Albspirit

Media/News/Publishing

Alma Mehmeti: NË GALAKTIKËN E LETËRSISË PËR FËMIJË TË RIFAT ISMAILIT

Sa herë nis të shkruaj apo të lexoj një përrallë ndër mend më vjen gjyshja ime kur më merrte në prehër dhe më tregonte përrallat e saj sa gjumi më lodhte qepallat. Asokohe bota e fëmijëve ishte më e kufizuar se sa sot, ku fëmijët lindin me pritshmëri të mëdha. Me telefona dhe you tube ndaj kjo e ka bërë më të vështirë lapsin e shkrimtarëve ku përmes fantazive magjike të përrallave duhet t’u tërheqin vëmëndjen. Kam shkruar dhe lexuar shpesh për fëmijët dhe botën e tyre. Në secilin shkrim jam kthyer fëmijë për të rrëmbyer vëmendjen duke veshur zërin dhe imagjinatën.
Këtë bën çdo shkrimtar në përralla, vjersha dhe fabula ku përmes vargut, përtej ëndërrimeve fëmijënore kërkon të mësojë dhe edukojë brezin e ri. Një prej tyre është edhe miku im Rifat Ismaili, që kur lexoj përrallat e tij si me një shkop magjik futem në botën fëmijënore dhe e përjetoj sërisht si një fëmijë në prehërin e gjyshes. Nuk të lodh asnjëherë të lexosh botën e tij të thurur me fantazi dhe realitet. Në bibliotekën e Rifatit raftet janë të mbushura dhe mes tyre nuk mungon bota e larmishme e fëmijëve që vijnë si lulet e pranverës të shumta dhe shumëngjyrëshe. Shkrimtari Rifat Ismaili nuk i është kursyer kurrë letërsisë. Fantazia e tij bredh nëpër pyje e nëpër dete ku personazhet janë aq të gjallë dhe tërheqës sa mbetesh i mahnitur prej fantazisë së tij.
Në përrallën “Pula e llastuar” pikas personazhin e pulës ku dënohet vesi i mendjemadhësisë dhe me sa qetësi prindërit e Ilirit e bindën atë që “duhet të ecësh me këmbë në tokë” dhe pula që u ndie e turpëruar të hante përpara një tavoline me njerëz. Ajo kuptoi rolin dhe vendin që kishte, dhe më në fund e pranoi të ishte si të ngjashmit e saj.
Jo më pak edukuese është përralla “Bretkosa me fustan” ku si gjithmonë këshillat e nënës janë me vlera dhe duhet t’i ndjekim në jetë paçka nëse fëmijët e sotëm shpeshherë nuk dëgjojnë. Nga ana tjetër kemi bretkosë Lilën që me fantazinë e saj kish qepur veshje që e dallonte nga të tjerat ,sa miket e saj nuk e pranonin në shoqëri. Çfarë ka dashur autori të tregojë në këtë përrallë, që Lila ishte e pa bindur ndaj këshillave të nënës apo që çdo kush prej nesh mund ta jetojë jetën ashtu siç i pëlqen?
Por është për t’u theksuar që autori rrezaton mes fantazisë dhe kapriçove të personazhit Lila e cila nuk i bindet këshillave të nënës sepse i pëlqen të jetë e veçantë.
Lexova me kureshtje “Breshka dhe mollëkuqja” ku shkrimtari shfaq nëpërmjet shkrimit të tij se miqësia është e vyer dhe e rëndësishme në shoqërinë tonë. Dashuria për njëri-tjetrin dhe mbështetja që duhet të kemi në jetën e përditshme.
Në çdo shkrim, një mësim ku pena e hollë e tij pikturon me ngjyrat më të bukura në edukimin e brezit të ri.
Rifat Ismaili është një mik i mirë dhe besnik i botës së fëmijëve, ku unë do rreshtoja shumë përralla të tjera nga librat e mëparshëm të tij si “Skifteri”, “Shokët në plazh”, “Vogëlushet dhe derrat e egër”, “Pulëbardha grabitqare” e shumë përralla mbresëlënëse ku janë të realizuara bashkëpunime me poetë dhe aktorë edhe në videomontazhe që dëgjuesit e vëgjël do ti gjejnë në kanalin e you tubit të shkrimtarit Rifat Ismaili,me të njëjtin emër, tek “Nota poezie”, “Zëri i engjëjve” etj. Mes librave të tij shpesh herë gjej veten dhe shpesh herë humbem në dashuri dhe shpresë. Shkrimet e tij janë shumë dimensionale në galaktikën letrare ku unë e shoh gjithmonë si një frymëzim dhe muzë në shkrimet e mia. Libri i fundit që kemi në dorë dhe për të cilin po flasim, titulluar ” Bretkosa me fustan” e demostron këtë.
I uroj suksese penës së tij ku kurrë s’ka munguar këshilla për të rritur nivelin e miqve në fushën e bukur të letërsisë.
Please follow and like us: