Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Libri i udhëtarit

———
I dashur Izet,
E lexova romanin tënd edhe pse vetëm tani shoh që është botuar 10 vjet më parë dhe padyshim ndjeva një kënaqësi të veçantë në këtë zgjëndër të krijuar artistikisht që mbart peshën e dhimbjeve të mëdha, në dukje të gjithkohëshme. Romanet onirikë kështu janë. Të rrëmbejnë me forcën e futunës, në atmosferën e mjegullës dhe të gjëmës së madhe, aq sa ti nuk e di nëse je në një lloj realiteti apo vetëm në zgjëndër. E menjëherë ti kalon në botën simbolike, lexon, udhëton bashkë me udhëtarin, ecën, rrëzohesh, vuan me të, me shpellat dhe shtigjet e nëndheshme, ecën nëpër histori: kriminelë, plaçkitës, vrasës, mashtrues e përdhunues që të kërrejnë sytë. Ti kërkon t’i dënosh në rreshtat e tua por ata duket se janë shumë, shumë, dhe kështu unë humbas në tisin historik që ngrihet mbi udhëtarin që vazhdon të ecë. E ndërkohë unë dua të rikthehem, të gjej fillin, të rikrijoj atë “skaleta” dramaturgjike që ti e thurr mjeshtërisht e ku unë s’dua të humbas. Vetëm kur mbaron së lexuari kujton se nga një botë mesdhetare që pulson nga antikiteti, ti ke ardhur në një kohë të afërt, madje të para disa dekadave kur rinia shqiptare klithte majë tarracave për lirinë e saj. Eshtë gjuha që u jep emër personazheve, që i mishëron, u jep fytyrë, që i kthen në karatere, toponimet e mrekullueshme të rikrijuara s’di në ç’gjendje frymëzimi e refleksioni, që të kujtojnë se je në viset veriore shqiptare, mes malesh e shkrepash, ku ligjet kanunore s’kanë peshë, ku krenaritë nacionale janë shbërë. Të imagjinoj në përkjetimin tënd gjatë përshkrimit të kësaj bote, çka nuk ka qenë e lehtë. Një gjetje e mrekullueshme që nga larg na sjell ehon e Dantes dhe Virgjilit që sëbashku udhëtonin në rrathët e ferrit për të kapur dritën, agun e një bote tjetër. Sigurisht, dikush do të thoshte se jeta mesjetare shqiptare nuk ka qenë vetëm terr, ferr, por këtu jemi në një semantikë tjetër, në botën e çuditshme onirike. Shpellat, qelitë e nëndheshme, portat e rënda, përbindëshat, të kujtojnë kalvare të kohës moderne shqiptare. Shumë mallkime, kërcënime, dhe ai vetë i mbajtur i burgosur nga sovrania, një lloj Cirçe moderne. Skena tepër filmike të një bote violente me sakatë, të verbër, gjysmë të vrarë, bohemë malesh e kalorës të zinj. Por është fjala gjithnjë ajo që primon tek ti, Fjala, ajo e popullit, e ashpër, e vërtetë, dhe herë-herë e përkorë. Kështu ne rrethohemi me rrugë, qafa, shtigje, majëmale, shpella që mbartin emra të çuditshme, shpikur nga ty, të cilat i pranojmë menjëherë, në joshjen e forcës, habisë, enigmës dhe intrigës. Vështirë ta krijosh një botë të tillë por ti e ke arritur. Përgëzime mik i dashur!
Please follow and like us: