NJË VEPËR ARKITEKTONIKE E MENDIMIT ESEISTIKO-FILOZOFIK
Refleksione letrare
Prolog
Në kosheren e mendjes, një autor i vyer dhe i talentuar, vazhdimisht muros ndër vite ‘kështjellën’ e mendimit, hulumton, grumbullon dhe thith nektarin e diturisë nga paraardhësit, nga veprat e mjeshtërve dhe kolosëve të artit letrar. Në fakt, ai ushqen shpirtin e vet dhe riprodhon vlera të reja për t’u falë njerëzimit, ashtu siç i kanë falë. Rifat Ismaili, një autor që tash e tri dekada jeton, vepron dhe krijon jashtë atdheut të vet, në Itali, por ai nuk është një murg, që rri brenda kështjellës si i izoluar, por jeton me letërsinë, artin letrar, udhëton në maratonën e gjatë artistike, mund mallin, vetminë, largësinë dhe i jep kuptim jetës ku jeton. Autor i gjashtë librave në prozë, nëntë libra në poezi, katër libra me ese, dy libra të përkthyer. Duke qenë një mjeshtër i fjalës, Ismailit ia kam lexuar ca libra dhe vepra e tij përcjell një mesazh human gjithënjerëzor. Krahas punës, kënaqësinë e jetës e kërkon në lexim dhe krijim. A s’është ky kuptimi më i mirë i jetës, vallë?! Jo të gjithë librat e miqve i kam lexuar. Disa i lexoj herë pas here, disa sapo më bien në dorë i lexoj, disa presin njëherë tjetër…
Arkitektura e filozofisë estetike në artin e shkrimit
Në arkitekturën e mendimeve apo në kështjellën e pamposhtur të shkrimit, Rifat Ismaili, poet, prozator, eseist dhe përkthyes, në këtë libër me 21 ese arrin të komunikojë dhe të përcjellë një mesazh te lexuesi me një stil të thellë, kreativ, balancues, me një paanëshmëri dhe një kompleksivitet që paraqet procesi apo akti i shkrimit tek akcili autor. Autori na vjen para lexuesve si eseist me një njohje të kompletuar në fushën e eseistikës duke u bazuar në tri-katër shtylla të themelta: në atë letrare, në atë filozofike dhe socio-estetike. Njohja e tij me këto katër shtylla paraqet bazamentin e çdo eseje, pra , provokon, cyt mendime te çdo lexues, thërret lexuesin dhe sikur informon se hyrja në “kalanë” e procesit të shkrimit nuk është aq i lehtë, sa nuk është aq lehtë mbrojtja apo pushtimi i kalasë shpirtërore të shkrimit.
Autori duke qenë i armatosur me njohje teorike- filozofike, qëndron në këmbë të shëndosha në tabanin e eruditit eseistik. Ismaili procesin e shkrimit e konsideron si një lojë “ Për mua jeta vetë në thelbin e saj është si një lojë, ndaj dhe akti i të shkruarit duhet të jetë një lojë dhe asgjë tjetër” (po aty, fq.13). Atëherë, a s’është shtrydhja e trurit një tundim a një lojë artistike-eseistike me fjalë ku secila fjalë a fjali bart një veprim, lëvizje, përcjell një mesazh? Përderisa mesazhi përcjell një edukim-kulturë të masës duke i ikur betejave- shigjetave, që shpesh na drejtohen dhe na godasin. Pra, secili që hy në atë “lojë”, përpiqet , kënaqet, “torturohet”, por edhe synon ta fitojë. Fundja, a nuk qenka njeriu ëndrrimtar i përjetshëm dhe fluturues imagjinativ në kohë dhe hapësirë në këtë univers?!
Shkrimtari është edhe një kalorës i betejave shpirtërore por edhe kohore. Në lojën e këtyre pikëpjekjeve merr pjesë dhe aktivizohet eseisti duke hapur porta dhe dritare të reja, vrojtime të kështjellës së shkrimit, duke nxitur lexuesin për qasje të reja shkrimore. Autori ndalet te disa kategori: filozofike, dituri, shkrimi, jeta, vdekja dhe ndonjë shkrimtar klasik. Po ashtu trajton fatin e artistit , fatin e librave, raportin e kolektivitetit me individin, mallkimin e shkrimit si dhe eseja kreative” Kush ishte e “keqja “ e Bukovskit”. Duke lexuar ese pas eseje, takojmë “Fati i librave dhe i letërsisë”. Vallë, a nuk është fati i librave si fati i vetë njerëzve?!
“Vetëm një pjesë e vogël, shumë e vogël e asaj që shkruhet i mbijeton kohërave” (fq. 19) Miliarda njerëz kanë jetuar ashtu në anomitet në shoqëri, kanë ikur dhe janë harruar nga njerëzit, koha, historia dhe nga jeta, ndërsa pak njerëz “kokëfortë” kanë shtrydhur trurin e vet “rrebelë “ të kohës. Kanë gërmuar në minierën e pasur, në përjetimet e kohezionit shpirtëror, pra, i kanë lënë botës vepra, që asnjë stuhi, a shtërngatë nuk ka mundur t’i shkatërrojë. Pra, kanë mbetur monumente kujtese për popullin e vet dhe për shoqërinë globale në përgjithësi. Ky është mesazhi i “ rrebelëve” apo i të padëgjuarve, të talentuarëve që kanë sfiduar harresën e njerëzimit. Dikush digjet pas një ëndrre, dikush digjet pas shumë ëndrrave. Autori duke qenë një krijues eseist i sprovuar, heton dhe trajton drithërimat, fortunat, kohezionin dhe vullkanin eruptiv të krijuesit me një shkëlqim artistik.Ai në çdo ese gërmon thellë si minator në minierën e mendimit, nxjerr diamante, ashtu nxjerr vrojtime, heton dukuri, fenomene universale qoftë në formë të dialogut të nënkuptuar, qoftë në vetën e parë të rrëfimit. “Rifat Ismaili ka aftësinë e zotërimit të sensit të masës në rrëfim”.(Arian Leka, po aty, fq.5).
Thuajse çdo ese është e pasuruar me thënie proverbiale të autorëve të njohur, çka e bëjnë edhe më të pasur esenë dhe dëshmon se autori ka një njohuri të thellë, teoriko-letrare dhe filozofike. Ai di çfarë t’u ofrojë lexuesve duke “ngacmuar” dhe provokuar shije estetike. Ismaili nuk mbetet rob i mendimit as personazh, as provincial, por i qaset temave të mëdhaja të aspekteve shkrimore, qoftë fetare apo edhe atë të vdekjes si një “gabim hyjnor”. Ndërsa diapazonin enciklopedik e derdh edhe në dy ese për dy personalitete klasikë, Carls Bukovski, shkrimtar dhe Epikuri, mendimtar-filozof. Me një portretizim të hollë, qoftë të jashtëm apo të brendshëm, të përkorë, fine, na sjell Carls Bukovskin para syve të lexuesve, si i veçantë në jetë, si bohem i urryer, si artist i apasionuar pas sportit, pas grave, pas pijes, që assesi nuk e zbehin shpirtin e madh dhe të talentuar prej rrëfimtari origjinal. Ismailin e tërheq shumë shpirti i Bukovskit dhe vepra e tij, andaj ia njohu shpirtin madhështor, ngase ia përktheu veprën e tij me tregime “Asnjë këngë dashurie”.
Eseja Kush ishte ‘e keqja’ e Bukovskit, është në realitet një vepër në vete. “Ai erdhi dhe zuri vend në mendjen time, si një shkrimtar i çuditshëm, herë-herë i frikshëm, por në të njëjtën kohë një pasqyrues i pamëshirshëm i realitetit gati të dhunshëm, të jetës së ulët të shumë prej njerëzve që përsillen pa asnjë qëllim të caktuar në jetë dhe pa asnjë përspektivë të mundshme për të jetuar” (po aty, fq.69. Ndërsa autori nuk anashkalon as “Gratë parë nga ne burrat”, një ese kreative që i qaset madhështisë , shpirtit të gruas dhe pushtetit të saj. Këtë rast thekson disa mendime të poetëve të mëdhenj për femrën, si : Apolinieri, Bodleri, Van Gogu, Danteja, M. Tueni, etj. Femra është për Bodlerin “ Qenia që na i mbush ëndrrat me ferrin më të madh e dritën më të madhe” (fq.76). Libri përmbyllet me esenë Epikuri dhe kopshti filozofik, duke rrëfyer edhe mendime të mendimtarëve të mëdhenj për figurën sa të panjohur, po aq madhore; “ Epikuri na mëson sesi të mbrohemi prej botës duke ruajtur respektin për njerëzit që na rrethojnë “Gjithçka- thotë ai- është e lidhur me lumturinë tonë dhe lumturia nuk mund të sakrifikohet për asgjë”. (fq.87) Prandaj, autori me këtë libër ua ofron lexuesve një dehje të bukur shpirtërore që rrezaton lumturi dhe lumturia shijohet me vepra të mira si kjo.