Natasha Lako: Tetori duhet të jetë vetëm i Helenës dhe i Rozës
Prita, për të folur për dy të bukurat e mia, Helenën dhe Rozën që kanë lindur në tetor.
Unë nuk di për to çfarë thonë planetet, por çfarë thonë bashkëshortët e tyre, mund ta marr me mend. Nuk dihet se cilët kanë qenë me fat, Helena për Ismailin apo Ismaili për Helenën, Dhimitër Anagnosti për Rozën apo Roza për Dhimitrin, kur një ditë prej ditësh është krijuar secili çift.
Unë jam më fat që i kam njohur të dyja.
Të dyja me mbiemrat e tyre të vajzërisë, njëra Helena Gusho tjetra Roza Xhuxha. Helenën e kam njohur prej noveles ‘Shuaje dritën Vera’ që mbi të gjitha flet për lirinë që një vajzë i jep leximi.
Emri i Rozës fëshfërues, shkruhej mes ajrit të qytetit tim, pothuajse i palexueshëm përpara rolit të saj të parë, në ekran, një malësore e re.
Të dyja ndodheshin prapa personazheve të tyre. Por dihet se si mishërohet vetja në art. Dhe erdhi 80 vjetori i tyre, nga më të ndritshmit, më të bukurit, nga çfarë lloj ngjarjesh kemi rreth e rrotull. Melhem në plagët tona, këto dy fytyra dhe dy zemra të bukura. Shëronjëse të më shumë se gjysëm shekulli, që nga nina-nanat e tyre të para e deri për nipër e mbesa. Në djepet e fateve tona, lëshuar nga një këngë.
Mbaj mend një udhëtim të dikurshmë së bashku me Rozën në Çorovodë, kur pashë se sa çelej mëngjezi, kishte gra që nuk prisnin sa t’i sillnin një gotë qumësht në hotel.
Ca skena të tilla mirëseardhjeve franceze, përshkruan edhe Helena në librin e saj të bujshëm dhe nga më seriozët e letrave shqipe “Kohë e pamjaftueshme”.
Kush mban mend fytyrën e gruas së re, në filmin “Plagë të vjetra” dhe “Botë e padukshme” e kupton se Roza ka sjellë në ekran jo vetëm dhemshurinë karakteristike të saj, por edhe zotësinë e femrës.
Dy bukuri që nuk u kthyen kurrë në kukulla, të cilat kanë folur, para se dhe ’Barbi’ të vendoste të fliste vetë. Nuk di në se kanë ditur të bëjnë ndonjëherë twerk, megjithëse një shkrimtare dhe një aktore duhet të dijë çdo gjë.
Nuk i takojnë as brezit që merrte shkollim të dikurshëm në Vjenë a Romë, as shkollimit në bllokun e Europës Lindore. Janë si të thuash prodhim organik, me fat që nuk kanë ndonjë kujtesë të rrënjosur, për beteja, si brezi para tyre. Dhe ky është një kapërcim i madh, drej periudhës që duket se ato e sollën vetë të parat, butësinë brenda guximit të parë femëror shqiptar, që ndryshe mund të quhet feminitet i stolisur njëherë e përgjithmonë.
Ja pse e duan njerëzit kaq shumë, Roza Anagnostin dhe Helena Kadarenë, këto bashkëudhëtare të një gjendje tjetër të paparë për femrën shqiptare.
Pasuri e madhe të kesh Helena Kadarene dhe Roza Anagnostin pranë. Të shënosh me diçka të bukur, ditët e çdo jete.
Madje edhe në një listë të përbashkët të nënshkruar nga një zëvendëministër në vitin 1978, ku së bashku me disa të tjerë, ne konsideroheshim me rrezikshmëri të lartë, gati si bashkëpunëtore të kryengritjejeve që mund të vinin. Dhe vërtet kryengritje mund të ishte edhe dëshira për të shfaqur egzistencën e shpirtit femëror. E kaluan cakun e shfaqjes si mëma në këtë rol të përjetësuar tradicionalisht. E kaluan këtë rol në një privaci të shenjtë. Juna, vajza e Rozës na tregoi atë pjatën, ku nëna dhe bashkeshortja hedh me pak. Mbeten dashnore dhe bija edhe vetë. Ja pse kanë nevojë për përkëdheljet e fjalës.
Janë tetëdhjetë vjeçare këto bukuroshe të pandreqshme.
Mua më mjaftojne që me rastin e botimin të një poemthi me titullin ‘Çështje pranverore’, Helena Kadare më ka dërguar një telegram, e volitshme si për ta dërguar nga posta e shtëpisë botuese. Vazhdoj ta shoh si dikur duke ngjitur dhe duke zbritur shkallët drejt sektorit të botimeve enciklopedike, që nuk janë pak.
Më mjafton që e kam parë Roza Anagnostin në rolin e Kordeljes, po aq të dashur sa Dafina e filmit “Mësonjëtorja’. Dhe kujtimet i kam pa fund dhe emocionet i kemi të përbashkëta. Si i ka mbajtur emocionet e asaj vëmendje dhe dashurie gjatë xhirimeve në rrugët e Korçës, si është përqëndruar në rol vetëm ajo e di.
Dhe që të dyja kanë lindur të duan shumë. Por që të duash duhet të dish.
Tetëdhjetvjetori i këtyre bukurive të pacenueshme, sigurisht është një festë për në të gjithë.
Lum që e kemi këtë model shqiptar, të lirive të parakohshme dhe të sakrifikuara sa më s’ka. Nuk janë vetëm e kaluara, por edhe e ardhmja jonë. Dhe është pak t’u urosh 100 vjet!