Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: FAMILJA POPAJ DHE… FAMILJA BERISHA

Një familje si Popajt e famshëm ishin pronarë tokash në Shqipëri. Popajt guxuan “të vrasin veten” kur hynë në ambasadën italiane.
Ata të persekutuarit nga komunizmi, më pas u persekutuan nga italianët e shqiptarët dhe kur?… në demokraci.
Berisha për të bërë pronare të bijën, Argitën, përdori zyrtarët më të lartë të shtetit pas tij… ministër Oketën, ministër Rulin, ministër Mehdiun… i vuri këta robër të pushtetit t’i binden vullnetit të tij.
Popajt antikomunistë të dëshmuar… mbetën të persekutuar në tirani… në demokraci.
Më 1990, në kthesën e madhe të rënies së komunizmit botëror, antikomunizmi na doli se ishte një pare kallpe. Bota perëndimore u kënaq që u shemb perandoria e Armagedonit, si e quante komunizmin Regani. u shemb pa luftë. Me antikomunizmin tani bëhej politikë, propagandë. Bënin lojë me antikomunizmin ndërkombëtarisht, mediat, qeverite… po një e shkuar që nuk e vlerësonte asnjeri. Askush nuk donte t’ia dinte që kishe qenë ose jo antikomunist. Ishte një histori e mbaruar. Për propagandë rrugësh nuk ia vlente. Nuk ishte vlerë persekutimi komunist, nuk ishte shenjë në sistemin botëror të vlerave.
Kishe qenë antikomunist? Kishe vuajtur… burgjeve, mjerë ti. Antikomunizmi ishte pa thelb, pa objekt. Një histori si një portofol i vjedhur. Një vlerë e korruptuar. E mbyllur. Ndodhur dikund në 50 vjet të shkuara, në histori.
Ke pësuar, je fatkeq… na vjen keq… por na plasi, i takon të shkuarës. Mbyll gojën e gjej veten në sistemin e ri.
Historia e vdekur nuk prodhonte më filiza të rinj… nuk prodhonte as kërpudha që dalin pasi bie një vesë shi.
Popajt këtë që po ndodhte, nuk e kuptuan: nuk kish dëmshpërblim për ca vuajte që nuk i konsideronte njeri. Ata drangër-drung… historia na ka borxhe… na lau e na leu në 50 vjet fatkeqësi.
Në kohërat moderne nuk kanë qejf të dëgjojnë histori me fatkeqësi. Mbaji larg nga ne Kasandrat. Mbaji për vete. Jemi larg për të na vënë përgjegjësi.
Popajt kishin guxuar. I kishin thënë kokës: ik pirdhu. E kishin sfiduar komunizmin në apoteozën e tij. Në robëri kishin bërtitur botërisht: duam liri.
Bota kishte ndryshuar në 50 vjet që ata persekutoheshin. Ata hynin në llogaritë e mbyllura. Në efektet anësore të një operacioni që po ndryshonte epokat. ata pandehnin se padrejtësia u jepte tagrin ta shpallnin veten si qendër e botës.
Bota ishte tjetër. Popajt kishin prishur dhe rregullat e lojës. Donin të ktheheshin mbrapa në gjysmë shekulli histori. Kërkonin llogari për padrejtësi të zgjatura sa një gjysmë shekulli.
Bota nuk kthehet pas në llogari të vjetra, në llogari që asnjë bankë nuk i ka arshivuar.
Dhe Popajt… I kishin të gjithë kundër. Askush nuk guxonte ta kthente mbrapa mokrrën që bluan histori. Rrota e saj shtypi kë shtypi dhe asgjë…
Askush nuk do t’i ngjallte të vdekurit përsëri.
Demokracia e shpallur rishmëz për ca përfitime politike të çastit po mashtronte të vuajturit. me ca iluzione të varrosura kohërave. Mjerë kush binte pre e kësi iluzioneve.
Kundër antikomunistëve të burgjeve e të pronave, kundër një familjeje si Popajt dolën komunistët shqiptarë të konvertuar në demokratë, doli dhe demokracia më e kultivuar e një vendi perëndimor si ajo e Italisë.
Ironi e përqeshur me të përvuajturit.
Me Musine Kokalarin…. dhe me sa të tjerë, vdekur e pavarrosur si Prenushi, dom Shtjefën Kurti…
Popajt, të persekutuarit nga komunizmi pandehnin se të vuash pa të drejtë në tirani, është domosdoshmëri për kërkesë drejtësie në liri. Kërkonin shpagë. Në këtë ajër bote ka drejtësi? Në tirani na shtypën na zhveshën nga pronat, nga të jetuarit me drejtësi, gjejmë vallë drejtësi tani në demokraci?
Që të kesh të drejtë, nuk na qenka një vlerë absolute?
Jo gjithmonë merret drejtësi.
Të kesh të drejtë, të kesh prona, të jesh i ndëshkuar dhe i poshtëruar… nuk është një vlerë absolute universale e patjetërsueshme në kohë dhe në hapësirë që patjetër duhet shpaguar në demokraci.
Kjo padrejtësi u provua në kapërcyellin nga komunizmi… në pluralizëm.
Mbase as nuk ishte premtuar të jepej drejtësi.
Të drejtën duhet ta fitosh legalisht. Të ta japin disa zyra drejtësie këtu në tokë…
Një e drejtë virtualisht mund të jetë e jotja, por po nuk qe legalisht, është në qiell jo në tokë.
Popajt antikomunistë par excellence, Popajt antikomunistë ndërkombëtarisht, vdiqën si të mallkuar planetarisht. Pse? Se ata u nxituan. Ata menduan se persekutimi vetvetiu është një vlerë që shpaguhet me privilegje në liri. Me drejtësi.
Kjo nuk është e vërtetë. U provua. Asgjë e humbur nuk shpërblehet automatikisht në këtë botë.
Dhe Popajt që thyen rregullat, thyen edhe kokën.
Asnjë mëshirë nga Berisha për Popajt. As prona, as banesë, as asistencë.
Berishajt tashmë ishin shpallur antikomunistët më të mëdhenj, sesa ata që kishin vdekur në kampe, në burgje, në litar e plumb nga komunizmi. Antikomuznizmi berishist ishte për antikomunistët që kishin kapërcyer ylberin. Berishistët antikomunistë morën patentë politike rehabilitimi nga Berisha. Antikomumistë të tillë, si: Pekajt, Elezët, Çulët, Mustafajt, Milloshët… ata të ‘Zërit të Popullit’, të gazetës ‘Drita’. të gazetës ‘Bashkimi’, të ‘Zërit të Rinisë’ and company ishin patentuar si demokratë… pas pilafit.
Popajt vdiqën ne mjerim duke shitur kanoçet e koshave te plehrave.
Jamarbërit, Berishët bënë prona karrierë përsëri.
Please follow and like us: