Albspirit

Media/News/Publishing

Poli Shajko: Dashuri e nderime për histori të jetuara

Reflektime – Dashuri e nderime për histori të jetuara

Poli Shajko

Një mbrëmje dimri e gjatë do të sillte një hapjehorizontesh të reja nga një bisedë familjare jo e pazakontë midis nesh. Rehatisht të ulur me një filxhan çaj mali në dorë, mbas një dite të gjatë, biseda fillon me planet për të shkruar më shumë e për të mbajtur premtimet e dhëna miqve, shokëve e më gjerë për detyrën patriotike: “Të lëmë në kartë diçka për ata që vijnë pas”.

Babi kishte ardhur ta kalonte dimrin me ne në Oxford pas një ngjarje tronditëse për ne të gjithë, humbjen e mamit tonë të shtrenjtë pa pritur e kujtuar. Ajo kish qenë gjithçka për të, i kish dhënë mundësinë e krijimit të një familje të mrekullueshme mbas një fëmijërije jetime e të vështirë por, tani përsëri me largimin e saj, ai e gjente veten në moshë 86-vjeçare po ashtu vetëm pa bashkëshorten me të cilën ndau 57 vjet të jetës së tij. Duhet thënë se këtë rradhë s’kish pse të ndihej jetim si dikur në moshën 7-vjeçare! Kishte kush të kujdesej, ne dy fëmijët e tij që e duam, e adhurojmë dhe e respektojmë ashtu siç e meriton.

“Ç’po shkruan”? – e pyeta si për ta ngacmuar lehtë. Autobiografinë tënde, kur ke ndërmend ta hedhësh në letër? Jo për gjë po na duhet ta kemi se ato që mban në kokë ti asnjë nga ne nuk mund t’i dëshifrojë. Po librin për Nokovën e mbarove”?

Buzëqeshi lehtë e mu përgjigj shtruar ashtu siç e ka zakon: “Ohu ka kohë për ato. Tani jam duke shkruar për Zhulatin”.

U befasova se unë as që kisha dëgjuar ndonjë herë për Zhulatin dhe lidhjen e tij me të. Habia më erdhi natyrshëm dhe me një ndryshim të fytyrës i dhashë të kuptoja se dëshiroja të dija më shumë.

“E moj, po shkruaj për ato dy vitet e mësuesisë e drejtorllëkut në Zhulat. Patjetër që të kam treguar më parë për këtë, po ti si ti, nuk ua vë veshin se nga ta kesh mendjen më parë… Kam aq shumë për të kujtuar e për të thënë për ato vite të brishta, për ata nxënës shembëllorë, për ata kolegë të papërtuar e aq më shumë për ata lebërit e mençur, atdhetarët që kurrë nuk i ranë gjoksit për historinë e tyre të lashtë por, ashtu të mënçur e plot dëshirë për të shkuar më tutje, u arsimuan e u bënë doktora e mësues, inxhiniera e ushtarakë të njohur dhe e lanë historinë të fliste vetë”.

“Më fal për injorancën, po ku ndodhet Zhulati? … Që është një fshat në Gjirokastër e di, po tamam ku ndodhet, më thuaj të lutem pak” – shtova me nxitim para se ai të më qortonte për këtë.

Më pa me qesëndi dhe disi i turpëruar që unë nuk dija as informacionin më të thjeshtë për këtë vend që ‘i mençuri im’ kishte aq shumë për të ndarë me ne, më vuri në përgjegësi: “Të kam thënë, e ke marrë kot atë 10-n në Gjeografi”, – më qortoi. “Sa herë vinim për Gjirokastër ta kam treguar nga makina, por nuk ja ke venë veshin. Hajde, Poli, hajde. Merr atë kompjuterin tënd e mëso më shumë për vendin tënd se është turp si vajzë e shkolluar e bijë historiani, nuk të falet. Çdo shqiptar duhet të dijë për Zhulatin mbi dy mijë vjeçar, për ata njerëz të mrekullueshëm e për atë jetë idilike, madje meriton dhe një muze”.

Kaq deshte e vazhdoi me shumë ngazëllim. “Të kujtohet kur më shputë te ai ‘fshati në natyrë’ në Borton-on-the-Water të dielën e kaluar. Ashtu do të doja t’i dhuronim një Zhulatit tonë. Çfarë mrekullie do të ishte! Në fakt kam shkruar e do ta përfshij edhe në këtë libër idetë e mia për një projekt të tillë”.

 

E anashkalova vërejtjen dhe e shtyva të më tregonte diçka nga jeta në këtë fshat kaq të dashur për të. Më mbeti në mendje prezantimi i grupit të fëmijëve të këngëve dhe valleve. Ata ishin zgjedhur të përshëndesnin ceremoninë jubilare kushtuar 10-vjetorit të Kongresit Historik të Përmetit, duke përfaqësuar denjësisht fshatrat e Zhulatit e Fushëbardhës. Fëmijët kishin shpalosur talentet e tyre në këngë e valle të veshur në kostumin tradicional të Zhulatit. Papritur ndjeva mall e nostalgji për atë kohë pasi dhe unë, si ata fëmijë, në moshën e tyre kisha kënduar dhe recituar nëpër festivale të rrethit e aktivitete kombëtare por në uniformën e pionerit, jo në kostum tradicional. Mu ngjall më shumë kureshtja dhe e pyes: “Kush i bënte gjithë ato kostume magjepse? Pse e ndjenin të nevojshme të punonin me aq devotshmëri për çdo detaj të tyre”?

Duke kërkuar informacion për kostumin e Zhulatit më dilte përpara ai i Lunxhërisë që kisha veshur me krenari ku isha në adoleshencë e babi kishte insistuar se duhet ta kisha një foto në atë kostum magjepës ku vetëtin ari i qëndismave e kaftani i rrobave, kostum me të cilin krenohet gjithë Shqipëria dhe e admiron bota.

Nisi të më tregonte për Zhulatin e gratë e tij që nuk përtonin mbas një dite të rroptuara në fushë, apo me bagëti përsëri e gjenin kohën e dëshirën për të ruajtur kostumin e tyre. Filloi të fliste e s’kishte të mbaruar për çdo detaj si e lyenin leshin e çfarë teknike përdornin (mësova që përdornin lëngun që nxirrnin nga lëkura e disa lloj drurëve si frashëri për të arritur perfekson në ngjyrë); cilat ishin veglat që përdornin si tezgjahu dhe furkën me të cilën tirrnin leshin; në ç’raste i vishnin kostumet etj.

Ora po shkonte dymbëdhjetë mbas mesnate e familjarët e tjerë kishin vajtur të flinin, por unë kisha hyrë  në temë, nuk më linte kurreshtja, diçka më ngacmoi dhe ky fshat më hyri në zemër menjëherë. Mu rrit etja për të ditur më shumë e nuk me shternin pyetjet: “Çfarë hanit si mësues në mes të malit? Kush ua bënte gjellën? Si e përballonit dimrin e ftohtë? Me se vinin nxënësit në shkollë? Kishte dru për tu ngrohur? Ke therrur ndonjëherë ndonjë bagëti? Çfare prodhonin? Ku i shisnin produktet e tyre? Ishin në kooperativë”?

Me qetësinë e tij që e karakterizon, më kërkoi ta mbyllnim duke më këshilluar: “Nuk mund të tregohet historia e një fshati në një mbrëmje. Mos ki merak se do të më ndihmosh të shtyp këto mbresat e mija nga Zhulati e do të mësosh aq shumë sa do të më thuash boll më se na hoqe kokën me gjithë këto detaje. Të gdhihemi mirë pa veç dëshirë të kesh e Zhulatin jo vetëm do ta njohësh me rrënjë si asnjë fshat tjetër por, do të jesh gati dhe t’u flasësh dhe të tjerëve për të”.

Të Shtunën e asaj jave filluam të zbatonim planin. I zëvendësuam shëtitjet e ëmbla nëpër fushat e gjelbërta e pyllin madhështor te Pallati i Çurçillit me dedikimin për librin. Historia angleze na u duk shumë pa rëndësi para grimcave historike të Zhulatit të viteve 1953 -1955. Babi mori dosjen e shënimeve me shkrimin e tij tipik e vuri syzat. Unë, bija e dedikuar e tij, lashë punët, fëmijët, e mora kompjuterin për të hedhur në të kujtimet; jemi një ekip shumë produktiv e të dy e kuptojmë njeri-tjetrin pa fjalë. Isha e ekzaltuar!

Papritur isha zhvendosur nga rutina e përditëshme monotone në Angli për të soditur në atë zonë të thellë malore, me shtëpite evendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës;aty ku shpatet e maleve dhe kodrave përreth tyre ishin të mbuluara me vreshta; në ato male e kodra të vendit tim ku bukuritë dhe hapësirat e natyrës jane pafund, ku lulet shumëllojshme me manushaqen e ndrojtur nëpër ferra, princeshë e atyre lëndinave, të ftojnë me aromat e tyre të papërshkruara, ku bagëtia blegëron e zilet këmbojnë për të filluar ditën e re; ku mushka troket e vendosur nëpër gërxhe e gëmusha, ku fshatarët herët në mengjes zbresin nga ato kodra drejt pazarit të Gjirokastrës me kuaj, pela e mushka e me samarët e mbuluar me rroba të leshta si cullë e levenxa me napat e djathit e gjalpit, me bajame, kumbulla, qershi e produke të tjera që do t’i çojnë për të shitur.

Ndalova dhe mora frymë thellë. Nuk shquhem si romantike, por Zhulati me sytë e babit tim lunxhot, më kish bërë për vete. Mu rrit kureshtja. Hapa kompjuterin e dëgjova këngën e Petrit Lulos për Zhulatin, në sfond të këngës shpalosej Zhulati e unë rashë në dashuri me këtë vend. I premotva babit se isha shumë e gatshme ta ndihmoja për ta shtypur e që së bashku do t’i përfundonim këto kujtime që do të ngelen të pashlyera në mendjen time. I kërkova që kur të dilte libri i botuar, kopja e parë më përkiste mua dhe dedikimin e desha personal, jo ashtu siç firmosin ca pa kujdes e me zhgaravina. Më premtoi me shumë krenari se ashtu do të bëhej.

Javë e muaj kaluan e ne të dy, at e bijë, vazhdonim të gërmonim e të mesonim edhe më shumë për Zhulatin e zhulatasit. Mësova dhe për një “pus” gjigant, të thellë dhe të gjerë në fund të të cilit është Zhulati e pastaj, Honi djathtas.  Lexova për malin e Lucës që zbret në ‘motrën’ e Zhulatit, Fushëbardhë, më tej për një fshat me një “shosh” qiell, që quhet Kapariel.

Tek dëgjoja diktimin e babit me zë të plotë e shprehës shtypja me dhjetë gishtat e mi në tastierën angleze ku mungonte ‘ë-ja’ dhe ‘ç-ja’ e në mënyrë të pavetëdijshme udhëtoja sërish në atë fshat të largët nga qendra urbane; me histori të lashtë e mbas luftes me kufizime të lëvizjeve dhe me resurse të pakta materiale, por me vlera të mëdha njerëzore.Admiroja dhe mu rrit dëshira për të takuar ata njerëz gjithmonë syçelë, trima, bujarë, besnikë, të këngës e muhabetit, nxenesit qe të gjithë kërkojnë të mësojnë dhe janë të apasionuar pas dijes. Bluaja në mendje dhe mundohesha të lidhja në mënyrë të llogjikshme, mënyrën e thjeshte  por të shëndetshme të jetës së tyre me karakterin e atyre lebërve plot veti të rralla: burrërinë e trimërinë, optimizmin për jetën, çiltërsinë e bujarinë, pritjen e përcjelljen e mikut etj.  Sapo kisha shtypur tregimin ku flitej për mikpritjen. Më vinte në vesh zëri i babit: “Zhulatasit, si familja e ish-partizanit apo e ish-ballistit të dyja njësoj më thonin “bujrum” në çdo orë të ditës apo të natës.” Kujtonte gostitjen  me të gjithë të mirat që ka zhulatasi dhe, përcjelljen të nesërmen me torbën plot: mish që ka mbetur nga darka, kulaç e djathë e gjithë të mirat duke u kujdesur për rrugën e gjatë të mikut…

 

***

Udhëtova në vite. Një skenë e ngjashme e mbushur me mbresa për fshatin idilik, humanizmin e komunitetit gjatë fëmijërisë time, kulturën e bujarinë, folklorin e pasur dhe këngët e vallet mallëngjyese të labërisë u kthye në kujtesën time.

Isha 7 ose 8 vjeç kur gjatë rrugës së gjatë Tiranë – Gjirokastër, pa hyrë në Tepelenë te kampi i ish të internuarve u ndaluam nga një burrë tepër i shqetësuar. Në atë kohë nuk kish transport publik të rregullt e për më tepër në fshatrat e thellë as që bëhej fjalë. Ndalimi i makinave të pakta në rrugë ishte një dukuri mëse e zakontë. Fati ja solli këtij prindi që makina jonë kaloi në rrugë në atë orë të vonë e ndaloi. Muzgu kish rënë dhe nuk ishte e lehtë të shquaje njerëzit në ato rrugë me gurrë e pa drita. Babi i bëri shenjë shoferit të ndalonte dhe hyri në bisedë me të panjohurin. Ishte një prind i shqetësuar: djali i tij 5-vjeçar kish rënë në një humnerë e ish çuar urgjentisht në spital ndonëse, çuditërisht, kish shpëtuar me dëmtime jo jetëmarrëse. Tani ai me djalin e mbështjellë në një batanije leshi ngjyrë gri në krahë kërkonte ndihmë për të vajtur në shtëpi në Rexhinë në zonën e Salarisë. Instikti i prindërit e bëri babin të vendoste shpejt për ta ndihmuar dhe më thotë: “Poli sonte do ta kalojmë mbrëmjen te disa miq e nesër do të vemë në Gjirokastër te mamaja”.

E trishtuar si fëmijë që mezi priste të vinte te gjyshja çdo verë, e pranova vendimin e babit e shoferi ftoi mikun me djalin e tij në makinë. U nisëm dhe mbas disa kohe që për mua u ndje shumë udhë e gjatë dhe e lodhëshme, arritëm në derën e familjes. Kuptohet e gjithë familja ishte në pritje pasi kishin kaluar një ditë traumatike dhe kur panë djalin që u kthye në shtëpi nuk përmbaheshin. Falenderimet dhe rrahjet në sup nuk kishin të mbaruar. Si fëmijë, për mua u kujdes nëna e djalit që tashmë nuk e mbante vendi dhe na shtroi të gjithëve në shesh duke na hedhur një sharg deleje përsipër. Unë një vajzë tipike nga Tirana mes dhjetë fëmijësh të fshatit e mbuluar me sharg! Shumë shpejt në dhomën tonë ra heshtja por, kjo nuk zgjati pasi sofra u shtrua në anën tjetër  me mish të pjekur, djath e gjizë, urle, raki, dhallë, qepë e hudhra të freskëta; miqtë u pritën me bujarinë tipike të lebërve. Shumë shpejt, filloi të jehonte kënga labe që për mua si fëmijë ishte një gjë shumë e veçantë. Isoja ishte e shtruar dhe ajo më vuri në gjumë. Të nesërmen, për herë të parë në jetë u zgjova nga blegërima e dhive dhe dhënëve që kishin dalë nga stanet e kumboret e tyre, tamam si te filmi “Beni ecën vetë”. Ashtu si dhe në Zhulat, të zotët e shtëpisë na mbushën torbat plot e na përcollën me një mijë urime. U nisëm për në Gjirokastër përmes Progonatit dhe unë mbeta me kujtime të pashlyera nga ajo zonë plot tradita mikpritëse si s’ka më.

 

***

 

Mu kujtua thënia a Bush Gjokës në Hon “Shtëpia, sa më shumë miq e shokë të ketë, bëhet edhe më e madhe; pastaj, na vete edhe më mirë kënga dhe muhabeti ka më shumë duk” – e kështu mendja më vajti gjetkë te vendosmëria e babit për të nxjerrë në pah çdo vlerë të këtyre njerëzve të mirë në bazë të kujtimeve që i kishin mbetur. Ka qenë dhe mbetet jo vetëm dashamirës por edhe publiçist i folklorit, këngëve dhe valleve të krahinave të Shqipërisë e kudo që vente me shërbim gjatë kohës kur punonte në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës  mblidhte fjalë, shprehje e bejte krahinore dhe i hidhte në copa letrash që mos i harronte. Netë të tëra me cigare në gojë kalonte duke bërë artikujt që botoheshin në gazetat kombëtare të kohës. Prandaj se quajta rastësi që edhe ne këtë libër, folklori, e sidomos ai i shprehur në këngët e vallet nga Zhulati do të zinte një vend të dukshëm në libër. Ai vërtetë ka një repertor të larmishëm e të çmuar të popullit të kësaj krahine aq sa bashkfshatarët e tij lunxhotë venë re se këngëve të Lunxhërisë (kur i këndon) u jap tone, theks lab. Kur e pyes me thellë më tregon: “Për mua, kënga labe  zhulatase ka identitiet e karakteristika të veçanta. Ajo, ndryshe nga kenga e shtruar lunxhote, të ngreh peshë, të bën të duah të këndosh e të ngreç zërin. Përveç të tjerave, ajo rrahja e fortë e këngëve në vallen e burrave ka një notë trimërore e krenarie dhe betim që do të thotë ‘për këtë tokë, për këtë atdhe”.

 

E nga këngët e vallet, biseda jonë merr drejtim tjetër po aq kuptimplotë. Babi flet me admirim për respektin që zhulatasit kanë për njeri-tjetrin, për krenarinë e identitetit te tyre, të qënurit zhulatas, myslimanë a të krishterë, partizanë apo ballistë, në kalë apo të hedhur nga kali, edhe ndonëse kjo në një rast krijoi polemikë me kryeministrin e vendit. Edhe ai vet kujton me krenari, momentin kur me trimëri e bindje “devijoi nga rregullat e Partisë e lavdëroi të birin e ‘armikut të klasës’ pa ju dredhur syri apo kur morri masa disiplinore për nxënësin që vite më pas e falenderoi për atë se “i dha mësim të mirë dhe e bëri jo vetëm njeri të respektuar por edhe kuadro të arritur”. Ka marrë shumë nga zhulatasit lunxhoti i urtë…

Ashtu si pa ditur e kuptuar trokiti Maji, dita kish aguar që në 4 të mëngjesit (ditët janë shumë të gjata ne Angli në pranverë, perëndimi deri vonë e është ditë deri në 10 të mbrëmjes; arësye kjo për tu frymëzuar e për të patur më shumë kohë për të shkruar e për të ecur më tej me librin.  Shtohet oportuniteti për të punuar në kompjuter në oborr ku lulet kanë çelur e zogjtë cicërojnë e hanë qershitë, ushqimin e tyre, që askush nuk i mbledh , çuditërisht asnjë re në qiell.

E hap kompjuterin e vendos të shikoj e-mailet. Më kish ardhur një e-mail nga arkeologu Profesor Doktor Skënder Muçaj që i përgjigjej kërkesës së babit për të ndarë me të informacionin dhe mendimet e tij për ekspeditën arkeologjike në Zhulat. Fliste për Zhulatin mijëra vjeçar, për kështjellën e tij. Mu rrit sërish kureshtja. E lexova informacionin, shihja fotografitë me një dëshirë të papërmbajtshme. Fliste për dy lumenjtë e mësipërm që burojnë nga malet e Kurveleshit, e kalojnë midis kështjellës së qytetit të Zhulatit (po po ‘qytet’ ishte Zhulati në ato shekuj) pranë kështjellës së Kardhiqit e nëpër fushë të Gjirokastrës, deri sa bashkohen me lumin Drino. Mësova diçka të re se si ushtarët e Zhulatit kanë qenë të krishterë shqiptarë nga malet e Kurveleshit, por më vonë, Mehmet Pasha i vogël e ndaloi shërbimin e të krishterëve si ushtarë të kësaj kështjelle e, në këtë mënyrë, vetevetiu, ata u shtrënguan të pranojnë fenë islame. Babi përmend diku në libër për familjet e të krishterëve (tashmë shumë të paktë në numër) por që jetojnë të respektuar në këtë fshat mysliman me tradita.

Grimcat nga jeta në Zhulat tashmë u bënë pjesë timja. Dëgjoja me ëndje për Mushkën e Azizit që solli sobat për nxënësit në fshat; respektin e zhulatasve ndaj mësuesve të ardhur nga gjithë anët e vendit dhe bujarinë e tyre kur mësuesit u ndodhën në rrethim në dëborë; kosin e Metit dhe ‘trimërinë’ e babit në heqjen e dhëmballës së Seferit. Vlerësoja si kurrë më parë, kujtimet e babit nga dasmat me këngë të të gjitha epokave si dhe gostitë, përrallat në netët e gjata pranë oxhakut. U interesova më tej e lexova për Papa Zhulin, për Idriz Sullin e Kanunin e Labërisë, për atdhetarin dhe albanologun zhulatas, Profesor Nexhip Allpan, që nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare në mërgim.

Sa më shumë gjumtova, aq më shumë kuptova dedikimin e bijëve të Zhulatit për ta festuar e mbajtur të gjallë historinë e tyre. Nëpërmjet shumë artikujve të goditur të Prof Dr Zaho Golemit, kuptova se “… për shpirtin pagan të lebërve, rrapi është historia, jeta, është fryma e fshatit, është jetë, legjendë, histori” dhe se “…keshtu e shikonte dhe shpresonte për këtë histori të gjallërohej, mësuesi i dedikuar e mik i paharruar i babit, Petrit Puli, bir i ketij fshati. Po ashtu mësova se si artisti Murat Kërraj, po djalë nga Zhulati, mjeshtër i gdhendjes në dru, nxori nga trupi i tharë i rrapit shumëshekullor, shtatin e gjallë të Idriz Sullit, kodifikuesit të së drejtës zakonore labe.

Diçka po ndryshonte te unë, patriotizmi i lënë në qetësi për vite me rradhë, u zgjua e po merrte përmasa të papërshkruara, ky libër me kujtime po më maturonte, ndoshta jam dhe unë pak historiane në shpirt, bëj baba të të ngjajë! Mu rrit dëshira të takoja personalisht ish nxënësit e babit, ndoshta për fat të keq jo të gjithë se disa na kanë lënë, por ata që janë ende. E kështu bëra. Vjet në verë vajtëm e u mirëpritëm, kemi dhe disa fotografi që do t’i ruaj të çmuara, nga Aseni Logli dhe bashkëshortja… Sa të mirë, sa bujarë. Tashmë kishin zbritur pranë Viroit me shtëpi, po zemrën dhe kujtimet që ndanë i kishin vetëm nga Zhulati. Edhe në moshë të thyer kujtonin me mall e respekt ato vite kur babi e shumë të tjerë si ai ju sollën në fshat shkollën, “penxheren e diturisë” siç e quajnë ata.

Gusht 2022, tashmë në Tiranë duke kaluar disa ditë cilësore me babin. Vapa na përvëlon por, ne të vendosur të mbarojmë librin. Nuk ka vend për pushim apo për argëtim. Përkushtimi ynë po shpërblehet, libri po kompletohet dhe është gati për tu çuar në botim por, për të dedikuarin, këmbëngulësin e sqimatarin,  babin tim, diçka ende mungon – kopertina. Çfarë të zgjedhim më parë në këtë larshmëri pejsazhes natyrore, histori shekullore e njerëz atdhetarë e bujarë me dashuri të madhe për dijen e progresin?! Erdhi koha për të hapur librin e kontakteve e për tu takuar me një mik të vjetër, piktor i talentuar që e kupton mesazhin që do të përcjellë lunxhoti. Kemi besim se do të shënojë në shenjë!

Kur babi më pyet sinqerisht për të vlerësuar librin, I përgjigjem po ashtu duke pasur parasysh dhe lidhjen tonë shpirtërore: “Vetëm zhulatasit do të ta japin notën për librin duke përfshirë dhe kopertinën, megjithëse siç thua dhe ti vetë, nuk është e lehtë të hedhësh në kartë të gjithë Zhulatin e artë. Mendoj se një gjë e ke arritur, ‘më ke bërë edhe mua zhulatase’. Kur të vemi për Sarandë nëpërmjet rrugës së re, nuk ka shans të mos ndalojmë në Zhulat”.

6 Gusht 2022.

KLEANTH DEDI – MËSUESI QË SHKROI EPOKË NË ZHULATIN HISTORIK

Shënime për librin e Kleanth Dedit kushtuar Zhulatit

Please follow and like us: