Sakip Cami: “Brenga e prokurorit” apo lëngimi i sistemit?!
Shënime për romanin e Ahmet Prençit “Brenga e prokurorit”
Pas romanit “Anja” shkrimtari Ahmet Prençi vjen para lexuesit shqiptar me romanin e dytë të titulluar:”Brenga e prokurorit”, një roman, i vetmi për momentin që trajton një temë të vështirë, atë të drejtësisë shqiptare në këto vite tranzicioni.
Ndonëse kanë kaluar tre dekada pas rrëzimit të diktaturës komuniste, institucionet demokratike shqiptare, ndër to edhe sistemi i drejtësisë po lëngojnë së bashku me dhimbjet e rritjes dhe të transformimit.
Ahmet Prençi që vjen nga rradhët e policisë dhe të drejtësisë shqiptare mori guximin që këto transformime të fuqishme të ndërgjegjes njerëzore të shoqërisë shqiptare t’i pasqyrojë në letërsi me romanin e tij, që po e them që në krye të herës, ja ka arritur me sukses.
Në qendër të romanit është prokurori Martin Guri, i fortë si guri dhe depërtues si martina. Por në këtë roman shkrimtari e trajton figurën e prokurorit edhe në dimensionin njerëzor, jo vetëm si funksionar shteti.
Prokurori është një njeri si çdo njeri tjetër, ndonëse me disa kufizime për shkak të natyrës së profesionit.
Martin Guri, bir ushtaraku, dorë e hekurt në drejtësi ka në hetim dosjen e një krimineli për të cilin është i bindur se do t’i japë, në përputhje me ligjin një dënim me burgim të përjetshëm. Çdo krim i kryer prej këtij krimineli është sakaq i vërtetuar. Pritet veç pretenca e tij si prokuror i çështjes.
Papritmas prokurorin vjen ta takojë një grua. Një grua fantazmë, nga ato që i takon një herë pa mundur t’i harrosh më kurrë edhe kur rrugët e jetës mund të të kenë çuar në një drejtim pa pika përputhjeje.
Gruaja ka një mesazh për prokurorin. Ka një kërcënim. Një kërcënim tejet turbullues, brengosës. Kush është kjo grua ? Prokurori përpiqet ta sjellë ndërmend e kështu romani kalon në një periudhë tjetër kohore në atë të para vitit 1990 kur ishte vetëm 17 vjeç dhe kur një grua e bukur 30 vjeçare për nevojat e saj për tu bërë me një fëmijë që i mungonte prej vitesh dhe që bashkëshorti i saj nuk ja jepte dot këtë mundësi e mashtroi, e kobiti me lojërat e saj femërore dhe ja arriti që të mbetej shtatzanë e më pas ta largonte e ta ruante sekretin për tre dekada.
Martin Guri si prokuror, kurrë ndonjëherë nuk ka rënë pre e kërcënimeve, e përpjekjeve për t’u blerë sepse i është përkushtuar drejtësisë. Modeli i tij është Falkone.
Por deklarata e gruas është e paimagjinueshme dhe e brengos, e fut në mendime e dilema. A duhet të ndjehet fajtor për atë që ka ndodhur tre dekada më parë pa koshiencën e tij ?
Ai ka një familje të mrekullueshme me dy djem si ëngjëj e pse u dashka të bëhet pre e një gabimi në adoloshencë, rrjedhojë e një mashtrimi.
Jo, marrja (turpi) i Arjanës që ka rritur fëmijë si Marjani, kombinim i gjetur emrash dhe më pas zvetnimi, dalja boje e Zambak Bojës, oficer i sigurimit të shtetit, që pas vitit 1990 largohet për në Amerikë, ndikimi i vitit të mbrapshtë 97 janë arsyet që fëmija Marjan Boja të bëhej kriminel.
Por shoqëria shqiptare, fëmijët e tij të mrekullueshëm nuk kanë përse të vuajnë nga kriminelë të rrezikshëm si Marjan Boja.
Janë ata kriminelë të tipit Boja që i kanë vrarë Martinit shokun e ngushtë, Turin, kolegun e tij. Dhe çdo lexues i vëmendshëm sjell ndërmend vrasjet reale në krye të detyrës nga kriminelët të drejtuesve të lartë të policisë së shtetit A.Z, A.C etj.
Dhe që këto ngjarje e vrasje të mos ndodhin më, prokurori Martin Guri është i vendosur dhe lexon pretencën ashtu sikurse e kishte përgatitur, ashtu sikurse e meritonte krimineli Marjan Boja.
Kjo pretencë shoqërohet me vdekjen e Arjana Bojës, nënës së Marjanit në sallën e gjyqit. Por e tillë jeta. Çdo krim kërkon ndëshkim dhe vetëm prokurorë si Martin Guri do ta vendosin drejtësinë e munguar në Shqipëri.
“Brenga e prokurorit” në dukje me tiparet e romanit policor, është një rrëfim thellësisht psikologjik, një psiko-analizë që paraqet një realitet të njohur sikurse ai i ditëve tona.
Ahmet Prençi, si ish shef i policisë shqiptare ka përvojën e tij të madhe në luftën ndaj krimit dhe këtë përvojë e shpreh më së miri me art, me letërsinë e tij, me narracionin e tij karakteristik e të veçantë.
Pas personazheve të tij fshihen karaktere njerëzish realë.
Megjithse lexojmë një roman, ndjejmë se Martin Guri personifikon prokurorët profesionistë të ndershëm që nuk janë të pakët, se pas Marjan Bojës fshihet çdo kriminel me tiparet e tij identifikuese. Krimi ka një ngjyrë, atë të zezën dhe duhet të ndëshkohet, që e tërë shoqëria të mos nxihet nga e keqja.
Autori në këtë roman përcjell mesazhe thelbësore, ku lufta kundër krimit dhe korrupsionit qëndron në rend të ditës.
Ky roman duhet të lexohet nga të gjithë, por veçanërisht nga ligjvënësit dhe ligjzbatuesit shqiptarë.
Mendoj se shumë shpejt ky roman do të bëhet një “best seller “ i letërsisë shqiptare si për vlerat artistike ashtu edhe për mesazhet që transmeton.