Sadik Bejko: 75-VJETORI I KRYENGRITJES SË ZHAPOKIKËS
Marr pjesë në këtë memorial në nderim të burrave të Zhapokikës, Luftinjës dhe Kamçishtit që më 1948, 75 vjet më parë, guxuan të rebelohen me armë në dorë kundër diktaturës.
Çështja e përkujtimit të ngjarjeve dhe të njerëzve që kanë kundërshtuar diktaturën me armë apo me çdo mënyrë tjetër dhe që për këtë kundërvënie e kanë paguar me jetën e tyre, me burg a me persekutime të çdo forme, është një akt që i shërben kujtesës sonë kombëtare. Qëndresa, aktet në afirmim të lirisë shoqërore, aktet që manifestojnë kundërshtimin ndaj dhunimit të lirisë, janë prova burrëria e guximi. Këto duke u kujtuar e promovuar, bëhen pjesë e historisë sonë kombëtare, e historisë sonë në kërkim të lirive dhe të drejtave të njeriut. Ato na ndërgjegjësojnë që e keqja duhet kundërshtuar, edhe kur ngjan se po kryen veprime që mund të kthehen kundër teje, dhe kur shkon e i bie murit me kokë. Liria dhe të drejtat themelore humane e civile fitohen duke vënë në rrezik kokën, jetën, pasurinë, familjen. Çdo gjë e ka një pagë. Dhe liria paguhet më shtrenjtë nga të gjitha.
Këta burra që sot i nderojmë në një memorial, e kanë dhënë pagën e tyre, disa – jetën, të tjerëve regjimi u mori lirinë pasurinë, u njollosi me biografi të keqe fëmijët, familjen, fisin. Deri gjithë krahina ishte futur në atlasin e zonave që ishin kundër regjimit, ishin subjekte të luftës së klasave, trajtoheshin si qytetarë të kategorisë së dytë…si armiq në potencë ndaj komunizmit.
Unë përulen me respekt ndaj veprës së tyre, ndaj gjithë emrave të gdhendur në këtë memorial.
….
Prej vitesh, si pjesë e një grupimi shkrimtarësh pranë “Klubit të Poezisë” kam qenë i pranishëm në nderimin e shumë figurave kombëtare si intelektualë, shkrimtarë, poetë, klerikë të lartë që janë persekutuar e ekzekutuar nga diktatura. Kam folur në Kukës për Havzi Nelën. Në Peshtanin tonë për Trifon Xhagjikën… kemi nderuar Musine Kokalarin, Vilson Blloshmin, në Shkodër Patër Anton Harapin, në Durrës imzot Vinçens Prenushin etj…
Ka qenë privilegj që në këto përkujtime më kanë dhënë fjalën.
Është në nderim që të jem dhe sot këtu në Zhapokikë. Është zona ime. Janë njerëzit e baltës sime. Në disa prej shtëpive të tyre kam qenë. Të tjerë i kam njohur nga larg. Dhe mendoj se është në nderin tim që të ndihem më kokën ulur e në gjunjë para aktit të këtyre që po nderojmë.
Më lart përmenda figura që janë më vlerë të dalluar kombëtare. Kanë lënë vepra me shkrim e me aksion intelektual. Nuk dua të bëj krahasime.
Edhe këta zhapoqotët, luftinjasit, kamçishtjotët e vitit 1948 u vijnë pas atyre. Çdo ishin Kapedanët e mëdhenj pa ushtarët e tyre të thjeshtë? Burra të lirisë. Si ai që është Poet, apo Peshkop dhe fshatari me opinga, burra janë. Kokën e japin, dhe e kanë dhënë në kërkim e në shpagim të lirisë. Si për Poetin, si për Ipeshkvin rilindas e klerik i lartë, në bankën e lirisë njësoj pikon, rrjedh e peshon pesha e gjakut.
Në rankimin e vuajtjeve e persekutimeve nuk ka grada. Secili aty vë jetën, kontributin e vet, gjërat e veta më të çmuara. Për to do të mbetet i nderuar. Në varrezat e luftës janë pranë e bashkë edhe gjenerali, edhe ushtari.
Mundet në këto kontribute kombëtare këta burra fshati që sot i nderojmë, kanë statusin e ushtarit. Po kjo nuk na bën më pak krenarë. Ata vetes i thoshin “ushtarë”, ata qenë luftëtarë. Ushtarë të vijës së parë. Disa dhe u rrafshuan.
Lavdi atyre. U përulem atyre.
Së fundi, dua të përmend disa njerëz që kanë qenë të palodhur deri te ky promovim në memorial. Duhen përmendur Xhezo Canaj me një libër maestral, të mbështetur në dokumente arkivore,
I ndjeri Presidenti Bujar Nishani për akordimin e dekoratës së lartë, Nder i Kombit. Për aktivizimin e ngulët edhe z. Bukurosh Hajdini.
Përshëndes, vlerësoj me shumë respekt punën e Kryetarit të Bashkisë, z. Albert Malaj dhe të stafit të tij.
Please follow and like us: