Albspirit

Media/News/Publishing

Krenar Zejno: Në ditën botërore të përkthimit

Dje paska qenë dita botërore e përkthimit. Ende nën inerci, po përfitoj nga ky lajm për t’i shtuar njoftimin se korpusit të përkthimeve të magjishme nga Halit Selfo, i janë shtuar këtë vit të tjera kryevepra në botimet Zenit:

‘Bijtë e kapitenit Grant’ e Zhyl Vernit dhe ‘Perënditë kanë etje’ nga Anatole France.

Në fakt, një inerci edhe ky ribotim i tyre, përsaqë të përkthyera në mesin e shekullit të kaluar. Porse të munguara prej kohësh. Po marr shkas dhe pak vrull për inerci (shpresoj të mos shkas) për të thënë që dhe vetë përkthimi si i tillë, mund të quhet një inerci e tensionit ikonik të origjinalit. Dhe për hir e në përnderim të përkthimit, ta quaj atë: mesha apo namazi i origjinalit.

Po mund të thuhet kjo edhe për inercinë e regjistrit të përkthimit në ato raste kur, për arsye që e legjitimojnë aktin dhe mundin, përkthehet (apo ripërkthehet) një vepër autori me peshë, i cili është përkthyer më parë nga ndonjë dorë mjeshtri. Mundet (apo dhe duhet?) që përkthimi i mëpasshëm të kumbojë si mesha apo namazi i origjinalit përkthim të mëhershëm prej mjeshtrit.

Më poshtë, është një skicim nga bibliofili i rrallë Anatole France (nobel i vitit 1921) mbi ndjenjën dashurore për librin, ku padyshim bën pjesë dhe ajo e përkthyesit për librin që sjell në gjuhën e tij. Mjeshtërinë e zejes përkthimore e gjeni në mbarë kryeveprat e gjuhës së Halit Selfos, kurse ky pasazh nuk i përket shkrimeve të përkthyera më parë. E ngaqë i shkon ditës që shkoi dhe autorit të botuar, po e ndaj me ju në shqip, gjithë duke marrë mbi vete dhe rrezikun e dukjes një kontrapedal. Përkthimi i përshkrimeve me situata dhe personazhe të tillë të përhumbur, të qorruar e si të kaluar nga mendtë, tek lënë kokën pas librave të vjetër dhe inkunabulave antike, i duket të sotmes një inerci e zvargur e të tejkaluarës me kohë. Kurse një libër si ‘Perënditë kanë etje’ është i një tjetër lloj inercie. Janë aty inercia e jehonave të revolucioneve, inercia e kumbimit të presës së gijotinës mbi kryet njerëzore, shkarrja për inerci e kokave të prera nëpër rrjeta koshi të posaçme, pastaj inercia e brohorritjeve të turmës nën ekztazë dëshire libido për dënim kapital. Po ky është tjetër kapitull, që po e lëmë për ndonjë ditë normale. Sidoqë mund ta përligjnim edhe në tema mbi përkthimin këtë ton jehonash lufte, nëse do flisnim për akte terroriste e tërë një gjenocid kulturor edhe në fushën e përkthimit, porse sot le t’i mbetemi inercisë së ledhatimit:

Ledhatimi i librit

Nga Anatole France

Kam njohur në jetë mjaft bibliofil, dhe jam bindur se ca njerëzve dashuria për librat ua bën më të përballueshme jetën. Nuk ka dashuri të vërtetë pa një dozë të shtuar ndjeshmërie. Me librat mundet me qenë i lumtur veçse në i do dhe i përkëdhel. Do më mjaftonte veç një hedhje syri që ta dalloja një bibliofil të vërtetë, e shoh nga mënyra se si e prek një libër.

Ai që tek e merr në duar ndonjë libër të çmuar, të adhurueshëm e të rrallë, a së paku nga ata të moçmit e përndertë, nuk e rrok me atë kapjen njëherit të sigurtë sa dhe të ëmbël, e nuk ia shkon butësisht dorën ashtu sa t’ia përshkojë shpinën me ledha mbi syprinën e sheshtë dhe margjinat, e pra ky njeri s’e ka patur kurrë instiktin që i bën të mëdhenj Groslier-të dhe Double-të.

Bën vaki edhe të çirret me të madhe që na i dashuroka librat: nuk i zemë besë. Nëmos ia kthefshim se i do veç që t’i përdorë. Dashuri i thonë kësaj? Vijon, vallë, të dashurohet ende pa qenë në mes ndonjë interes? Sigurisht që jo.[…]

Kam hasur edhe nga ata njerëz që rrahin ta mbyllin gjithësinë në një musëndër. Është kjo ëndrra e çdo koleksionisti. E siqë kjo ëndërr është e parealizueshme, koleksionistët e vërtetë, ashtu si dashnorët, kaplohen edhe mes lumturie prej një trishtimi të pamatë. E dinë që nuk do ia dilnin kurrë ta kyçin mbyllur botën e tërë. Prej kësaj iu vjen ajo melankoli e thellë.[…]

Më kujtohen dy priftërinj të shkuar në moshë, njëri kanonik e tjetri vikar, të dashuruar me librat e asgjë tjetër të kësaj bote. Çdo ditë falëzoti, i gjente të dy në trotuaret përpara karrocave të bukinistëve. Synimi i tyre, mbi këtë dhé, ishte të lëshonin rrëshqanthi ndër xhepat e veladonit libra të hershëm, pështjellë nën lëkurën me vijëzimet e kuqe. Janë nga ato bëma të thjeshta, aq mirë përpuqur me jetën kishtare. Do thoja që ka ca më pak rrezik, për një prift, në shfletimin e një libri ekspozuar buzë rrafteve se sa në soditjen e natyrës në një pyllishtë a fushë. Sido të na e thotë Feneloni, natyra nuk se është lartësonjëse. I mungon ajo cipa, e na cyt për te përleshja dhe dashurirat. Është ndjellëse, turbulluese e shqisave, me ato gjithëfarë aromash çpuese të saj: bën të ndjehemi të tunduar e përfshirë në puthje dhe psherëtima zjarrmi. Edhe e paqta e saj, është, në realitet, e dyshimtë. Një poet i ndjeshëm ka thënë: “Shmangiuni thellësive të pyjeve dhe heshtjes së gjerë ndehur në to”

Shfaqja që sytë e tyre rroknin më shpesh, qe ajo floreale e atij gjethi të florinjtë që libralidhësit e shekullit XVIII ua gdhendnin ndër deje e tejëza librave të tyre mbi lëkurën e shpinës. Ishte sigurisht një shfaqje më e pafajshme se ajo e zekthit të fushave, që as punojnë e as ngatërrojnë, por dashurojnë e bëjnë të çmenden fluturat me misterin e krezëz gjitëse të tyre. Dhe ishin aq hareshëm të varfër dhe dëfryeshëm të përulur. E përcillnin edhe në shijen për librat thjeshtësinë e virtytshme të jetës. Kam pas njohur, asokohe, një biblioman edhe më të habitshëm. Kish zakonin të griste nga librat fletët që s’i pëlqenin, e meqënëse qe pajuar me shije të rafinuar, nuk i kish mbetur tjetër në bibliotekën e vet përveç kompletit të një vëllimi të vetëm. Koleksionet e tij i përbënin pjesë dhe copëra të prera rilidhur mandej sërish për mrekulli.

Kam hasur edhe nga ata njerëz që rrahin ta mbyllin gjithësinë në një musëndër. Është kjo ëndrra e çdo koleksionisti. E ngaqë kjo ëndërr është e parealizueshme, koleksionistët e vërtetë, ashtu si dashnorët, kaplohen edhe në lumturi prej një trishtimi të pamatë. E dinë që nuk do mundeshin kurrë ta kyçnin mbyllur botën e tërë. Prej kësaj iu vjen ajo melankoli e thellë.

Lypset pranuar, ama, se nuk ka dashuri pa fetish, ndaj le t’ua njohim të drejtën të dashuruarve të letrës së zverdhur e të vjetëruar, pse, siç tërëkund të dashuruarit, edhe këta, nuk janë veçse përnjëmend të marrë.

Please follow and like us: