Albspirit

Media/News/Publishing

Mirela Kanini: Tirana ime…

 

Tirana është qyteti që ka brenda vetes pak nga të gjitha. Në fillim kur sapo mbërrin të duket kaos dhe zhurmë, por pastaj ambientohesh ose të zë magjia shqiptare dhe gjithçka shndërrohet në një vend ku ndihesh mirë. Është vibrimi energjik i qytetit që zien, është dashuria që të falin njerëzit aq të ngrohtë, është ai dielli i pakursyer i Tiranës. Është ai shiu që edhe kur bie gjithë ditën nuk e ndalon dot dyndjen e njerëzve. Është ai ushqimi tradicional me të cilin nuk ngopesh dot. Është vendlindja ime që në të vetmen gjuhë e thërrasin atdhe dhe mëmëdhe sepse është vërtet dhe at dhe nënë. Mendova se do takoj atje vetëm njerëz të vuajtur, mashtrues, kriminelë, njerëz të paformuar dhe injorantë të pagdhendur sipas opinionistëve të rrjeteve sociale. Por kuptova që dhe aty si në çdo qytet tjetër metropolitan ka njerëz të lumtur dhe të palumtur. Njerëz që duan dhe që urrejnë. Njerëz të pasur dhe të varfër. Por unë nuk di pse e dua shumë Tiranën time, pa kushte ashtu siç ndodh në të gjitha dashuritë e vërteta. E dua siç është dhe me shpresën që do të bëhet më e mirë, sepse ajo kurrë nuk ka qënë si kryeqytetet e tjera evropiane. Nuk ka trashëguar nga e kaluara katedrale, as ndërtesa me garguj apo shenjtorë të gdhendur nëpër mure. Mbaj mend një restorant diku në një cep të Gjermanisë që ndërtesa të paktën kishte egzistuar që në vitin 1200 dhe vazhdonte të gatuhej në të njëjtën furrë me zjarr. Mund të kishim dhe ne të tilla, por pushtimi otoman na la në prapambetje shekullore. Pa llogaritur që të vrasin sytë në Tiranë ndërtesat e shëmtuara të stilit komunist që të ngjallin trishtim. Pastaj janë kullat e dyshimta që bëjnë kontrast me realitetin. Me pak fjalë Tirana shpalos gjithë të vërtetën e saj…

Është e dukshme që nuk flas kurrë me urrejtje dhe mllef për vendlindjen time. Nuk marr pjesë as në toksikacionin politik nëpër rrjetet sociale. Por njerëzit në Tiranë që nga taksixhiu e deri tek profesorët merren me probleme madhore që nuk besoj se zgjidhen dot kafeneve dhe aq më pak me statuse Facebooku. Janë ca probleme që historikisht i kanë zgjidhur vetëm revolucionet. Jeta nuk është vetëm Rama, Sala, jeta është të duash çdo gjë të bukur dhe ta jetosh sipas mënyrës tënde. I plotësuar nuk ndihesh vetëm, po të jesh i pasur se kam ndeshur plot të tillë të trishtuar e depresivë. Boshllëku më i madh i botës moderne është vetmia dhe në Tiranë të paktën pashë që egziston ai komunikimi shoqëror, njerëzor i drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin që po humbet disi në botēn perëndimore. Edhe pse ndonjëherë është aq i drejtpërdrejtë saqë në 15 minuta bisedë të kanë pyetyr sa vjeç je, a je e martuar, sa fëmijë ke, a je natyrale apo ke bërë ndonjë operacion plastik, ku jeton, me çfarë merresh, sa e ke rrogën. Për pak mendova do më kërkojnë edhe llogarinë bankare. Falë natyrës sonë sociale ne kemi një thesar që uroj të mos zhduket. Mu kujtua historia e një profesori antropologjie që studionte sjelljet e një fisi indogjen. I bënte aq përshtypje lumturia e tyre sepse mbi të gjitha midis tyre pothuajse nuk egzistonte ajo ndjenja e të ndjerit keq pa arësye sidomos kur ke gjithçka të mundshme. Ata flisnin me shenja tinguj dhe me atë gjuhën e tyre të cilën ai jo vetëm e mësoi por më pas u dashurua marrëzisht me një grua të fisit e cila çdo gjê e ndjente e udhëhequr nga instiktet. Ajo e donte profesorin e ri jo për arritjet e tij shkencore me famë botërore të cilat as që i kuptonte, por për ndjesinë që i jepte prania e tij, tërheqja e fortë fizike dhe kimia midis tyre. E donte për mirësinë që ai shfaqte dhe sjelljet e tij mbrojtëse ndaj saj, instiktive gjithashtu. Ajo vërtet nuk kishte njohuri, por kishte intuitë dhe kjo e fundit është shkalla më e lartë e inteligjencës. Ai i mësoi asaj pak nga pak gjuhën e tij dhe diçka mbi botēn e civilizuar. Ndërkohë u martuan dhe lindën dy fëmijë. Profesori mendoi që tashmë për të mirën e fëmijëve duhet të jetonin në civilizim dhe ashtu bënë. Por nuk kaloi shumë kohë dhe ai pa një trishtim të dhimbshëm në sytë e gruas së tij që tretej çdo ditë. Atë e lëndonte ftohësia e njerëzve që përshëndesnin formalisht. Ju përgjerua profesorit ta kthente në fisin e saj sepse edhe pse jetoi në perëndim për shumë vite preferonte habitatin ku ndihej mirë. Profesori ia plotësoi dëshirën sepse dashuria është liri, ndërsa për veten e tij kishte ngecur mes dy botëve dhe nuk e dinte tashmë se kujt prej saj i përkiste. Unë për veten time e gjej veten ndonjëherë si gruaja indogjene e ndonjëherë si profesori…

Please follow and like us: