejt e te sheshi i lëmenjve të llaçit. Fillimisht më treguan si mbështilleshin këmbët me letër thasë çimentoje që të pinte djersën brenda çizmeve të llastikut në piskun e vapës e më pas dozaturën rërë-gëlqere-ujë. Ia nisa me vrull e nuk dëgjoja së mbaruari përzierjen e lëmit të parë, gjersa dëgjova të më bërtasin: “Boll o, boll, se e bëre lëng”!

Me sa duket pikat e djersës së menjëhershme kishin prishur dozaturën e ujit… E drejtova trupin, por si film i ngadalësuar. Vura bishtin e lopatës nën sqetull të çlodhesha, por oooh, çfarë zhgënjimi! Lopata rrëshqiti. Unë isha më i shkurtër se ç’duhej dhe m’u mohua e drejta për t’u çlodhur sadopak. Aaah, po kërkoja fajtorin… E kush tjetër?! Pavarësisht përpjekjeve të tyre të sinqerta, prindërit nuk më kishin “gatuar” dot për të gatuar llaç!

Kalimi i menjëhershëm nga bangat e shkollës drejt e në punë të lodhshme fizike, përveç sfilitjes, sillte fshikjen e duarve lëkurëhollë pa kallo. Nuk di si më doli nga mendja! Mbrojtja e duarve duhej bërë qysh sa fillova, por ndofta i rrëmbyer nga entuziazmi të arrija të plotësoja detyrën…

Të nesërmen m’u krijuan flluska me ujë dhe rrjepje lëkure, dalë si luspa peshku e nën to skuqur. Më përcëllonin… Po gjykoja veten. Shyqyr që s’harrova të vija në kokë kashtoren e aksionit të rinisë! Ku bëhej shaka në verë me diellin tonë?! Zaten, dielli dhe shiu qenë pa hesap në Gjirokastër e derdheshin fare pa kursim, sikur donin t’i kompensonin ndonjë mangësi të përfolur të qytetit…!

– Do pres shirita-shirita një kanatjere të vjetër, – më tha nëna, sa i thashë për duart. Kur i hapa pëllëmbët të m’i fashonte, nënës iu mbushën sytë… Eeeh ç’më gjeti! S’qenë gjë hiç duart! Ajo po dëneste! E kuptova nga mjekra e saj. I dridhej dhe kokulur përpiqej të ma fshihte fytyrën. Jo, kjo nuk duhej të ndodhte! Mua lotët e nënës më dhembnin shumë. Shuumë?! Jo jo, jo shumë! Shumë është hiç! Lotët e nënës më thernin, më tjetërsonin! Ndihesha fajtor. Fajtor për nënën, jo për duart! U bëra unë shkaku. Në jetë asaj i qe dashur të derdhte shumë lotë. Nuk dija çfarë të bëja të kapërcehej ajo gjendje e trishtë, kur ajo foli:

– Pse, për punë krahu je ti tani, mor bir, bënë gjisëm njeriu na provimet?! Po ç’të bëjmë?!… E zeza unë që nuk ju kanaqepsëm dot sa ç’duhej! Po dashtë Zoti, na ndihmon për shkollën e lartë. Të bëheni edhe ju njerëz si bota, – tha me zërin që u mundua ta tereziste, të maskonte dridhjen.

– Ç’kësmet të jetë, o Fete.* Edhe po mbeta “majmun”, nuk është ndonjë hata! Ke plot “majmunë” që ua kalojnë edhe njerëzve! – doja ta gazmoja, t’i largoja dëshpërimin dhe pa u ndalur ndërrova temë. – Ç’janë këta lot? S’e mora vesh, qan për duart e djalit, apo për kanotjeren? – dhe bëra të qeshja.

– Nuk qeshet me lotët e nënës! – ma preu me shikim të plagosur e buzagazin e hidhur. – Do bëheni edhe ju prindër, do bëheni…e do ta kuptoni!

D r i d h ë r i m ë!

Ndër punët e krahut gatimi i llaçit mund të konsiderohej punë qejfi, po të mos nxitohej ritmi, i cili varej nga ustai që mbaje me llaç. … Bujar, quhej ai imi! Një specialist i shquar dhe punëtor i madh, por ç’e do?! Këto cilësi të atij, dëgjuar nga “kolegët” tek lëmenjtë ngjitur, ma rëndonin fatkeqësinë! Bujari im nuk mund të tregohej bujar me mua!

– Ti, mo mavri, ta gjetën Bujarin? Po ku ngopet me llaç ai, mo?! Është lubi. Pa lere kur merr shumë mbushje faqja e murit, që nuk ka nevojë fare për mistri, po direkt ngjesh mallon dhe në sekondë kërkon llaç! – ma qau hallin njëri.

– Nuk rri të nusërojë majë skelave ai! Govatën e do plot, s’ka nge ta kruajë me mistri…, – e plotësoi tjetri.

Më dukej çudi që gjithë ajo derr lopata ime të mos mundte dot mistrinë e ustait. ”Ku ma ruajtën ezhdërhanë mua?!”- flisja me vete. Thirrjet e tij “Llaç, llaç!” nga maja e skelave oshëtinin në gjithë lagjen Palorto. Objekti karabina ishte i hapur nga të katër anët, pa dyer e dritare, teksa lëmenjtë e llaçit, që i përgatisnim me krahë njëri pas tjetrit, ai i kullufiste! Dhe ku?! Në tavanore! Hipur mbi armaturë druri përkulej thellë mbi govatën e llaçit, mbushte rëndë mallon dhe ngrihej e hidhte me mistri në tavan, e rrafshonte, e ngjishte fort, e nivelonte me mastarë dhe lëshonte sërish thirrjen… Ç’të thuash?! Makineri pune! Dhe meazallah se i binte pikë llaçi në shesh! Së paku, sa për t’u ankuar një herë edhe ne: “Mos u tall me krahët tona”!

Shkëputja e llaçit nga mistria ishte shkencë më vete. Njëlloj sikur ia thithte tavani! Ishte lëvizja, harkimi i dorës, që e realizonte vërvitjen e llaçit për në objektiv. U zilepsa! Sa do të doja ta fitoja këtë teknikë! Ndofta dhe e kam shprehur aty … , por shpëtova kot pa u bërë gazi i botës. Më ftuan vetë specialistët. Mirë që nuk e bëra provën në tavan, siç më thanë, se edhe sot do ta kisha kokën me llaç!

– Shpëtove, nuk e hange, o i biri i…! – u dëgjua vlerësimi nga “juria” që, si kudo në Gjirokastër, është e ngritur e funksionon “Non Stop”!

M’u kujtua loja me një nga gjimnazistët që e bënë marangozët e ndërmarrjes së zdrukthtarisë të qytetit, ku bënim një ditë në javë punë prodhuese. Ustai i dha rrëmbimthi në dorë një kovë të madhe bosh dhe e porositi: “Vrap tek filani në repartin tjetër dhe thuaji të ta mbushi urgjent kovën me korent! Thyeji këmbët dhe kthehu sa hap e mbyll sytë”! I gjori, i impresionuar nga shqetësimi i ustait nuk e analizoi “mallin” që do mbushte kovën. U nis me vrap e pas pak ndaloi. Por ishte vonë të ndalonte gazin që shpërtheu mes zanatçinjve…

***

– Inxhinieri ndërtimi! – më thirrën së largu, sa më panë, shokët e mi, që sapo kishin lexuar listën e varur para Komitetit Ekzekutiv.

Drejtova me vështirësi trupin e përthyer mbi lëmin e llaçit dhe me lopatën në dorë ngriva. Nuk e kisha provuar të më binin djersë të ftohta në gusht. Ata nuk pushonin së treguari për gjithë shokët dhe shoqet e maturës sonë. Diku, tek një emër, u kapën me njeri-tjetrin, të pasigurt për degën e fakultetit… Kaq duhej!

– A e keni parë mirë emrin tim?! – i pyeta, ndërsa më hynë ethet. Nuk po më mbante vendi. Doja të fluturoja ta lexoja vetë emrin dhe të drejtën e studimit plus degën.

– Ik, mo djalë, shikoje me sit’ e tu, të bindeç! – më tha punëtori i lëmit tjetër që kish dëgjuar gjithë bisedën tonë. – Ç’ke ti, mo? Bujarin e mbaj u me punë. Mos e keç hiç merak!

– Edhe sikur mos ktheneç fare sot këtu, i dalim ne për zot punës. Hidhu një vrap të shoç ku të kanë hedhur, të mbledhç mënden! – e përforcoi punëtori tjetër, por duke parë pavendosmërinë time, vazdoi me autoritet: – Pa merak, të thommo! Me teknikun llafosim ne, sa të kthenet, se ai mund të mbodhiset andej nga ndërmarrja.

Nuk po u besoja veshëve. Më përfshiu një ndjenjë respekti e pamasë për punëtorët e llaçit.[23] Si m’u gjendën mua ata? U ndjeva i befasuar… E çuditshme! Sa më të vuajtur, aq më njerëzorë e të gatshëm për sakrifica!… Dhe ika pa marrë leje, veç pa merak! Çfarë besimi më krijuan ato fjalë, sidomos shikimi tërë dritë në fytyrat e tyre gati-gati të shkrumbuara nga dielli, ku binte në sy bardhësia e ciflave të gëlqeres së sapotharë mbi lëkurë e grimca-varur në vetullat thuajse zbardhur.

Ashtu, i shkalafitur, shkova rrufe për tek lista para Komitetit Ekzekutiv të lexoja fatin, të ardhmen time. I tensionuar, më këmbë para saj, më vetëtiu emër mbiemri, dega inxhinieri ndërtimi dhe u shkrifërova, lëshuar në një qetësim të jashtëzakonshëm. Harrova krejtësisht lodhjen. Humbi! Në pamundësi të fluturoja, doja të vrapoja, të vrapoja, të vrapoja… ! Po për ku? Ah, nuk e dija, veç nuk doja pengesa rrugës…

Te Qafa e Pazarit kryqëzimi i pesë rrugëve më solli në vete. Ndërsa nxitoja të ngjitesha më të përpjetë për nga kalaja, u kujtova se duhet të varesha më të poshtë, të kthehesha aty ku më prisnin, aty ku kisha lënë punën përgjysmë, tek miqtë e mi të mirë, tek ata që nuk ta mbushnin syrin e që duhet t’i falënderoja me mirënjohje të thellë! Dhe rikujtova shprehjen e fundit “Edhe sikur mos ktheneç fare sot këtu, i dalim ne për zot punës…”, që më futi në mendime… Si mund t’u shkonte ndër mend se ndofta nuk do kthehesha?!

I rrahur me vaj e me uthull në jetë, punëtori i llaçit parashikoi rastin e mosmiratimit të së drejtës së studimit. O Zot! Do të ishte e tmerrshme për mua! Pa të drejtën e studimit nuk do më bënin këmbët të kthehesha tek lëmi i gatimit të llaçit. Dhe ku ta dish, ku do më çonte dëshpërimi… U pata thënë se unë punoja për një palë rroba studenti… Përse të kthehesha?! Ç’do më duheshin rrobat e reja? Më tepronin të vjetrat!… Apo nuk i pëlqyen edhe përgjegjësit!

Rrugës në kthim, te Sheshi i Kokonës para gjimnazit tonë hijerëndë, kështjellës së dijes, dëgjova zëra të njohur e të qeshur:

– E mo, “inxhinier”! –  thërritën dashamirësisht bashkëlagjasit që kishin marrë vesh lajmin e gëzuar dhe rastisën të ngeshëm të kruanin brirët me mua, të lumturuarin. – E ç’borxh të ka ndërmarrja e ndërtimit që i je qepur ta nxjerrç difiçit? – pyetën gjithë seriozitet. U hutova! – Je në vete, mo djalë?! – vazhduan. – Po ku i del hesapi ndërmarrjes të lihesh ti përditë kokë e këmbë me gëlqere?! – aluduan, kur më panë të pashkundur e fytyrë pashpëlarë.

Mbërrita me një frymë te lëmi. Lopata m’u duk, jo vetëm më e lehtë, por edhe më e shkurtër. Atë ditë unë isha “zgjatur”…! Më uruan, sigurisht, të gjithë. Ama nisur nga “Miqtë për hall”, punëtorët që m’u bënë krah.

– Shëndet e suksese, mo djalë!

Ndërsa dikush tjetër që na njihte si familje: “Paç uratën! Hallall, se ia keni bënë hizmetin shkollës”! Më pas u dëgjua një thirrje gazmore mes specialistësh brenda karabinasë.

– Bujar, mos u qa më për llaçin, se e ke nga dorë inxhinieri!

Unë, në qiellin e shtatë, nuk dija si t’i kënaqja. Doja t’u zija frymën me llaç, por krahët e mia cingla nuk më bëheshin dot krah!

Urimet më vunë para përgjegjësisë. A do t’i meritoja, a do ta justifikoja besimin?! A do të dilja dot inxhinier? A do kisha sy e faqe t’u dilja para punëtorëve të llaçit, që pas sjelljes së tyre prindërore më dukeshin si mësonjës jete?!

Mund t’u ketë ndodhur edhe të tjerëve… Gjatë shkollimit gjithmonë i kam parë  me shumë respekt, pse jo edhe me zili, më të mëdhenjtë në shkollë. Madje me drojën a do arrija dot edhe unë si ata?! Kurse universitarët më dukeshin si perëndi, të paarritshëm.

Shumë më tepër besonin të tjerët tek unë, se sa unë tek vetja! Sidomos të moshuarit! Ata e dinin shumë mirë, se gjimnazistët e Gjirokastrës nuk ktheheshin duarbosh nga universiteti. Prodhimet e gjimnazit “Asim Zeneli” ishin me “kaull”!

Iu ktheva më i papërmbajtur punës së punëtorit. Jo pse ishte e para herë që punoja vetëm për vete. Dihej qysh në fillim se familja nuk do më mbante asnjë lekë nga ç’do merrja në punë! S’kishin ç’të bënin më tepër ata për mua! Ne ishim “thes i grisur” dhe punoja pa e ditur ç’do të blija më parë me rrogën e një punëtori ndërtimi përgjatë dy muajve. Nuk bëhej dot fjalë për rroba të reja si për student në universitet.

Xhaketën që kisha në gjimnaz mori përsipër xha Cania, Xhaxhiu, të ma kthente mbrapsht. (Çfarë mbrapsht?! Ajo mbrapsht ishte siç qe katandisur, por u kthye edhe një herë parç!) Ishte goxha punë. I dolën sytë, por respekti i tij për tim atë ishte i mjaftueshëm. Nuk e di si e shpërbleu. Por ishin miq.

Kur e provova, nëna mbeti shumë e kënaqur. Nuk  duken fare! – më tha e gjora ajo, kur unë prishja buzët nga disa shenja, ku dilnin në dukje pjesëza të faqes zbardhur nga dielli e rrjepur nga përdorimi. Kjo shëmti nuk do më bënte fare përshtypje, po të vazhdoja fakultetin me shoqet dhe shokët e mi të gjimnazit, madje do t’ua tregoja vetë “suksesin dhe dështimet” e kthimit mbrapsht, e do t’ua “shisja” defektet si të qëllimshme, moderniste…

Interesant çfarë kohe! Sillte kënaqësi vetëtallja, qesëndia me fukarallëkun. Madje të bënte mbret! Mbret me rrecka! Vetëqesëndia ishte pasuria e fukarait, pjesë e thesarit shpirtëror, trashëguar nga të parët dhe racioni që më kish rënë në pjesë më mjaftonte. Por tani ndryshonte puna. Do shkoja në një ambient krejt të ri, me studentë nga gjithë Shqipëria, të panjohur, ku mund edhe të skuqesha…

Pallto të madhe për dimër më sajuan një treçerekshe me copë kapote ushtarësh në rrobaqepësinë ushtarake.[24]Ajo, mjaft e ngrohtë, më shpëtoi dimrave të Tiranës, kurse për paraqitje studentore, mos e pyet! Që nuk isha thjesht ushtar më tradhtonin vetëm flokët! Ndihesha i privilegjuar që nuk e shikoja veten. Ama kush më hidhte sytë, më bënte borxhli!

Nga lista e parë më mbetën plot gjëra pa blerë. Po pun’ e madhe! Ama ekonomikisht ndihesha i pasur. Ruajta të paprekur thesarin me lekë të thata për biletën e autobusit Gjirokastër-Vlorë-Tiranë, nga rruga e Sevasterit, si dhe për të blerë, si çdo student, librat e fillimvitit universitar.

Harrova të tregoj më kryesoren! Valixhja! Nuk e patëm fare në plan. Kur u përmendëm, na u tha gjaku! U prishën llogaritë. Një nga të dyja: o këpucë, o valixhe! Ku do shkoja pa të?! Ku do fusja ndërresat dhe veshjet e dimrit? Valixhja ishte kryefjalë! Dakord, dakord, valixhen dhe, o burra, të blejmë më të lirën!

Tregu kishte vetëm një tip, standard, prej druri dhe prodhohej e njëjtë nga zdrukthëtaritë e qyteteve. Sa kujtoj edhe ngjyra qe e njëllojtë – jeshile e fortë. Në fshat mund të ta lëpinin lopët, por boja e NISH Kimikes Tiranë ishte cilësore e nuk zbardhej me një të lëpirë…! Kasa e drurit katërkëndëshe, lidhur “bisht dallëndyshe”, vishej me kompensatë. Ishte e rëndë e mbahej me një dorezë cilindrike, druri sigurisht, shkuar në një tel.

– Po rrotat? – mund të pyesin sot.

– Ha, ha!… Po të kishte edhe rrota, që do të ishin doemos prej druri, mund t’i lypsej edhe një timon…

Edhe bosh ishte mjaft e rëndë, por të lehtësonte në paraqitje. Nuk kish hiç nevojë të deklaroje se ishe student! E kishe të shkruar në… valixhe!

—————-

 [23]Vonë, si ndërtues profesionist, do përjetoja se vështirësitë e mëdha të punës në qiell të hapur, në diell, borë e shi, i kanë bërë ndërtuesit e montatorët sa të vuajtur aq të dashur, të respektuar e sidomos të sakrificës, mjaft prej të cilëve shumë të gjendur, të tillë që të heqin litarin nga gryka!

[24]Hallin e sime më e jetonte edhe shoqëria, kolektivi i rrobaqepësisë ushtarake, ku punonte. Çfarë solidariteti njerëzor! Kujtoj me respekt të veçantë zotin Kristaq Qurku, drejtorin, që gjeti mënyrën të shkelej rregulli dhe të bëhej një xhaketë për të birin student të një punonjëseje. Kuptohet, me pagesë! Por ishte e pamundur, e paligjshme, paçka se unë kisha marrë hakën e punës në ndërtim dhe “të thyeja kokën me pare të thata”!

Please follow and like us: